Parimet, rregullat dhe mendimet e Sejjid Kutubit

0
145

S’ka dyshim se ai që e kalon pjesën dërmuese të jetës dhe të kohës së tij me libra të shkencës duke hulumtuar të vërtetën, duke përhapur ide, duke korrigjuar gabime dhe duke sqaruar çështje të ndryshme, atëherë është aksiomatike se idetë e subjektit të këtij hulumtimi do të ndryshojnë dhe do të zhvillohen për shkak të lindjes së problemeve të reja, ideve të ndryshme, të mendimeve kontradiktore, të afërta apo të largëta, të cilat mund të jenë të vogla apo të mëdhaja.

Në këtë rrugë duhet të ecë muslimani në përgjithësi dhe thirësi në veçanti. Natyrisht se kjo nuk dëmton personalitetin e hulumtuesit ose të thirrësit, përkundrazi, e ngre lartë autoritetin dhe vlerën e tij, argumenton aftësinë e tij të madhe mentale dhe analitike…
Pikërisht kjo ndodhi me profesor Sejjid Kutubin, ngase ai kaloi nëpër disa periudha të ndryshme mendimesh…

Në jetën e tij, në thirrjen (da’vetin) e tij dhe në shkrimet e tij vërehet një kërcim i çuditshëm. Disa që shkruan për profesor Sejjid Kutubin u përpoqën të ndiejnë periudhat e tij (Zoti e mëshiroftë) në disa sosh.
Disa prej tyre thonin se profesor Sejjid Kutubi ka kaluar nëpër tri periudha të mendimeve, ndërsa disa të tjerë e ndajtën në më shumë periudha.

Prof. Muhamed Teufik Berekat thotë:

“Në përgjithësi, jetën e tij mund ta ndajmë në tre periudha:
1. Periudha para përcaktimit të tij doktrinor islamik;
2. Periudha e Islamit; dhe:
3. Periudha e përgjithshme e Islamit.

Dy periudhat e fundit deri diku janë të ndërlidhura njëra me tjetrën.
Perudha e dytë ishte rezultat i periudhës së parë dhe periudha e parë nuk ishte kategorikisht e ndarë nga periudha e posaçme doktrinore islame.”

Nuk ka dyshim se kjo është një e vërtetë!
Ai që i lexon veprat e profesor Sejjid Kutubit, fare qartë do ta vërejë këtë gjë. Mirëpo, kjo nuk nënkupton se kjo periudhë ka qenë larg Islamit, përkundrazi…

Periudha e dytë e jetës së tij dallohet me veprën e tij “El-adaletulixhtimaijjetu fil Islam” dhe kjo vërteton piedestalin e tij intelektual në këtë periudhë. Pastaj vijon periudha e tretë dhe e fundit e tij, e cila karakterizohet me bashkangjitjen e tij lëvizjes së Vëllezërve Muslimanë, me transformimin e mendimeve të tij të para burgosjes, pas rënies në burg, si dhe evoluimin që pësoi më pas, gjegjësisht përforcimin në rrugën e Islamit.

Në burg filloi të shkruaj librat: “Fi dhilâlil-Kur’an”, “Hadhed-din”, “El-Mustekbel li hadhad-din” etj.
Në bazë të njohurive rreth këtyre periudhave, kuptojmë se rikthimi i Sejjid Kutubit në Islam ka qenë vendim dhe udhëzim nga Zoti i Madhërishëm.
Kjo nuk e ulë autoritetin e tij, ashtu siç mendojnë disa njerëz, të cilët thonë se gjoja profesor Sejjid Kutubi ka pasur njohuri të pakta islame në bazë të periudhave që ka kaluar! Përkundrazi…

I. Parimet, rregullat dhe mendimet e Sejjid Kutubit
Profesor Sejjid Kutubi (Zoti e mëshiroftë!) kishte shkathtësi të mëdha intelektuale dhe kishte njohuri të thella rreth kësaj feje, rreth natyrës së saj, si dhe rreth mënyrës së aplikimit të saj dhe rreth praktimit të Sheriatit në bazë të realitetit në tokë.
Në bazë të leximit dhe analizave të disa veprave dhe librave të shehidit (Zoti e mëshiroftë!), qartë vërehet se të kuptuarit e tij mbështetej në disa parime, elemente e teori, dhe se këto parime e elemente ishin themel i disa premisave, rregullave e parimeve të të kuptuarit të tij të mëvonshëm.

