SHKAQET E KONFUZIONIT RRETH PËRKTHIMIT TË DOMETHËNIEVE TË AJETEVE TË KUR’ANIT FISNIK

0
195

 

Misioni i Muhammedit [alejhis salatu ves selam] është mision i përmasave universale, i cili i drejtohet të gjithë njerëzve dhe vlen deri në mbarim të kësaj bote. Kjo është përmendur shumë qartë në disa ajete kur’anore, si:

“Ne nuk të dërguam ty ndryshe vetëm se për të gjithë njerëzit, myzhdedhënës dhe tërheqës i vërejtjes, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Sebe’, 28)

Thuaj (Muhammed): “O ju njerëz! Unë jam i dërguari i All-llahut te të gjithë ju. All-llahut që vetëm i Tij është sundimi i qiejve e i tokës, s’ka të adhuruar tjetër pos Tij; Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje, pra besoni All-llahun dhe të dërguarin e Tij, pejgamberin e pashkolluar, që beson All-llahun dhe shpalljet e Tij, ndiqeni rrugën e tij që ta gjeni të vërtetën.” (el-A’rafë, 158)

 “E Ne të dërguam ty (Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.” (el-Enbija, 107)

Këto dhe ajete tjera përcaktojnë kumtimin e misionit kur’anor tek të gjithë njerëzimi. Por, ka dhe ajete të tjera që obligojnë përkthimin e domethënieve të ajeteve kur’anore:

“Ne ua bëmë të lehtë atë (Kur’anin) në gjuhën tënde, ashtu që ata të marrin mësim.“ (ed-Duhan, 58)

 “Sikur Ne ta bënim Kur’anin në gjuhë të huaj, ata do të thoshin: “Përse nuk janë ajetet e tij të kuptueshme (të shkoqitura), a është ai (Kur’ani) në gjuhë të huaj, kurse ai (pejgamberi) është arab?” Thuaj: “Ai është për besimtarët udhëzues e shërues. E ata që nuk besojnë, në veshët e tyre kanë shurdhim, dhe ai për ta është verbërim. Të tillët janë sikurse thirren prej një vendi të largët e nuk dëgjojnë”.“ (Fussilet, 44)

Këto dy ajete merren bazë për obligimin e përkthimit të domethënieve të ajeteve kur’anore, ngase, përderisa Muhammedi [alejhis salatu ves selam] është i dërguar tek të gjithë njerëzimi, pra arabët dhe joarabët, atëherë nuk ka kuptim që atyre t’iu shpallet një libër që nuk e kuptojnë[1]. Allahu i Madhëruar ka thënë:

 “Ne asnjë nga të dërguarit nuk e dërguam ndryshe vetëm në gjuhën e popullit të vet…“ (Ibrahim, 4)

Bejdaviu, në komentimin e këtij ajeti, ka thënë: ‘Janë urdhëruar që ta kuptojnë atë me lehtësi dhe shpejtësi, e më pastaj t’ua bartin të tjerëve dhe t’ua përkthejnë atyre...’

Po kështu, Allahu i Madhëruar ka thënë:

“E nëse ndokush prej idhujtarëve të kërkon strehim, ti strehoje në mënyrë që t’i dëgjojë fjalët e All-llahut (Kur’anin), e mandej përcille deri në vendin e tij të sigurt… “ (et-Teube, 6)

Idhujtari joarab nuk ka mundësi ta dëgjojë apo kuptojë Kur’anin përveçse nëpërmjet përkthimit të domethënieve të tij. Shumë dijetarë, si: Ebu Hanife, Ebu Jusufi, Muhammed Shejbani, Xhessasi, Gazaliu, Shatibiu[2] etj, nga ky ajet dhe ajete të ngjashme kanë nxjerrë dispozitën e lejimit të përkthimit të domethënieve të ajeteve kur’anore, me qëllimin e kumtimit të tyre në gjuhë të ndryshme[3].

Kur’ani Famëlartë zotëron domethënie bazike, në kuptimin e të cilave janë të barabartë të gjithë ata që i dinë kuptimet e fjalëve si fjalë të thjeshta dhe fjalëve kur janë si të përbëra. Por, gjithsesi ka edhe fjalë të tjera që kanë kuptime sekondare apo dytësore, e me të cilat synohen ato forma dhe mënyra që e ngrenë të folurit e Kur’anit në pozitën e të qenit sfidues (mu’xhiz). Me këtë rast, do të bënim mirë që të mos harrojmë se lejimi i përkthimit të kuptimeve kur’anore, nga dijetarët që zumë në gojë më lart, ka të bëjë pikërisht me domethëniet bazike. Ndryshe, nuk ka gjuhë në botë që mund t’i përgjigjet gjuhës arabe në kuptimet e shprehjeve dhe fraza të saj, të cilat dijetarët i quajnë ‘Havasu-t-terakib’ (karakteret apo atributet e strukturave të fjalëve).

