NATYRA E KUNDËRPËRGJIGJEVE AKADEMIKE DHE IDEOLOGJIKE TË HOXHËS ABDUL FETTAH KADI NDAJ GOLDZIHER-IT

0
512

 

Në këtë pjesë do të trajtojmë disa dyshime shkencore dhe historike të hedhura nga lideri evropian i islamistikës, orientalisti çifut Goldziher, në librin e tij ‘Doktorinat e interpretimit të Islamit[1]’, si dhe zhvlerësimin e tyre nga ana e Shejhut Abdul Fettah Kadiut. Sigurisht, për shkak të natyrës së punimit, nuk do të ndalemi në të gjitha dyshimet e tij, në fokus do të kemi vetëm disa prej tyre, e të cilat reflektojnë personalitetin e një mashtruesi, sharlatani, një njeriu që fshihte thellë në zemër çifutizmin e tij dhe urrejtjen ndaj Islamit[2].

Vërtetë, është turp dhe humbje kohe për një personalitet të tillë, që pas gjithë atyre viteve kushtuar studimit të gjuhës arabe dhe Islamit të luajë me të vërtetat islame, t’i shtrembërojë ato dhe të refuzojë nënshtrimin ndaj të vërtetave kur’anore. Ka qenë dashur, së paku, të mos merrte këtë pozicionim, pra të mos hidhte dyshime e të mos përpiqej dhe orvatej t’i largonte njerëzit nga rruga e drejtë, por, e këtillë është metodologjia e Ithtarëve të Librit, çifutëve dhe të krishterëve, të cilët, të vërtetën e pështjellin me të kotën, e njohin të vërtetën por nuk e pranojnë!!

Përgjatë prezantimit të dyshimeve dhe kundërpërgjigjeve të hoxhës Abdul Fettah Kadi do të bëjmë disa komente dhe analiza, për t’i sqaruar gjërat më mirë.

 

Gjatë analizimit të kundërpërgjigjeve të hoxhës Abdul Fettah Kadi, ndaj akuzave dhe dyshimeve të pabaza të kundërshtarit të tij të pa kompromis, Goldziherit, ne kemi vënë re se ato janë të ndryshme dhe në përputhje me dyshimin e bërë në lloj, cilësi e sasi. Nga kjo perspektivë, këto kundërpërgjigje mund të klasifikohen si më poshtë:

  • Kundërpërgjigje teorike me karakter të përgjithshëm, në të cilat zhvlerësimi i dyshimeve bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë.
  • Kundërpërgjigje historike të cilat paraqesin argument të prerë dhe bindës për injorancën e dyshuesit.
  • Kundërpërgjigje shkencore në të cilat zbërthejnë kuptime të Shkencës së Kiraeteve dhe i formësojnë ato.

Tani do të merremi me dyshimet e Goldziherit dhe kundërpërgjigjet e Hoxhës sonë Abdul Fettah Kadiut.

 

KUNDËRPËRGJIGJET E HOXHËS DR. ABDUL FETTAH KADI NDAJ SHPIFJEVE DHE AKUZAVE TË GOLDZIHERIT

DYSHIMI I PARË DHE KUNDËRPËRGJIGJIA E TIJ

Në librin Doktrinat e interpretimit të Islamit, Goldziheri ka thënë:

Nuk ka ndonjë libër legjislativ, të pranuar si pjesë besimi nga ndonjë grup fetar se është tekst i zbritur apo i shpallur (nga qielli), i cili ofron tekstin e vet në fazën më të hershme të tij me këtë formë çrregullimi dhe jostabiliteti, siç është teksti kur’anor…”[3]

Kundërpërgjigjia e hoxhës Abdul Fettah Kadi:

Është e pamundur që tekstin kur’anor ta përshkojë çrregullimi[4], apo të shoqërohet me frikë dhe stres, ngase domethënia e çrregullimit dhe jostablitetit në tekstin kur’anor nënkupton që teksti të lexohet në disa forma dhe ndërmjet tyre të ketë mospërputhje në kuptime dhe qëllime. Kjo, sigurisht, se nuk mund të ndodhë në Kur’an[5]. Transmetimet e ndryshme dhe aspektet e shumëllojshme që janë përcjellë për tekstin kur’anor nuk kanë kundërthënie as në domethënie dhe as në qëllime[6]. Nëse analizojmë hollësisht kiraetet, ato të tipit mutevatir, meshhur dhe sahih, do të vërenim se mospërputhja qëndron në njërën nga këto dy lloje:

1) Dallimi i kiraeteve në tekst – shprehje por jo edhe në qëllim. Ky lloj i referohet dallimeve të gjuhëve, si p.sh., leximi i fjalës ‘sirat’ në ajetin e gjashtë nga kaptina el-Fatiha:

Udhëzona (përforcona) në rrugën e drejtë!

…me ‘s’ të fortë (sad- ص)dhe me ‘s’ të butë (sin- س).