Koncepti i tij ishte rezultat i vizioneve të posaçme dhe i mendimeve precize të tij, si dhe i studimit të thellë dhe i analizave precize të teksteve të Sheriatit (Kur’anit e Sunnetit). Profesor Sejjid Kutubi jetoi gjatë nën hijen e Kur’anit dhe një gjë të tillë, edhe vetë ai nuk ngurron ta potencon disa herë në tefsirin e tij “Fi dhilâlil-Kur’an” dhe në librat e tij të tjerë.
Plotësisht jemi të vetëdijshëm se megjithatë është e pamundshme të theksohen apo të rezimohen të gjitha parimet, premisat e elementet e tilla në këtë hyrje të këtij disertacioni shkencor që ka faqe dhe tema të kufizuara…

Qëllimi kryesor dhe synimi themelor i eksperimentit të këtyre premisave, parimeve e teorive të këtij personaliteti të njohur e të spikatur islam, është lehtësimi dhe përgatitja e rrugës për lexuesin fisnik, me qëllim që ta kuptoj metodën e të menduarit të këtij njeriu dhe kooperimin e tij me tekstet e kësaj feje të pastër nëpërmjet studimit të metodës së tij dhe të kuptuarit të tij të ajeteve kur’anore që flasin për da’vetin (thirrjen) në suren “El En’amë”.

Hulumtuesi i sistematizon këto parime, premisa e teori në pika e në tituj anësorë për të sqaruar idenë e këtij njeriu dhe për të treguar horizontet e tij, gjithnjë duke u mbështetur në librat dhe në veprat e tij, posaçërisht në komentimin e sures “El En’amë”. Pra, në këtë mënyrë do t’i sqarojmë parimet dhe rregullat e tilla duke u mbështetur në besnikërinë shkencore, parimet metodologjike-shkencore dhe në studimin objektiv.

Këtu e shoh të udhës që patjetër të potencoj dhe të sqaroj një gjë shumë të rëndësishme për lexuesin e respektuar, gjegjësisht faktin se profesor Sejjid Kutubi (Zoti e mëshiroftë!) dallohet me një metodë të posaçme e unike, të cilën madje edhe vetë ai e quan “metoda dinamike”.
Prof. dr. Salah Abdul-Fetah El-Halidi (Zoti e ruajtë!), në librin e tij “Mefatih lit-te’amu meal Kur’anil-Kerim”, thotë:
“Ne deklarojmë atë që e deklaronte profesori ynë Sejjid Kutubi rreth teorisë së re për të kuptuar, komentuar e menduar rreth Kur’anit, gjegjësisht teorinë e tefsirit dinamik, dhe ne e konsiderojmë profesor Sejjid Kutubin avangardist të kësaj teorie, sqarues të parimeve të saj dhe themelues të shkollës së tefsirit dinamik që e ofron Kur’anin si organizëm të gjallë që ndikon në muslimanët bashkëkohorë. Zoti i Madhërishëm ia dhuroi çelësin origjinal dinamik për të çelur thesarin e Kur’anit dhe t’ia ofrojë njerëzve në “Dhilâl.”

Këtë kuptim e ka sqaruar edhe vetë profesor Sejjid Kutubi në shumë vende të shkrimeve të tij. P.sh. në librin e tij: “Hasaisul-tesavuril-islamij” vëll. I, thotë:
“Çështja e kuptimit të domethënieve dhe inspirimeve të Kur’anit nuk ka të bëjë me të kuptuarit e fjalëve dhe teksteve të tij, dhe kjo nuk nënkupton komentimin e Kur’anit (ashtu siç e kemi traditë të themi). Kjo çështje nuk e nënkupton këtë gjë, por nënkupton përgatitjen e shpirtit, ndjenjave, perceptimitt, përvojave.

