Lidershipi muhamedan në fushën ushtarake-SHEMBUJ TË LIDERSHIPIT TË SUKSESSHËM NGA PRIZMI KUR’ANOR

0
624

Po të lexosh me vëmendje ajetet Kur’anore vërenë se ai që motivon një ushtar për luftë (duke mos ia luhatur moralin luftarak apo dhe dezertimin!) ai njeri është komandanti i dalluar!

Prijës me formim shembullor!

Prania e komandantit në fushëbetejë ngre lart motivin dhe moralin ushtarak dhe nxitë për heroizëm të lartë përballë armikut. Gjithë kjo bëhet me qëllim që të arrihet grada më e lartë e shehidit (dëshmorit).

Të gjitha këto elemente të liderit shembullor i gjejmë tek Muhammedi a.s. Aftësinë e pejgamberit a.s. për planifikim dhe organizim të ushtrisë në kohën e luftës dhe para përballjes me armikun, na e përshkuan Kur’ani famëlartë:

Atë mëngjes, kur ti (o Muhamed) dole nga shtëpia jote për t’u caktuar besimtarëve vendet e luftës – Allahu dëgjon dhe di çdo gjë.” [Al Imran: 121]

Hoxha AbduRrahman Sa’di duke komentuar këtë ajet thotë: “Dalja këtu ka kuptimin thjesht të daljes, pa caktuar kohën, pra nuk është për qëllim dalja (vetëm) në mëngjes[1]…Pra, ka dalë dhe ua ka përcaktuar secilit vendin dhe pozicionin ku do të qëndrojë. Ky qëndrim i Muhammedit a.s. në fakt paraqet figurën më të lartë të ushtarakut dhe të strategut (ai personalisht udhëheq ushtrinë dhe ua përcakton luftëtarëve pozicionet në fushëbetejë).

Natyrisht, kjo si rezultat i dijes dhe vizionit të përkryer të tij, i saktësisë, maturisë, vullnetit të madh për të kryer këto detyra me rrezik të lartë dhe duke kryer këtë detyrë personalisht, me guxim të plotë e devocion të padiskutueshëm, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të[2]. 

Imam Alusi duke komentuar këtë ajet, thotë: Ky ajet në mënyrë eksplicite i drejtohet Muhammedit a.s….” për t’u caktuar besimtarëve…” për t’i vendosur e përgatitur “…vendet e luftës…” pozicionet dhe qëndrimet…[3]

Ndërsa flasim për lidershipin e Muhamedit .a.s. dhe veçoritë e tij në fushëbetejë, nevojën e ndjekjes apo përvetësimit të shëmbëlltyrës së tij, kuptohet duke marrë parasysh gjithnjë rrethanat e kohës dhe të vendit, shohim të rrugës të veçojmë guximin, vendosmërinë dhe qëndrimin stoik të Pejgamberit a.s. gjatë përballjes me idhujtarët në Betejën e Uhudit[4] apo dhe në Betejën e Bedrit, ku epërsia ushtarake e idhujtarëve ishte dukshëm më e madhe nga ajo e besimtarëve, me ç’rast disa shokë i kishin propozuar: “Po deshe mund të tërhiqemi”, ndërsa ai është përgjigjur: “Nuk i takon një profeti që të zmbrapset pasi të ketë vënë parzmoren[5] ndërsa Allahu gjykon (vendosë) për të.[6]

Ky citat dëshmon guximin, qëndrimin, vendosmërinë dhe strategjinë e Pejgamberit a.s. në fushën e lidershipit ushtarak si një shembull unik dhe i pakrahasueshëm.

Prezenca e një komandanti (profeti hyjnor) në mesin e ushtarëve (njerëzve tokësorë), modestia dhe vëllazëria e tij me ushtarët, si në gëzim ashtu dhe në pikëllim, rreziqet që merr përsipër dhe gjithë barra e moralit ushtarak, janë vetëm disa nga cilësitë e larta që kanë inkurajuar besimtarët për sakrificë, në kauzën fetare.