Apo, edhe leximi i fjalës ‘el-Buhl’ në ajetin 24 nga kaptina el-Hadid:

﴿‏ الَّذِينَ يَبْخَلُونَ وَيَأْمُرُونَ النَّاسَ بِالْبُخْلِ ۗ وَمَن يَتَوَلَّ فَإِنَّ اللَّهَ هُوَ الْغَنِيُّ الْحَمِيدُ ﴿٢٤﴾‏

Të cilët vetë bëjnë koprraci dhe me koprraci i këshillojnë njerëzit. E kush largohet prej dhënies, le ta dijë se Allahu është i begatshëm, i lavdishëm.”

…duke vokalizuar shkronjën ‘b’ me zanoren ‘u’ ndërsa ‘h’-në pa zanore fare (me sukun), pra ‘buhl’, apo duke vokalizuar që të dyja me zanoren ‘e’.

Ngjashëm është edhe puna me leximin e foljes ‘jahsebu’ në ajetin e tretë nga kaptina el-Humeze:

E mendon se pasuria e tij do ta bëjë të përjetshëm.”

….respektivisht, leximin e shkronjës ‘s’ duke e vokalizuar me zanoret ‘e’ ose ‘i’.

Urtësia e shpalljes së Kur’anit edhe me këtë lloj është që njerëzve me gjuhë të ndryshme t’iu lehtësohet leximi[7]. Prej këtij lloji ka edhe pjesë që nuk janë si rezultat i dallimeve gjuhësore por janë vetëm pjesë të të folurit letrar, si p.sh.:

Atë e solli shpirti besnik (Xhibrili).” [Shuara, 193]

Folja ‘nezele’ është lexuar me dyfishimin e shkronjës ‘z’ (nezzele) dhe padyfishimin e saj, sikur që emri ‘ruh’, gjegjësisht shkronja e fundit e saj, ‘h’ –ja, është lexuar me zanoren ‘u’ (err-rruhu) dhe me ‘e’ (err-rruhe) [8].

Pastaj, Shejhu sqaron, se si formë, është evidente edhe në traditën e arabëve, madje, përderisa domethënia e fjalës mbetet e pandryshueshme, nuk ka gjë të keqe në këtë përdorim[9].

2) Lloji i dytë është kur leximet dallojnë në shprehje dhe domethënie, por që të dy domethëniet mbesin të shëndosha dhe të pranuara; pra, as nuk përputhen dhe as nuk kundërshtohen. Këtë mund ta hasim në ajetin 259, të kaptinës el-Bekare, gjegjësisht në pjesën:

…shiko se si i kombinojmë eshtrat e pastaj i veshim me mish…

Folja ‘nunshizuha’ (نُنشِزُهَا) është lexuar me shkronjën ‘z’, e që ka kuptimin e kombinimit, por është lexuar edhe me shkronjën ‘r’ (nunshiruha), e që ka kuptimin e ringjalljes pas vdekjes për të dhënë llogari[10]. Kuptimet –vazhdon të sqarojë Shejhu- janë të ndryshme, por ato nuk bien ndesh me njëra tjetrën, përkundrazi, ngase Allahu kur të ringjallë krijesat, urdhëron bashkimin e eshtrave e pastaj i ringjallë për llogari[11].

Kështu qëndron puna edhe me një pjesë të ajetit 18 nga kaptina el-Hadid:

S’ka dyshim se ata që japin lëmoshë (sadaka) dhe që sinqerisht japin për hir të Allahut…

Këto dy fjalë, gjegjësisht shkronja ‘s’ në to, është lexuar me dyfishim dhe pa të, në rastin e parë, ajo nënkupton ata që japin pjesë të pasurisë së tyre, qoftë kjo e obliguar (Zekati), apo edhe vullnetare, siç është lëmosha. Ndërsa në rastin tjetër, pra kur të lexohet pa dyfishim, ato nënkuptojnë besimtarët që i përkushtohen fesë, që i nënshtrohen asaj dhe dispozitave të saj. Pra, janë dy domethënie të ndryshme, por që bashkohen në karakterin dhe personalitetin e besimtarit lëmoshëdhënës[12]. Urtësia e këtij lloji, shton Shejhu, është që ajeti të luajë rolin e dy ajeteve që kanë ardhur për dy domethënie bashkë[13].

Këto janë dy lloje të dallimeve në kiraete, ndërsa sa i përket asaj që të ketë dallime në shprehje dhe domethënie, dhe këtë me pamundësi përputhje ndërmjet tyre, kjo është e pamundur në Kur’an. Allahu i Madhëruar ka thënë:

A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kur’anin? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, përveç prej Allahut, do të gjenin në te shumë kundërthënie.” [Nisa, 82]

Për të vërtetuar se nuk ka kundërthënie në kiraetet e Kur’anit, Shejhu citon edhe Ibni Kutejben, i cili në librin e tij të famshëm ‘Mushkilul Kur’an’ thotë: “Dallimi është dy lloje: dallim i ndryshimit dhe dallimi i mospërputhjes. Sa i përket këtij të fundit, ai, falënderuar qoftë Allahu, nuk gjendet në Librin e Tij, ndërsa i pari është i lejuar…” Pastaj solli shembuj kur’anor[14] duke argumentuar lejimin e llojit të parë dhe se domethëniet e ajetit, varësisht nga leximi, ishin të sakta dhe se çdo lexim ishte pothuaj si një ajet në vete.

