Skenat artistike dhe profesionale të rrëfimit
Tani do të merremi me pjesën e rrëfimit ku protagonistë janë hud’hudi (pupëza) dhe mbretëresha e Sebeit, Belkisa.
Kjo pjesë është e ndarë në gjashtë skena ndërmjet të cilave ka zbrazëti artistike, të cilat mund ti kuptojmë ndërsa prezantojmë skenat në vazhdim;
Prezantimi artistik në këtë rrëfim plotësohet ose merr formë të përkryer nga dy aspekte: aspekti artistiko-estetik dhe aspekti fetaro-sentimental. Tregimi përfshin në role protagoniste xhinët, njerëzit dhe shpezët. Në të shpaloset edhe roli i diturisë. Ky prolog është një lloj aludimi edhe për bartësit e roleve kryesore në tregim, ku shpalosen dhe tiparet e personalitetit dhe karakteristikat e veçanta të protagonistëve: personaliteti i Sulejmanit a.s, personaliteti i mbretëreshës Belkisa, personaliteti i pupëzës, veçoritë e suitës mbretërore. Në tregim shfaqen dhe momentet psikologjike të protagonistëve në skena dhe rrethana të ndryshme…[1]
Skena I:
Fillon skena e parë…
Fillon pas prezantimi ushtarak, pas arritjes në luginë dhe pas fjalëve të milingonës për dëgjimin dhe kuptimin e të cilave Sulejmani a.s. e falënderoi Allahun xh.sh: “Ai bëri kontrollin e shpendëve e tha: “Pse nuk e shoh pupëzën këtu, a nuk është e pranishme ajo? 21. Nëse nuk do të më sjellë arsyetim bindës, do ta dënoj me dënim të rëndë ose do ta therr!” Ja, ky është mbreti profet, Sulejmani, duke marshuar me ushtrinë e tij të madhe dhe madhështore. Ja, ai, Sulejmani, po i kontrollon shpezët dhe nuk po e gjen pupëzën…[2]
Nga ky veprim i Sulejmanit a.s. përfitojmë tipare të personalitetit të tij: vigjilencën, precizitetin dhe vendosmërinë. Pavarësisht numrit të madh të ushtarëve, të përberë nga tre lloje krijesash: njerëz, xhinë, shpezë, atij nuk i është shmangur nga syri asnjëri prej tyre. Ai i kontrollon nga i pari tek i fundit me radhë. Ai po pyet për pupëzën në një formë krenarie, tingëlluese dhe përmbledhëse: “Pse nuk e shoh pupëzën këtu, a nuk është e pranishme ajo?” Bëhet e qartë se pupëza mungon dhe të gjithë e kuptojnë nga konstatimi i mbretit se pupëza mungon pa lejen e tij. Ky është momenti kur ai frenon kaosin në mesin e ushtrisë. Pas pyetjes nga mbreti kjo pyetje më nuk ishte sekret kështu që, nëse nuk do të ndërmerrte ndonjë hap serioz, kjo do të shërbente si pretekst i keq tek ushtarët. Për këtë shkak Sulejmani a.s. e kërcënon ushtarin që ka munguar pa lejen e tij: “…do ta dënoj me dënim të rëndë ose do ta therr!”
Por, Sulejmani a.s. nuk ishte mbret tiran. Ai ishte pejgamber dhe përderisa nuk kishte dëgjuar asgjë nga pupëza, nuk duhej të paragjykonte!…Këtu shfaqet tipari i profetit të drejtë: “Nëse nuk do të më sjellë arsyetim bindës…”Pra, nëse nuk më sjell provë të fortë që dëshmon pretendimin e saj dhe në bazë të së cilës përjashtohet nga dënimi për veprën në fjalë…[3]
Skena II:
…Këtu bie perdja dhe mbaron skena e parë. Ai ka qenë apo edhe vazhdon të qëndrojë në këmbë kur ja vjen pupëza me një lajm të madh, me një befasi të madhe, jo vetëm për Sulejmanin a.s. por edhe për ne, spektatorët e vëmendshëm. “Nuk vonoi shumë dhe ajo erdhi e tha: “Kam marrë vesh diçka që ti nuk e ke ditur dhe të kam sjellë lajme të vërteta prej (qytetit të) Sebe’es.” Pupëza dinte për vendosmërinë dhe ashpërsinë e Sulejmanit a.s. ndaj e fillon bisedën me lajmin befasues për të zhvendosur çështjen e mungesës dhe për të fituar vëmendjen e mbretit: “Kam marrë vesh diçka që ti nuk e ke ditur dhe të kam sjellë lajme të vërteta prej (qytetit të) Sebe’es.” Cili mbret nuk do të dëgjonte ndërsa dikush nga populli i vet a nga vartësit do t’i thoshte: “Kam marrë vesh diçka që ti nuk e ke ditur…” E kur fitoi vëmendjen e mbretit, filloi të shpaloste detajet e lajmit të madh që kishte sjellë, lajmit për popullin Sebe’ – mbretëria e Sebeit shtrihej në jug të gadishullit në Jemen dhe shtoi se ata udhëhiqeshin nga një grua[4], “Kam parë një grua që sundonte popullin (e atij qyteti). Ajo zotëronte çdo gjë dhe kishte një fron madhështor.” Pjesa: “Ajo zotëronte çdo gjë” flet për pushtetin e madh të saj, për pasurinë dhe për shkallën e civilizimit, forcën dhe të mirat materiale, ndërsa pjesa “kishte një fron madhështor” – froni është kolltuku madhështor dhe gjigant i mbretëreshës, i cili flet për pasurinë e madhe, për luksin dhe për zhvillimin industrial që kishin[5]. Pupëza shpjegoi më tutje: “Kam parë se ajo dhe populli i saj adhuronin Diellin e jo Allahun….” Këtu pupëza shpjegon shkakun e devijimit të atij populli, djallin, i cili ua kishte zbukuruar veprat e këqija dhe i kishte devijuar, kështu që ata nuk mund të udhëzoheshin në adhurimin e Zotit, të Diturit të Gjithëdijshëm…[6]
Deri në këtë çast, pupëza po qëndron në bankën e të të akuzuarit[7], për të cilin mbreti ende nuk ka marrë një vendim. Në fund të lajmit, përmend Allahun, Mbretin e mbretërve, të Fuqishmin, Zotin e të gjithëve, Pronarin e fronit të madh me të cilin nuk krahasohen fronet e njerëzve. Pupëza e bën këtë që ta minimizoj pushtetin e tij në raport me pushtetin e Allahut xh.sh: “Allahu është Një, s’ka zot të vërtetë pos Tij, Zotit të Arshit të madh!”
