HOXHË HAFIZ ALI KORÇA DHE TEFSIRI SIMBOLIK

0
926

 

Nga reflektimet dhe gjurmët e doktrinës reformiste në mendimet e hoxhë Hafiz Ali Korçës ishte tefsiri i disa ajeteve në mënyrë simbolike. Ç’është e vërteta, kjo mënyrë e tefsirit simbolik është një lloj tefsiri i lejuar sufist, dhe ka bazë në Sheriatin tonë, e që njihet në shkencën e tefsirit si “harmonizim i kuptimit ekzoterik (dhahir ) me atë ezoterik(batin) të ajetit”, apo siç deklarojnë disa dijetarë se “ çdo ajet ka kuptim të brendshëm dhe të jashtëm”. 

Këtë çështje të tefsirit e kanë studiuar shumë dijetarë, si në të kaluarën,  ashtu edhe në ditët e sotshme, gjegjësisht në të kaluarën e kanë studiuar Imam Gazaliu, Imam Ebu Is’hak Esh-Shatibiu, etj., ndërsa në ditët e sotshme janë marrë Shejh  prof.Dr. Muhammed Husejn Dhehebi, Shejh prof.Dr. Muhamed Abduladhim Zurkani, Shejh prof.Dr. Fehd ibn Abdurahman Er-Rumi dhe Shejh prof.Dr. Jusuf El-Kardavi, etj. 

Ithtarët e kësaj doktrine ekzistimin e këtij lloji të tefsirit e argumentojnë me hadithin e transmetuar nga Imam Buhariu, ku thuhet: Transmetohet nga Ibn Abasi r.a. se ka thënë: “Omeri më trajtonte si më të afërm të Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)”; ndaj dhe për këtë, Abdurahman ibn Aufi i thotë Omerit: “A e trajton ashtu kur edhe ne kemi fëmijë si ai?” Omeri i përgjigjet: “Ai trajtohet në bazë të diturisë”, dhe më pas më pyeti për këtë ajet: 

Kur erdhi ndihma e Allahut dhe çlirimi (ngadhënjimi)”.; e unë iu përgjigja me atë çfarë më kishte mësuar Pejgamberi i Zotit, dhe kur e lexova suren deri në fund, Omeri tha: “Betohem në Zotin se unë nuk di më tepër se ajo që ti e di…”.

Gjithashtu edhe Taberiu dhe komentuesit e tjerë theksojnë se kur ka zbritur ajeti:  

“Sot e plotësova fenë tuaj”, në Haxhin e Madh Lamtumirës, Omer ibn Hatâbi ka qarë, dhe kur e ka pyetur Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) se për çfarë po qanë, ai i është përgjigjur: “Më bëri të qaj (fakti) se deri tash plotësohej feja jonë, dhe pasi u plotësua, atëherë patjetër diçka të mungojë”; dhe në këtë Pejgamberi a.s. i ka thënë: “Ke të drejtë!”

Ekzistojnë ajete dhe hadithe tjera që i theksojnë dijetarët e që konfirmojnë kuptimin ezoterik apo këtë ngjyrë simbolike në tefsir. Ana e dukshme e Kur’anit është ajo që Zoti i Madhërishëm u drejtohet robërve të vet në gjuhën e pastër arabe, e që ka rregulla e parime që na mundësojnë të kuptojmë në mënyrë të shëndoshë. Kuptimi ezoterik (i fshehur dhe i brendshëm) ka të bëjë me dëshirën e Zotit të Madhërishëm dhe me qëllimin për të cilin e ka zbritur Kur’anin, dhe këtë e kuptojmë nëpërmes të kuptuarit të parimeve dhe rregullave të tilla gjuhësore krahas dhuntisë hyjnore, e cila, sipas Imam Sujutiut, konsiderohet kusht i rëndësishëm i komentuesit të Kur’anit, e që nënkupton Dritën e Zotit të Madhërishëm që e ndez në zemrën e dijetarit dhe njohësit të Zotit të Gjithëfuqishëm, e që ka zemër, mendim dhe sjellje të shëndoshë.

Disa dijetarë caktojnë kushte për kuptimin ezoterik, gjegjësisht për të kuptuar aspektin ezoterik të gjuhës arabe; ai kuptim ezoterik duhet të përputhet me kuptimin ekzoterik dhe me qëllimet e gjuhës arabe, dhe të ketë fakt tekstual i cili e argumenton një kuptim të tillë. Pra, kuptimi ezoterik ndërlidhet ngushtë me kuptimin e shëndoshë ekzoterik të tekstit, sepse në të kundërtën do të ndeshemi me thëniet dhe komentimet e çuditshme dhe të habitshme të disa sufistëve dhe ithtarëve të tyre. 

Tani le të shohim një shembull nga përmbledhja e tefsirit të hoxhë Hafiz Ali Korçës. Në tefsirin e ajetit kur’anor: 

“Ose shembulli i tyre është si ndonjë shi i rreptë prej së larti në errësirë, me bubullimë e me vetëtimë, e prej frikës së vdekjes, nga rrufeja, ata vejnë gishtat në veshët e tyre. Po Allahu është rrethues i mosbesimtarëve (Atij nuk mund t’i shpëtojë askush)”. Hoxhë Hafiz Ali Korça thotë: “Shiu i rreptë dhe retë nënkuptojnë imanin dhe Kur’anin, errësira dhe bubullima nënkuptojnë veprat e rënda, si p.sh., namazi, agjërimi, xhihadi kundër jobesimtarëve, largimi nga fetë e vjetra dhe nga pozitat e kësaj bote, gjë që është shumë vështirë për ta. Kur dëgjonin çështje të tilla të ahiretit që i ngjanin rrufesë dhe bubullimës, jobesimtarët i vënin gishtat në veshët e tyre që të mos i dëgjojnë”.

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)