Si rezyme e asaj që përmendi Shejh Abdul Fettahi, mund të themi si dallimet në lexime janë dallime në lloj dhe ndryshim e jo dallime që shkaktojnë papërputhshmëri. Nëse kjo nuk mund t’i atribuohet një gjeniu nga njerëzit, atëherë si mund të thuhet kështu për Fjalën e Zotit?! Kështu, vërtetohet se është e pamundur që tekstit kur’anor t’i mveshet diç e tillë. Po ashtu, transmetimet e leximeve kur’anore kanë ardhur nëpërmjet rrugës më të saktë, tevaturit[15], që nënkupton se janë drejtpërdrejt nga Pejgamberi alejhi selam[16], prej të cilit e morën Sahabët për t’ua përcjellë më pas tabiinëve, dhe kështu brez pas brezi deri tek ne.

Allahu e di më së miri!

Po pyesim: Këto sekrete të gjuhës arabe prej nga mund t’i mësoj Goldziheri dhe orientalistët e ngjashëm me të?! Ku mund ta dijë ai urtësinë e kësaj llojllojshmërie dhe diversiteti në kiraete?!

Pengesë e hekurt para mësimit të këtyre urtësive për këta dyshues e dashakëqij është fanatizmi i tyre për hebraizmin e shtrembëruar, në njërën anë, dhe urrejtja e tyre e pashpjegueshme për Islamin, në anën tjetër.

Sikur t’i kuptonin këto sekrete e urtësi dhe të mos vdisnin si jomyslimanë!

Ah, sikur angazhimi i tyre shkencor t’i çonte në të vërteta islame dhe të mos çonin dëm tërë ato shuma të mëdha parash duke menduar se po veprojnë mirë, ndërsa kanë vepruar keq e gabim!

 

KIRAETET E KUR’ANIT (ndërmjet pikëpamjes hebreje dhe islame) Abdul Fettah el Kadi dhe Ignaz Goldziheri sy më sy

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

 


[1] Ky libër është përkthyer në disa gjuhë dhe me tituj të ndryshëm siç mund të vërehet dhe në tekst.

[2] Shih: Zakzuk, El-istishrak ve el-halfijjetu el-fikrijje li-s-sirai el-hadarij, f. 48.

[3] Goldziheri, Medhahib et-tefsir el-islamij, f.4.

[4] Kattan, Nuzul e-Kur’an ala seb’ati ahrufin, f. 30-50.

[5] El-Kadi, El-kiraat fi nadhari el-musteshrikine ve el-mulhidine, f. 11-12.

[6] Muhajsin, El-muhedheb fi el-kiraat el-ashr, f. 220.

[7] Imam Xhezeriu ka thënë: “Arabët, me gjuhën e të cilëve u shpall Kur’ani, kishin gjuhë (dialekte) të ndryshme. E kishin të vështirë që të kalonin nga gjuha e vet në gjuhën e tjetrit. Duke qenë se nuk dinin shkrim-lexim, kalimin nga dialekti në tjetrin, e veçmas për të moshuarit dhe gratë, ishte i vështirë dhe, rrjedhimisht, të kërkohej një gjë e tillë, do të thoshte të ngarkoheshin me atë që nuk kanë mundësi.” El-Xhezeri, Enneshru fi el-kiraat el-ashr,  1/22; Rraxhihi, El-lehexhat el-arabijjeh fi el-kiraat el-kur’anije, f. 84-100.

[8] El-Kadi, El-kiraat fi nadhari el-musteshrikine ve el-mulhidine, f. 20-23.

[9]Njerëz të ndryshëm, nga fise dhe me dialekte të ndryshme, pranuan Islamin… kështu që Islami u tregua tolerant me ta dhe gjendjen e tyre…Shih: Tefsir et-Taberi, 1/35; El-burhan fi ulum el-Kur’an të Zerkeshiut, 1/227.

[10] Referenca paraprake, f. 24; El-Xhezeri, Enneshru fi el-kiraat el-ashr, 1/50.

[11] El-Kadi, El-kiraat fi nadhari el-musteshrikine ve el-mulhidine, f. 30.

[12] Shih: El-Kadi, El-budur ezzahire fi-l-kiraat el-ashere el-mutevatire, f. 50-55.

[13] El-Kadi, El-kiraat fi nadhari el-musteshrikine ve el-mulhidine, f. 30-34.

[14] Referenca paraprake.

[15] Shih: Xhebel, Vethakat nakli-n-nassi-l-kur’anij min Resulilah ila ummetihi, f. 157.

[16] Dijetarët janë të një mendimi sa i përket asaj se kiraetet janë teukifije, pra mbështeten vetëm në tekste dhe citate. Imam Zerkeshiu ka thënë: “Kiraetet janë teukifije, jo alternative, me përjashtim të Zamhsheriut, i cili mendon se janë të lira…” Shih: El-burhan fi ulum el-Kur’an, 1/321; Muhammed Isa Masravi, El-kiraat el-varideh fi-s-sunneh, f. 42-43.