Në kontekst të komentit që i bëhet veprës së gabuar të mbretëreshës dhe popullit të saj, pupëza bën thirrje me delikatesë e dhembshuri.
Ne jemi përballë një pupëze interesante, të zgjuar dhe besimtare. Pupëza sjell lajmin në formë të magjishme, shfaq vigjilencën për pozicionin në të cilin është dhe përdor aludimin, insinuatën dhe shenjat. Pupëza kishte kuptuar se kjo mbretëreshë dhe populli i saj i përkulen (bien në sexhde) diellit, jo Allahut! Kjo nuk është ajo çfarë bëjnë pupëzat e rëndomta, por kjo është një pupëz e veçantë, pupëz mrekulli.
Sulejmani a.s. nuk ngutet të vërtetojë as të përgënjeshtrojë lajmin, sikur që përshkrimi i fuqisë dhe pushtetit të mbretëreshës nuk e frikëson fare. Si pejgamber i drejtë dhe mbret i vendosur, ai më parë dëshiron të verifikojë saktësinë e lajmit: “Do të shohim se a thua të vërtetën a jo. 28. Shko me këtë letër timen e çojua atyre. Pastaj largohu pak nga ata dhe shiko cila do të jetë përgjigjja e tyre!”
Në këtë skenë nuk prezantohet përmbajtja e letrës. Ajo (përmbajtja) vazhdon të jetë e mbyllur, sikur letra, derisa të hapet dhe lexohet atje (tek mbretëresha)…[8]
Skena III:
Befasia artistike shfaqet tamam në kohën e duhur. Ngrihet perdja dhe shfaqet mbretesha, të cilës i ka ardhur letra, të cilën po e diskuton me parinë e saj[9], respektivisht po merr mendimin e tyre si të veprojë: “O paria ime! Mua më ka ardhur një letër fisnike. 30. Ajo është nga Sulejmani dhe është: “Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! 31. Mos u madhështoni para meje dhe ejani të përulur si besimtarë”!”
Mbretëresha po u rrëfen për letrën duke mos ditur për dërguesin (sjellë) dhe mënyrën se si ka ardhur. Ajo po e përshkruan letrën si ‘fisnike’, përshtypje kjo e fituar nga vula apo forma e letrës, apo mbase dhe nga përmbajtja, të cilën ia lexoi parisë: “Ajo është nga Sulejmani dhe është: “Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! 31. Mos u madhështoni para meje dhe ejani të përulur si besimtarë”!”
Mbretëresha ishte idhujtare por për Sulejmanin a.s. dinte gjithë rajoni. Gjuha e përdorur në shkresë, siç na rrëfen Kur’ani, ishte gjuhë e lartë, dominuese, me vendosmëri e qëndrim të prerë[10], gjë që mund ta ketë frymëzuar mbretëreshën për atë përshkrim.
Përmbajtja e shkresës ishte jashtëzakonisht modeste dhe e fuqishme[11]. Ishte hapur me bismilah (Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!) Në të kërkohej vetëm një gjë: Të mos shfaqni mendjemadhësi ndaj dërguesit të letrës dhe të mos e kundërshtoni si dhe t’i nënshtroheni Zotit në emër të të të Cilit po u fliste. Mbretëresha ia lexoi parisë së popullit përmbajtjen e letrës dhe menjëherë vazhdoi me diskutimet se çfarë të bënte, sepse pa marrë mendimin e tyre ajo nuk do të ndërmerrte asgjë[12]: “O paria ime, më këshilloni se ç’duhet të bëj në këtë çështje! Unë nuk do të vendos asgjë pa ju!”…[13]
Ky çast shfaq tiparin e shkathtësisë së mbretëreshës. Që nga momenti i parë kur morri letrën, dërguesin e të cilës nuk e njihte, ajo kuptoi që letra kishte një përmbajtje fuqie e krenarie, të cilën ajo e quan ‘fisnike’. Qartë, ajo nuk dëshiron rezistencë as armiqësi, por këtë nuk e shprehë drejtpërdrejtë. Përshkrimin që i kishte bërë letrës, ishte një lloj parapërgatitje.
