Transmetimet mutevatire dhe tekstet me senede të sakta janë referencë e kiraeteve, jo resmi dhe shkrimi

0
583

 

Kundërpërgjigjie e saktë dhe e detajuar shkencërisht, në të cilën prerazi dhe bindshëm dëshmohet se si kiraetet nuk kanë të bëjnë me shkrimin, por me të mësimit të tyre gojë më gojë dhe me transmetim nga njëri tek brezi tjetër. 

 

Përgjatë shpjegimeve që ka ofruar hoxha Abdul Fettah Kadiu, ndërsa zhvlerësonte prezentimet e pabaza të Goldziherit për kiraetet, ka përmendur llojet e kiraeteve të cilat janë me probabilitet dhe mundësi leximi sipas shkrimit apo resmit Uthman. Ka thënë më saktësisht: “Po të supozonim se mosvokalizimi i Kur’anit është shkak i llojllojshmërisë së kiraeteve dhe dallimeve ndërmjet tyre, do t’i binte se secili lexim që është i mundshëm sipas shkrimit Uthman është i saktë dhe i pranuar, por puna nuk është kështu.

 

Pas llogaritjes së fjalëve kur’anore me lexime të ndryshme dhe pas shqyrtimit e analizimit të tyre si dhe pas vërtetimit të burimit të tyre hyjnor, dr. Abdul Fettah Kadiu bën një përmbyllje, e cila në vete paraqet një kundërpërgjigjie të fuqishme shkencore ndaj shpifjeve dhe akuzave të Goldziehrit dhe të ngjashmëve me të:

“Pas kësaj që shpjeguam na bëhet e qartë se kiraetet e ndryshme nuk janë produkt i harresës për të vokalizuar apo pikëzuar germat, porse e tërë çështja ka të bëjë me transmetimet mutevatire, tekstet e sakta dhe senedet e fuqishme, duke mos i lënë absolutisht asfare hapësire këtu resmit dhe shkrimit…” [1]

Ky është mbase argumenti më i fuqishëm se mbështetja për kiraete bëhet në transmetime e citate fetare, jo në shkrim e resm, siç pretendonte Goldziheri, ndryshe, po të ishin dallimet në kiraete produkt i këtyre të fundit kuratë nuk do të dallonin në lexim në këto vende. Së këndejmi, e tërë kjo tregon fuqishëm se mbështetja për vërtetimin e kiraeteve bëhet vetëm në transmetime të sakta dhe jo në gjëra tjera.

Kjo ua bën të qartë të gjithëve, atyre që dinë e atyre që nuk dinë, se lexuesit nuk i kanë duart e lira të veprojnë si të duan në leximet e Kur’anit, pasi ata duhet ta ndjekin atë, të përcillet besnikërisht nga gjeneratat e para. Analogjia, siç ka thënë Imam Shatibiu, nuk ka asfarë qasje në kiraete[2]. Bëhet fjalë për saktësi, përpikëri dhe besnikëri të transmetuesve në pranimin dhe përcjelljen e kiraeteve, ose ashtu siç ka thënë dr. Abdul Fettah Kadiu: “…janë tekstet dhe transmetimet ato që paraqesin bazën referuese të kiraeteve, ndërsa mosvokalizimi i mus’hafit nuk ka asnjë ndërhyrje në këtë aspekt…”; “burimi i kiraeteve është teukifi[3], telkini[4], marrja (mësimi) dhe dëgjimi.”[5]

 

Dijetarët dhe ekspertët e kiraeteve të gjithë njëzëri kanë deklaruar se burim i tyre janë vetëm transmetimet e sakta dhe përcjellja nga njëri tek brezi tjetër nëpërmjet mësimit direkt nga mësuesit apo dëgjimit prej tyre.

