Sa i përket lëvizjes pansllaviste ruso-ortodokse, ajo kishte si objektiv shpëtimin e të krishterëve ortodoksë dhe çlirimin e tyre nga pushteti osman-islam dhe ai austro-katolik. Besonin se banorët e Rusisë, Polonisë, Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë, Bullgarisë dhe Çekosllovakisë ishin një komb, që kishin origjinë dhe prejardhje të njëjtë[2].
Rusët, po kështu, e shihnin fundin e Evropës dhe, paralel me të, lindjen e një perandorie të re, qendër e së cilës do të ishte Stambolli, andaj edhe kur bënë luftën me osmanët në vitin 1853-1856, ata hynë me bindjen se ka ardhur koha e themelimit të një perandorie të madhe të pritur shumë kohë më parë[3].
Burimet historike flasin se bashkimi i dy Gjermanive, asaj lindore dhe perëndimore në vitin 1871, kishte ringjallur ëndrrat dhe aspiratat fetare të rusëve për realizimin e kësaj perandorie.
Këtë mund ta vërejmë qartë në librin ‘Rusia dhe Evropa’, të orientalistit të njohur rus, Nikolaj Jakovleviç Danilevskij, i cili ndër të tjera thotë: “Problematika lindore në shekullin e XIXtë nuk është tjetër veçse një episod i luftës së gjatë ndërmjet Romës dhe Greqisë, duke nënkuptuar këtu me Greqinë të krishterët ortodoksë dhe me Romën ata katolikë, dhe se gjermanët sot llogaritën si pjesëtarë (ithtarë) të Romës, ndërsa rusët si ithtarë të Bizantit, pra si ortodoksë.”[4]
Nga fjalët e këtij orientalisti mësojmë edhe për urrejtjen e rusëve ndaj të tjerëve, në mënyrë të veçantë ndaj muslimanëve, si një gjë e lindur tek ata, që nuk do t’iu ndahet kurrë sa të ekzistojë kjo botë. Kjo për shkak se studimi i lindjes islame (orientalizmi) ka ardhur si rezultat i një vendimi kishtar dhe si pasojë e kryqëzatave. Edhe studimi i trashëgimisë islame nuk është bërë me motiv tjetër veçse atij të kolonizimit dhe pushtimit.
Në fakt, këtu fillon edhe përvoja e parë kolonialiste, pasi që Evropa për herë të parë doli jashtë kufijve të saj dhe tentoi të gjente zgjidhje për problemet komplekse nga të cilat vuante, qofshin këto të natyrës fetare, shoqërore, ekonomike etj. Pas rrëmujave dhe çrregullimeve të shfaqura në kishë dhe në shoqëri, Papa Urbani II (1088-1099) mendoi për një aventurë të re, që do ta bashkonte rreth një qëllimi të caktuar botën e krishtere.
Kësisoj, në një seancë të jashtëzakonshme në nëntor të vitit 1095, Papa mbajti një fjalim në Akademinë Kishtare, në atë që njihet si Këshilli i Klermontit, ku u shpreh deklarativisht:
“Çohuni dhe ato armë që ua drejtonit vëllezërve tuaj, drejtojuani armiqve tuaj, armiqve të krishterimit. Ju i bëni padrejtësi jetimëve dhe grave të veja, ju nuk e kurseni veten aspak nga vrasja dhe grabitja, ju plaçkitni njerëzit në rrugë publike, pa frikë dhe pa turp pranoni mito për të vrarë dhe derdhur gjakun e vëllezërve tuaj të krishterë. Ju jeni si shpendët grabitqarë që hanë kafshë të ngordhura, të cilat tërhiqen nga era kundërmuese e njerëzve. Ju jeni viktima të lakmisë suaj. Çohuni pra dhe mos vrisni vëllezërit tuaj të krishterë, por ata që kanë pushtuar qytetin e shenjtë (Kudsin). Luftoni nën flamurin e krishterë. Le të jetë për ju vetëm një komandant. Sakrifikoni veten tuaj, ngase ju jeni që keni bërë mëkatet më të mëdha, ndërsa ky është vullneti i Zotit.”
Papa Urbani II është pasardhës i Papës Gregori VII, me prejardhje çifute, i cili ishte ideatori i kryqëzatave për çlirimin e Kudsit[5].
Pas këtyre ngjarjeve, Serbia dhe Mali i Zi, në vitin 1876, do të paralajmëronin kryengritje kundër shtetit osman. Në fakt, ajo që i motivoi ata ishte lëvizja sllave ortodokse ruse, e cila nga dita në ditë sa vinte e shfaqej më e madhe dhe më e rrezikshme, derisa edhe çështja u ngrit në nivelin e: ’O Islami, o Krishterimi’, ‘O muslimanët, o të krishterët’, ‘O Evropa, o Azia.’
Në këtë kohë, kundër shtetit osman paralajmëron luftë edhe Anglia, duke e komplikuar tej mase çështjen për shtetin osman, si dhe duke e kompletuar, nëse mund të thuhet kështu, edhe hallkën e fundit të Evropës për luftë kundër muslimanëve.