Historia klasike dhe moderne na jep shembuj të shumtë të admirueshëm të lidershipit ushtarak, si: Salahuddin Ejjubi me kryqëzatat, Sulltan Mehmet Fatihu me bizantinët, Sulltan Sulejman Kanuni në perandorinë osmane me mbretërit e krishterë ortodoksë në Evropë, Ballkan dhe Azi, Omer Muhtari kundër pushtuesve italianë, Alija Izetbegoviçi kundër kriminelëve serbë e kroatë në Bosnjë dhe Hercegovinë, liderët çeçenë dhe afganistanezë kundër pushtuesve tiranë rusë, disa figura qendrore të rezistencës palestineze ndaj pushtetit sionist dhe nga historia më e re e Kosovës, figurat e dalluara të rezistencës shqiptare si Adem Jashari, Hamëz Jashari, etj, të cilët i dhanë fund pushtimit sërb në Kosovë, pastaj trimat shqiptarë që u sakrifikuan për kauzën shqiptare në Maqedoni të Veriut, etj. Këta modelë janë liderë për së mbari; që luftuan të keqen dhe nxitën të mirën me mjete të ndershme.

Por historia njeh dhe një kategori tjetër, që luftojnë me mjete të ndyra (me tradhti, ç’nderim, vrasje makabre të njerëzve të pafajshëm, siç ishin zullumqarët e njohur psh. Hitleri, Stalini, Sharoni, Olmerti, Netanjahu, Millosheviçi, Enveri, etj, me teoritë (makiaveliste[7]) materialiste të të cilëve përdhosnin e përbaltnin çdo vlerë humane e fetare për qëllime të tyre personale dhe politike!

Padrejtësia dikton nevojën për një lider model në Islam, udhëheqës me virtyte të larta; edukatë, dituri, moral, besimtar që çdo vendim e merr në bazë të Kur’anit e Sunnetit (traditës së pejgamberit Muhamed a.s.).

Çdo lider që për shembëlltyrë ka qëndrimet dhe vizionin largpamës të Muhammedit a.s. respektivisht lidershipin e tij të dëshmuar si shembullor, ai njeh dhe ajetet që flasin pikërisht mbi këtë çështje.

Kur’ani është përplotë me ajete që flasin për thelbin e këtij lidershipi. Shpalosë detaje mbi vendimet e Muhammedit a.s kur merrte pjesë aktive në beteja, i shoqëronte shokët e vet, ishte në vijën e parë të frontit, i inkurajonte me ndihmën e Allahut sa herë që u shfaqej frika në fushëbeteja. Pejgamberi a.s. ua kishte kujtuar atyre ndihmën e Allahut xh.sh, përkrahjen me një numër të madh të engjëjve që do tju vijnë në ndihmë në betejat e Bedrit, Uhudit dhe të Hendekut, gjë që e kishte forcuar edhe më shumë moralin e tyre luftarak dhe vullnetin për fitore. Allahu xh.sh. thotë:

Atëherë ti (Muhammed) u thoshe besimtarëve: “A nuk ju mjafton ndihma e Zotit tuaj me tre mijë engjëj të dërguar?” 125. Po! Por, nëse ata ju sulmojnë, bëhuni të durueshëm dhe të dëgjueshëm dhe Zoti juaj menjëherë do t’ju dërgojë në ndihmë pesë mijë engjëj, me shenjë të dalluar.” [Al Imran: 124-125]

Ndërsa flasim për këto ajete, dua të theksoj mësimin që përfitojmë nga këto ajete, duke iu shmangur debatit të mufesirëve lidhur me detajet (vendi dhe shkaku i shpalljes së tyre, a ka qenë shkak i shpalljes së tyre Beteja e Bedrit apo e Uhudit etj.etj.), por ne na intereson aspekti i implementimit të rolit komandues të Pejgamberit a.s. në ushtri, përkrahja morale që ua jep ushtarëve në luftë (se Allahu do të dërgonte engjëj për t’i ndihmuar në fushëbetejë), duke i përkujtuar ata se përgjigja nga Allahu xh. vjen gjithmonë pasi ata të shprehin tiparet e besimit (durimin, devotshmërinë dhe përgjërimin ndaj Allahut xh.).

Kështu edhe ndodhi. Premtimi i Pejgamberit a.s. u përmbush. Allahu xh.sh. ndihmoi besimtarët e devotshëm që treguan vendosmëri dhe durim. Sigurisht, kjo falë prezencës së liderit të tyre të madh, Muhammedit a.s. ndryshe, për shkak të praktikave të armiqve në luftë, respektivisht përhapjes së thashethemeve, propagandës së hipokritëve, përpjekjes për ta mposhtur ushtrinë kundërshtare, ndoshta besimtarët do të thyheshin e do të dobësoheshin, gjë kjo e natyrshme që mund t’iu ndodhte sahabëve, të cilët, në fund të fundit, ishin njerëz si gjithë të tjerët.

