Sa është i rëndësishëm reputacioni moral dhe roli edukativ i gruas (nënës) në edukimin e familjes në përparimin e shoqërisë bashkëkohore?

0
617

Reputacioni moral dhe fetar i nënës luan rol shumë të madh dhe të rëndësishëm në edukimin e fëmijëve. Për të pasur fëmijë dhe familje të shëndoshë pejgamberi ynë Muhamedi a.s. na ka urdhëruar dhe na ka mësuar që nga fillimi i kurdisjes së bërthamës familjare të shëndoshë të kemi kujdes në përzgjedhjen e shokut /shoqes së jetës, duke na mësuar dhe duke na udhëzuar se vajza/djali është para disa opsioneve/kritereve qe duhet të ketë parasysh kur dëshiron të lidhë kurorë me dikë.

Ato kritere/kushte/cilësi Muhamedi a.s. na ka bërë me dije se gruaja/vajza/burri/djali mund të martohen për këto katër qëllime/kritere: a- për pasurinë e saj/tij, b- për fenë dhe moralin e saj/tij, c-për bukurinë e saj/tij d-pozitën familjare të saj/tij. Pastaj vazhdon Muhamedi a.s. duke konkluduar: të kesh kujdes! Martoje atë grua/vajzë/burrë/djalë që ka fenë dhe moralin e tij/saj në nivel të mirë e të pranueshëm (normal perfekt është vetëm Allahu xh.sh.), përndryshe keni për të humbur shumë dhe do të gaboni shumë nëse anashkalohen këto këshilla profetike, dhe sherri do të jetë me përmasa të mëdha. Mungesa e reputacionit moral islam i gruas/nënës vërehet edhe në pasojat që vijojnë:

Është dëshmuar historikisht dështimi i martesave te muslimanët por edhe te tjerët të cilët janë martuar jo për qëllime fetare apo morale. Po ashtu edhe sot e kësaj dite vazhdon kjo dukuri negative në shkatërrimin e familjeve, ku rastet e divorcit ne Kosovë dhe trojet shqiptare janë alarmuese!

Pa kaluar një muaj, një vit, ndoshta edhe një javë kur dëgjon se filan çifti (X+Y) janë ndarë!! Kanë dhënë fund martesës së tyre! Situata është tmerr për vajzat dhe djemtë tanë. Kultura e globalizmit perëndimor dhe atij amerikan është kah na vërshon me të madhe dhe fuqishëm.

Mediat globale, lokale, serialet e ndryshme kanë vërshuar furishëm shtëpitë tona. Kinematografia shthurëse në të cilën promovohen antivlera ka pushtuar shtëpitë tona! S’ka censurë për asgjë! Tmerr e zi në çdo aspekt ! Populli dhe rinia pa imunitet fetar dhe moral, pa edukatë familjare janë bërë pre e lehtë dhe viktimë e lezetshme për armiqtë e fesë islame dhe të muslimanëve.

Qeveritë dhe liderët tanë laikë dhe neutral në këtë drejtim!! Fare nuk po iu intereson kjo gjendje katastrofike që na ka kapluar. Po ashtu edhe institucionet fetare nuk janë duke punuar mjaftë në ketë drejtim me kurse, me seminare, me programe, me konferenca, me ligjërata, me debate televizive si të tjerët, nuk janë rival apo opozitë e atyre të këqijve, dhe së këndejmi jemi bërë të pavlerë dhe pa rëndësi për ta, përkundër faktit dhe realitetit 95% të popullsisë kosovarë janë musliman.

Ata s’po ndalen nga e keqja dhe sherri, e ne me duar të lidhura ne gjoks, at këtu rrallë herë, në mënyrë private dhe individuale janë disa që flasim për rrezikun që na ka kapluar nga të katër anët. Nëse ata punojnë për keq, ne duhet ti sfidojmë ata me këmbëngulje dhe fuqishëm duke e mbrojtur identitetin tonë fetar islam me tërë potencialin që kemi, përndryshe ditë më të rënda do të na vijnë, dënime më të rënda për këtë krim fetar dhe njerëzor të neglizhuar prej nesh.

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin Hoxha, 

Përgjigje në pyetje hulumtuese të parashtruara nga studentë të Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, studimet e nivelit Master