Këtu duhet të ketë ndërlidhje në mes ndjenjave, perceptimeve e përvojave dhe në mes Shpalljes së tij, gjegjësisht me jetën e muslimanëve që ka të bëjë me xhihadin, epshet dhe njerëzit. Xhihadi kundër epsheve dhe xhihadi kundër kundërshtarëve, përpjekje dhe sakrificë, frikë e fuqi, rënie e ngritje, atmosfera e Mekës dhe fillimi i da’vetit, numri i vogël dhe dobësia, i huaj në mes njerëzve…

Pastaj vijon periudha e Medinës, e cila ka të bëjë me atmosferën e formimit të parë të shoqërisë islame në mes intrigave, hipokrizisë, sistemimit e përpjekjeve, atmosfera e Bedrit, Uhudit, Hendekut, Hudejbijes, Çlirimit të Mekkes, Hunejnit, Tebukut… Atmosfera e formimit të Ummetit islam, formimit të sistemit shoqëror dhe kontaktet e gjalla në mes ndjenjave, interesave e parimeve në fillim të formimit dhe gjatë sistemimit.

Në këtë atmosferë u shpallën ajetet e Kur’anit me plotë gjallëri, realitet e energji. Fjalët dhe tekstet kishin domethënie e inspirime. Në një atmosferë të tillë filloi një jetë e re për muslimanët, ngase Kur’ani ua hapte njerëzve zemrat me thesarin e tij, ua dhuronte fshehtësitë e tij, u jepte aromë të bukur e freskuese si dhe u siguronte qetësi e dritë…”

Parimet e profesor Sejjid Kutubit të cilat i thekson prof. dr. Salah Abdul-Fetah Halidi, janë:
1. Pajisja e tij me sasi të madhe të ndjenjave, përceptimeve e përjetimeve gjatë studimit të teksteve të Kur’anit, të cilat gjithnjë e inspironin atë; dhe:
2. Përjetimi dhe rikthimi i ndjenjave të tij si në kohën kur u shpall Kur’ani në Mekë dhe në Medinë, gjë kjo që dukshëm bëri për të kuptuar sa më mirë ndikimin e Kur’anit dhe efektin e tij…”
Për të kuptuar më mirë këto dy parime, dmth, rëndesinë e aspektit praktik të Islamit, gjegjësisht t’i përjetojmë më për së afërmi idetë e profesor Sejjid Kutubit, në vijim do t’i citojmë vetë fjalët e Sejjid Kutubit, i cili në librin e tij të njohur “Me’alim fit-tarik” thotë:
”Por Islami nuk mund të luaj rolin e vet përveç nëse personifikohet në shoqëri apo në Ummet. Njerëzimi nuk dëgjon (posaçërisht në këtë kohë), nëse nuk e sheh besimin konkretisht në jetë të dukshme, pra në formë konkrete.

Si zakonisht, njerëzimi nuk i përgjigjet metodës së lexuar ose të dëgjuar, por i përgjigjet metodës së gjallë dinamike të konkretizuar në një grup njerëzish dhe të aplikuar (përkthyer) në një realitet që syri e sheh dhe dora e prek dhe që intelektet i vërejnë gjurmët e tij. Shkruhet libër për Islamin, jepet ligjeratë në xhami, klasë apo shesh, jepet film për të propaganduar Islamin, dërgohet delegacion nga Universiteti i Az’harit ose nga ndonjë institucion tjetër në çdo vend…

E gjithë kjo nuk bën pasurimin e një shoqërie të vogël që jeton në një vend të tokës sipas metodës së Islamit dhe për Islamin, e as që personifikimi me karakteristikat e kësaj metode e pasqyron formën e jetës në Islam…”

