KUSHTET DHE RREGULLAT E TEFSIRIT SHKENCOR FILOSOFIK DHE SHKENCOR EKSPERIMENTAL

 

Dijetarët i potencojnë disa rregulla e kushte, të cilat duhet të plotësohen kur të aplikohet një tefsir i tillë, dhe këto janë:

  • Hulumtimet e tilla të mos mbulojnë qëllimin parësor të Kur’anit, e që është udhëzimi dhe mrekullia.
  • Kur bëjmë përzierjen apo kur i implikojmë shkencat e tilla në tefsir, duhet të kemi kujdes ndaj nevojave aktuale të njerëzve, ngase mund të jenë të dobishme në qarqet intelektuale, por mund të shkaktojnë fitne e tollovi në qarqet injorante të njerëzve.
  • S’ka problem nëse komentuesi argumenton me zbulime dhe të vërteta shkencore të pathyeshme, e që s’janë hipoteza përderisa pasuron dhe ndihmon në kuptimin e tekstit kur’anor, si dhe është në përputhje me shpirtin dhe qëllimet e Sheriatit Islam, si dhe nëse zbulimet e tilla i shfrytëzon për të konfirmuar madhështinë e ajetit kur’anor.
  • Komentuesi të mos del nga konteksti dhe të sjell domethënie të largëta e që s’kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me kuptimin e përgjithshëm të ajeteve. Në shoqërinë islame ekzistojnë edhe komentues të tillë që e kanë mbushur tefsirin e tyre përplot teori e hipoteza, duke menduar se janë të vërteta, dhe pas një kohe të vërtetat e tilla të supozuara shndërrohen në teori e hipoteza të anuluara e të pavlefshme, ngase shkenca ec me shpejtësi të madhe dhe çdo ditë ndryshon…
  • Që të mos dështojmë shpirtërisht e t’ju themi njerëzve se çdo gjë e re argumenton mrekullinë e Kur’anit, me qëllim që të besojnë në Kur’an, siç p.sh., thoshte Shehidi Sejjid Kutub (Zoti e Mëshiroftë!) në tefsirin e tij: “Fi dhilalil-Kur’an”. Ne obligohemi të fillojmë nga e vërteta fetare që del nga Kur’ani dhe të kalojmë në të vërtetën shkencore apo filosofike, e jo e kundërta, ngase në Kur’an ka të vërteta absolute dhe të palëvizshme, kurse në shkencë ka të vërteta shkencore variabile, dhe kështu, nuk mund të komentohet e vërteta absolute me të vërtetën relative.[1]
  • Në të kaluarën të gjithë dijetarët ishin kompakt se qëllimi apo synimi themelor dhe më i lartë i zbritjes së Kur’anit është udhëzimi i gjithë njerëzve në besim të vërtetë që s’ka devijime dhe që është i pastruar nga bestytnitë, gjërat e kota dhe risitë. Pra, ata udhëzohen në diçka që është më e fortë dhe më e shëndoshë. Kur’ani nuk është shpallur që të jetë enciklopedi e fizikës, astronomisë, matematikës, mjekësisë, gjeologjisë dhe shkencave tjera të zbuluara humane. Është e vërtetë se ka disa shenja në disa ajete kur’anore që aludojnë në shkenca të tilla, dhe ai që dëshiron të thellohet dhe të zgjerohet me njohuri të tilla, duhet të mbështetet në burimet shkencore të shkencëtarëve specialistë dhe të mësojë prej tyre.

Mendoj se pikërisht këtu qëndron edhe mrekullia e Kur’anit Fisnik, ngase ai vetëm i potencon ato shkenca humane dhe sikur na thotë se ja-kjo është rruga që u shpie në atë thesar dhe ju hulumtoni. Besoj se muslimani nuk dyshon se Kur’ani është përplot fshehtësi e thesare dhe se zbulimet shkencore do të vazhdojnë deri në Ditën e Gjykimit, ngase kjo formë përputhet me mrekullinë e tij dhe natyrën e tij të përshtatshme për çdo kohë e çdo vend. Në këtë kontekst një poet thotë:

“Ditët dhe koha do të tregojnë atë që s’e ke ditur, dhe do të lajmërojnë për atë që s’e ke vizituar!”

– Besimi dhe bindja se Kur’ani Fisnik është shpallur për meditim, vrojtim e përsiatje mbi ajetet e tij, me qëllim që të udhëzohemi deri në imanin në Zotin e Madhërishëm, përmes meditimit dhe vrojtimit tonë. Është shpallur për të na sjellë lumturinë në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe ky pa dyshim është edhe qëllimi esencial i shpalljes së tij. Këtë e konfirmojnë edhe vetë Shejh Muhamed Abduhu, Shejh Reshid Rida dhe reformistët e tjerë.

