HISTORI E SHKURTËR E TARIKATIT

 

A- Periudha e parë, nga themelimi i tarikatit rreth vitit 1250 deri në kohën e Sulltan Selimit, rreth vitit 1500.

  • Kushtet e Anadollit në shekullin XIII

Për ta kuptuar më mirë një dukuri ose bindje, u duhet hedhur një vështrim kushteve shoqërore dhe fetare të kohës. (Shih: The Bektashi Orders, John Kingsley Birge, f. 22). Për të marrë informacion thelbësor të qartë rreth tarikatit bektashi, duhet të studiojmë qoftë edhe shkurt disa ngjarje historike që kanë ndodhur në kohën e lindjes së tij. Në rastin e bektashizmit, si “konglomerat shumë besimesh” (Islam Ansiklopedisi – botimi i fundit, vëll. 1, f. 46) nga ide të krishtera, islame, greke e pagane.

Duke kuptuar sfondin e tij historik mund të jemi në gjendje të kuptojmë se si lindi ky tarikat, dhe do të mund të gjejmë burimet e rritjes së tij.

Mirëpo, historia e Anadollit duket çështje shumë e vështirë dhe e ndërlikuar për t’u studiuar. Gjetja e së vërtetës dhe prejardhjes së turqve të vjetër, gjegjësisht selxhukëve, dhe bindjeve të tyre heterodokse nuk ka qenë një detyrë e lehtë për mua dhe të tjerët. Kjo për shkak të mungesës së burimeve dhe referencave të rëndësishme, shumë prej të cilave kanë humbur ose janë djegur siç kanë theksuar orientalistët e njohur turq. Gjithashtu, studimet rreth kësaj teme kanë qenë mjaft të kufizuara. (Shih: Islam In Anatolia after the Turkish Invasion, Mehmet Fuad Koprulu, tr. Gari Leiser, f. 3), dhe veç kësaj ka pasur arsye të rëndësishme politike, ekonomike dhe konflikte që i kanë shtyrë turqit të shpërngulen në Anadoll nga pjesë të ndryshme të Azisë. (Shih: Anadoluda Islamiyetin Yayilisi, Osman Cetin, ff. 61-85)

Ne do të mbështetemi në veprën e studiuesit më të njohur të bektashizmit në Perëndim, John Kingsley Birge, me të cilën ai mbrojti doktoraturën në Stamboll. Studimit të tij do t’i referohemi sa të mundemi, për shkak të mungesës së burimeve dhe referencave rreth kësaj çështjeje. Le të fillojmë me atë që ai ka shkruar dhe studiuar rreth kësaj teme.

  Ai shkruan:

“Shumë kohë përpara fillimit të shekullit, depërtimi i Azisë së Vogël nga kishte filluar. Forcat e turqve ollyzë kishin hyrë në Azinë e Vogël qysh më 1037 kur kishin mundur një forcë bizantine në brigjet e liqenit Van, duke vrarë 24000 ushtarë të krishterë. Megjithatë, pushtimi kryesor i vendit nga turqit ndodhi thuajse menjëherë pas Betejës më 1071. Pasi perandori bizantin Roman Diogjeni ishte mposhtur nga Alp Arslan, selxhuku i madh në Malazgirt, pushtimi dhe komandimi i trashëgueshëm i provincave të Perandorisë Romake nga Erzurumi në Konstantinopojë iu besua nga Alp Arslani Sulejmanit, birit të Kutlmushit, i cili sikurse vetë Alp Arslani kishte prejardhje selxhuke. Sulejmani me katër vëllezërit e tij kaluan Eufratin, dhe në një kohë pabesueshmërisht të shkurtër përshkuan krejt Azinë e Vogël dhe ngritën kampin e tij në Kutahja. Më vonë, ai ngriti pallatin e vet në Niçe, pasi forcat e tij ishin shtrirë brenda gjashtë vjetësh nga Eufrati në Konstantinopojë, dhe nga Deti i Zi në Siri. (The Bektashi Order of Dervishes, ff. 22-23)

Pas kësaj hyrjeje të shkurtër, autori analizon disa nga faktorët që i bënë ata ta përparonin në territore që komandanti selxhuk nuk kishte planifikuar t’i pushtonte:

“Fillimisht ndodhi përçarja e ushtrisë bizantine. Ajo ishte mposhtur rëndazi në betejë dhe komandanti i saj ishte kapur nga Isak Komneni, gjenerali që e pasoi në autoritet. Ushtria me fuqitë e saj nuk ishte më në gjendje të ofronte qëndresë të sigurt. Kushtet mbizotëruese shoqërore tek fshatarët e varfër prireshin t’i tëhuajësonin banorët vendas nga autoriteti bizantin. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre fshatarëve kishte qenë krejtësisht nën sundimin e latifondistëve të pasur dhe ishin të gatshëm të dëgjonin premtimet e një fuqie rivale. Shumë prona punoheshin nga skllevërit. Sulejmani i deklaroi të lirë pas pagimit të një takse të caktuar, duke fituar kështu simpatinë e tyre. Një faktor i tretë ishin rojet e kufirit, të cilëve u ishte besuar përgjegjësia e mbrojtjes së perandorisë nga pushtuesit muslimanë dhe mësymjet e banditëve dhe të cilët ishin të gatshëm të luftonin për cilëndo palë. Akritëve në anën bizantine u përkonin gazitë, ose pushtuesit fetarë, në frontin musliman. Në leksionet e tij mbi historinë e turqve në Rum, Dr Vitek na ka treguar se sa të rëndësishëm ishin këta luftëtarë, dhe se si mendësia gazite ua ndezi shpirtrat danishmentëve, pushtuesve selxhukë dhe turq më së paku deri në epokën e Sulltan Muhammed pushtuesit.

Një faktor i pestë ishin popujt nomadë turq. Sa herët filloi ky depërtim nga fise turke është e paqartë, por historiani turk Prof. Fuad Koprulu ka treguar në veprën e tij Les Origines de L’Empire Ottoman se aty nga mesi i shekullit të trembëdhjetë Anadolli ishte kryesisht turk, me një popullatë të përbërë kryesisht nga këta popuj turkmenë (The Bektashi Orders of Dervishes, f. 24; shih edhe Islam Ansiklopedisi, 2-Cilt, 461).

Pastaj autori i këtij studimi na ofron detaje dhe informacion rreth shtetit selxhuk dhe disa shtete të tjera rivale islame që ishin pushtuar, si dhe çfarë ndodhi me disa sundimtarë dhe princër. Të shohim shkurt se si i shtjellon autori këto ngjarje të rëndësishme historike:

“Aty nga fillimi i shekullit XIII, kryeqyteti i shtetit Selxhuk ishte zhvendosur nga Konia, dhe shtatë sundimtarë selxhukë ishin ngjitur në fron. Shtete islame rivale, sidomos danishmentet e Sivës dhe Malatijës ishin pushtuar dhe përpara se të niste shekulli, Kilic Arslan II ndihej aq i sigurt saqë e ndau perandorinë mes njëmbëdhjetë djemve të tij (Encyclopedia of Islam, Seljuks). Pas Perandorisë Latine në Konstantinopojë më 1204, turqit u bënë aleatët e grekëve dhe armiqtë e kryqtarëve dhe aleatëve të tyre, armenëve. Era e artë e selxhukëve erdhi me sundimin e Alaeddin Kejkubadit I (1219-36). Pasi kaloi shumë vite si ekzil në Konstaninopjë, Alaeddini ishte njeri i shkolluar, i njohur me Krishtërizmin. Gjatë sundimit të tij të ndritur ndodhi era e madhe ndërtuese që ka lënë deri sot mbetje arkitekturore të një shkëlqimi të madh. Konia, Sivas, dhe Alaja në veçanti ishin zbukuruar me pallate, xhami, kolegje teologjike dhe ndërtesa të tjera të ngritura kur arti selxhuk ishte në kulmin e vet.(The Bektashi Order of Dervishes, ff. 24-25)

Më vonë Alaeddini kreu vepra të mëdha. Ai e zgjeroi territorin deri në Seluçi dhe i detyroi ushtritë armenase të paguanin taksa, dhe zaptoi disa qytete si Ahlati mbi liqenin Van, kurse më 1236 ai lëvizi gjithashtu kundër Harezm Sah Celalledin i cili kërkonte të zaptonte Ahlatin dhe Azinë e Vogël, dhe kur beteja e ashpër u zhvillua pranë Erzinxhanit, Alaeddini ngadhënjeu. Dhe më vonë më 1243, pasuesi i Alaeddinit, Giyasuddin Keyhusrefe II i quajtur në një vend Kosedag u mund keqas nga perandori mongol Hulagu, dhe u detyrua të paguante taksa dhe haraçe. Që prej asaj kohe selxhukët e humbën pavarësinë e tyre. Më vonë ata kërkuan ndihmë nga memlukët e Egjiptit kundër mongolëve. Fitorja e memlukëve u pasua nga një humbje e rëndë, dhe qytete si Sivas dhe Cesarea u zaptuan nga mongolët më 1243, dhe njerëzit e atij qyteti u masakruan dhe përjetuan gjenocid, qytetet u dogjën dhe që prej asaj kohe (1248) Azia  e Vogël u sundua nga mongolët. (Ibid, f. 26)

