MUSLIMANËT NË GADISHULLIN BALLKANIK – EVROPËN LINDORE

0
308

Është shkruar nga perëndimorët për muslimanët e Ballkanit dhe Evropës lindore, por ato shkrime dallohen për sfondin e tyre joobjektiv dhe për vështrime pothuajse personale. Madje ato janë shkruar për qëllime krishterizimi (misionarë të krishterë) gjë që e bën secilin musliman të këtë rezerva të mëdha ndaj tyre.

Prej atyre që më së miri kanë shkruar në këtë fushë është ish-presidenti i ndjerë i BeH-së, Alija Izetbegoviç, prej ligjëratës së të cilit ne do të shkëpusim ca pjesë. “Sipas statistikave, në kontinentin evropian jetojnë 44 milionë muslimanë…[1] Por, jo të gjithë muslimanët –– kanë pozitë të njëjtë. Muslimanët në BeH dhe Shqipëri[3] dallojnë nga muslimanët e tjerë, ngase nuk paraqesin pakicë por shumicë.  Ndërsa për rrënjët e tyre historike, ai sjell këtë ndarje:

  1. Muslimanët që gjenden në pjesën evropiane të ish-Bashkimit Sovjetik
  2. Muslimanët që jetojnë në Evropën perëndimorë, e që përbëhen kryesisht nga refugjatët muslimanë apo edhe evropianët e konvertuar, dhe
  3. Muslimanët e Ballkanit.

Prej këtyre grupeve, grupi i parë e ka gjendjen më të vështirë dhe këtë për shkak të ideologjisë ateiste dhe shoviniste të Rusisë. Fatkeqësisht, edhe pas rënies së Bashkimit Sovjetik, me gjithë përfitimin e të drejtave fetare, prapë gjendja e tyre nuk ka ndryshuar shumë.

Ndërsa gjendja e muslimanëve në perëndim të Evropës është në varësi të institucioneve dhe kulturave të shteteve në të cilat jetojnë. Izetbegoviçi shpjegon se shkak i migrimit të muslimanëve është pozita e rëndë ekonomike në vendet e tyre të lindjes. Kurse pozita e muslimanëve ballkanas, si banorë autoktonë të këtij ishulli, ka një rëndësi më të madhe në raport me pozitën e muslimanëve në Evropë dhe raportet e tyre me të (Evropën), sidomos kur kihet parasysh kureshtja e tyre për ruajtjen e trashëgimisë islame me gjithë presionet që kanë, e që pothuajse gati i zhduken ata tërësisht, siç ndodhi në BeH, Bullgari[4], Hungari[5].

Ndërsa në  Shqipëri[6] presidenti ateist, Enver Hoxha, tentoi për më shumë se një gjysmëshekulli gjatë regjimit të tij barbar ta ndante Islamin nga shqiptarët dhe ta zhvishte tërësisht këta të fundit nga feja. Sikurse që një gjë të tillë e provoi edhe ish-presidenti famëkeq i Serbisë, Sllobodan Milloshevic, i cili para pak vitesh përfundoi i vdekur në një burg të Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë, i cili me gjithë potencialin e tij ushtarak, ideologjik ortodoks dhe urrejtjen kishtare, prapë nuk ia doli. Deshi Allahu e ky kriminel dhe shokët e tij dështuan, ndërsa populli shqiptar korri fitore. Kjo falë UÇK-së, e pastaj edhe forcave ndërkombëtare, NATO-s.

Bota sot është e lidhur më shumë se kurrë më parë, dhe kjo për shkak të shkencave dhe teknologjisë bashkëkohore, mjeteve komunikuese dhe transportuese po kështu bashkëkohore, pastaj politikës, ekonomisë, sportit dhe turizmit. Bota është “tkurrur” gjeografikisht (apo siç thuhet është bërë një fshat i vogël), por fatkeqësisht distanca gjeografike ndërmjet të pasurve dhe të varfërve, ndërmjet shteteve të zhvilluara dhe shteteve të pazhvilluara, ka shënuar zgjerim të madh. Pas imperializmit ushtarak tani në skenë ka dalë imperializmi ekonomik, i cili vërtet ka bërë një bum të madh me dominimin teknologjik kudo në botë.

Ndërsa sa i përket çështjes së bashkëjetesës ndërkulturore, disa e shohin me rezervë dhe në vend të kësaj ata mendojnë se bëhet fjalë për një konflikt dhe përplasje ndërkulturore ndërmjet kulturave perëndimore dhe atyre islame. Një prej më të njohurve që ndan këtë mendim është Samuel Huntington, por historia ka dëshmuar të kundërtën; shumë kultura kanë bashkëjetuar, bashkëvepruar dhe ndihmuar njëra-tjetrën duke nënvizuar këtu – vërejtjet e disa analistëve – se historia e lindjes lëviz drejt perëndimit.[7]

Ndërsa sa i përket gjendjes aktuale apo rrethanave fetare, politike dhe shoqërore në BeH[8] dhe Kosovë[9], analistët mendojnë se ato janë ende për të ardhur keq dhe se premtimet e bashkësisë ndërkombëtare për një zhvillim dhe përparim nuk janë realizuar veçse simbolikisht.