– Dhe në fund Shejh Muhamed Abduladhim Zerkani i thekson disa dobi dhe privilegje që përfitohen nga integrimi i shkencave kozmologjike në tefsir. Në këtë kontekst, ai thotë:

“Përputhshmëria e mendimeve të njerëzve dhe njohurive të tyre me tefsirin e Kur’anit i ushqen nevojat e tyre për kulturë kozmologjike. Ai po ashtu mbron idenë e armiqësisë në mes shkencës dhe fesë, si dhe tërheqjen e vëmendjes së jobesimtareve për  Islamin nëpërmes kësaj metode shkencore në të cilën mbështetet këto ditë. Ai insiston në shfrytëzimin e dobive nga fuqitë e gjithësisë”.

Sipas tij, shpirti përmbushet me iman në Zot dhe në fuqinë e Tij kur njeriu i komenton fjalët e Zotit që kanë të bëjnë me gjërat specifike dhe krijesat precize.[2]  Në fund, unë këtë e kuptova gjatë studimit të kësaj problematike dhe këtë që e potencova  besoj se është më se e vërtetë dhe e saktë, edhe atë në bazë të analizimit të thënieve të dijetarëve të kaluar e të mëvonshëm. Besoj se ky është qëndrimi i moderuar dhe më i shëndoshë.[3]

Nuk ka dyshim se kjo çështje shkencore është pjesë e problemeve të mëdha dhe se hulumtuesit kanë nevojë për shqyrtimin e mendimeve dhe shkrimeve të tyre herë pas here, për shkak të zbulimeve të shumta shkencore dhe ndoshta më vonë, disa teori shkencore do të shndërrohen në të vërteta. Por, gjithashtu është shumë e mundshme që disa të vërteta shkencore, për të cilat mendohet se janë të konfirmuara, të shndërrohen në teori të pavlefshme.

Falënderimi dhe lavdërimi i takon vetëm Zotit të botëve!

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)

[1] Muhamed Abduladhim Ez-Zerkani, “Menahilul-irfan fi ulumil Kur’an”; vëll. 2, f. 113.

[2] Muhamed Abduladhim Ez-Zerkani, “Menahilul-irfan fi ulumil Kur’an”; vëll. 2, 112.

[3] Më gjerësisht rreth kësaj çështje në tefsir shih: Abdurrahman Halid El-Akk, “Usulut-tefsir ve kava’iduhu”; Bejrut, Darun-nefais, Liban, bot. 2, 1986, f. 217-224; Fehd ibn Abdurahman Er-Rumi, “Usulut-Tefsiri ve menahixhuhu”; Rijad, Mektebetut-teubeti, 1413 hixhri, f. 94; Dr. Jusuf El-Kardavi, “Kejfe neteamelu me’al-Kur’anil-adhim”, Kajro, Darush-shuruk, bot. 1, 1999, f. 324-369; Sejjid Kutub, “Fi dhilalil-Kur’an”; Kajro, Darash-shuruk, bot. 11, 1985, vëll. 1, f. 180-182; Is’hak Esh-Shatibi, “El-Muvafakat fish-Sheriatil-Islamijjeti”; vëll. 2, f. 69; Muhamed Husejn Edh-Dhehebi, “Ef-tefsir vel-mufessirunë”; Kajro, Mektebetu- Vehbe, bot. 2, 2000, f. 364-381; Ebu Hamid El-Gazali, “Ihjau ulumiddin”; tahkik Ebu Hafs Sejjid ibn Ibrahim ibn Sadik, Kajro, Darul-hadith, bot.1, pa vit botimi, vëll. 1, f. 289; Ebu Abdurrahman Es-Sujuti, “El-itkan fi ulumil-Kur’an”; Bejrut, Darul-Fikri, 1979, vëll. 4, f. 27-31; Muhamed Husejn Edh-Dhehebi, “El-It-tixhahat el-munharifetu fi tefsiril-Kur’anil-Kerim-devafi’uha ve def’uha”; Kajro, Muktebetu-Vehbe, bot. 3, 1986, f. 83-91; Abduladhim Muhamed Ez-Zerkani, “Menahilul-irfan fi ulumil-Kur’an”; vëll. 2, 109-113; Iffet Muhamed Esh-Sherkavi, “El-fikrud-dinijju fi muvaxhetil-asri”; Dirase tahlilijje li it-tixhahatit-tefsir fil-asril-hadith, f. 393-405; J.J.G. Jansen, “The interpretation of Kor’an in Modern Egypt”; 34-53.

Related Stories

Na ndiqni në Youtube

spot_img

Tema të tjera

قضايا دينية، اجتماعية، سياسية معاصرة في ميزان القرآن: قراءة...

قضااي دينية اجتماعية سياسية معاصرة يف ميزان القرآن قراءة حتليلية يف تفسري األستاذ سيد قطب ورقة...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح القاضي مع الأستاذ إغناز غولد:...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث: التجربة الكوسوفية...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث التجربةالكوسوفيةمع الصربنموذج ورقة علمية قدمت في املؤتمر العاملي بعنوان: "...

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام ورقة علمية معدة للندوة العلمية يف امللتقى...

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية د/خيرالدين خوجة(الكوسوفي)

دراسات لأسلوب القرآن الكريم

سلسلة عرض وتقديم أعلام الدراسات القرآنية (3) دراسات لأسلوب القرآن الكريم للشيخ الأستاذ الدكتور محمد عبد الخالق...

Kategoritë më të popullarizuara

Comments