POZITA E KUR’ANIT FISNIK NË JETËN E NJERËZVE

RAPORTET E NJERËZVE ME KUR’ANIN FAMËLARTË

Dijetarët, si në të kaluarën, si tani, diskutojnë për shkaqet pse një grup i besimtarëve qëndrojnë indiferentë ndaj Kur’anit dhe mësimeve të tij.
Vërtet, sikur të meditonim sado pak për gjendjen tonë, do të mund të vërenim se sa dallim të madh ka ndërmjet asaj se si jemi dhe si duhet të ishim në raport me Kur’anin.

Në mesin tonë gjen njerëz të profileve të ndryshme me forma të ndryshme të neglizhimit të Kur’anit: përtaci në leximin e tij, përtaci në nxënien e tij përmendësh, shkujdesje ndaj meditimit të tij, mosveprim sipas porosive të tij, braktisje të thirrjes në të, mos respekti dhe vlerësimi i duhur, etj. Imami Ibnul Kajjimi ka thënë [Allahu e mëshiroftë!]:

Njerëzit janë tre lloje: Njeri, zemra e të cilit ka vdekur.

Ky është njeriu që nuk ka zemër. Ajeti nuk është rikujtim për këtë njeri. I dyti është njeriu me zemër të gjallë, të përgatitur, por që nuk dëgjon ajetet e lexuara, të cilat flasin për faktet e dëshmuara. Zemra e këtij është e zënë me diç tjetër. Ai ka zemër jo të pranishme. Edhe këtij nuk i mundësohet rikujtimi (nga faktet) me gjithë përgatitjen dhe praninë e zemrës së tij. I treti është njeriu që ka zemër të gjallë, të përgatitur, e cila ajetet që i janë lexuar, i ka dëgjuar me vëmendje, me vetëdije, me zemër të pranishme.

Ai nuk e ka preokupuar zemrën e tij me diç që do ta privonte nga të kuptuarit. Ky është njeriu që merr mësim nga ajetet e lexuara dhe faktet e dëshmuara. Sa i përket njeriut të parë, ai është sikur i verbri që nuk sheh. I dyti është sikur personi që me shikimin e tij largohet nga gjëja në të cilën shikohet. Pra, këta, asnjëri, nuk e shohin. Ndërsa i treti është personi që sheh dhe që ka ngulur sytë në atë që shikon dhe e pason me shikimin e tij…

Ky është ai që e sheh.
I Madhëruar qoftë Ai që fjalët e Tij i bëri shërim për gjokset!
Dije se njeriu mund ta ketë zemrën energjike, përplot me mësime të nxjerra dhe dispozita të përfituara. Këtë zemra e shtyn në marrje mësim dhe rikujtim. Kur t’i dëgjojë ajetet, ato janë dritë mbi dritë për të. këta janë njerëzit më të përsosur, me moralin dhe vetëdijen më të përkryer. Për ta ajo që i ka informuar për të i Dërguari i Allahut [alejhis salatu ves selam] është sikur të shihet…

Pronari i këtyre lloj zemrash kur t’i dëgjojë ajetet, atëherë në zemrën e tij ndizet një shkëndijë dije-udhëzimi, me të cilën i shtohet dritë mbi dritë. Por, nëse robi nuk ka këtë lloj zemre vetëm se përkushtohet për dëgjim dhe vëmendje, atëherë edhe ai mund të bëhet nga at që rikujtojnë – marrin mësim nga ajetet…

E, ajo që të bën të ndihesh edhe më keq, është se sot sheh shumë studentë dhe studente tek kalojnë kohën në gjëra të kota, si në leximin e gazetave dhe të revistave, shikimin e telenovelave latine e turke, ndjekjen e ndeshjeve futbollistike, dëgjimin e muzikës, bisedat në rrjete sociale, shikimin e videove në portale t ndryshme, dhënien pas leximit të lajmeve nga jeta e artistëve dhe këngëtarëve, etj, në kohën kur nuk mund të gjesh vetëm se pak prej tyre që i kanë kushtuar Kur’anit një kohë të veçantë.

