Personalitete udhëheqëse të suksesshme : HALIDI, I BIRI I VELIDIT, r.a.

0
791

Emri: Halid bin Velid bin Mugire bin Abdullah bin Amr bin Mahzum bin Jakdha bin Murre bin Ka’b bin Luej bin Galib bin Fihr bin Malik bin Kurejsh bin Kinane.

Lindja/vdekja: Ka lindur në Mekkën e Nderuar, në vitin 592 g. Ndërsa ka vdekur në vitin 21 h./642 g.

Historiku i Islamit: Islamin e ka pranuar në vitin e tetë sipas hixhretit, në muajin safer.

Tiparet e personalitetit: Altruizmi, vetëmohimi dhe sakrifica: Halidi r.a., ishte besimtar i përkushtuar. Para çdo gjëje, interesohej për kënaqësinë e Allahut xh.sh. rrëfehet të ketë thënë: “Më shumë e dua një natë të acartë në një çetë muhaxhirësh duke iu vërsulur me sabah armiqve se një natë të bukur në të cilën hyj dhëndër me një nuse që e dua dhe në të cilën më jepet myzhdeja për një djalë.”

Guximi: Ky tipar i Halidit është më i madh se që një paragraf mund ta zë ose përshkruaj. Nëse do të duhej ta përmblidhnim guximin e tij, atëherë ajo që mund të themi është: mjafton që shëmbëlltyra e tij vazhdon të jetë model frymëzimi dhe përforcimi për besimtarët gjeneratë pas gjenerate.

Mendimi i thellë strategjik: Mendimet e Halidit nuk ishin produkt çasti. Ai mendonte shumë dhe thellë dhe tek më pas nxirrte një vendim. Rrëfehet se, sa herë ishte para një vendimi të vështirë, Halidi mendonte thellë, shikonte sa lart në qiell sa poshtë në tokë, qëndronte ashtu për një kohë të gjatë duke menduar, e pastaj merrte vendimin.

Tiparet e lidershipit: Guximi dhe intuita: Halidi dallohej për guximin, gjallërinë, vigjilencën, mendjemprehtësinë, dhe fuqinë e ndikimit. Historianët kanë përmendur aftësinë e tij për të vënë strategjinë e luftës në momentet më kritike dhe këtë duke qenë në betejë. Për të thuhej se zhvillonte luftën siç e shihte të arsyeshme, herë luftonte me aradhe (ushtria e organizuar në radhë dhe rreshta) e herë organizohej në çeta apo kavaleri dhe ashtu e bënte luftën.

Iniciativa dhe aftësia për të vënë strategji në kohë reale: Aftësia e Halidit r.a., për të marrë një iniciative ishte më e shpejtë se që armiku mund ta vërente apo merrte vesh. Bile, ai e befasonte armikun sepse ndërmerrte veprime që atyre as që do t’iu kishin shkuar ndërmend.

Motivi i lartë moral: Halidi r.a., për asnjë çast nuk ka neglizhuar rëndësinë e moralit dhe motivit në ushtri, sikur që është interesuar ta rrënojë atë tek pala kundërshtare me çdo mjet të mundshëm. Halidi r.a., ishte pasqyra ku ushtarët mund ta ndërtonin këtë moral, ta rritnin këtë vullnet, duke i bërë kështu të besonin në fitore dhe të mos dëshpëroheshin nga frika apo rreziku i humbjes.

 

 

KARTELA IDENTIFIKUESE TË DISA PERSONALITETEVE UDHËHEQËSE MË TË SUKSESSHËM DJE DHE SOT


Burimet:

Halid Ensari, Iber ve idhat min hajati es-Sahabe: Halid bin Velid, (Egjipt: Dar el-beshir, 1990).

Bessam el-Aselij, Kadetu fet’hi biladi esh-sham ve el-Irak, (Liban: Dar en-nefais, 2012).

Omer bin Ahmed bin Hibeh bin Adim, Zubdetu-l-haleb min tarihi Haleb, (Dar el-kutub el-ilmije).