Më pas mbretëresha kërkon mendimin e të tjerëve. Siç e do rendi ushtarak, komandantët shfaqin gatishmëri për luftë, por, para çdo gjëje, çështjen ia lënë në dorë sundueses: “Ne jemi shumë të fortë dhe luftëtarë të guximshëm, por urdhëri të takon ty, ndaj mendo mirë se ç’do të urdhërosh!” Këtu vihet në spikamë personaliteti i femrës prapa personalitetit të mbretëreshës: ajo nuk do luftë, as shkatërrim. Para forcës, ajo përdorë mjete tjera më të zgjuara, dinakërinë dhe joshjen (nëpërmjet dhuratave): “Ajo thotë: “Njëmend, kur mbretërit pushtojnë ndonjë vendbanim, e rrënojnë atë dhe e poshtërojnë parinë e tij. Kështu veprojnë ata. 35. Tani do t’u dërgoj atyre një dhuratë që të shoh me çka do të kthehen të deleguarit.”.”
Mbretëresha e dinte se kur mbretërit merrnin një qytet, e shkatërronin atë, e çnderonin dhe shpërbënin forcat mbrojtëse të tij me në krye parinë, të cilët i poshtëronin të parët si element rezistues[14]. Kjo ishte tradita e mbretërve dhe forma si vepronin.
Dhurata zbut zemrën, shfaq mirësinë, shpreh dashurinë, shpesh mposhtë dhe luftërat. Këtë e dëshmon përvoja. Kështu, nëse Sulejmani a.s. e pranon dhuratën, ai është mbret materialist dhe me të tillë punët kryhen kështu. Ndërsa nëse refuzon, atëherë ai refuzon nga besimi, prej të cilit nuk ka pasuri që mund ta largojë dhe as mall nga malli i kësaj bote…[15]
Skena IV:
Bien perdet, mbyllet skena e tretë, për tu ngritur prapë, kur ja shfaqen të deleguarit e mbretëreshës dhe dhurata e saj para Sulejmanit a.s.
Idenë e tyre për ta blerë me para dhe për ta bërë të hiqte dorë nga thirrja në Islam Sulejmani a.s. e sheh të shëmtuar dhe aty për aty shpall me forcë dhe ngulm kërcënimin dhe paralajmërimin e tij të fundit: “Kur erdhën (të deleguarit), Sulejmani tha: “A mos doni të më ndihmoni me pasuri?! Ajo që më ka dhënë Allahu, është më e mirë nga ajo që ju ka dhënë juve. Por ju gëzoheni me dhuratën tuaj. 37. Kthehuni tek ata! Ne do të sjellim ushtri të cilën ata nuk do të mund ta përballojnë dhe me siguri do t’i dëbojmë ata prej Shebës të poshtëruar dhe të përulur”.”
Përgjigja e Sulejmanit a.s. është tallje me pasurinë dhe refuzim të pranimit të saj në një fushë ku nuk pranohet, në fushën e besimit dhe të thirrjes: “A mos doni të më ndihmoni me pasuri?!” A po më ofroni këtë gjë të pavlerë ndërsa: “Ajo që më ka dhënë Allahu, është më e mirë nga ajo që ju ka dhënë juve.” Allahu më ka dhënë pasuri më të mirë se kjo që më keni ofruar, madje më ka dhënë gjëra që absolutisht janë më të mira se pasuria: dijen dhe profetësinë. Po kështu mi ka nënshtruar xhinët dhe shpezët kështu që nuk ka mall nga pasuria e kësaj bote që më kënaq më shumë: “Por ju gëzoheni me dhuratën tuaj.” Ju jeni ata që ngazëlleheni me këto vlera të ulëta të cilat janë në interes vetëm për tokësorët (jofetarët) të cilët nuk janë të lidhur me Allahun xh.sh. dhe nuk pranojnë (marrin) dhuratat e Tij. Por çështja nuk mbaron me kaq. Refuzimi pasohet me kërcënim: “Kthehuni tek ata!” me këto dhurata dhe prisni për fundin e frikshëm që do të keni: “Ne do të sjellim ushtri, të cilën nuk do të mund ta përballojnë ata…”, ushtri që nuk i është nënshtruar njerëzimit kurrë në asnjë vend dhe ndaj të cilës mbretëresha nuk ka fuqi ta sfidojë: “…me siguri, do t’i dëbojmë ata prej Shebës të poshtëruar dhe të përulur”.”
Këtu bie perdja e kësaj skene të dhunshme dhe të deleguarit nisen. Konteksti i tregimit më nuk iu qaset atyre. Sikur puna me ta ka mbaruar dhe më nuk trajtohet.