Për pasojë, sheh se ndonëse studentë, ende nuk dinë të shqiptojnë fjalët kur’anore si duhet. Ende nuk kuptojnë as domethëniet esenciale. Këta janë të kundërtit e atyre që kur u lexohen ajetet, marrin mësim.

…do ta shihje atë të strukur e të çarë prej frikës nga All-llahu…“ (el-Hashr, 21)
Zemrat tona nuk zbuten dhe sytë tanë nuk lotojnë.

Edhe pas (fakteve të qarta) zemrat tuaja u bënë pasandej të forta si guri, e edhe më të forta, sepse ka nga gurët prej të cilëve gufojnë lumenj, e ka disa prej tyre që çahen dhe prej tyre buron ujë, madje ka prej tyre që nga frika ndaj Zotit rrokullisen tatëpjetë (nga maja e kodrës). All-llahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veproni ju.“ (el-Bekare, 74)

Ndonjëherë i lexojmë ajetet prej të cilave merren mësime të mëdha, ndërsa ne as nuk e vërejmë se i kemi lexuar ato. Sikur ato nuk kanë të bëjnë fare me ne. Pashë Zotin, më thuaj se çfarë kuptimi kanë këto fjalë: “Samed”; “gasikin idha vekab”; “el-hannas”; “vel-lejli idha as’as”?
Këto ajete i lexojmë më shumë se një herë gjatë ditës, por megjithatë nuk i kuptojmë. Çfarë braktisje e madhe e Kur’anit!
Në Kur’an kemi ajete të cilat qortojnë ashpër dhe diskretidojnë ata që ia kthejnë shpinën Kur’anit apo e mohojnë. Thotë Allahu xh.sh.:

E kur i lexohen atij ajetet Tona, ai kthehet kryelartë dhe bëhet sikur nuk i ka dëgjuar ato, bëhet sikur në veshët e tij ka shurdhim të rëndë, pra, ti përgëzoje atë me një dënim të dhembshëm.“ (Llukman, 7)

Përsëri në ajetin tjetër Allahu thotë:
Ka prej tyre që ty të dëgjonë (kur lexon Kur’anin). Po Ne kemi krijuar mbulesë mbi zemrat e tyre që të mos e kuptojnë atë dhe në veshët e tyre sajuam shurdhim, dhe edhe sikur t’i shohin të gjitha faktet, ata nuk besojnë, derisa kur vijnë te ti e të polemizojnë, ata që mohuan thonë: “Nuk është tjetër ky (Kur’ani) vetëm se mit i hershëm.“ (el-En’amë, 25)

E i dërguari tha: “O Zot im, vërtet populli im e konsideroi këtë Kur’an si (diç) të hedhur!“ (el-Furkan, 30)

Përsëri në ajetin tjetër Allahu xh.sh. thotë:
“A nuk menduan ata se ai, bashkëkohaniku i tyre (Muhammedi), nuk ka farë çmendurie, ai është vetëm qortues i hapët.“ (el-A’rafë, 184)

Nga kjo që përmendëm, mund të përfundojmë se braktisja e Kur’anit mund të manifestohet në forma dhe imazhe të ndryshme, si:

1) Braktisja e leximit, dëgjimit dhe vëmendjes ndaj tij.
2) Braktisja duke e zëvendësuar dëgjimin e tij me dëgjimin e fjalëve të kota, këngës, etj.
3) Braktisja e veprimit sipas tij si dhe mos përfillja e lejimeve dhe ndalesave.
4) Braktisja e të gjykuarit sipas tij.
5) Braktisja e kërkimit të shërimit shpirtëror dhe fizik prej tij .
6) Braktisja e thirrjes në të dhe përkthimin e tij në gjuhë tjera.
7) Braktisja e prezantimit të ligjeve, mësimeve dhe porosive të tij në mjetet bashkëkohore të komunikimit.

