A mund të na thoni sa është roli i Bashkësisë Islame në edukimin e shoqërisë kosovare, me anë të institucioneve të saja, dhe me anë të publikimeve

0
556

A mund të na thoni sa është roli i Bashkësisë Islame në edukimin e shoqërisë kosovare, me anë të institucioneve të saja si Mektebet, Medresetë, Fakulteti, Shkollat e Kuranit e Bibliotekat, dhe me anë të publikimeve siç janë Edukata Islame, Dituria Islame, Takvimi, etj.

Koha moderne e shek.21 & 22, ka ndikuar negativisht me përmasa të mëdha dhe akoma vazhdon të ketë impakt negativ në jetën tonë islame në përgjithësi, si në familjen myslimane ashtu edhe në aspektin edukativo-arsimor.

Mos realizimi dhe mos aplikimi i parimeve dhe koncepteve islame ( kurset edukativo-arsimore para martesore, kriteri i moralit dhe i fesë islame në përzgjedhjen e bashkëshortit / bashkëshortes, riaktivizimi i institucioneve fetare, futja e lëndës fetare në shkollat fillore, të mesme, ato të nivelit universitar, reformat e kërkuara në diskursin fetar aktual, integrimi i parimeve islame në jetën e përgjithshme, koordinim në mes BIK-ut dhe qeverisë sa i përket censurimit te mediave në talljen/fyerjen e religjioneve në përgjithësi dhe të islamit në veçanti etj. etj..), e tërë kjo gjendje e mjeruar ka prodhuar në vendin tonë stile të reja evropiane-amerikane, bashkëjetesë ne mes dy qifteve pa kurorë (kinse e fejuara/i fejuari )!! Ai / ajo thjesht (boyfriend / girlfriend), dalin bashkë, rrinë bashkë, qeshin bashkë, ndoshta edhe flenë dhe marrin tush bashkë, udhëtojnë bashkë, po e testojmë njeri tjetrin duke thanë nuk bën mu ngut, kemi disa plane tjera ma me rëndësi, martesa ligjore/ fetare nuk është urgjente, pas 1/2/3/ vite ndoshta martohemi, ta përfundoj fakultetin, jo nuk dua të jetoj me prindërit, dua ta planifikoj lindjen e 1 fëmije, sepse jeta e shtrenjtë dhe harxhime të shumta, ikje/ shpërngulje në Evropë/ Amerikë etj. etj.

Gjenerata të këtij lloji ka prodhuar kultura e sotme globale që nuk njeh dhe nuk respekton parimet e fesë islame, që lufton traditat e mira myslimane të trashëguara, që kërkon jetë të shfrenuar dhe pa kufi, të rinjtë/të rejat janë të degjeneruar moralisht dhe në aspektin etik, rinia konsumon më shumë se sa prodhon, endacakë, përtac, luftojnë dhe debatojnë ashpër për të drejtat e (LGBT-ve) etj. etj., vaj halli për ne! Vaj halli për shqiptarët/ boshnjakët/ turqit/ ashkalinjtë myslimanë! Vaj halli për ardhmërinë tonë nëse nuk shpejtojmë me reforma fetare, sociale, institucionale të duhura.

Do të na kaplon sherri dhe dënimi i madh nga Allahu shkaku i përhapjes së këtyre dukurive të këqija dhe shkaku i mos reagimit tonë urgjent për t’i shpëtuar ata duke i urdhëruar kah e mira, duke i mësuar, duke i trajnuar për të mirë dhe duke i ndaluar nga e keqja, duke i këshilluar, duke i udhëzuar që mos të zhyten në vepra te ndaluara dhe të këqija.

Qëllimi nga mësim-besimi nëpër mektebe të xhamive të Kosovës dhe gjetiu është ruajtja e identitetit fetar islam nga rreziku i asimilimit fetar, kulturor dhe moral. Shyqyr Allahut xh.sh. dhe të gjitha falënderimet i takojnë Atij për këtë dhunti dhe mirësi ndaj nesh, elhamdulilah që jemi Mysliman dhe që na ka ruajtur Allahu xh.sh. prej kthetrave të regjimit komunist në ish-Jugosllavinë e Titos komuniste dhe aparaturës ortodokse fanatike serbo-sllave gjate kohës së Rankoviçit dhe të Millosheviçit.