Pastaj Sulejmani a.s. kupton se përgjigja e tij do të mjaftonte për tu sqaruar me mbretëreshën, e cila nuk do armiqësi, siç mund të vërehet nga përgjigja e saj me dhurata ndaj një letre kërcënuese! Ai është i bindur se mbretëresha do të përgjigjet pozitivisht…[16]
Skena V:
Konteksti nuk shpjegon se si janë kthyer të deleguarit, çfarë iu ka thënë mbretëresha dhe as çfarë kishte vendosur më pas. Në tregim është një zbrazëti dhe nga ajo që pason mësojmë se mbretëresha do të shkonte dhe se Sulejmani a.s. e dinte këtë gjë dhe se me ushtrinë e vet do ta sillte fronin e mbretëreshës, të cilin e kishte lënë pas në vendin e saj të ruajtur dhe të mbrojtur. Sulejmani a.s. tha: “O parësi, kush prej jush do të më sjellë fronin e saj, para se ata të vijnë të dorëzuar? 39. Njëri nga xhindet – Ifriti, tha: “Unë do të ta sjell ty para se të ngrihesh prej vendit; unë për këtë jam i fuqishëm dhe i sigurt”. 40. Po ai që ishte i pajisur me dijen e Librit, tha: “Unë do të ta sjell ty sa çel e mshel sytë”.”…
E dini se çfarë e shtyri Sulejmanin a.s ose çfarë kishte për qëllim ai kur mendoi ta sillte fronin e saj para se ajo vet të vinte myslimane bashkë me popullin e saj? Mendojmë se pikërisht ky segment shfaq forcën e mbinatyrshme – mrekullinë, me të cilën Allahu e ndihmonte, në mënyrë që të ndikonte tek mbretëresha dhe ta shtynte drejt pranimit të fesë. Një ifrit nga xhinët i tha se mund t’ia sillte atë para se ai të çohej nga takimi ku ishte. Siç transmetohet, Sulejmani a.s. nga sabahu e deri në drekë, merrej me punët e shtetit – gjykimet dhe vendimet. Siç duket, kjo periudhë iu duk e gjatë dhe e ngadalshme. Kështu: “ai që ishte i pajisur me dijen e Librit” i ofroi që t’ia kryente këtë punë në çast. As emri i tij dhe as Libri prej të cilit e kishte dijen nuk përmenden. Ajo që dihet për të është se ishte besimtar dhe i lidhur me Allahun xh.sh, i begatuar nga Allahu me një sekret që i jep fuqi të jashtëzakonshme para të cilës nuk mund të ketë pengesa. Është gjë e dukshme kjo tek disa besimtarë të devotshëm. Sekreti i tij nuk është zbuluar dhe as është interpretuar sepse është jashtë parametrave të njohurive njerëzore, pra është mrekulli.
Këtu mbarojmë tregimin (për të mos kaluar në legjenda dhe bestytni!)!
Disa mufessirë janë marrë me pjesën e ajetit: “ishte i pajisur me dijen e Librit” për çka kanë dhënë disa shpjegime të cilat nuk janë bindëse. Kanë thënë me qëllim se libri është Teurati. Të tjerë kanë thënë se ky njeri e dinte emrin më të madh të Allahut xh.sh. Kanë dhënë edhe mendime tjera. Çështja është me e lehtë se tërë kjo nëse e shikojmë nga një këndvështrim tjetër, ai i realitetit flet sa shumë të panjohura ka kjo botë, sa shumë gjëra që nuk i dimë, sa forca ka që nuk i shfrytëzojmë, sa shumë mundësi e kapacitet ka qenia njerëzore por që ende nuk është e vetëdijshme për të! Kështu, kur do Allahu udhëzon. Mrekullia shkon përtej të njohurës për njerëzimin! Së këndejmi, me lejen e Allahut dhe me ndihmën e Tij ndodhin gjëra për të cilat ne nuk kemi shpjegim! Burrin që kishte dije nga Libri, dija sekrete e lidhë me forcat kosmologjike nëpërmjet të cilave arrinë të realizojë mrekullinë e tij. Kjo për arsye se dija që posedonte ia kishte lidhur zemrën me Allahun xh. në mënyrë që të pranonte çdo fuqi dhe aftësi të jashtëzakonshme që ia jep Allahu (gjëra që të tjerët nuk i kanë as që mund t’i shfrytëzojnë)[17].
Disa mufessirë kanë përmendur se ky njeri në fakt ishte vet Sulejmani a.s. por ne nuk mendojmë kështu. Po të kishte qenë Sulejmani a.s. konteksti do ta përmendte me emër dhe nuk do ta fshihte sepse tregimi është rreth tij dhe nuk ka nevojë të fshihet emri i tij pikërisht në këtë çast madhështor…[18]
“Kur (Sulejmani) e pa të vendosur para tij, tha: “Kjo është nga dhuntitë e Zotit tim, për të më provuar a jam mirënjohës apo mohues. Kush falënderon, e bën për të mirën e vet e, kush mohon, (ta dijë se) Zoti im është i Vetëmjaftueshëm dhe Dhurues.”
Zemra e Sulejmanit ndjeu këtë befasi madhështore dhe përjetoi një lloj frike, ndërsa Allahu xh.sh. ia përmbushte kërkesat në formë të mbinatyrshme. Ai ndjeu se mirësia në këtë formë, ishte sfida më e madhe që kërkon vigjilencë për ta kapërcyer. Ai kishte nevojë për ndihmën e Allahut që të forcohej në këtë sprovë. Ai kishte nevojë ta njihte mirësinë dhe ti shprehte konsideratë Dhuruesit. Allahu nuk ka nevojë për njeriun! Njeriu për Allahun po! Allahu nuk ka nevojë as për falënderimin e askujt. Kështu, kush falënderon Allahun, i ka bërë mirë vetes sepse kështu tërheq më shumë të mira nga Allahu xh.sh. dhe fiton ndihmën dhe përkrahjen e Tij pa rezervë, në çdo sprovë. Allahu dhuron nga bujaria. Ai nuk ka nevojë për falënderime. Ai është Bujar dhe jep nga bujaria e Vet dhe jo që pret falënderimin për t’i dhënë dikujt ndonjë të mirë[19].
Tani që Sulejmani a.s. mësoi se mbretëresha do të arrinte së shpejti, filloi të përgadiste surpriza. Tha: “Ndryshojeni edhe fronin e saj! Do të shohim se a do ta vërë re ajo këtë gjë.” Ia ndryshuan disa gjëra që e identifikonin fronin dhe ishin karakteristika të tij për të parë nëse intuita dhe zgjuarsia do ta bënin ta njihte fronin e vet.