Nga ajo që u tha më parë vërehet qartë se profesor Sejjid Kutubi ka përfituar nga përvoja e tij e begatë në thirrje (da’vet). Fjala pa vepra nuk vlenë kurrgjë! Islami nuk është shpallur vetëm për të deponuar mendime e leksione pa aplikim praktik. Profesor Sejjid Kutubi e konfirmon këtë ide edhe një herë duke thënë:

“Natyra e metodës dinamike islame është t’a përshtatë këtë realitet njerëzor me lëvizje të përshtatshme e superiore në periudha të ndryshme dhe me metoda ripërtërirëse…
Pra, në këtë mënyrë arrijmë në një të vërtetë aksiomatike, gjegjësisht në të vërtetën se jobesimtarët janë një trup dhe një organ dhe kështu, Islami patjetër të realizohet në të njëjtën mënyrë dhe në të njëjtën formë si në brendi ashtu edhe jashtë, bile duhet të formojmë epërsi mbi ta, nëse dëshirojmë të realizojmë atë që e dëshiron Zoti i Madhërishëm, si dhe të korrim fitore e sukses mbi ta.

3. Vështrimet e tij rreth lëvizjes së sahabëve në atmosferën e Mekës dhe Medinës me Kur’anin, kooperimi i tyre dhe jeta e tyre me të…

Nëse i përcjellim me vëmendje këto mendime të Sejjid Kutubit, do ta kuptojmë parimin e fuqishëm e të fortë, mbi të cilin është mbështetur teoria e tij dinamike, në këtë kontekst, prof. Sejjid Kutubi thotë:
“Natyra e kësaj feje refuzon deponimin e njohurive të ftohta në frigoriferët e mendjeve të stagnuara! Dituria në këtë fê shndërrohet menjëherë në “lëvizje” ngase në të kundërtën nuk do t’i takojë kësaj feje!”

E tërë kjo përforcon çështjen e theksuar më parë, gjegjësisht faktin se nuk do të ketë progres në qoftë se nuk do t’i praktikojmë këto ajete kur’anore tërësisht në jetën tonë. Profesor Sejjid Kutubi e mbështet këtë teori me argument shumë të fortë, duke thënë se parimet e Sheriatit nuk janë shpallur në periudhën mekase për t’u deponuar në mendime e pastaj të praktikohen në Medine. Në këtë kontekst, ai (Zoti e mëshiroftë!) thotë:

“Parimet e Sheriatit zbritën në Medinë si lëvizje për shoqërinë islame që u formua atje, dhe asnjë parim nuk u shpall në Mekë për t’u deponuar (si njohuri abstrakte) derisa të vijojë koha e aplikimit të tyre në Medinë.
“L’art pour l’art”- nuk është metodë islame, ngase në Islam njohuria është për lëvizje, dituria për punë dhe besimi për jetë.”

Ky parim vërehet edhe më qartë në shqrytimet e profesor Sejjid Kutubit që u bën ajeteve kur’anore të periudhës mekase dhe të urtësisë nga periudha e gjatë e shpalljes në këtë periudhë…
“Thirrësit në fenë e Zotit dhe në formimin e sistemit ku aplikohet kjo fê në jetën e realtë duhet të qëndrojnë gjatë përpara këtij fenomeni të madh që ka të bëjë me shpalljen e Kur’anit në Mekë plotë trembëdhjetë vjet, kështu që të konfirmojnë burimin pa u përqendruar në detaje rreth sistemit dhe ligjeve që e rregullojnë shoqërinë islame.”68
Biografia e pastër profetike ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e njohurive fetare të profesor Sejjid Kutubit (Zoti e mëshiroftë!), përkatësisht në të kuptuarit e tij të kësaj feje. Ajo ishte pikënisje themelore e metodës së tij për të sqaruar të vërtetat fetare.

