Pavarësisht që ky stil i lidershipit është i papranuar për pjesën më të madhe të njerëzve, ekspertët kanë përmendur disa aspekte pozitive të tij, sikur që përmendin dhe ato negative[1]. Në vazhdim ne do të përmendim disa prej tyre:
- Në disa raste, liderët autoritarë kanë rëndësi për shkak se arrijnë ta kthejnë rregullin dhe rendin e përmbysur në një organizatë apo kompani.
- Lideri autoritar quhet ndryshe lideri vetëmohues i cili të shumtën e kohës, të angazhimit dhe energjisë ia kushton punës dhe në disa raste korrë sukses. Është dëshmuar praktikisht se liderët e tillë duke u mbështetur në aftësitë dhe shkathtësitë që kanë, janë më të aftë për të marrë vendime se vartësit.
- Janë antidoti i disa personaliteteve të shthurur, të papërmbajtur, që nuk e duan rendin dhe rregullin, që nuk ndreqen me fjalë e këshilla. Studimet kanë konfirmuar se kur vija e pushtetit të jetë e qartë dhe e kuptueshme, ky stil lidershipi është mjet pozitiv për t’i trajtuar nëpunësit apo vartësit dhe si rrjedhojë çon në shtim të prodhimit.
Mangësitë e liderit autokrat
Të metat e tyre janë të shumta. Në vazhdim do të përmbledhim disa sa për ilustrim:
- Punëtorët ndihen të kërcënuar nga lideri/menaxheri dhe nuk janë të kënaqur me punën që bëjnë.
- Krijimi i armiqësisë dhe urrejtjes ndërmjet liderit dhe punëtorëve.
- Rënia e moralit dhe vullnetit për punë
- Punëtorët nuk e duan liderin dhe nuk duan me qejf t’i zbatojnë urdhrat e tij.
- Shpirti inovativ dhe kreativ vdes tek punëtorët.
- Për shkak të mënyrës centraliste të komunikimit: qendër – punëtorë, zhduket mirëkuptimi ndërmjet tyre [2].
Të metat dhe të këqijat e lidershipit autoritar janë të shumta. Kjo që përmendëm është si një pikë ujë në deti në raport me të këqijat që kanë. Atyre iu faturohen edhe shumë krime makabre, si vrasja e kundërshtareve dhe oponentëve partiakë, politikë, etj, vetëm sepse e kanë kundërshtuar liderin, në rastin më të keq mund të vritet ose burgoset, në rastin më të mirë mund të dëbohet dhe të internohet bashkë me familje.
Këtë e kemi përjetuar edhe ne, në vendet tona, në Ballkan; në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Bosnjë, në kohën e ish-Jugosllavisë, ku liderët autoritarë vranë e masakruan qindra mijëra njerëz të pafajshëm!
Shekulli i kaluar, veçmas gjysma e parë e tij, ka qenë përplotë me liderë të tillë famëkeqë, krimet e të cilëve tanimë janë të dokumentuara në punime të ndryshme, libra, filma dokumentarë, etj. Në Gjermani ishte p.sh., Adolf Hitleri, në Itali Benito Musolini, në Rusi Xhozef Stalini, në ish-Jugosllavinë Josip Broz Tito, në Shqipëri Enver Hoxha, në Serbi Sllobodan Millosheviqi, në Kubë Fidel Kastro, në Korenë e Veriut Kim Jong Un, në Kinë Mao Ce Tung etj[3].
Pasi që ne shqiptarët, boshnjakët, turqit dhe minoritetet e ish-Jugosllavisë ishim viktima të robëruar të kolonizuar, të masakruar, të burgosur, të privuar prej të drejtave tona kombëtare, politike dhe fetare islame për dekada me radhë ndër thundrrën e regjimit monist diktatorial të Titos dhe të Millosheviqit, dhe se shkaku i situatës së mjerueshme politike, ekonomike, edukativo-arsimore e shëndetsore në këto 20 vitet e fundit pas luftës në Kosovë, 1999-2021, kemi raste konkrete dhe ndegjojmë nga disa ku edhe pas kollapsit të këtyre regjimeve diktatoriale të lartëpërmendura flasin se në kohën e komunizmit kemi pasë: sigurim shëndetësor, furnizim me barna të mjaftueshme, rrogat, fabrikat, shtesë për femijë etj – gjëra dhe realitete që nuk mohohen – por duhet të dijmë se gjendja e jonë aktuale mjeruese dhe e tmershme, e papranueshme ku fajtorë janë liderët e dështuar dhe të korruptuar; në asnjë mënyrë nuk na lejohet që ne ta vajtojmë të kaluarën e atyre sistemeve dhe regjimeve komuniste, sepse ata për t’i mbuluar krimet e tyre u desht ta kompenzojnë disi në shërbim të shoqërisë komuniste dhe të popullit të ndjerë !!