Ky mund të kishte qenë një test i Sulejmanit a.s. për shkallën e pranimit të mrekullisë hyjnore (përmes zgjuarsisë dhe veprimeve të mëtejshme) nga ana e mbretëreshës, përgjatë surprizës me ndryshimin e fronit të saj[20].
Skena VI:
Skena në vijim paraqet mbretëreshën Belkisa që arrinë tek Sulejmani a.s. “Kur erdhi ajo, i thanë: “I tillë është froni yt?” Ajo u përgjigj: “Duket sikur të ishte ai”.”… Ashtu tha sepse ajo mbeti e shokuar nga një transformim i tillë i fronit të saj. Ajo e kishte lënë fronin në vendin e saj, të mbyllur me dry e të ruajtur nga ushtarët. Si mund të kishte ardhur në Kuds, në kryeqytetin e Sulejmanit? Kush mund ta kishte sjellur? Pastaj, pse i maskuar ishte froni i saj? A thua si do të reagonte ajo, ta mohonte (për shkak të kamuflimeve) apo të pranonte se ishte froni i saj (për shkak të ngjashmërive)? Ajo dha një përgjigje tejet të zgjuar, tha: “Duket si të ishte ai.” Pra, as nuk e pohoi, as nuk e mohoi. Kjo flet për nivelin e saj të lartë, për zgjuarsinë dhe mendjemprehtësinë për të pranuar një fakt pa kërkuar shpjegim!
Sulejmani a.s. i kishte përgatitur mbretëreshës edhe befasi tjera: “Asaj i thanë të hynte në pallat. Kur e pa atë, ajo kujtoi se ishte ujë i thellë dhe përvoli fustanin te këmbët. Sulejmani i tha: “Ky pallat është i shtruar me xhama”. Ajo tha: “O Zoti im, me të vërtetë unë e paskam dëmtuar veten dhe tani, bashkë me Sulejmanin i dorëzohem Allahut – Zotit të botëve!”.” Befasia ishte pallati i kristaltë, kati përdhesë i të cilit ishte ndërtuar mbi ujë. Dukej sikur të ishte ujë i thellë. Kështu, kur iu tha asaj që të hynte në pallat, ajo mendoi se do të hynte në këtë ujë, andaj përvoli fustanin deri te këmbët. Kur befasia ndodhi, Sulejmani a.s. i tregoi për sekretin: “Ky pallat është i shtruar me xhama.” Mbretëresha mbeti e shtanguar plotësisht para këtyre befasive të mbinatyrshme që ia kishte pregaditur Sulejmani a.s.
Kështu, mbretëresha iu bind Allahut, u pendua, duke pranuar padrejtësinë që i kishte bërë vetes duke adhuruar zota të rremë. Ajo pranoi Islamin (nënshtrimin) në prezencë të Sulejmanit a.s. Pranoi besimin e Zotit të Sulejmanit. Zemra e saj u ndriçua dhe u udhëzua. Ajo e kuptoi se t’i nënshtrohesh Allahut do të thotë të mos i nënshtrohesh askujt tjetër qoftë ai dhe pejgamber si Sulejmani, profeti më i dalluar për nga mrekullitë e mbinatyrshme.
Islami nënkupton nënshtrim vetëm ndaj Allahut, Zotit të botëve. Islami thërret besimtarët në rrugë të barazisë….”bashkë me Sulejmanin i dorëzohem Allahut – Zotit të botëve!” Kur’ani e ka regjistruar këtë detaj dhe e ka shpalosur atë për ta zbuluar natyrën e vërtetë të besimit në Zot dhe të nënshtrimit ndaj Tij. Besimi është krenari që ngre lartë të përulurit duke i barazuar me fitimtarët. Madje triumfuesi dhe i mposhturi bëhen vëllezër për hir të Allahut dhe si të tillë, të lidhur me besimin ndaj Zotit, bëhen të barabartë sa që mes tyre zhduket çdo vi ndarëse!
Paria mekase e kundërshtonte thirrjen e Muhammedit a.s. për Islam, për shkak të mendjemadhësisë, e cila i pengonte t’i nënshtrohen Muhammedit, të birit të Abdullahut, i cili do t’i udhëhiqte dhe do të kishte epërsi mbi ta. Kurse kjo grua, po u sillte një shembull superior, po i mësonte se Islami barazon thirrësit me të thirrurit, komandantët me ushtarët, liderët me popullin. Ajo po i mësonte ata se duke pranuar islamin, bashkë me Pejgamberin a.s. ata i nënshtrohen Allahut, Zotit të botëve![21]
Kështu erdhëm në fund të tregimit Kur’anor për lidershipin, tregim i mbushur plot e përplotë me mësime e këshilla për këta dy mbretër dhe liderë të mëdhenj, shëmbëlltyra e të cilëve lutemi të shërbejë si model për të gjithë udhëheqësit e kësaj bote deri në amshim. Allahu e di më së miri!
Tiparet më të theksuara të lidershipit belkizian
- Belkisa, mbretëresha e popullit Sebe’ në Jemen, idhujtare. Pranon një letër nga Sulejmani a.s. me të cilën i bën thirrje ta pranojë Islamin dhe e kërcënon në rast refuzimi.
