KUR PËRKTHYESI NUK E KA TË QARTË LIDHSHMËRINË NDËRMJET AJETEVE

0
158

 

Retorika arabe shquhet për përmbledhshmëri (ar. i’xhaz). E duke qenë se Kur’ani është maja e retorikës arabe, sigurisht se shquhet dhe për i’xhaz. Për këtë shkak, gjërat që lexuesi i zgjuar mund t’i kuptojë nga konteksti, nuk i përmend fare. Kjo, në rast të përkthimit në gjuhë të tjera, mund të krijojë tek lexuesi joarab ndjenjën e paqartësisë dhe konfuzionit, sikur nuk ekziston lirshmëri tematike ndërmjet ajeteve dhe kaptinave kur’anore. Andaj, është porosi për përkthyesin që të shtojë dhe fjalë nga komentimet e Kur’anit, në mënyrë që përkthimi i tij të dalë komplet.

Kur’ani ka qindra shembuj të kësaj natyre. Të marrim si shembull kaptinën en-Neml, ajetet 5 – 11. Thotë Allahu i Madhëruar:

“Të tillët janë ata që u takon dënimi më i rëndë dhe mu ata do të jenë më të dëshpëruarit në botën tjetër. 6. E s’ka dyshim se ti (Muhammed) e pranon Kur’anin nga i Urti, i Dijshmi. 7. (Përkujto) Kur Musai i tha familjes së vet: “Unë e pash një zjarr, e nga ai do t’ju sjell ndonjë lajm ose do t’ju sjell një urë të ndezur që të ngroheni”. 8. E kur arriti tek ai u thirr: “I bekuar është ai pranë zjarrit dhe ata përreth tij. I veçuar në madhëri është All-llahu, Zot i botëve! 9. O Musa, në të vërtetë Unë jam All-llahu, i plotfuqishmi, i urti. 10. E ti hidhe shkopin tënd! E kur e pa atë që lëvizte si të ishte gjarpër, ai (nga frika) ktheu prapa duke mos pasur më kujdes. (I thamë) O Musa! Mos u frikëso se pranë meje të dërguarit nuk frikësohen! 11. Përpos kush (nuk është i dërguar) bën mëkat (ai frikësohet) e që të keqen pastaj e zëvendëson me të mirën, atëherë s’ka dyshim se Unë jam që fal shumë dhe jam mëshirues.

Lidhjen e ajetit 5 dhe 6, në mënyrë që të mos keqkuptohet se edhe i Dërguari është në mesin e të përmendurve, duhet ta bëjë me ‘ndërsa ti’ (ar. fe emma ente). Metodologjia kur’anore na befason në ajetin vijues (7), në të cilin përmendet rrëfimi për Musanë [alejhis selam], andaj, për përkthyesin preferohet që me këtë rast të shtojë: ‘Shembulli i Musasë, i cili ka qenë nga të Dërguarit, dhe i cili i tha familjes…’, në mënyrë që lexuesi të mund ta lidhë të folurit e mëparshëm me këtë vijues.

Në vazhdim të rrëfimit për Musanë [alejhis selam], gjegjësisht në ajetin 10 e tutje, vjen një lloj përjashtimi në vazhdimësi të të folurit (ar. istithnaun fi devamil kelam). Shumë përkthyes konsiderojnë se ky përjashtim është i llojit të lidhur (ar. istithnaun muttesil), që do të thotë se një grup pejgamberësh i bëjnë vetes padrejtësi, ndërsa në fakt, përjashtimi është i shkëputur (ar. istithnaun munkatiun). Ajeti do të duhej të përkthej kështu:

O Musa, mos ki frikë ngase të Dërguarit nuk frikësohen tek Unë. Ata që duhet të frikësohen prej Meje janë ata që i kanë bërë vetes padrejtësi, por, megjithëkëtë, nëse ata ndryshojnë për të mirë, Unë ua fal mëkatet dhe i mëshiroj!

Ja dhe një shembull tjetër nga kaptina en-Nahl, ajeti 71:

All-llahu favorizoi disa prej jush mbi disa të tjerë në furnizim. Atyre që u është dhënë përparësia (në furnizim), nuk janë furnizues të atyre që posedojnë (robërve), ata (të gjithë) në të janë të barabartë (furnizues kryesor është All-llahu), a mos duan të mohojnë dhuntinë e All-llahut?