Kështu, për ta ruajtur unitetin dhe moralin luftarak, prania fizike e komandantit në fushëbetejë ishte e domosdoshme. Këtë detaj të lidershipit motivues ushtarak nuk duhet harruarr kurrë!

Dhe Allahu e di më së miri!

Vështrim për të trajtuar qëndrimet e mufessirëve rreth kësaj meseleje

Në këtë pikë, derisa po merremi me etimologjinë Kur’anore lidhur me lidershipin motivues ushtarak, duhet të theksoj se mendimet e dijetarëve dallojnë goxha shumë përsa i përket synimeve në këtë ajet! “Atëherë ti (Muhammed) u thoshe besimtarëve: “A nuk ju mjafton ndihma e Zotit tuaj me tre mijë engjëj të dërguar?” 125. Po! Por, nëse ata ju sulmojnë, bëhuni të durueshëm dhe të dëgjueshëm dhe Zoti juaj menjëherë do t’ju dërgojë në ndihmë pesë mijë engjëj, me shenjë të dalluar.” [Al Imran: 124-125]

Problemi qëndron në kohën kur ka ndodhur zbritja e engjëjve për t’i ndihmuar besimtarët, ka qenë në kohën e Betejës së Bedrit apo të Uhudit, dhe mbi dilemën nëse kjo ndihmë me engjuj ka ndodhur apo nuk ka ndodhur!?

Në mesin e shumë mendimeve të mufessirëve klasikë e modernë, kemi gjetur dhe një grup me këtë mendim:

Ajeti paraprak në kaptinën Al Imran ka folur për Betejën e Uhudit e po kështu edhe pyetja e Pejgamberit a.s. drejtuar Sahabeve r.a.[8] (dhe e përshkuar në këto ajete):

“Atëherë ti (Muhamed) u thoshe besimtarëve: “A nuk ju mjafton ndihma e Zotit tuaj me tre mijë engjëj të dërguar?”. Po! Por, nëse ata ju sulmojnë, bëhuni të durueshëm dhe të dëgjueshëm dhe Zoti juaj menjëherë do t’ju dërgojë në ndihmë pesë mijë engjëj, me shenjë të dalluar.” [Al Imran: 124-125]

Sipas këtij mendimi, përforcimi me engjëjt nuk ka ndodhur dhe këtë për shkak të mungesës së kushteve tek besimtarët: durimit, devotshmërisë, ardhjes së shpejt të armikut. Kështu, përderisa nuk kanë ekzistuar kushtet, nuk ka ndodhur as e kushtëzuara: ardhja e engjëjve në ndihmë. Sahabet r.a. nuk kishin duruar ndaj presë së armikut dhe i kishin lëshuar pozicionet e caktuara nga Pejgamberi a.s, kështu që nuk i ishin përmbajtur urdhrit të Pejgamberit a.s.[9]

Hoxha Ibën Uthejmini duke komentuar këtë ajet ka thënë: “Ky ajet ka të bëjë me Uhudin, jo Bedrin, sepse ajeti për Bedrin nuk lidhet me gjëra të kushtëzuara:

“Ju kërkuat ndihmë nga Zoti juaj e Ai ju përgjigj: “Unë do t’ju ndihmoj me një mijë engjëj që do të vijnë njëri pas tjetrit”[ Enfalë: 9]

Ky ajet (pra nga kaptina Al Imran) ka ardhur i kushtëzuar dhe përderisa kushtet nuk u plotësuan, e kushtëzuara nuk u realizua. Me fjalë tjera, myslimanët në Betejën e Uhudit nuk i përmbushën kriteret e përcaktuara nga Allahu xh.sh. që ishin: devotshmëria, durimi dhe prezenca e idhujtarëve në fushëbetejë. Kjo e fundit nënkupton se, po të kishin durim dhe besim (frikë ndaj Allahut) si dhe armiq në fushëbetejë, atëherë engjëjt do të zbritnin, ndryshe jo. Nuk ndodhi zbritja e engjëjve sepse myslimanët u fjalosën, dështuan dhe mëkatuan, kështu që nuk ishin meritorë për atë që Allahu ua kishte kushtëzuar…[10]

Mendimi i Hoxha Uthejminit pajtohet shumë me mendimin e dijetarëve në të kaluarën si: Ibën Kethiri, Fahruddin Rrazi, Begaviu, Maverdi, Sa’di, etj [11], se ndihma me engjuj nuk ka ndodhur.