- Belkisa nuk ngutet në marrjen e një vendimi. Ajo konsulton ekspertët për problematikën e shfaqur rishtazi.
- Belkisa e merr me seriozitet dhe jo shpërfillje letrën dhe dërguesin e saj (Estetika e letres, stilit dhe lloji i çmuar i saj).
- Pavarësisht se ishte mbretëreshë dhe ajo merrte vendimet, megjithëkëtë, Belkisa konsultoi parinë dhe suitën e saj.
- Komandantët dhe ushtria ia deleguan tërësisht të drejtën Belkisës, që ajo të merrte vendimin dhe nuk folën asgjë. Disa këtë heshtje e quajnë tradhti ndaj amanetit të këshillimit.
- Belkisa kishte njohuri sa i përket profileve psikologjike të njerëzve dhe trajtimit të tyre. Ajo deshi ta testonte Sulejmanin a.s., nëpërmjet dhuratës që ia dërgoi. Në ishte pejgamber, nuk e pranon dhuratën, në ishte mbret, po.
- Belkisa erdhi personalisht që të bindet për drejtësinë dhe madhështinë e Sulejmanit a.s. Ajo ishte kureshtare për mirëqenien e popullit dhe vendit të vet.
- Rezultati: Belkisa iu përgjigj të vërtetës dhe iu nënshtrua Allahut bashkë me Sulejmanin a.s. Pushteti i saj i madh dhe forca e ushtrisë së saj nuk e ndaluan ta refuzonte shirkun dhe të pranon besimin e pastër monoteist. Ajo nuk e pranoi fenë për hir të Sulejmanit por për hir të Allahut.
- Zgjuarsia e Belkisës, e cila nuk shfaqi direkt dëshirën e saj për paqe me Sulejmanin a.s., por në mënyrë indirekte tregoi se, kur mbretërit hjynë në një vend, e shkatërrojnë atë dhe i poshtërojnë parinë e atij vendi.
Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA
LIDERSHIPI I SUKSESSHËM (sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)
[1]Sejjid Kutub, Fi dhilal el-Kur’an, 5/2599-2643. Parafrazim.
[2]Tahir bin Ashuri ka thënë: Në kuadër të ushtrisë ishin edhe shpezët sepse shumë prej tyre janë të dobishëm për ushtrinë, si pëllumbi transportues, pupëza për njohjen e ujit, skifterët dhe sokolat për gjuetinë e mbretit dhe ushtrisë së tij apo edhe për të sjellë ushqimin për ushtrinë nëse janë në zona të vështira dhe kanë mbetur pa ushqim. Shpezët kanë ushtri e cila merret me punët e tyre. Përkujdesja për ushtrinë është moto e mbretit dhe princave dhe është objektivë prej objektivave të radhitjes dhe organizimit të tyre.
Pushtetarët myslimanë e kanë për detyrë që personalisht të kujdesen për popullin dhe punëtorët, ashtu siç veproi Omeri r.a. kur në vitin e shtatëmbëdhjetë sipas Hixhrit shkoi në Sham. Apo, ata mund t’ia ngarkojnë këtë detyrë një njeriu të veçantë, siç veproi Omeri r.a. me Muhammed bin Mesleme Ensariun, të cilin e la mbikëqyrës të punëtorëve. Pupëza është zog shtegtar me trup sa të pëllumbit, të mbuluar me pupla të ndritshme e ngjyra-ngjyra, me sqep të gjatë e të hollë dhe me një xhufkë në kokë. E vëren ujin nga një distancë e largët dhe e ndien edhe kur është në thellësi të tokës. Nëse cicëron mbi një vend, dihet se aty ka ujë. Këtu qëndron arsyeja pse Sulejmani a.s. e ka angazhuar në ushtri…20/245.
[3] Sejjid Kutub, Fi dhilal el-Kur’an, 5/2599-2643. Parafrazim.
[4] Ibn Ashuri ka thënë: Kuptimi i pjesës së ajetit: “…i është dhënë gjithçka…” është: ka arritur çdo gjë të mirë nga çështjet e pushtetit. Përgjithësimi këtu është i rëndomtë nga dy aspekte e që shpjegohet nga konteksti, ashtu siç është shpjeguar fjala e Sulejmanit a.s.: “..na është dhënë gjithçka”, pra gjithçka që ka të bëjë me tiparet e mbretërve, pasuritë e tyre, ushtritë e tyre, pasuritë e mbretërive të tyre, bukuritë dhe çdo gjë tjetër të mirë….20/249.
[5] Tahir bin Ashuri ka thënë: “Kjo fjalë që i është thënë Sulejmanit a.s. ka përmbledhur bazat e gjeografisë politike: cilësinë e vendit, feve, karakterin (organizativ të) e shtetit dhe pasuritë e tij…” 20/249.
[6] Sejjid Kutub, Fi dhilal el-Kur’an, 5/2599-2643. Parafrazim.