A është vendosur rendi dhe ligji?

A janë kthyer refugjatët në shtëpitë e tyre?

A iu janë dhënë njerëzve të drejtat prej të cilave ishin të privuar më parë?

Premtimet e bashkësisë ndërkombëtare për të rindërtuar vendet, për të kthyer sigurinë dhe për të shpenzuar miliarda dollarë, të shoqëruara këto edhe me një marketing të madh medial, nuk u realizuan as në Bosnjë, as në Kosovë, as në Maqedoni, as në Serbi dhe as në Afganistan. Përkundrazi, siç shkruante gazeta Washington Post, forcat ndërkombëtare të rendit dhe sigurisë në Bosnjë dhe Kosovë kanë qenë të akuzuara për shumë skandale. Këto forca (policia me theks të veçantë) janë akuzuar për përfshirje në vepra të ndaluara, e më së shumti për skandale seksuale, gjë që ka shkaktuar kthimin e një numri të madh të tyre në vendet prej nga kanë ardhur. Përqindja e amerikanëve në këtë drejtim është më e madhja. Prej 1832 vetave sa janë kthyer dhunshëm në vendet e tyre, 161 kanë qenë amerikanë. Kjo natyrisht se ngjall shumë dyshime, në radhë të parë se si një kontingjent që është mykur nga brenda të mund të marrë përsipër ruajtjen  e sigurisë dhe njëherësh përgatitjen e forcave lokale për rend dhe siguri?!

Këto probleme kanë bërë që krimet makabre të ushtrisë dhe qytetarëve serbë ndaj muslimanëve[10] të harrohen. Serbët dhunuan shumë gra, mbytën shumë qytetarë dhe varrosën në varreza masive të panjohura shumë prej tyre. Edhe pse ka kohë që lufta ka mbaruar, kërkimi për varreza masive vazhdon ende, madje nga koha në kohë zbulohen shumë prej tyre[11]. Ushtria holandeze gjithsesi se bart një pjesë të fajit për kasaphanën e Srebrenicës. Nën “ruajtjen dhe sigurinë” e tyre u masakruan mbi 8000 muslimanë të pafajshëm, krim përgjegjësinë e të cilit tash ka filluar ta pranojë qeveria holandeze.

Çfarë përfituan muslimanët boshnjakë dhe shqiptarë nga arrestimi i Sllobodan Millosheviqit? Qeveritë serbe ende vazhdojnë të refuzojnë në heshtje bashkëpunimin praktik me Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte, ndërsa kriminelët si Ratko Mlladic dhe Radovan Karaxhixh[12] vazhdojnë të jenë të lirë. Nëse ky është realiteti atëherë çfarë drejtësie kanë ndarë organizatat ndërkombëtare dhe çfarë ndihme iu kanë bërë këtyre dy popujve të viktimizuar, persekutuar dhe luftuar në shekullin e njëzet?!

Këtë neglizhencë të qëllimshme të faktorit ndërkombëtar për të përmbushur obligimet karshi të drejtave politike, shoqërore dhe fetare të këtyre popujve muslimanë në BeH, Kosovë dhe Maqedoni, analistët e shohin si një viktimizim të dytë, po kështu të qëllimshëm, të popujve në fjalë. Kjo, për shkak se herën e parë të drejtat e tyre u shkelën nga lufta frontale e ushtrisë serbe, ndërsa kësaj radhe ato po shkelen nga komplotet e shteteve të mëdha brenda bashkësisë ndërkombëtare, të cilat me procedurat burokratike, nismat iluzionare dhe premtimet e kota, kanë bërë që këta njerëz të jenë shumë pesimistë dhe të mos kenë përpara vetes veçse dy zgjedhje:

  1. Migrimin, ose
  2. Aderimin në rrjetet e organizuara kriminale, kushtet dhe ambienti për të cilat është i mirë si asnjëherë më parë[13].

Ishte kjo një përmbledhje e shkurtër rreth gjendjes së pakicave islame në perëndim, ndërsa në vijim, bashkërisht do të shohim disa prej hapave që duhen ndërmarrë për garantimin e të drejtave të tyre në perëndim.

 

Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

PAKICAT ISLAME NË EVROPËN PERËNDIMORE DHE LINDORE– aktualiteti dhe shpresa-

 


[1] Këto statistika, duke përfshirë muslimanët e Evropës lindore dhe perëndimore, arrijnë në 44 milionë. Burimi: https://en.wikipedia.org/wiki/Islam_in_Europe

[2] Statistikave e banorëve musliman nëpër shtetet e kontinentit Evropian, sipas vlerësimeve të fundit, vlerësime në burime me qasje të hapur janë këto:

Vendi Banor musliman (sipas vlerësimeve)
Shqipëria 2,601,000 (Pew 2011)
Andorra < 1,000 (Pew 2011)
Austria 700,000 (2017 study)[86]
Bjellorusia 19,000 (Pew 2011)
Belgjika 781,887 (2015 est.)[87]
Bosnjë dhe Hercegovinë 1,564,000 (Pew 2011)
Bullgaria 1,002,000 (Pew 2011)
Kroacia 56,000 (Pew 2011)
Qipron 200,000 (Pew 2011)
Republika Çeke 4,000 (Pew 2011)
Danimarka 226,000 (Pew 2011)
Estonia 2000
Ishujt Faroe < 1,000 (Pew 2011)
Finlanda 65,000 (Pew 2016)
Franca 5,720,000[91]
Gjermania 5,300,000-5,600,000 (BAMF 2021) 4,119,000 (Pew 2011); 4,700,000 (CIA)
Greqia 527,000 (Pew 2011)
Hungaria 25,000 (Pew 2011)
Islanda < 1,000 (Pew 2011)
Irlanda 43,000 (Pew 2011)
Italia 1,583,000 (Pew 2011)
Kosova 1,584,000 (CIA); 2,104,000 (Pew 2011)
Letonia 2,000 (Pew 2011)
Lihtenshtajni 2,000 (Pew 2011)
Lituania 3,000 (Pew 2011)
Luksemburgu 11,000 (Pew 2011)
Malta 1,000 (Pew 2011)
Moldavia 15,000 (Pew 2011)
Monako < 1,000 (Pew 2011)
Mali i Zi 116,000 (Pew 2011)
Holanda 914,000 (Pew 2011)
Maqedonia e Veriut 713,000 (Pew 2011)
Norvegjia 106,700–194,000 (Brunborg & Østby 2011);[103]
Polonia 20,000 (Pew 2011)
Portugalia 65,000 (Pew 2011)
Rumania 73,000 (Pew 2011)
Rusia 16,379,000 (Pew 2011)
San Marino < 1,000 (Pew 2011)
Serbisë 280,000 (Pew 2011)
Sllovakia 4,000 (Pew 2011)
Sllovenia 49,000 (Pew 2011)
Spanja 1,021,000 (Pew 2011)
Suedia 450,000–500,000 (2009 DRL); 451,000 (Pew 2011)
Zvicra 433000
Ukrainë 393,000 (Pew 2011)
Mbretëria e Bashkuar 2,869,000 (Pew 2011)

 

 

[3] Rreth lëvizjeve fetare shkatërruese dhe përpjekjeve të misionarëve të krishterë në Shqipëri shih artikullin e orientalistit hungarez Gyorgy Lederer, Islam in Albania, Central Asian Survey, vol: 13, No.3, pp. 331-359, printed in Great Britain.

[4] Rreth pozitës dhe gjendjes së muslimanëve në Bullgari, si dhe rreth vuajtjeve që përjetuan nën regjimin e egër komunist që pati si pasojë migrimet kolektive në Turqi, shih: Documentation – The Turkish Mionority in Bulgaria, by: Thomas F. Michel, I.C.M.R. Vol.1, No.2, D.; Islam in Bulgaria: a Historical Reappraisal, by: Petya Nitzova, Religion, State, and Society, Vol.22, No1, 1994.

[5] Për më shumë rreth gjendjes së muslimanëve të Hungarisë shih: Gyorgy Lederer, Islam in Hungary, Central Asian Survey, Vol. 11, No.1, pp.1-23, 1992, printed in Great Britain.

[6] Rreth gjendjes së Islamit dhe pozitës shoqërore, fetare dhe politike të muslimanëve në tokat shqiptare në kohën bashkëkohore shih: Hoxha, Hajredin, el-Ittixhahat el fikrijje ved dinijjeh fid dirasat el kur’anijjeh leda ulema el alban fil asril hadith, karn 19-20, punim doktorate, Universiteti Ndërkombëtar Islam, Malajzi, 2003, f. 30-100.

[7] www.islammemo.cc, artikull i ish-presidentit boshnjak, Alija Izetbegoviç: Ru’jetu Alija Izetbegovic li ved’i-l-muslimine fi Urubba.

[8] Për më shumë rreth historisë së Bosnje Hercegovinës shih: Malcolm, Noel, Bosnia – a short histori, Macmilan, London, 1994.

[9] Për më shumë rreth historisë antike dhe bashkëkohore të Kosovës shih: Malcolm, Noel, Kosovo – a short history, Macmilan, London, 1997.

[10] Për detaje rreth luftës së shpallur kundër Islamit në Bosnje e Hercegovinë, shih: Gyorgy Lederer, War on Islam in Bosnia, Journal Institutte of Muslim Minority Affaires, Vol. 13:2, July, 1992.

[11] Vetëm para pak ditësh, gjegjësisht me datë 15.03.2006 mediat ndërkombëtare raportonin për gjetjen e një varreze masive në BeH.

[12] Fatbardhësisht, Radovan Karaxhixhi dhe Ratko Mlladici janë arrestuar dhe janë ekstraduar për gjykim në Hagë.

[13] Shih: www.islammemo.cc, artikulli: Muslimu el Busneh ila ejji shej’in vesalu el ane.