Në këtë kontekst është e udhës që për lexuesin, studentin dhe për të gjithë ata që janë të mllefosur nga kjo gjendja e jonë aktuale në Kosovë të sjellim disa krime historike qe ishin tmerr e zi për ne dhe ata që kanë përjetuar dhe, që nuk harrohen kurrë.
Për këtë realitet të dhimbshëm historik na flet historiani ynë i njohur Kosovar prof.Dr.Hakif Bajrami, ku në mes tjerash thekson:
“…Derisa sa krali i shpërnguli 240,000 shqiptarë, pa kthim në Anadoll e 25,000 në Shqipëri, me shans për t`u kthyer, Tito i shpërnguli 415,000 shqiptarë në Anadoll dhe vetëm 157 në Shqipëri, të cilët po të ktheheshin do ta kalbeshin në burgje, ose do të përfundonin në varr. Sa i takon kolonizimit të Kosovës, Krali i solli 11,000 familje dhe aty kah viti 1938 nxori edhe Ligjin që 0,40 ari tokë duhet t’i ketë shqiptari, kurse serbi mundet t`i ketë jo ma shumë se 45 hektarë, plus male e deri te ndonjë minierë, si Nikolla Pashiqi që e përvetësoi me djalë edhe Trepçën.
Tito provoi n`anën tjetër të gjithë shqiptarët t`i “civilizojë”, duke ua grabitur tërë pasurinë, për nevoja të kolektivave, duke bërë plane “civilizuese” që në kooperativa djali shqiptar të martohet me vajzën serbe, ndërsa vajza shqiptare të martohet me djalin serbi dhe kështu të krijohet “Kombi socialist jugosllavë”, i ngjashëm me veprimin e Kral Aleksandrit kur Serbët, Kroatët dhe Sllovenët i quajti fise, të një populli, e pastaj nga viti 1929 ua humbi emrin dhe “kulturën” për ta krijuar kombin ‘civilizues” jugosllav. Në këtë fushatë ishte i sigurt sepse: malazezëve më 1918 ua humbi shtetin, dinastinë dhe kombin, kurse më 1929 serbëve, kroatëve dhe sllovenëve ua humbi emrin e kombit dhe perspektivën…,
Dhurata e kralit dedikuar shqiptarëve është 152,000 vjet burgje, kurse dhurata e Titos është 677,856 vjet burgje, me 750,000 dosje personale, ndër ma të egrat në Evropë, duke montuar procese, duke vendosë pesë herë diktaturë ushtarake, duke i vrarë nëpër eshalone të vdekjes më 1945-1949 mbi 40,000 shqiptarë pa gjurmë, në të gjitha anët e Jugosllavisë federative. Lidhur me ketë po i numërojmë me radhë të zezat e ideuara, folura dhe të bëra me urdhrin e tij, me të vetmin qëllim që të mbetet faraon në “Belli Dvor” të Beogradit, në cilësinë e kralit mizantrop, aty ku natë e ditë serbianët neofashist ia ruajnë varrin edhe sot.
Ja faktet se çka i solli Kosovës (Shqiptarëve që ishin nën robëri të tij), ku Adem Demaçi zë vendin e parë në Evropë dhe më gjerë duke kaluar 28 vjet në burgje për mendimin ndryshe dhe për të drejta kombëtare…”[4].
Kemi përshtypjen se kaq mjafton sa për të ilustruar këtë kategori lidershipi. Shkojmë tutje tek stili i dytë.
Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA
LIDERSHIPI I SUKSESSHËM (sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)
[1] Shih:Musfir Utejbi, El-enmat el-kijadijeh…, vep.cit., f. 30; Fejsal bin Xhasim Al Thani, El-kijadetu ve etheruha fi kesbi el-vela, vep.cit., f. 67; Peter G. Northouse, Leadership and Practice, pg: 19-26.
[2] Shih: Musfir Utejbi, Elenmat el-kijadijeh…, vep.cit., f. 30; Fejsal bin Xhasim Al Thani, El-kijadetu ve etheruha fi kesbi el-vela, vep.cit., f. 67; Peter G. Northouse, Leadership and Practice, pg: 19-26.
[3] Shih:Për tu bindur, mjafton të shikosh disa nga filmat dokumentarë me këtë tematikë. Për më shumë, shih: Muhammed Ahmed Dervish, Nadharijat el-kijadeti ve istratexhijetu el-istihvadhi ala el-kuvveh, (Kajro: Alem el-kutub, 2009), f. 204.
[4] Shih detaje tmerruese në: https://www.radiokosovaelire.com/prof-dr-hakif-bajrami-kush-ishte-josip-broz-tito-dhe-cfare-qendrimi-mbajti-ndaj-shqiptareve-ne-vitet-1941-1980/, portali është shfletuar më 7.08.2021