4. Përqendrimi i tij në synimet themelore të Kur’anit dhe metoda e tij realiste dinamike që njëherit është edhe jetë e Ummetit islam dhe zbritja e ajeteve kur’anore në bazë të realitetit serioz të gjallë e orvatës…
Nëse i analizojmë këto fjalë të Sejjid Kutubit (Zoti e mëshiroftë!) do të vërejmë qartë se profesor Sejjid Kutubi është përqendruar në disa synime themelore të Kur’anit Fisnik më shumë se në synimet tjera. Me një fjalë, ai është përqendruar shumë në besimin që është bazë e jetës së njeriut, si dhe e ka sqaruar domethënien e hyjnisë dhe adhurimit të vërtetë të Zotit të Madhërishëm, Pushtetin Absolut të Zotit të Madhërishëm në gjëra të imta e të mëdhaja të jetës sonë, pozitën e njeriut në këtë ekzistencë dhe fundin e tij, etj.

Profesor Sejjid Kutubi (Zoti e mëshiroftë!) thotë:
“Sa herë që theksohet besimi në Kur’an apo besimtarët, paralel theksohet edhe vepra (puna) që është aplikim i besimit. Kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me ndjenjat, por ka të bëjë edhe me lëvizjen e formimit të realitetit në bazë të konceptit islamik të jetës.”, sqaron vlerën e madhe të besimit te Zoti i Madhërishëm duke thënë:

“Vlera e besimit është shumë e madhe te Zoti, dhe gjëja më e vlefshme për shije në tregun e Zotit është padyshim besimi. Fitorja më e mirë është ngadhnjimi i shpirtit ndaj materies, i besimit ndaj dhimbjes, i besimit ndaj fitnes… Në këtë natyrë shpirtrat e besimtarëve kanë
ngadhënjyer frikën e dhimbjes, aspektet e tokës dhe jetës si dhe fitnen për hir të mbarë njerëzimit të të gjitha vendeve. Ja, ky është ngadhënjimi!”

Ajo që argumenton se ai (Zoti e mëshiroftë!) vërtetë përqendrohej në çështjet themelore të kësaj feje e jo në çështjet sekondare, është fakti se ai nuk e ndante fenë nga jeta e kësaj bote, ngase metoda hyjnore nuk lejon përkufizimin e fesë vetëm në simbolet adhuruese, mbrenda mureve te xhamisë apo vetem në jetën private, dhe në këtë kontekst, ai thotë:

“Natyra e kësaj feje nuk lejon që të ndahet nga kjo botë dhe natyra e metodës hyjnore nuk lejon që të përqendrohemi vetëm te ndarja shpirtërore në moralin edukativ, gjegjësisht në simbolet adhuruese, ose në ndonjë shtyllë të ngushtë prej shtyllave të jetës njerëzore, e që quhet “e drejta civile”.

Zot! Sa i madh është sot numri i thirrësve dhe i dijetarëve që kërkojnë mosndarjen e fesë nga kjo botë dhe sa i madh është numri i pushtetarëve që e refuzojnë këtë dhe nuk dëshirojnë ta bëjnë një gjë të tillë?! Pushteti dhe fuqia i takojnë vetëm Allahut Zotit të Lartësuar e të Madhërishëm!

Prof. Muhammed Husejn Fedlull-llah thotë:
“Islami erdhi për të përhapur da’vetin (thirrjen) dhe për të ndërtuar shtetin; Ai u përqendrua në këtë jetë për ta përhapur thirrjen në Zot në tokë, të përjetojë dhe të ndërtojë mbi këtë bazë sistematizimin dhe rregullimin e jetës e ta mbroj njeriun nga të këqijat e vetvetes dhe nga të këqijat e njerëzve të tjerë, dhe për këtë shkak natyra e shtetit në Islam nuk lejon të ndahet nga shpirti i da’vetit, por i bën të harmonizuar ashtu siç është uji me shtratin e vet.
Pra, profesor Sejjid Kutubi nuk ka qenë diçka risi në mesin e thirrësve që ftonin në realizimin e unifikimit të këtij parimi “S’ka ndarje të fesë nga shteti e as të shtetit nga feja.”

