Modeli i lidershipit të mbretit Talut me ushtrinë e vet

0
707

Vazhdojmë të shtjellojmë aspektin këshillues në lidershipin motivues ushtarak sipas ajeteve Kur’anore.

Kur’ani na përshkruan shembullin e komandantit trim, mbretit të izraelitëve, të përzgjedhur dhe të përcaktuar nga Allahu xh.sh, mbretin Talut dhe modelin e tij motivues dhe këshillëdhënës ushtarak, për t’i bërë ballë armikut, edhe nëse ky i fundit i tejkalon ata shumëfish me ushtarë e armatim.

Për tu bindur se sa i përmbahen urdhrave të tij dhe si do t’i qasen rrethanave të vështira në luftë, mbreti Talut i testoi ushtarët duke kërkuar prej tyre që të pinin ujë nga lumi aq sa të shuanin etjen dhe hiç më shumë! Këtë model motivues të lidershipit, Kur’ani na e sjell në ajetet në vazhdim:

“Kur Taluti u nis për luftë bashkë me ushtrinë, u tha atyre: “Allahu do t’ju provojë me një lumë. Kush pi ujë në të, nuk është ushtari im, ndërsa kush nuk pi ujë në të ose kënaqet vetëm me një grusht ujë, është ushtari im” 42. Por të gjithë pinë, përveç një pakice. Pasi ai me ata (ushtarë) që ishin besimtarë kaluan lumin, shumë prej tyre thanë: “Ne sot nuk kemi fuqi të luftojmë me Xhalutin dhe ushtrinë e tij”. Por ata që ishin të bindur se do të takoheshin me Allahun, thanë: “Sa herë, me ndihmën e Allahut, një ushtri e vogël ka ngadhënjyer mbi një ushtri të madhe! Allahu është me të durueshmit”. [Bekare: 249]

Kur izraelitët protestuan ndaj përzgjedhjes së Talutit nga Allahut xh.sh. me justifikimin se Taluti nuk ishte i pasur, nuk ishte fisnik, nuk rridhte nga një familje me emër, Allahu xh.sh. ua bëri me dije se përzgjedhja ishte bërë mbi bazë të vlerave dhe të virtyteve të tij, që mes tjerash ishin dija dhe fuqia fizike. Pra, kriteret e Allahut dhe jo parapëlqimet e njerëzve!

Fatkeqësisht, këto parime, (të fokusimit në pasuri dhe në prejardhje familjare) udhëheqin edhe sot izraelitët, dhe sipas tyre janë kritere në përzgjedhjen e udhëheqësve të tyre dhe jo sipas kritereve të etikës, besimit, profesionalizmit, humanizmit! Kjo, jo vetëm që bie ndesh me fenë tonë dhe principet e shëndosha të Islamit, por është dhe një defekt i madh shoqëror, koston e të cilit po e paguan shtrenjtë njerëzimi!

Kur’ani i ka regjistruar këto kritere materialiste të hebrenjve si patologjike duke kërkuar nga ne që të distancohemi dhe t’u shmangemi në jetën e përditshme, sot e përgjithmonë, deri në Kiamet.  Mjerisht, kjo sëmundje është ‘ngjitëse’ dhe nga kjo janë infektuar edhe disa myslimanë, që njeriun e vlerësojnë sipas pasurisë, famës, pushtetit dhe prejardhjes familjare!

Ky nuk është thjesht një fenomen por një alarm për cunami moral e etik, i cili mund ta fundosë shoqërinë tërësisht, nëse nuk e ndryshon qëndrimin! Është shkarje shoqërore, etike dhe intelektuale dhe duhet një angazhim i gjithëmbarshëm, kolektiv, që korrigjohet vetëm duke zbatuar parimin Kur’anor, që thekson: devotshmërinë, moralin e mirë, diturinë, zgjuarsinë, kreativitetin, fuqinë fizike, korrektësinë, sinqeritetin, përkushtimin, vetëmohimin, sakrificën, dashurinë për fe, atdhe, prijës, lider. Ndryshe, çdo shmangie dhe devijim nga këto vlera e principe është shmangie dhe devijim nga rruga e drejtë e Islamit!

Për këtë na mëson Kur’ani, pikërisht nëpërmjet gjuhës së izraelitëve dhe mbretit të tyre, Talutit:

“Profeti i tyre u tha: “Allahu ka dërguar Talutin si mbretin tuaj.” Ata thanë: “Si mund të bëhet ai mbreti ynë, kur ne kemi më tepër merita se ai për të sunduar?! Përveç kësaj, ai nuk ka ndonjë pasuri të madhe.” Ai u përgjigj: “Allahu e ka zgjedhur atë për mbretin tuaj dhe e ka pajisur me dituri të gjerë dhe me fuqi të madhe fizike. Allahu ia jep pushtetin kujt të dojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.” [Bekare: 247]