Si rezultat i fitores së mongolëve mbi selxhukët, emirët turq më në fund ngritën shtete të pavarura në pjesë të tjera të Anadollit, dhe ajo që njihej si shtet i bashkuar në kohën e Alaeddinit u nda në shumë principata më 1300. (f. 26)

Sipas Kingsley, duhet të ketë njëfarë marrëdhënieje të brendshme, ose racore, apo kulturore mes popullit lokal dhe pushtuesve. Problemi është se sundimtarët turq ishin nganjëherë të përfshirë në marrëdhënie shumë të afërt me sundimtarët bizantin. Për shkak të kryqtarëve dhe në fund mongolëve, aty nga viti 1300 e tërë Azia e Vogël u turqizua.” (f. 26)

Kështu, dy faktorë kryesorë qëndronin pas fillimit të jetës së fshehtë mistike. Së pari, mungesa e sigurisë politike për shkak të luftërave që i çuan njerëzit në pasiguri ndaj jetës së kësaj bote dhe një mospëlqim i saj bashkë me dashurinë e zjarrtë për Zotin, që i çoi shumë njerëz në kërkimin e njëfarë paqeje të brendshme në jetën fetare.

Së dyti, në kontrast me faktorin e parë, kishte diçka të cilën autori e quan impuls militant dhe dëshirë për të pushtuar botën në emër të fesë. Ky faktor u pa te gazitë kur pushtuan Anadollin për herë të parë, dhe më vonë tek princat turq që e përshkruanin veten kështu (Ibid, f. 27, c.n.: Wittek, Deux Chapters, Byzantium XI, 1936, f. 302 offset).

Këta dy faktorë mund të gjenden në literaturën bektashite deri më sot. Kështu, mund t’i referohemi poezisë së Junus Emresë, Fevaitnamesë së Haxhi Bektashit, të cilat janë shprehje të një interesimi të madh me ahiretin. Po ashtu në ngjarjet e pushtimeve nga Aliu, traditat e Sejid Gazi Bottalit, dhe Vilajetnamenë e Haxhi Bektash Veliut, dhe Vilajetnamenë e Sejid Ali Sulltanit, ku gjenden shprehje të mendësisë gazite. Si rezultat, faktori i parë i ndihmoi njerëzit të prodhonin mistikë si Xhelal ed-Din Rumiu, ndërsa i dyti u pa qartë kur bektashinjtë u përpoqën të ndërtonin, organizonin dhe përhapnin tarikatin e tyre (The Bektashi Order of Dervishes, pp. 27-28).

Këta dy faktorë mund të jenë themel i fortë për të kuptuar një çështje shumë të rëndësishme në këtë kontekst. Pra, Islami dhe Krishterimi po rriteshin dhe përhapeshin së bashku si rivalë.

Kur kryqtarët kaluan nëpër Azinë e Vogël, ata pushtuan Konian nën Frederik Mjekërkuqin. Nga ajo kohë, në kontakt me kryqtarët muslimanët ishin nën ndikimin e tyre, i cili mund të shihet kur disa princa turq nisën të imitonin të krishterët në monedhizimin e parave sikurse ata. Një tjetër rast ku vëllai i princit të famshëm turk Ruknuddin Suleiman më 1196, ishte në ekzil dhe u strehua te kristianët, dhe pothuajse u bë i krishterë, e u martua me një të krishterë. Kur pasuesi i tij Alaeddini jetoi në Konstantinopojë ai nuk ishte kundër Krishterizmit. Në beteja besimi i tij kryesor ishte te ushtarët e krishterë, dhe ai u dha shumë privilegje tregtarëve të krishterë. E njëjta gjë mund të thuhet për Xhelal ed-Din Rumiun, kryeshenjtorin e tarikatit mevlevi që ishte vetë tolerant dhe miqësor ndaj të krishterëve.

Disa prej atyre që e kanë studiuar historinë e tarikatit bektashi sikurse autori i lartcituar dhe orientalisti i famshëm gjerman Babinger janë përpjekur të konfirmojnë llojin e Islamit që u përvetësua nga sundimtarët selxhukë ishte si doktrinë shiite për shkak të ndikimit të safavidëve (The Bektashi Order, f. 29). Për më shumë detaje rreth lindjes së safavidëve, shih artikullin: “Muslim Religious Trends under the Timurids and the Rise of the Safavids”, në Mehmet Fuad Koprulu, Islam in Anatolia After Turkish Invasion, f. 39).

Megjithatë, kjo ide u mohua nga disa orientalistë turq, sikurse Fuad Koprulu, i cili pajtohet veçanërisht me citimin e Dr Osman Cetin nga Ibn Battuta, sikurse respekti i Dymbëdhjetë Imamëve dhe venerimi i Sejjidina Aliut, respekti sufi për Shejhun, etj.