Dr. Abdul Fettah Kadiu ka plotësuar kundërpërgjigjet e tij, me disa referime që ua ka bërë disa prej përgjigjeve që kanë dhënë dijetar të mëdhenj të këtyre fushave, si Imami Ebu Shameh në Sherhu esh-Shatibijje, Imam Sehavi nxënësi i Imam Shatibiut, Imami Ebu Ubejd el-Kasim bin Selam, Imam Kurtubiu, Ibën Atijje, Kadi Ebu Bekir bin Ebi Tajjib, Ibën Xhezeriu, Ibën Subki, që të gjithë këta kanë dëshmuar se për kiraete duhet referuar vetëm teksteve dhe transmetime, jo resmit dhe shkrimit.

 

Edhe gjuhëtarët dhe gramaticientët kanë pohuar njëzëri se vetëm në transmetime të sakta duhet mbështetur për kiraetet.

Duke cituar gjuhëtarët më të mëdhenj, si Ebu Hamzan, Ebu Amër bin Alaun, Imam Kesaiun, dr. Abdul Fettah Kadiu mbështet shpjegimin e vet se kiraetet merren vetëm nga transmetimet për faktin se, krahas konstatimit që i kanë bërë kësaj të vërtete, praktikisht ata nuk janë refuzuar, kiraetet e këtilla edhe atëherë kur ato mund të mos jenë përputhur me rregullat e tyre gjuhësore.

 

Kundërpërgjigje logjike dhe analitike: i tërë Kur’ani është vërtetuar me tevatur. 

Përgjigje tjetër që ofron Shejhu e me të cilën demanton pretendimet e Goldziherit është e Kur’ani, i tëri, është i vërtetuar në mënyrën më të saktë të mundshme – tevatur. Kjo për arsye se nëse Kur’ani, si tërësi, është vërtetuar me tevatur, atëherë dhe pjesët e tij janë të vërtetuara me tevatur.

P.sh., leximi i fjalës sirat në dy forma (الصراط والسراط) është vërtetuar me të njëjtën mënyrë kështu që secila prej tyre konsiderohet kur’an. Ndërsa po të konstatonim se njëri prej leximeve është mutevatir e tjetri jo do të ishte konstatim i gabuar dhe aspak i saktë, do të ishte vlerësim pa kriter dhe rrjedhimisht i gabuar[6].

 

Dr. Abdul Fettah Kadiu ka thënë tërë atë që mund të thuhet për akuzat e këtij dashakeqi Goldziherit.

Ndërsa po lexonim dhe analizonim përgjigjet e hoxhës sonë, dr. Abdul Fettah Kadiut, bërë akuzave dhe dyshimeve të Goldziherit, betohemi në Zot, nuk kemi gjetur hapësirë e cila nuk është mbuluar sa duhet, dyshim që nuk ka marrë përgjigjen e duhur. Kemi bërë përpjekje të gjejmë ndonjë boshllëk dhe ta mbulojmë me fjalë e shpjegime të dijetarëve tjerë, por nuk kemi gjetur. Madje, nuk kemi ditur as çfarë të shtojmë më shumë.

Allahu e mëshiroftë profesorin tonë, hoxhën Mahmud Abdul Halik Xhadu, i cili në Medinën e Pejgamberi ﷺ ndërsa na ligjëronte angazhohej për t’i shpjeguar sa më mirë që ishte e mundur e pastaj në fund thoshte: Nuk ka shpjegim përtej shpjegimeve të hoxhës Abdul Fettah.

Allahu i mëshiroftë që të dy dhe i lartësoftë në Xhennet me Kur’an!

 

Demaskimi i librit të shpifur

Dr. Abdul Fettah Kadiu ka arritur ta shpërfaq personalitetin e vet si dijetar i madh në këtë fushë, kur ka bërë demaskimin e lojës së ndyrë, falsifikimeve, kundërthënieve, pretendimeve dhe transmetimeve të rreme, që Goldziheri ka bërë ndërsa i ka plasuar në librin e vet ato dyshime dhe akuza përkitazi me kiratetet e Kur’anit.