Disa nga lexuesit e sotshëm jane bërë prej atyre që e lexojnë Kur’anin, ndërsa Kur’ani e mallkon atë. Kjo për shkak se ai e lexon Kur’anin ndërsa nuk ndalet së shari, fyeri, akuzuari, shpifuri, gënjyeri, bëri hipokrizi, kështu që bëhet nga ata që lejohet të mallkohen.
Ndërsa ata që e lartësojnë këtë Kur’an, Allahu ka për t’i lartësuar ata. Është mirësi dhe dhunti e Zotit tonë për lexuesin e Librit të Tij. Ibni Mes’udi ka thënë (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Ithtarët e Kur’anit duhet të njihen me namaz, kur njerëzit flenë, me të qarë, kur njerëzit qeshin, me agjërim, kur njerëzit hanë!”

Thënies së Ibni Mes’udit do të mund t’ia shtonim edhe këto:

1) Ithtarët e Kur’anit duhet të njihen me sinqeritet, kur të tjerët gënjejnë.
2) Me besë dhe amanet kur të tjerët tradhtojnë.
3) Me bujari dhe dorëdhënie kur të tjerë bëjnë koprraci.
4) Me zell dhe angazhim kur njerëzit shfaqin dembeli dhe flenë.
5) Me buzëqeshje dhe dashuri kur njerëzit shfaqen të mërrolur dhe arrogantë.
6) Me falje, kur njerëzit hakmerren.
7) M durim dhe butësi, kur njerëzit tregohen injorantë.
8) Me edukatë dialogu kur njerëzit polemizojnë.
9) Me largim nga ndejat e pista kur njerëzit në to shkojnë.
10)Me largim nga spiunimi, përgojimi, bartja e fjalëve, kur njerëzit në to bien.
11) Me përkushtim, sakrificë dhe nder për vendet ku punojnë.
12) Me përkujdesje për pamjen e tyre të jashtme kur njerëzit të jenë bërë asketë.
Zoti e di më së miri!

 

Doc.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA
MEDITIMI I KUR’ANIT FISNIK -edukata dhe parimet

Related Stories

Na ndiqni në Youtube

spot_img

Tema të tjera

حصاد دراساتي الفكرية والتربوبة والثقافية والإجتماعية

حصاد دراساتي الفكرية والتربوبة والثقافية والإجتماعية 2016-2000 في المؤتمرات العالمية والمجلات العلمية المحكمة من تأليف فضيلة الدكتور خيرالدين...

حصاد دراساتي القرآنية

حصاد دراساتي القرآنية 2005 -2016 في المؤتمرات العالية والجلات العلمية المحكمة من تأليف فضيلة الدكتور خيرالدين خوجة الكوسوفي أستاذ...

الأسس العلمية والقواعد المنهجية لتفسير القرآن الكريم (الأستاذ سيد...

الأسس العلميةوالقواعد المنهجية لتفسيرالقرآنا لكريم الأسس العلمية والقواعد المنهجية لتفسير القرآن الكريم ( الأستاذ سيد قطب...

البعد الأكاديمي والتربوي في ظاهرة نزول القرآن الكريم منجماً

البعد الأكاديمي والتربوي في ظاهرة نزول القرآن الكريم منجماً بقلم د/خيرالدين خوجة ( الكوسوفي ) أستاذ...

المفسرون وقواعد التفسير بين التشابه في المقدمات والاختلاف في...

المفسرون وقواعد التفسير بين التشابه في المقدمات والاختلاف في النتائج عرض تحليلي لجهود بعض...

قراءة في التجربة التعليمية اليابانية والأمريكية واهتمام المملكة العربية...

ورقة علمية بعنوان المعاني المغيبة للوسطية في الجامعات العربية ( قراءة في التجربة التعليمية اليابانية والأمريكية...

Kategoritë më të popullarizuara

Comments