Disa përkthyes turq e kanë përkthyer me këtë domethënie: ‘Disa pasanikë të favorizuar nuk ushqejnë robërit dhe shërbëtorët që janë në pronësi të tyre, ndërsa ata që të gjithë janë të njëjtë në furnizim…[1]

Për shkak të këtyre përkthimeve, disa këtë ajet e kanë marrë si bazë për idenë socialiste. Përkthimi është bërë gabim, për shkak se pjesëza ‘فـ’ (f) në pjesën e ajetit:

 “…ata (të gjithë) në të janë të barabartë (furnizues kryesor është All-llahu)…”

…është shkakore (ar. sebebijjeh)[2]. Kështu, përkthimi do të duhej të ishte: ‘Të pasurit që Allahu i begatoi me lloje të ndryshme të mirësive, pasuritë e tyre nuk ua japin atyre që i kanë në pronësi dhe shfrytëzim për shkak të mos rënies në nivel të tyre.’ Pra, sikur gërditen dhe neveriten nga kjo, ngase dhënia do t’i barazonte në pozita.

Ky përkthim duket më i qëlluar për faktin se ajeti bën fjalë për figura idhujtare, të cilët refuzonin t’iu ndihmonin robërve dhe shërbëtorëve, edhe pse ishin njerëz. A nuk ishin të dyja palët të barabartë në këtë aspekt?! E nëse është ky gjykimi i tyre, atëherë si kanë të drejtë të kërkojnë nga Allahu që të lëshojë pe në të drejtën e adhurimit dhe këto atribute t’ua falë idhujve, atyre gurëve të heshtur…?!

Ajeti 58 nga kaptina en-Nur:

“O ju të cilët besuat, ata të cilët i keni në pronësinë tuaj (shërbëtorët) dhe ata që nuk kanë arritur moshën e pjekurisë, duhet të kërkojnë leje prej jush (për të hyrë te ju) në tri kohë: para namazit të sabahut, në kohën e drekës kur i hiqni rrobat tuaja (për të pushuar) dhe pas namazit të jacisë, që të tria këto kohë janë kur ju nuk jeni të veshur…

Disa e kanë keqkuptuar shifrën në këtë ajet, duke menduar se ajo flet për kërkimin e lejes tri herë, ndërsa fjala është për tri kohë të lejuara. Pra është në pyetje koha e jo shifra.

Disa përkthime lidhen edhe me gabime të rënda, qofshin këto të natyrës së drejtimit, lëvizjes apo bindjeve. P.sh. një nga përkthyesit duke përkthyer ajetin 102 të kaptinës el-Bekare:

(E hodhën librin e Zotit) E ndoqën atë që e thoshin djajtë në kohën e sundimit të Sulejmanit. Po Sulejmani nuk ishte i pafé, djajtë ishin të pafé, sepse u mësonin njerëzve magjinë. (ndoqën) Edhe çka u zbriti në Babil dy engjëjve, Harutit dhe Marutit. E ata të dy nuk i mësonin askujt (magjinë) para se t’i thoshin: “Ne jemi vetëm sprovë, pra mos u bën i pa fé!”…

Përkthyesi, me gjasë nuk e ka besuar sihrin (magjinë), andaj edhe pjesën ’ në pjesën e ajetit:

E ata të dy nuk i mësonin askujt (magjinë) para se t’i thoshin: “Ne jemi vetëm sprovë, pra mos u bën i pa fé!”

…që është përemër lidhor, e ka përkthyer si pjesëz mohuese[3]. Kjo logjikisht dhe gjuhësisht është e papranueshme. Si mund të thuhet se nuk iu kanë zbritur melekët atyre ndërsa këtu flitet edhe për proces mësimi (pra ua kanë mësuar magjinë)…?!

 

Prof.Dr.Suat Yëlldërëm

SHKAQET E KONFUZIONIT RRETH PËRKTHIMIT TË DOMETHËNIEVE TË AJETEVE TË KUR’ANIT FISNIK

Doc.prof.Dr.Hfz.Hajredin Hoxha(ish studenti i Autorit)

 


[1] Shih përkthimin e bërë nga Kryesia e Çështjeve Fetare, dhe tefsirin e Muhammed Vehbiut ‘Hulasatu-l-bejan.’

[2] Shih tefsiret e Kurtubiut dhe Hazinit.

[3] Shih përkthimin e bërë nga Kryesia e Çështjeve Fetare.