Goldziheri shpik terme dhe nocione si “lexuesit besnikë”, të cilëve ua atribuon leximet shadhe apo të refuzuara. Kështu ka bërë kur i është referuar Dahhak bin Muzahimit (vd. 105 h.) për dy lexime, njërin në kaptinën Enbija (ajeti 112[7]) dhe tjetrin në kaptinën Jusuf (ajeti 110[8]), e të cilat janë shadhe dhe të papranuara. Në Kur’an, siç ka shtuar dr. Abdul Fettah Kadiu, nuk ka lexime bazë dhe lexime dytësore. Me këtë koncept, Goldziherit konsiderohet të ketë shfaqur në të vërtetë fytyrën e tij prej një dinaku e armiku të fshehtë, prirjen e tij ateiste dhe papjekurinë e tij në hulumtim. Kjo për arsye se, sipas leximeve që ka mbështetur, akuzon pejgamberët se kanë gënjyer[9]. I pastër është Allahu nga të metat që ia mveshin injorantët e zullumqarët!

 

Në përmbyllje të përgjigjeve që iu dha akuzave të pabaza të Goldziherit, dr. Abdul Fettah Kadiu thotë:

“Këtu mbarojmë me kundërpërgjigjet tona ndaj pretendimeve të Goldziherit, përkitazi me kiraetet e publikuara në librin e tij Doktrinat e interpretimit të Islamit. Kjo që kemi shkruar i mjafton çdokujt që e dëshiron të vërtetën dhe angazhohet për të. Falënderuar qoftë Allahu, shpjegimet tona kanë demaskuar qëllimet e ulëta të këtij libri,  idetë e tij të marra, mendimet e tij të pabaza dhe qasjet e tij të gabuara. Me ndihmën dhe mirësinë e Allahut, argumentet dhe dëshmitë që kemi ofruar për librin e Goldziherit e shndërrojnë thjeshtë në një përmbledhje broçkullash absolutisht të padobishme. Allahu i madhëruar thotë:

“… Mbeturinat hidhen, ndërsa ajo që u shërben njerëzve mbetet në tokë. Kështu, Allahu i shpjegon shembujt.” [R’ad: 17]

“O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtetë, Ti je Dhuruesi i Madh!”  [Al Imran: 8]

“Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse keqbërësit i shpie në humbje; Allahu bën ç’të dojë.” [Ibrahim: 27] [10]

Allahu e mëshiroftë hoxhën dhe imamin tonë, dr. Abdul Fettah Kadiun, për këtë kontribut të çmuar dhe të jashtëzakonshëm që ka bërë! Kur’ani qoftë ndërmjetësues i tij në Ditën e Llogarisë dhe lartësues i tij në Xhennet!

Përshëndetjet qofshin mbi Muhamedin, familjen dhe shokët e tij! Lutja jonë e parë dhe e fundit është: Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

 

KIRAETET E KUR’ANIT (ndërmjet pikëpamjes hebreje dhe islame) Abdul Fettah el Kadi dhe Ignaz Goldziheri sy më sy

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA


[1] El-Kadi, El-kiraat fi nadhari el-musteshrikine ve el-mulhidine, f. 52-82.

[2] Shatibiu, Hirz el-emani, f. 29.

[3] Përkufizimi vetëm në atë që është e transmetuar dhe që angazhimi logjik e shkencor i njeriut nuk ka asnjë qasje në të. Përkthyesi.

[4] Mësimi, marrja nga të tjerët. Përkthyesi.

[5] Referenca paraprake, f. 58.

[6] Referenca paraprake, f. 62.

[7] Ajetin “قَالَ رَبِّ احْكُم بِالْحَقِّ” – O Zoti im, gjyko me drejtësi!, e kanë lexuar: “ربي أَحْكَمُ بالحق ” -Zoti im, e di më mirë dhe gjykon më mirë me drejtësi.

[8] Ajetin “ وَظَنُّوا أَنَّهُمْ قَدْ كُذِبُوا” – (Dhe, kur të dërguarit gati e humbën shpresën) dhe menduan se do të shpalleshin gënjeshtarë…” e kanë lexuar: “وظنوا أنهم قد كَذَبوا” – dhe menduan se ata kanë gënjyer…”

[9] El-Kadi, El-kiraat fi nadhari el-musteshrikine ve el-mulhidine, f. 82.

[10] Referenca paraprake, f. 201.