QËNDRIMI NDAJ ISRAILIATEVE, IXHTIHADI DHE MENDIMI REFORMIST I HOXHË HAFIZ ALI KORÇËS

0
637

 

Ndër çështjet që kanë rëndësi të madhe për temën time dhe për doktrinën fetare reformiste të hoxhë Hafiz Ali Korçës, padyshim është edhe çështja e rrëfimeve të hebrenjve dhe të krishterëve, që në Sheriatin Islamik në përgjithësi dhe në tefsir në veçanti, njihen dhe quhen dhe me emrin: “israiliate”.

Siç dihet, ndër parimet racionale ose nga disiplinat e nevojshme të tefsirit të Kur’anit Fisnik, sipas ithtarëve të shkollës reformiste racionale është çështja e refuzimit kategorik të israiliateve dhe mbështetja vetëm në atë që thuhet në Kur’an dhe Sunnet autentik.

Hoxhë Hafiz Ali Korça kur shqyrton dhe kritikon mendimin ateist dhe komunist të elitës intelektuale të shqiptarëve laikë, tërheq vëmendjen e lexuesve të devotshëm muslimanë, duke thekuar se ekzistojnë hoxhallarë, ligjërues e hatibë që nuk e kuptonin fare se çfarë ishin duke iu thënë njerëzve gjatë ligjëratave dhe vazeve të tyre.

Madje, Shejh Hafiz Ali Korça rrëfen një ngjarje me një hatib, i cili ka hypur në minber dhe ka filluar të bërtasë me zë të lartë në dersin e tij, para të pranishmëve, duke përmendur tregime e bestytni israiliatesh rreth krijimit të Ademit, rreth mënyrës së formimit të lumenjve në Xhennet dhe rrëfimeve tjera që aspak s’kanë lidhje me fenë tonë. 

S’do mend që Hoxhë Hafiz Ali Korça është prekur nga sjellja e tillë naive, ndaj dhe në enciklopedinë e tij ( Historia e shenjte dhe të katër halifetë ) thekson se për një hoxhë sikur ky që e përmend, mjafton për të Kur’ani Fisnik dhe njohuritë më elementare gjeologjike mbi shtresat e tokës dhe mënyrën e krijimit të lumenjve, dhe nuk kishte arsye për të rrëfyer tregime të tilla të kota në dersin e tij. Në këtë libër hoxha bën apel që të largohemi nga rrëfimet e tilla hebraiko-krishtere, ngase ata kanë shkatërruar fenë e muslimanëve.

Ixhtihadi dhe përpjekja e Hafiz Ali Korçës (Zoti e mëshiroftë!) në përgatitjen e këtij traktati metodologjik mbi besimin e muslimanëve ka ndikuar që pesë kushteve të njohura të Islamit që janë: Dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është Pejgamber i Zotit; Falja e namazit; Dhënia e zeqatit; Agjërimi i Ramazanit dhe kryerja e haxhit sipas mundësisë-ashtu siç është transmetuar nga Abdullah ibn Omeri r.a. në hadithin e gjatë të Xhibrilit me Pejgamberin a.s.…t’ua shtojë edhe kushtin e gjashtë. Dhe ky kushti i gjashtë, sipas hoxhë Hafiz Ali Korçës, është xhihadi në rrugë të Zotit. 

Më duket se gjatë studimit të rrethanave politike, shoqërore e fetare të Hoxhës dhe duke u mbështetur në realitetin e hidhur të kohës së tij, vërehet se ai ka punuar që të mbjell në zemrat e bashkëvendasve të tij dashurinë për vatanin, sakrifikimin dhe mbrojtjen nga intrigat e armiqve. S’ka dyshim se kjo çështje është e ndjeshme dhe ka nevojë për një elaborim. 

Ideja se pesë shtyllat e Islamit kanë nevojë edhe për xhihadin si shtyllë e gjashtë e tij; është çështje diskutabile që ka nevojë për një studim më të gjerë. E vërteta është se s’duhet të shtohet diçka në atë që kanë vendosur muslimanët unanimisht, por siç dihet, dijetarët duhet të bëjnë ixhtihad në çdo kohë dhe çdo vend. Dijetarët po ashtu duhet të përcjellin lëvizjen e jetës shoqërore e fetare dhe se obligohen të gjejnë alternativa ose ilaç nga farmacia islame për shërimin e sëmurjeve të Ummetit islam dhe ballafaqimin me sfidat e kohës. Dera e ixhtihadit është e hapur deri në Ditën e Kijametit. 

Unë mendoj se rrethanat e atëhershme kishin ndikuar në shpirtin dhe mendjen e hoxhës dhe kur vërente se njerëzit ishin lodhur e rraskapitur dhe ishin larguar nga ky obligim, ai bënte apel për rikthimin e këtij obligimi dhe për bashkëngjitjen e tij në pesë shtyllat e njohura të Islamit. Mirëpo ato rrethana nuk e arsyetojnë mendimin dhe ixhtihadin e Hafiz Ali Korçes, sepse hoxha ka bërë dicka që Muhamedi a.s. nuk e ka bërë e as shokët e tij, përkundër vuajtjeve dhe persekutimeve dhe rrethanave të vështira fetare, politike dhe ekonomike.

Ixhtihadin dhe mendimin e Hafiz Ali Korçes duhet kuptuar dhe komentuar me xhihadin e lapsit dhe të diturisë, me xhihadin e epshit dhe të pasurisë, e jo xhihadin dhe luftën e përgjakshme, dhe s’do mend se ky mendim bazohet në parimet islame, burime Kur’anore dhe ato profetike.

Të shtohet diçka mbi pesë shtyllat e Islamit nuk është e lejuar, ngase në këtë mënyrë pasardhësit do të anulojnë ose shtojnë parime të besimit apo Sheriatit në bazë të nevojave dhe sfidave të kohës. Xhihadi është temë speciale që Kur’ani dhe Syneti e kanë shqyrtuar detalisht sipas konditave dhe rrethanave specifike, në çdo vend dhe në çdo kohë. Këtu nuk mundemi të zgjerohemi më tepër, dhe Allahu e di me mirë për qëllimin dhe nijetin e Hafiz Ali Korçes.

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)