Mendimi i përzgjedhur për meselen  në fjalë

Nga konteksti i ajeteve dhe analizave tona shohim se:

  • Ndihma hyjnore ka ndodhur dhe engjëjt kanë zbritur. Mendimi i Rrazit dhe të tjerëve se, “përderisa kanë munguar kushtet, nuk është realizuar e kushtëzuara”, me çka konstaton se engjëjt nuk kanë zbritur dhe ndihma hyjnore nuk ka ardhur, është paksa i çuditshëm kur dihet nga argumentet tjera (hadithet) se engjëjt kanë zbritur dhe se kokat e idhujtarëve fluturonin-këputeshin- në Betejën e Bedrit e po kështu edhe në atë të Uhudit. Këtë lajm e kanë përmendur edhe disa mufessirë tjerë[12].
  • Kurdoherë që plotësohen kushtet e kërkuara, ndihma e Zotit vjen. Pra, kurdo që durimi, devotshmëria, vendosmëria, parapërgatitja ushtarake dhe logjistike për përballjen me armikun ekzistojnë, ndihma e Allahut vjen. Kështu na mëson Allahu xh.sh. në Kur’an:

Përgatisni kundër tyre kuaj dhe fuqi ushtarake sa të mundeni, që të tmerroni armikun e Allahut dhe armikun tuaj, si dhe të tjerët që ju nuk i njihni, por që Allahu i njeh. Çfarëdo që të shpenzoni në rrugën e Allahut, do t’ju shpërblehet dhe nuk do t’ju bëhet padrejtësi.” [ Enfalë: 60]

Kudo dhe kurdo që të plotësohen kriteret e lartpërmendura, ndihma e Allahut xh.sh. vjen dhe kjo nuk ka pse të ndodhë vetëm nëpërmjet engjëjve! Pra, ka dhe forma tjera se si Allahu xh.sh. i ndihmon besimtarët, siç janë rastet tek: përçarja e armiqve mes vete, luftërat e tyre te brendshme, etj, gjëra për të cilat na mëson Kur’ani:

“Thuaj: “Ai ka fuqi t’ju ndëshkojë prej së larti ose nga poshtë këmbëve tuaja, ose t’ju përçajë në grupe e të vuani nga duart e njëri-tjetrit. Shih si ua shpjegojmë shpalljet, që ata të mund të kuptojnë!” [En’amë: 65]

“Ne të gjithë i dënuam për gjynahun e vet: disa me furtunë, disa të tjerë i tronditi një zë i tmerrshëm, disa i lëshoi toka dhe të tjerët i përmbyti uji. Allahu nuk u bëri atyre padrejtësi por ata vetes i bënë padrejtësi.” [ Ankebut: 40]

Ushtrinë e Allahut askush nuk mund ta dijë se si është dhe cilat janë mundësitë e saj, këshillë kjo e madhe për ata që mendojnë. Ky është tefsiri ose komenti i duhur i ajetit:

“Po! Por, nëse ata ju sulmojnë, bëhuni të durueshëm dhe të dëgjueshëm dhe Zoti juaj menjëherë do t’ju dërgojë ndihmë pesë mijë engjëj, me shenjë të dalluar.” [ Al-Imran: 125]

Kjo edhe për faktin se, siç thotë rregulli fetar: ‘leksioni nxirret nga përgjithësimi i tekstit, jo nga konteksti (arsyeja specifike) e tij [13].

Në përmbyllje dua të citoj Imamin Tahir bin Ashur dhe shpjegimin e tij brilant, i cili pasuron mendjen dhe shëron shpirtin. Ka të bëjë pikërisht më këtë që thamë – përforcimin me engjëj në Betejën e Bedrit. Ai thotë: “Në kaptinën Enfalë, ajetin e nëntë, Allahu xh.sh. përmend përforcimin me njëmijë engjëj:

Unë do t’ju ndihmoj me një mijë engjëj…”, ndërsa këtu Allahu xh.sh. iu premton fillimisht me tremijë e më pas me pesëmijë engjëj. Përputhja e ajeteve mund të bëhet nga aspekti se Allahu xh.sh. fillimisht u premtoi ndihmë me njëmijë engjëj, duke e lënë të hapur mundësinë edhe për engjëj të tjerë. 