Kishte edhe vëllezër të tjerë të tij që thirrnin në këtë qëllim të lartë e sublim! Pra, le t’i hedhim një shikim kësaj çështjeje të rëndësishme, për të cilën ishte i përqendruar edhe vetë profesor Sejjid Kutubi (Zoti e mëshiroftë!).
Ai i jepte përparësi fesë së Zotit në çdo gjë dhe mbronte qëndrimin se feja e Zotit nuk mund të jetë as e nënshtruar e as e udhëhequr, por gjithmonë duhet të jetë vendosëse, udhëheqëse e gjithëpërfshirëse mbi çdo gjë, dhe në këtë kontekst, ai (Zoti e mëshiroftë!) thotë: “Në asnjë mënyrë feja e Zotit nuk pranon diçka tjetër përveç të jetë zotëri që sundon, i fuqishëm dhe i kapshëm, fisnik e bujar, sundues e jo i sunduar, udhëheqës e jo i udhëhequr!”

Arsyeja kryesore që e shtyu Sejjid Kutubin të mbështetet në këto çështje themelore është interesi ynë në këtë botë dhe në botën tjetër, ngase vetëm në këtë mënyrë do ta praktikonim Islamin e vërtetë (të mirfilltë) e jo diçka tjetër. Ai (Zoti e mëshiroftë!) thotë:

”Ne jemi të obliguar që ta realizojmë këtë metodë duke filluar prej vetvetes sonë dhe gjetiu.” Ai poashtu thotë: “Ne jemi të obliguar që ta realizojmë këtë metodë për arsye që kanë të bëjnë me vetë metodën! Kjo metodë është e vetmja që realizon nderin e njeriut, i jep liri të vërtetë dhe e bën të adhurojë vetëm Zotin.”

5. Roli i tij praktik xhihadist dhe përvoja e tij e gjallë e da’vetit (thirrja) – në disa aspekte për shumëçka i ngjanin përvojës së sahabëve fisnikë, posaçërisht atmosferës së hershme të periudhës në Mekë, gjegjësisht lëvizja praktike me Kur’anin, preokupimi i njerëzve tërësisht me të, në raste të rënda e mjerime, e pastaj kthimi dhe animi kah Kur’ani për të gjetur përgjigjjen e qartë dhe ilaçin shërues…”

Dhe kështu, për të pa rolin, qëndrimin, stoicizmin dhe besimin në Zot të profesor Sejjid Kutubit si dhe shpresën e tij të madhe se ardhmëria do të jetë e besimtarëve të sinqertë dhe rizgjimit islamik në çdo kohë e çdo vend, ne obligohemi, së pari, të qëndrojmë fortë dhe të jemi këmbëngulës, të mos dorëzohemi para padrejtesisë së madhe që u bëhet muslimanëve, dhe të marrim shembull në sahabet e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)

Në këtë kontekst, ai (Zoti e mëshiroftë) thotë:
“Nuk duhet të hyjë dyshimi në zemrat tona nga sulmet e ashpra që i godasin pionierët e ringjalljes islame në çdo vend, e as nga parimet gjigante mbi të cilat bazohet qytetërimi materialist. Nuk është vendimtare madhëria e të gabuarës e as fuqia e sulmeve që e godasin Islamin, por vendimtare është rezistenca kundër sulmeve të tilla që e godasin Islamin e të vërtetës dhe…Ne nuk jemi të vetëm ngase kemi bazën e instiktit, instiktin e Universit, fuqinë, superioritetin.”

Këtu vërehet qartë fuqia e sinqeritetit të prof. Sejjid Kutubit, argumenti i tij i fortë, mbështetja e tij në Zotin e Madhërishëm për çdo të mirë dhe çdo të keqe, mbështetja e tij vetëm në Librin e Zotit të cilit nuk mund t’i vijë ndonjë e keqe as nga para e as nga pas…
Çdo thirrës, nëse dëshiron që fjala e tij të ketë ndikim të madh e aktiv, duhet patjetër të furnizohet me këtë cilësi dhe me këtë moral qe ka burimin thell në brendinë e ajeteve Kur’anore. Profesor Sejjid Kutubi thotë:
“Këtë të vërtetë e nxjerrim nga shoqërimi i gjatë me këtë Kur’an si dhe nga shoqërimi i gjatë me zbërthimin e problemeve të njerëzve dhe me aktivitetin e gjatë individual në shkrime…”