Hoxha, AbduRrahman Sa’di, duke e komentuar këtë ajet, thotë: “Profeti i tyre u tha…” si përgjigje ndaj kërkesës së tyre “…Allahu ka dërguar Talutin si mbretin tuaj…” përcaktimi ishte bërë nga Allahu xh.sh. andaj ishte detyrë për ta që ta pranonin, t’i bindeshin dhe të mos e refuzonin, por ata kundërshtuan duke thënë: “…Si mund të bëhet ai mbreti ynë, kur ne kemi më tepër merita se ai për të sunduar?! Përveç kësaj, ai nuk ka ndonjë pasuri të madhe….” pra, si mund të jetë mbret kur pozita e tij familjare është më e ulët se pozita jonë kështu që ne jemi më meritorë në mbretëri se ai. Përveç kësaj, ai është i varfër, nuk ka pasuri të mjaftueshme për të ngritur mbretëri! Ky ishte një perceptim i gabuar i tyre mbi mbretërinë dhe pushtetin.

Mendonin se ato nuk paramendoheshin pa pasuri dhe prejardhje familjare duke harruar se tiparet e vërtetat që parashohin dhënien përparësi në pushtet janë më të rëndësishme dhe më me prioritet se këto.

Për këtë shkak, Pejgamberi i tyre iu tha: “…Allahu e ka zgjedhur atë…” kështu që ua bëri obligim t’i bindeni dhe ta dëgjoni “…dhe e ka pajisur me dijeni të gjerë dhe me fuqi trupore…”e ka dalluar prej jush dhe e ka vlerësuar ndaj jush me dije dhe fuqi fizike. Pra, i ka dhënë fuqinë e mendjes – dijen, dhe fuqinë e trupit, me të cilat organizohen dhe udhëhiqen punët e mbretërisë. Mungesa e ndonjërës prej këtyre dy tipareve prish balancin dhe ç’ekuilibron pushtetin. Fuqia fizike pa atë intelektuale shkakton kaos! Në këtë rast do të ketë fuqi por jo dhe urtësi. Edhe dija pa fuqi është e çalë! Kjo dije nuk i shërben asnjë lloj lidershipi! [1]

Izraelitët (hebrejntë, jehuditë) ekstremistë, siç dihet botërisht dhe historikisht Kur’ani na flet se ata kanë qenë, dhe janë njerëz problematikë, provokues konfliktesh e ngatërresash, thurin komplote e shkaktojnë kriza ekonomike e politike dhe këtë gjë e bëjnë që nga lashtësia, normal me përjashtim të atyre që nuk janë sionistë dhe ekstrem, që janë të moderuar dhe paqedashës, si p.sh.hebrenjë Haredi të grupit Neturei Karta. Këtë karakter ekstrem të tyre të lashtë e përshkruan Kur’ani:

“…Kurdo që ata ndezin zjarrin e luftës, Allahu e shuan atë. Ata përpiqen të shkaktojnë ngatërresa në Tokë, por Allahu nuk i do ngatërrestarët.” [Maide: 64]

Pas shqyrtimit dhe analizës së ajeteve Kur’anore ku trajtohet lidershipi motivues luftarak, konkludojmë se lideri i duhur është ai që nxitë në durim dhe besim, në pritje për ndihmë nga Allahu xh. që t’i përforcojë me arsenal shtesë (engjëj, apo me ushtri që askush pos Tij nuk e di), sepse Allahu ka ushtri të tillë:

“…Askush tjetër, përveç Tij, nuk i di ushtritë e Zotit tënd…”[ Muddeththir: 31]

Pas kësaj, besimtarëve u mbetet për detyrë të luten për ndihmë, për forcim në fushëbetejë, për vazhdimësi të kësaj ndihme dhe këtij përforcimi sepse ndonjëherë mund të ndodhë që ndihma e Allahut të vjen shkurtë, nuk qëndron gjatë, për shkaqe dhe faktorë të shumtë, dhe mu për këtë shkak besimtarët duhet të luten dhe të thonë:

O Allahu ynë, na ndihmo dhe na përforco në rrugën tënde, para armikut, në çdo rast e në çdo moment. Na përforco zemrën dhe këmbët pa afat të caktuar!

ashtu siç Allahu na mëson në Kur’an:

O besimtarë, nëse e ndihmoni Allahun, edhe Ai do t’ju ndihmojë juve dhe do t’ju bëjë të qëndroni fortë në këmbët tuaja.” [ Muhammed: 7]

Në fund, Allahu e di më së miri!

Tiparet udhëheqëse të mbretit Talut

  1.  I përzgjedhur nga Allahu xh.sh.
  2.  I fuqishëm fizikisht
  3.  I thellë në dije
  4.  Mjeshtër i shkathtësive dhe artit menaxhues e udhëheqës
  5.  Ushtron dhe parapërgatit ushtrinë për tu ballafaquar me situata të rënda në luftë

 

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

LIDERSHIPI I SUKSESSHËM (sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)


[1] Tefsiri i Sa’dit, f. 109.