[7]Ibën el-Arabij në librin Ahkam el-Kur’an, ka thënë: Meseleja e parë: pjesa e ajetit: “do të shohim a po e thua të vërtetën” Sulejmani a.s. nuk e ndëshkoi pupëzën sepse i kërkoi falje dhe askush më shumë se Allahu nuk e do arsyetimin. Për këtë shkak edhe i ka dërguar pejgamberët dhe profetët. Kështu e ka detyrë të veprojë edhe pushtetari dhe të mos i ndëshkojë njerëzit që arsyetohen. Por, e drejtë e tij është ta testojë arsyetimin, veçmas nëse lidhet për ndonjë norme fetare, ashtu siç veproi Sulejmani a.s. të cilit kur i tha pupëza: “Kam marrë vesh diçka që ti nuk e ke ditur dhe të kam sjellë lajme të vërteta prej (qytetit të) Shebës. 23. Kam parë një grua që sundonte popullin (e atij qyteti). Ajo zotëronte çdo gjë dhe kishte një fron madhështor.” Kjo nuk i bëri përshtypje dhe as që e nxiti dëshira për ta zgjeruar pushtetin të merrej me të. Por, kur i tha: “Kam parë se ajo dhe populli i saj adhuronin Diellin e jo Allahun. Djalli ua paraqiste të bukura sjelljet e tyre, duke i larguar nga rruga e drejtë, prandaj nuk ishin të udhëzuar.” Atëherë u zemërua nga ajo që dëgjoi dhe kërkoi të shkonte atje për ku po rrëfente dhe të sillte informacione shtesë, në mënyrë që ta ndryshonte dhe ta kthente tek Allahu xh.sh….3/484.
[8] Sejjid Kutub, Fi dhilal el-Kur’an, 5/2599-2643. Parafrazim.
[9] Dr. Amir Buselame ka thënë: “Thelbësore në kornizën e përgjithshme është se maturia dhe reflektimi kanë principe me të cilat veprohet ndër të cilat, ndoshta më e rëndësishmja është ikja nga mendimi, ideja dhe vendimi individual në shura (mendim të kolektivit) dhe trajtim sa më të thellë të një çështje që të kuptohet më mirë. Kjo i ngjason një zone të errët ku nuk dihet se çfarë ka për shkak të errësirës. Kështu, për ta ditur se çfarë ka, hapi i parë janë reflektorët të cilët i vendos në të gjitha anët që ta matësh distancën saktësisht dhe vetëm më pas ta marrësh vendimin. Ndryshe, nëse çfarëdo vendimi merret pa ndezur reflektorët më parë, ai është vendim irracional dhe emocional që në shumicën absolute të rasteve çon në dështim. Shembuj të tillë historikisht ka pasur shumë, madje ka edhe sot. ” Shih artikullin “Esh-shura essadikah” në portalin e revistës kuvajtiane muxhteme’, http://mugtama.com/articles/item/16305-الشورى الصادقة, shfletimi është bërë më datë: 01.10.2019.
[10]Tahir bin Ashuri ka thënë: “Letra e Sulejmanit a.s. ishte e shkurtër, sepse kështu është më e përshtatshme t’i drejtohesh atij që nuk e kupton gjuhën tënde. Kështu, mjaftohet me thelbin e saj për shkak të mundësisë së përkthimit dhe të kuptimit. Sulejmani a.s. shkroi këtë që duhej, pra kërcënimin ndaj mbretëreshës që të mos guxonte të shfaqte kryelartësi dhe të mos nënshtrohej, ashtu siç patën vepruar mbretërit e vendeve përreth Egjiptit, Surit (qytet detar në Liban) dhe Irakut. Me shprehjen “dhe ejani të përulur si besimtarë” synohet ana metaforike, ashtu siç thuhet: pasoje rrugën time (pra ndiqe traditën time). Muslimanë (siç është përmendur në ajetin e mësipërm: (Ejani, besimtarë! Shën. Përkth). Muslimijn..rrjedh nga (folja) esleme kur ta ketë përvetësuar Islamin. Në thirrjen e Sulejmanit a.s. shohim se si janë gërshetuar elementet mbretërore dhe profetike, respektivisht thirrja për ta pranuar pushtetin e tij, nga ana mbretërore dhe fenë e tij, nga ana profetike. Pejgamberët janë urdhëruar për t’i udhëzuar njerëzit në fe dhe kështu është thirrja e Sulejmanit a.s. këtu. Pejgamberi Muhammed a.s. ka thënë: “Që Allahu ta udhëzojë një njeri nëpërmjet teje është më mirë se të kesh pasurinë më me vlerë.” Kjo është tradita e feve sepse synimi kryesor dhe objektiva primare është udhëzimi i njerëzve, jo hakmarrja dhe dashuria për triumf e pushtet…” 20/258.
[11] Tahir bin Ashuri ka thënë: Pjesa e ajetit: “Mos u madhështoni para meje…” është formë kërcënimi, për këtë shkak mbretëresha iu drejtua parisë: “O paria ime, më këshilloni se ç’duhet të bëj në këtë çështje!” 20/258.
[12] AbduRrahman Sa’di duke komentuar këtë ajet ka thënë: “Shenja të vendosmërisë dhe mendjemprehtësisë së mbretëreshës ishte thirrja që i bëri parisë dhe burrështetasve të popullit dhe mbretërisë së vet duke iu thënë: “O paria ime, më këshilloni se ç’duhet të bëj në këtë çështje!” Pra më lajmëroni se si t’i përgjigjem? A t’i nënshtrohemi apo si të veprojmë? Kjo ngase: “Unë nuk do të vendos asgjë pa ju!” Pra nuk do të marr vendim krye në vete pa iu konsultuar juve dhe pa marrë mendimet tuaja.” Tejsir el-Kerim el-Rrahman fi Tefsiri kelami el-Mennan, f. 708.