“Kur’ani nuk kaloi trembëdhjetë vite të plota për të ndërtuar besimin për shkak se u shpall për herë të parë. Jo, asnjëherë!! Sikur të dëshironte Zoti, do ta shpallte këtë Kur’an menjëherë dhe pastaj do t’i linte sahabet që ta studionin trembëdhjetë vjet, ose më pak apo më shumë-derisa të kuptonin “teorinë islame”, por Zoti dëshironte diçka tjetër, gjegjësisht Ai dëshironte një metodë të posaçme unike. Ai dëshironte formimin e shoqërisë, lëvizjen e besimit si dhe formimin e besimit me shoqëri e lëvizje. Ai dëshironte që besimi të jetë realitet aktiv i shoqërisë! Kjo është pasqyra e besimit! Zoti i Madhërishëm e dinte se shpirtërat dhe shoqëritë nuk ndërtohen për një ditë e për një natë…”

Profesor Sejjid Kutubi (Zoti e mëshiroftë!) përfitoi nga përvoja e sahabëve gjatë leximit të Kur’anit dhe nga mënyra e bashkëpunimit të tyre me të. Ata (sahabët e ndershëm) e lexonin Kur’anin për ta mësuar dhe për ta aplikuar e jo për t’u kënaqur nga leximi, dhe në këtë kontekst, profesori (Zoti e mëshiroftë!) thotë:
“Metoda e mësimit për praktikim e veprim e formoi gjeneratën e parë, ndërsa metoda e mësimit për studim e kënaqësi i prodhoi gjeneratat e mëvonshme.”

Pra, nga e gjithë kjo mund të themi se patjëtr duhet t’i kthehemi biografisë së selefit të mirë e të bekuar (selefus-salih) që t’i zgjidhim krizat tona intelektuale, psiqike e sociale, si dhe të mësojmë prej tyre se si ata e kanë lexuar Kur’anin dhe si e kanë kuptuar dhe e kanë merituar ndihmën e tij, ngase sot shumica e muslimanëve e kanë keqkuptuar leximin e Kur’anit Fisnik dhe mënyrën e kooperimit me të, ndaj dhe mu për këtë shkak edhe çështja e tyre është në flakë…

6. Vërejtja e tij se formimi i njeriut në Kur’an mbështetet në parimin e mendimit e besimit, apo mbështetet në besim dhe që aty fillon.
Sjellja dhe lëvizjet e tij praktike janë fryt natyror për regullimin e këtij aspekti apo parim ideologjik ose besimor…”

Për të kuptuar vërtetësinë e këtyre fjalëve dhe se ai vërtetë e kishte kuptuar këtë gjë, do të duhet që t’i analizojmë derisa të bëhet mendimi i tij edhe më i qartë. Njeriu nuk formohet e as nuk ka për t’u formuar në baza të pasurisë, autoritetit, pozitës apo nderit, por ne obligohemi që të përmirësojmë besimin dhe mendimin e tij, e pastaj të mbështetemi në parime të tjera të jetës së tij.

Profesor Sejjid Kutubi (Zoti e mëshiroftë!) thotë:
“Formimi shpirtëror, shoqëror e politik, që u mbështet në këtë
metodë të lartë e unike dhe që zgjati vetëm një shekull, në realitet gjysëm shekulli, sfidoi të gjitha peripecitë, të gjitha armiqësitë dhe të gjitha sulmet e ashpra kundër tij më shumë se një mijë vjet, bile këto parime akoma kanë mundësi të ringjallin gjeneratën e re nëse i pranojnë…”