Siç duket, numri i shumtë i armiqve i kishte frikësuar myslimanët, ndaj Pejgamberi a.s. u thoshte: “Atëherë ti (Muhamed) u thoshe besimtarëve: “A nuk ju mjafton ndihma e Zotit tuaj me tre mijë engjëj të dërguar?”.” [Al Imran: 124] Me këtë donte t’i forconte edhe më shumë. Pastaj ua premtoi edhe dymijë engjëj me kusht që të kishin durim dhe devotshmëri.

Kështu u interpretua nga xhumhuri-pjesa dërmuese e komentatorëve të kur’anit – dhe ky është konteksti i përgjithshëm i ajeteve në fjalë.

Është konfirmuar se engjëjt kanë zbritur në Betejën e Bedrit për t’i ndihmuar besimtarët. Bile disa sahabë dhe i kanë parë engjëjt derisa të tjerët kanë parë vetëm veprimet e tyre (kokat e prera të idhujtarëve)[14].

Engjëjt janë përshkuar si “të dërguar” për faktin se kanë zbritur në tokë, në fushëbetejë për tu kujdesur për besimtarët…[15]

Ky është mendimi që ka përzgjedhur Imami Tahir bin Ashuri, të cilin ne e konsiderojmë si më të saktin dhe më të qëlluarin për çështjen në fjalë. Allahu e di më së miri!

Në fund të kësaj njësie, në formë grafiku, mund të përmbledhim tiparet më të rëndësishme dhe të domosdoshme të liderit të guximshëm dhe motivues për ushtrinë.

Tiparet e komandantit motivues për ushtrinë

  • 1. Besimtar në Allahun xh.sh.
  • 2. Vepërmirë
  • 3. I devotshëm
  • 4. Guximtar
  • 5. I sinqertë në këshilla
  • 6. Mjeshtër në udhëzimet që jep
  • 7. Në dijeni për gjendjen e njerëzve dhe gjërat që iu duhen
  • 8. Në dijeni për objektivat e fesë dhe prioritetet e saj
  • 9. Vëzhgon përherë asistentët të cilët do t’i kryejnë punët në rast të mungesës së tij
  • 10. Vëzhgon karakterin e ushtrisë dhe sjelljet e tyre
  • 11. I drejtë dhe llogaritës i shkelësit se ligjit, kushdo qoftë ai dhe cilado qoftë pozita e tij

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

LIDERSHIPI I SUKSESSHËM (sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)

 


[1]Siç ka përzgjedhur përkthyesi i kuptimeve të Kur’anit Hasan ef. Nahi ta përkthejë fjalën ‘gadevte’ dhe siç mendojnë disa interpretues të Kur’anit. Përkthyesi.

[2]Tefsiri i Sa’dit, 3/121.

[3]Tefsiri i Alusit, 3/121.

[4] Beteja e Uhudit ndodhi në vitin e 3 hixhri në muajin Shevval, shih Siren e Ibn Hishamit, 3/23.

[5] Veshje prej metali, e gjatë deri në brez, që mbronte luftëtarët në kohët e vjetra gjatë ndeshjeve me armë të ftohta…shih: https://fjale.al/parzmore

[6] Beteja eBedrit ndodhi në vitin e 2 hixhri në muajin Ramazan, shih Siren e Ibn Hishamit, 2/249.

[7] Shih: Hamud Abdullah El-Ehnumi, El-kijadetu el-ammetu min hilal el-Kur’an el-kerim ve err-Rresul el-adhim, f. 1.

[8]Shih tefsirin En-nuket ve el-ujun të Maverdit dhe tefsirin Irshadu el-akli esselim ila mezaja el-Kitabi el-kerim të Ebu Suudit, për të mësuar më shumë rreth detajeve për përgatitjen për Betejën e Uhudit, 3/121.

[9] Me fjalë të tjera, mos përmbajtja urdhrit të Pejgamberit a.s. nënkupton mungesën e devotshmërisë, që tekstualisht autori e ka përmendur si kusht të paplotësuar. Përkthyesi.

[10] Shih: Tefsiri i Ibën Uthejminit, 3/128.

[11] Për dobi shkencore më të shumta, referojuni tefsireve të Sa’dit, Maverdit, Begaviut, Rraziut.

[12]Shih: Ibn Ashur, Ettahriru ve ettenviru, 3/124.

[13]Më gjerësisht dhe të ilustruar edhe me shembull konkretisht mund ta gjeni në fund të librit. Përkthyesi.

[14]Shih: Ibn Hisham, Essiretu ennebevijjetu, 2/274.

[15]Ibën Ashur, Ettahriru ve ettenvir, 11/70..