Por në literaturën turke kam gjetur diçka që kundërthotë pohimin e parë, pra se thuajse të gjithë selxhukët kanë qenë shiitë dhe alevi.

Shkrimtari turk Dr. Osman Cetin në librin e tij në turqisht Anadoluda Islamiyetin Yayilasi, f. 163 ka shkruar:

Ibn Batutanin asagidagi ifadeleri herhangi bir karineye ihtiyac duymadan Anadollunun suninlige sehadet eder: “Ulke Anadalu halki butunuyle Imam Ebu Hanife Allah (c.c.) ondan razi olsun, mezhebinden (Hanefi ) olup Ehli Sunnetir. Aralarinda ne Rafizi, ne Mutezili, ne Kaderci, nede bid’at ehli bulunmaktadir. Allah Teala Hazretleri onlari bu faziletleri ile ustun kilmistir… Fakat koylerde … Turkmenlerde ve Iranli unsurlari  buluduyu as cok.”

Që do të thotë: Nga udhëtari i famshëm islam Ibn Batuta nuk mund të gjejmë as edhe një tregues që konfirmon se ata ishin alevi ose shii. Ai shkruan: e tërë popullata e Anadollit ishte e medhhebit të Imam Ebu Hanifes, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe që të gjithë ishin sunni mes tyre nuk mund të gjejmë asnjë rafidi, mu’tezili, kadiri. Nuk kishte as bidatçinj. Ky ishte vullneti dhe mbrojtja e Allahut për ta. Kishte njëfarë ndikimi në disa fshatra, por ky ishte fare i vogël.

2-Marrëdhënia mes kalenderive dhe bektashinjve

Pas pushtimit mongol, numri i dervishëve nga Turkistani, Buharaja dhe Harezmi që kërkonin strehim te selxhukët u rrit së tepërmi. Sipas Prof. Fuad Koprulu shumica e dervishëve ishin të sektit kalender, dhe ai e konsideron këtë lëvizje kalenderiste si një nga ngjarjet më të rëndësishme fetare. Ata u tërhoqën nga bota dhe nuk shqetësoheshin për të nesërmen, dhe udhëtonin shumë. Prirja e tyre ishte kah teologjia alevite, dhe ndikimi i tyre mes turkmenëve ishte shumë i madh, dhe me doktrinat e tyre shiite dhe misteret luajtën rol të madh edhe në situatën politike (The Bektashi Order, f. 32; Islam Ansiklopedisi, 5, 375)

Sipas pohimit të mësipërm si dhe disa referencave të tjera historike mund të themi se:

Në raportin mes tarikateve kalenderite dhe bektashiane mund të gjejmë se prijësi i tarikatit kalender ishte Baba Iljas el-Horasani. Ai kishte pasues të rëndësishëm, që ishin Baba Is’haku dhe Haxhi Bektashi. Ata të dy i përkisnin tarikatit kalenderi. Por pas njëfarë kohe, duket se pati njëfarë debati mes tyre. Kjo i bëri Baba Is’hakun dhe Haxhi Bektashin të rebeloheshin nga ky tarikat dhe të krijonin tarikatin e tyre, i cili u bë i njohur më vonë si tarikati bektashi. (Shih: Ahmet Yasar Ocak, Kalenderiler- Osmanli Imperaturlugunda Marjinal Sufilik, XIV-XVII- Yuzyillar, f.  205), si dhe Islam Ansiklopedisi, C-5, f. 373. Për më shumë detaje, shih artikullin: Muslim Religious Life In Anatolia in the Eighth century and the Rise of the Ottomans në: Islam In Anatolia after the Turkish Invasion, f. 25).

 

Prof.Dr.Hfz.  Hajredin Hoxha 

Tarikati bektashian (Hyrje në historinë dhe bindjet e tij) Sipas burimeve bektashiane

 

 

                                    

Related Stories

Na ndiqni në Youtube

spot_img

Tema të tjera

قضايا دينية، اجتماعية، سياسية معاصرة في ميزان القرآن: قراءة...

قضااي دينية اجتماعية سياسية معاصرة يف ميزان القرآن قراءة حتليلية يف تفسري األستاذ سيد قطب ورقة...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح القاضي مع الأستاذ إغناز غولد:...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث: التجربة الكوسوفية...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث التجربةالكوسوفيةمع الصربنموذج ورقة علمية قدمت في املؤتمر العاملي بعنوان: "...

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام ورقة علمية معدة للندوة العلمية يف امللتقى...

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية د/خيرالدين خوجة(الكوسوفي)

دراسات لأسلوب القرآن الكريم

سلسلة عرض وتقديم أعلام الدراسات القرآنية (3) دراسات لأسلوب القرآن الكريم للشيخ الأستاذ الدكتور محمد عبد الخالق...

Kategoritë më të popullarizuara

Comments