Kjo urrejtje u shfaq edhe karshi muslimanëve shqiptarë, ku në Kongresin e Berlinit, më 1877, u punua në mënyrë të qëllimshme për ta nxjerrë nga rendi i ditës çështjen e tyre. Ata përpiluan edhe një dokument me kërkesat e tyre ndaj shtetit osman, në të cilat vërehet gabimi i madh, e mbase edhe i qëllimshëm, në raport me muslimanët shqiptarë. Le të përmendim disa nga pikat e këtij dokumenti për ta kuptuar këtë të vërtetë:
- Çarmatimi i rezistencës muslimane bullgare dhe boshnjake
- Tërheqja e nëpunësve muslimanë nga këto rajone
- Formimi i policisë vetëm nga të krishterët
- Qëndrimi i ushtrisë osmane vetëm në kala të fortifikuara
- Heqja e xhizjes që ia paguanin shtetit osman
- Përdorimi i gjuhës sllave në gjykata dhe ambiente qeveritare
- Caktimin e valinjve të krishterë në vendet islame, siç ishte rasti me valiun e Libanit
- Ndëshkimi i muslimanëve pjesëmarrës në krime kundër të krishterëve dhe detyrimi i tyre për t’i kompensuar materialisht ato dëme…
Siç mund të vërejmë, në këtë dokument shqiptarët nuk janë përmendur fare, ndërsa çështja e tyre është harruar tërësisht nga diplomatët perëndimorë[6].
Fatbardhësisht, Kongresi dështoi, ndërsa pjesëmarrësit nuk u pajtuan rreth pikave të këtij dokumenti, kurse turqit e refuzuan atë në tërësi. Përballë kësaj gjendjeje, Rusia nuk gjeti rrugë tjetër veçse të shpallte luftë kundër shtetit osman në vitin 1878, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi, duke përfituar nga rasti që shteti osman ishte i zënë me Rusinë, i shpallën dinakërisht luftë duke menduar se ai nuk do të ketë fuqinë e mbizotërimit mbi ta.
Shteti osman ishte dobësuar dhe druhej të futej në luftë kundër Rusisë pasi mund të pësonte humbje edhe më të mëdha, kështu që lidhi me të një marrëveshje prej njëzetenëntë pikash, që të gjitha apo shumica në dëm të interesit politik, gjeografik, kulturor dhe shoqëror të shqiptarëve.
Duke pasur parasysh këto zhvillime të hidhura, shqiptarëve nuk iu mbeti tjetër vetëm se, ndërmjet viteve 1878-1885, të themelonin një ligë, të cilën e quajtën ‘Lidhja Shqiptare e Prizrenit’, për të larguar rrezikun që i kanosej tokave të tyre. Kjo lëvizje ishte si të thuash një lloj rezistence gjithëpopullore kundër politikave të shtetit osman ndaj tyre, si dhe ndaj vendimeve të padrejta të shteteve evropiane.
Skënder Rizaj numëron këto shkaqe që çuan në themelimin e kësaj lidhjeje:
- Reformat politike, shoqërore dhe administrative në shtetin osman, që ishin në dëm të shqiptarëve
- Spastrimi në baza fetare dhe internimi i dhunshëm i shqiptarëve jashtë shtetit të tyre
- Nevoja e madhe e pavarësimit, ashtu siç qenë pavarësuar Serbia dhe Mali i Zi.
Ndërsa shkakun e daljes publike të kësaj lëvizjeje, Skënder Rizaj na e sjell nëpërmjet citimit që i bën një hulumtuesi turk: ‘Si rezultat i luftës turko-ruse në vitin 1877 ishte edhe aspirata e vendeve të Ballkanit për zgjerim territorial në llogari të tokave shqiptare. Kjo gjë i shtyri shqiptarët të mendojnë për të ardhmen e tyre dhe fatin pas rënies së shtetit osman. A mund të paramendohej pranimi i pushtetit grek apo serb dhe kështu të ktheheshin në robëri prapë?! Për këtë shkak themeluan lëvizjen që të kenë një Këshill Kombëtar në Shqipëri, për t’u pavarësuar (ndarë) nga shteti osman.’[7]
Së fundmi, në luftën ballkanike 1912-1913, kur e panë rrezikun që i kanosej edhe ekzistencës së tyre si identitet i veçantë kombëtar dhe fetar, ata (shqiptarët) u ngritën dhe shpallën pavarësinë e tyre nga shteti osman[8].
Konsideroj se një politikë më ndryshe e Portës së Lartë karshi shqiptarëve, kuptohet në të mirë të tyre, do të kishte efekte të padiskutuara pozitive. Besnikëria dhe sinqeriteti i shqiptarëve ndaj Perandorisë është dëshmuar historikisht. Pothuajse nuk ka pasur luftë të madhe, ku pjesëmarrës, në cilësinë e komandantëve të lartë, të mos kenë qenë shqiptarët.
Doc.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA
BARRIERAT E DIALOGUT DHE SHKAQET E DËSHTIMIT TË TIJ NË KOHËN BASHKËKOHORE(përvoja e Kosovës me serbët si shembull)
[1] Për detaje rreth kësaj teme, shih një punim të Dr. Muhammed Abdunebijj nga
Universiteti i Algjerisë, me titull: Mevaniu-l-hivar bejne akideti-d-d’afi ve ukdeti-l-kuvveti vel-mizaxhi-l-munharifi, f. 4-30.
[2] Rizaj, Skender. Lidhja shqiptare e Prizrenit, f. 40; Frashëri, Mehdi. Historia e lashtë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, f. 34-35.
[3] Ibid, f. 40.
[4] Ibid, f. 51.
[5] Abdul Fettah, Fatime. Idaat alel istishraki-rr-rrusijj, f. 18.
[6] Çuditërisht, shqiptarët nuk i përmend as historiani turk, Mehmet Maksudoglu, kur flet për historinë e shtetit osman!
[7] Rizaj, Skënder. Lidhja shqiptare e Prizrenit, f. 115.
[8] Necip P Alpaslan – Nesim Kaci. Shqiptarët në Perandorinë Osmane, f. 15.