Megjithëkëtë, edhe kur bëhet fjalë për përkthimin e domethënieve bazike, ndodhin gabime, për shkak se një fjalë në Kur’an mund të ketë më shumë se një kuptim, kështu që përkthyesi mund ta vërë shprehjen që mendon, për shkak të mungesës së një shprehje adekuate nga gjuha e tij amtare që do të mund të bartte më shumë se një kuptim[4].

Përkthimi do të llogaritej i suksesshëm atëherë kur përkthyesi do të arrinte që t’i sillte domethëniet dhe kuptimet plotësisht, pa mangësi, ndërsa, në rast se do të ndodhte që në tekstin kryesor të mos figuronte ndonjë prej objektivave bazë, atëherë do të konstatonim se përkthimi është i mangët dhe rrjedhimisht i papranueshëm. Kjo ngase ai përkthim do të mund të shkaktonte dëme të mëdha, sidomos nëse teksti ka të bëjë me diç të rëndësishme dhe me peshë në fe dhe, në këtë rast, përgjegjësia e këtyre gabimeve bie mbi supet e përkthyesit[5] dhe askujt tjetër.

Në vijim, do të paraqesim shkaqet kryesore që shkaktojnë paqartësi dhe probleme rreth përkthimit të Kur’anit Famëlartë.

Dijetarët janë kompaktë sa i përket asaj se përkthimi fjalë për fjalë i Kur’anit, për shkaqet që përmendëm sipër por edhe për të tjera, ndalohet. Ndërsa përkthimi me komentim, edhe pse në fakt nuk sjell ato botëkuptimet origjinale, për hir të kumtimit të fesë tek njerëzit, është i lejuar. Ndryshe, ne jo vetëm që do t’i privonim joarabfolësit nga libri i tyre i shenjtë, porse do t’i shërbenim shumë edhe qëllimeve të ulëta të vendeve joislame, më saktësisht vendeve imperialiste, të cilat kur kolonizuan vendet islame, dëshironin t’ua pamundësonin njerëzve kontaktet me librin e tyre, andaj edhe ngritën një moto:

‘Kur’ani është një libër i shenjtë, që ka prekur majat e retorikës, kështu që përkthimi i tij në gjuhët e tjera është i pamundur!’

Pra, njerëzve duhet t’ua ofrojmë domethëniet e Kur’anit, por kurrë me bindjen se ato janë vetë Kur’ani në origjinal. Përkthimi, në çfarëdo gjuhe, nuk quhet Kur’an. Nuk lejohet leximi i përkthimit në namaz dhe as që të nxirren dispozitat prej përkthimit. Kjo nuk nënkupton se ne thërrasim në braktisjen e përkthimeve.

Larg asaj! Ne nxisim për leximin dhe për përfitimin prej tyre, por me kusht që këto përkthime të jenë kryer nga ekspertë dhe profesionistë. Leximi i përkthimit të Kur’anit shpërblehet.
Allahu e di të vërtetën më së miri!

 

 

Prof.Dr.Suat Yëlldërëm

SHKAQET E KONFUZIONIT RRETH PËRKTHIMIT TË DOMETHËNIEVE TË AJETEVE TË KUR’ANIT FISNIK

Doc.prof.Dr.Hfz.Hajredin Hoxha(ish studenti i Autorit)


[1] Ibnul Hatib, El-Furkan, f. 173.

[2] Shih: El-Mebsut të Serhasiut 1/37; El-Hidaje të Merganit 1/47; Ahkam el-Kur’an të Xhessasit 5/262: el-Mustasfa min Ilmil Usul 1/199; el-Muvafekat të Shatibiut 2/44-45; Bedaiu-s-Sanaië të Kasanit 1/112; Mebahith fi Ulumul Kur’an të Mennaë Kattanit f. 317; el-Feuzul kebir fi Usulit Tefsir të Dehlavit, f. 97; Menahil el urfan të Zerkanit, 2/162.

[3] Rreth përkthimit të Kur’anit Fisnik në gjuhën turke, shih: Hidajet Ajdar, Istanbul, 1996, f. 177-213.

[4] Kattan, Mennaë, Mebahith fi Ulumil Kur’an, f. 315.

[5] Aydin, Ferit, Tercume Sanatinin Gercekleri, Instanbul, 1984, f. 130-131.