Profesor Sejjid Kutubi vazhdon dhe sqaron nevojën e njerëzve dhe të njerëzimit për Zotin e Madhërishëm:
“Metodë e jetës së realtë njerëzore me të gjitha parimet e saj…Metodë që përmban konceptin e besimit e që sqaron natyrën e ekzistencës, përcakton pozitën e njeriut në këtë ekzistencë, ashtu siç e përcakton qëllimin e ekzistencës së tij njerëzore, përmban sisteme e organizime, si sistemi i moralit dhe i parimeve në të cilat mbështetet, pushtetin, sistemin politik dhe karakteristikat e tij, parimet e sistemit shoqëror, filosofinë e sistemit ekonomik dhe problemet e tij, sistemin ndërkombëtar, marrëdhëniet e lidhjet…”

“Kjo është një uri i një lloji tjetër, gjegjësisht uri kah besimi me një fuqi më të madhe të njeriut, kah bota që është më e lartë se ana materiale e kësaj jete të botës, kah ndërlidhja në mes ndjenjave të njeriut dhe realitetit të tij. Në mes njerëzisë që kontrollon ndjenjat e tij dhe Sheriatit që kontrollon jetën e tij, në mes metodës së lëvizjes individuale dhe metodës së lëvizjes kozmologjike rreth tij, kah Zoti Një, prej të Cilit e merr sheriatin e zemrës së tij dhe sheriatin e shoqërisë së tij në të njëjtën mënyrë!”

Ai i sqaron arsyet dhe zbërthen domosdoshmërinë e kësaj urie për këtë besim duke thënë:
“Rregull e metodës hyjnore që buron nga dituria e jo nga injoranca, nga përkryerja e jo nga mangësia, nga fuqia e jo nga dobësia, nga urtësia e jo nga epshi dhe mbështetet në parimin: “Nxjerrja e njerëzve nga adhurimi i robërve në adhurimin e Zotit e jo të dikujt tjetër!”

Nga parimet që unë i zbulova gjatë studimit të metodës së tij (të Sejjid Kutubit vërej. e përkth.) në të kuptuarit e ajeteve të da’ves në Zotin e Madhërishëm, janë:

1. Arritja e tij në bindje të prerë e kategorike se të gjithë njerëzit drejtohen kah humbja nëse nuk e praktikojnë Sheriatin e Zotit të Madhërishëm. Njerëzit në këtë kohë mund t’i përmirësojë ajo që i ka përmirësuargjeneratat e para në fillim; dhe:
2. Ai (Zoti e mëshiroftë!) karakterizohej me trimëri të madhe dhe me besim të madh dhe për këtë shkak nuk i jepte fare rëndësi jetës së kësaj bote dhe para syve të tij, ajo ishte e vogël dhe e shëmtuar. Kështu ai nuk i frikësohej askujt përveç Zotit të Madhërishëm, dhe kjo vërehet qartë në veprat dhe në metodën e tij.

Pas pasqyrimit dhe zbërthimit të teksteve të shehidit (Zoti e mëshiroftë!), mendoj se për lexuesin e respektuar u bënë të qarta disa nga parimet dhe elementet e mendimit të këtij thirrësi: P.sh.: si i arriti këto mendime, në bazë të cilave parime ia drejtoi thirrjet Ummetit islam në përgjithësi dhe thirrësve, hoxhallarëve e dijetarëve që janë bartës të flamurit të Islamit në veçanti. Ai iu drejtohej atyre që të jenë të kujdesshëm me Kur’anin Fisnik të cilin Zoti e dërgoi si udhëzues dhe mëshirë për të gjithë njerëzit.

Tani, pas sqarimit dhe shpjegimit të parimeve dhe mendimeve të këtij dijetari, gjithsesi se më lehtë do ta kuptojmë tefsirin e tij të Kur’anit Fisnik në mënyrë të përgjithshme, pastaj nxjerrjen dhe konkludimin e metodës së tij në të kuptuarit e tij të ajeteve të da’vetit (thirrjes) në Kur’anin Fisnik në mënyrë të posaçme, ku do ta shohim me poshte ne kapitullin qe vijon.

 

Asoc.Prof.Dr.Hfz.Hajredin Hoxha
Rruga e Da’wetit në Allahun xh.sh. nën hijen e Sures El En’am (Direktiva te arta për hoxhallarë dhe studentë sipas Tefsirit të prof.Sejid Kutub )