Këto mektebe / klasa / zyra / dhoma të vogla të bashkangjitura xhamisë; kanë luajtur rol të madh përgjatë shekujve dhe dekadave gjer më sot në mirëmbajtjen e besimit të Monoteizmit, të Teuhidit të pastër Islam, besimit në një Zot i Cili është i Vetëm, i Cili nuk ka lind askënd – s’ka fëmijë -, dhe i cili Vet nuk është i lindur nga dikush – nuk ka prind – dhe  Ai askujt nuk i përngjan, të Cilin e kanë besuar të parët tanë, dhe na e kanë trashëguar neve të pastër e të kulluar si loti i syrit. Ne të gjithë ne jemi borxhli ndaj tyre me lutje të pashkëputura gjer në vdekje.

Po ashtu në këtë kontekst duhet falënderuar BIK-un e Kosovës për organizimin e këtyre klasave dhe ligjëratave të mësim-besimit nëpër mektebe, me botimin e revistave Dituria Islame, periodikeve si Edukata Islame, Takvimi etj. Allahu i shpërbleftë.

Tani në këtë kontekst duhet shtruar një pyetje e cila kërkon një përgjigje të madhe dhe serioze.

Pyetja thotë: A është i mjaftuar mësim-besimi fetar nëpër mektebe për ta sfiduar gjendjen globale dhe aktuale anti-islame anembanë globit? A janë të mjaftueshme botimi i Revistave Islame, Edukatave Islame, Ligjëratat publike javore të Xhumave etj.?

Përgjigjja është: JO, nuk është i mjaftuar ky angazhim dhe këto iniciative, dhe se ky mision që është duke u zhvilluar në mënyre rutinë nuk është i mjaftueshëm dhe nuk  e përmbush zbrazëtirën shpirtërore, morale dhe edukativo arsimore, dhe se gjendja faktike dhe aktuale dëshmon për efektin e dobët dhe jo të mjaftueshëm.

Nëse para 50 viteve në kohën e ish-Jugosllavisë nuk kemi poseduar kushte të mjaftueshme për ta zgjeruar misionin edukativo-arsimor për ruajtjen e identitetit tonë fetar Islam dhe atij Kombëtar, sot i posedojmë këto kushte dhe këto resurse humane, mediatike, shkencore, financiare dhe materiale etj. Apeloj urgjentisht që misionin mektebeve ta ngrisim dhe ta transformojmë në misionin e shkollave fillore, të mesme, universitete (fakultete dhe studime post-diplomike).

Është imperativ kur’anor dhe profetik që këto Reforma të zhvillohen urgjentisht duke koordinuar me qeverinë dhe liderët politik për t’i bindur ata për rëndësinë dhe vlerën pozitive edukativo-arsimore të këtyre reformave, dhe se BIK-u të jetë konfident me programe për ndryshim pozitiv, guximtar dhe pa kompromis para qeveritareve, t’i sfidoj anti-islamistët, anti-fetarët publikisht gjer të realizohet kjo ëndërr e besimtarëve shqiptar / boshnjakë e të tjerë në Kosove dhe gjetiu, dhe mos të harrojmë se në shtetet demokratike në Evropë kjo ëndërr është realizuar që moti, sepse konsiderohet e drejta humane bazike e njeriut, dhe mos të harrojmë faktin se në Serbinë fqinje, kjo reformë ashtë aktive dhe funksionale që sa vite, ata e kane fut mësim besimin në shkollat publike shtetërore, dhe nuk  e kuptoj dot pse pret BIK-u, dhe pse qeveria apo deputetët shqiptarë në parlamentin e Kosovës e anashkalojnë dhe e neglizhojnë këtë të drejtë të popullit!

Normal që pjesa dërmuese e deputeteve janë anti-islamistë, për arsye se ata kanë bindje dhe informata të gabueshme rreth Islamit dhe muslimanëve. Allahu na ndihmoftë në realizimin e këtyre reformave, dhe mos të harrojmë se Allahu xh.sh. në Kuranin Famë-lartë thotë në suren er Ra’d, Ajeti 11 (All-llahu nuk e prish gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat) për derisa ata ta ndryshojnë veten e tyre ), Po ashtu Allahu xh.sh.  në suretu et Teubeh, ajeti 105 ( Dhe thuaj: “Veproni, All-llahu do ta shohë veprën tuaj, edhe i dërguari i Tij e besimtarët..)

Prof. Dr. Hfz. Hajredin Hoxha
PËRGJIGJE AKADEMIKE, FETARE, EDUKATIVO ARSIMORE PËR PYETJET HULUMTUESE NGA STUDENTËT KOSOVARË NË NIVEL TË DOKTORATURËS NË UNIVERSITETIN NDËRKOMBETAR TË NOVI PAZARIT