[13] Imam Alusi në tefsirin e vet Ruh el-meani, duke shpjeguar pjesën e ajetit: “Unë nuk do të vendos asgjë pa ju!” ka thënë: Unë nuk do të marr ndonjë vendim të prerë që ka të bëjë me pushtetin pa prezencën dhe mendimet tuaja. Me këtë ajet janë shërbyer ata që thonë se preferohet konsultimi dhe marrja e mendimeve të tjerëve në çështje të rëndësishme dhe me peshë…19/197.
[14]Tahir bin Ashuri ka thënë: “Mbretëresha e dha mendimin e saj duke favorizuar paqen ndaj luftës dhe duke shfaqur kujdes nga hyrja nën pushtetin e tyre vullnetarisht. Ajo e dinte se epilogu i mundshëm i luftës ishte fitorja e Sulejmanit a.s. kështu që mbretëria e Sebeit do t’i kalonte atij. Po kështu dhe pranimi vullnetar i pushtetit të tij nënkupton që mbretëria kalon në duart e tij. Pra, në të dy rastet kemi të bëjmë me një mbret të ri në qytet. Ajo e dinte nga dëshmitë e historisë dhe nga përvoja me mbretërit dhe veprimet e tyre se ata kur ta marrin një vend, e ndryshojnë sistemin në dobi dhe interes të tyre që t’ia pamundësojnë popullit të mposhtur të përfitojë nga rrethana të caktuara kur pushtuesi do të jetë i dobët apo i zënë me punë tjera të çohen kundër tyre dhe ta kthejnë pushtetin. Kështu, gjëja e parë që bëjnë ata është largimi nga pushteti i mëhershëm, sepse rreziku prej tyre është permanent meqë ata janë më të dëmtuarit, ata kanë humbur pushtetin. Pastaj bëhet ndërrimi i ligjeve dhe sistemeve sipas të cilave ka punuar shteti. Ndërsa nëse hyjnë dhunshëm nën pushtetin e tyre, atëherë vendi do të shkatërrohet, njerëzit do të robërohen, të mirat do të plaçkiten. Të dy rastet (e pranimit vullnetar të pushtetit dhe hyrjes së dhunshme nën të) janë të përfshira në fjalën e mbretëreshës: “Njëmend, kur mbretërit pushtojnë ndonjë vendbanim, e rrënojnë atë dhe e poshtërojnë parinë e tij.”…” 20/266.
[15] Sejjid Kutub, Fi dhilal el-Kur’an, 5/2599-2643. Parafrazim.
[16] Sejjid Kutub, Fi dhilal el-Kur’an, 5/2599-2643. Parafrazim.
[17]Tahir bin Ashuri ka thënë: “Debati ndërmjet Ifrit-it dhe njeriut që kishte dije nga Libri në fakt flet për atë se ajo që arrihet me urtësi është me e madhe se ajo që arrihet me forcë dhe se urtësia, referuar pjesës së ajetit: “Po ai që ishte i pajisur me dijen e Librit, tha:…”, është diçka që fitohet, përvetësohet; se fuqia e elementeve/komponentëve është e natyrshme në të; se përvetësimi i dijes është mënyrë e shfrytëzimit të forcave të cilat nuk mund ta shfrytëzojnë njëra tjetrën. Në këtë rrëfim u përmend një shembull se si dija dominon forcën. Duke qenë se këta dy burra (Ifriti dhe njeriu që kishte dije nga Libri) i ishin nënshtruar Sulejmanit a.s. atëherë dija me të cilën ishin veçuar dhe dalluar i detyrohet meritave dhe nderit të Sulejmanit a.s. të cilit Allahu xh.sh. i kishte dhënë forcë. Pozita e profetësisë së Sulejmani a.s. është më e lartë nga froni mbretëror i Belkisës…2/270.
[18] Sejjid Kutubi, Fi dhilal el-Kur’an, 5/2642.
[19]Tahir bin Ashuri ka thënë: “Kur Sulejmani a.s. e përmendi mirësinë duke ia atribuuar atë Allahut xh.sh, deshi tua bëjë me dije se ai është më i vlerësuar për shkak se është rob i Zotit të vet. Avantazhi që kishte, ishte thjesht mirësi e Allahut ndaj tij dhe pavarësisht që u soll froni, as kjo dhe as mundësia e vartësve të tij për të bërë gjëra të tilla, nuk e magjepsi Sulejmanin a.s. përkundrazi, ai u largua në një qoshe dhe e falënderoi Allahun xh.sh. për të mirat që i kishte dhe për nënshtrimin e kësaj ushtrie me këtë dije dhe kapacitet kaq të madh, që flasin për vlerësimin maksimal të tij nga Allahu xh.sh. Sulejmani a.s. na ofroi një urtësi të lartë etike dhe fetare, atë se kush falënderon, falënderon për vete dhe se kush mohon, mohon prapë për vete, sepse Allahu është i pasur (dhe nuk ka nevojë për falënderime) dhe është bujar. Çdokush që bën vepër të mirë, duhet ta sjell ndërmend se vepra që bën është vetëm për të mirën e tij, me të cilën synon shpërblimin dhe kënaqësinë e Allahut dhe shpreson në vazhdimin e mirësisë së Allahut ndaj tij në dynja. Ky njeri përfiton të mira në të dy botët ndërsa Allahu xh.sh. nuk përfiton asgjë nga vepra e tij…20/274.
[20] Sejjid Kutub, Fi dhilal el-Kur’an, 5/2599-2643. Parafrazim.
[21] Shih: Sejjid Kutub, Fi dhilal el-Kur’an, 5/2599-2643. Parafrazim. Shihe dhe: Ibn Ashur, Ettahrir ve ettenvir, 20/274.