Thirrja e jobesimtarëve në Islam

0
338

A). Thirrja (da’veti) në bazë të rrugës së shikimit dhe persiatjes rreth ajeteve të Universit
Islami është fê ndërkombëtare dhe mesazhi i tij është mesazh botëror.

Dërgimi i Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ishte i përgjithshëm për mbarë njerëzit e xhinët, për besimtarin, për të mirin e të keqin, në këtë kontekst, Zoti i Madhërishëm thotë:
“Ne nuk të dërguam ty ndryshe vetëm se për të gjithë njerëzit”. (Sebe’e, 28).
“Unë jam i Dërguari i Allahut te të gjithë ju”. (El a’raf, 158).
“Dhe nuk të dërguam ty përpos mëshirë për botët!” (El enbija, 107).
“Po ai (Kur’ani) nuk është tjetër vetëm se këshillë për botën (e njerëzve e të xhinëve)”. (El kalem, 52).
“Është i Madhëruar Ai, që ia shpalli Kur’anin (dallues të së vërtetës nga e pavërteta) robit të Vet (Muhammedit) që të bëhet Pejgamber i botës (këshillues)”. (El furkan, 1).
Në “Sahih” transmetohet nga Ebu Hurejrja se Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:
“Jam vlerësuar më shumë se pejgamberët tjerë me gjashtë (karakteristika): “Më janë dhënë të gjitha dituritë, nuk kam frikë, më është lejuar pasuria e luftës, e gjithë toka më është bërë xhami (vend për t’u falur), u dërgova për të gjitha krijesat dhe jam vula e pejgamberëve.”

Në një transmetim, tjetër thuhet: “Çdo pejgamber i dërgohej vetëm
popullit të vet, ndërsa unë u dërgova për të kuqin e të ziun.”

Ai që i kupton këto ajete dhe hadithe që flasin për universalizëm, do të kuptojë se mesazhi i Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) është i përgjithshëm për të gjithë njerëzit…

Islami na urdhëron që t’i thërrasim muslimanët dhe jomuslimanët, që të shpëtojmë nga përgjegjësia, dhe këtu vërehet qartë mrekullia e Islamit si vulë e mesazheve të mëparshme hyjnore, si dhe vlera e tij superiore ndaj mesazheve të mëparshme.

Biografia e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) është e pasur me argumente, situata e rrëfime të vërteta autentike…; Pejgamberi a.s. u dërgoi disa mesazhe udhëheqësve, mbretërve e prijësve të fiseve për t’i thirrur në Islam. Disa prej tyre iu përgjigjën thirrjes së tij, u udhëzuan dhe pranuan Islamin, ndërsa disa të tjerë refuzuan e kundërshtuan, bënë mëkate, nuk besuan dhe u ngritën në këmbë (u rebeluan)…
Islami nuk erdhi që t’i shpëtojë vetëm muslimanët nga injoranca (xhahilijeti) por tërë botën. Da’veti i Islamit është i qartë dhe transparent, ndaj dhe kush dëshiron beson, e kush dëshiron bën kufër, ngase nuk ka dhunë në fê.

Në këtë kontekst Zoti i Madhërishëm thotë:
“Thuaj: Kjo është rruga ime, e vënë në fakte të qarta, e që unë thërras te Allahu, unë dhe ai që vjen pas meje. Larg të metave është Allahu, e unë nuk jam nga idhujtarët”. (Jusuf, 108).
Fakt është se sot, shumë jobesimtarë nuk e njohin fare të vërtetën e Islamit, Kur’anit dhe Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) Në Kur’an thuhet për Ithtarët e Librit që jetonin në kohën e Pejgamberit a.s: “Atyre që u kemi dhënë Librin, ata e njohin atë (Muhammedin) siç i njohin bijtë e vet, e një grup prej tyre edhe pse e dinë këtë, janë duke fshehur të vërtetën”. (El-Bekare, 146).

Ata i dijnë këto të vërteta dhe këto gjëra shumë mirë dhe bëjnë orvatje të mëdha, përfshirë orientalistët dhe misionarët e ndryshëm, për t’i larguar njerëzit nga Islami në përgjithësi, dhe muslimanët në veçanti sic po ndodh tek ne në Kosovë, Shqipëri, ku numri shoqatave evangjeliste dhe të krishterë ka marrpërmasa të mëdha. Këta kanë ndikim të madh botëror në mediumet endryshme botërore, qofshin ato perëndimore, arabe apo edhe islame.

Sidoqoftë ne jemi të urdhëruar që t’i thirrim në tavolinën e Islamit. Nuk ka vetëm një metodë të posaçme e korrekte për thirrjen e tyre, por ekzistojnë shumë metoda nga më të ndryshmet për t’ua transmetuar këtë besim dhe këtë dritë. Të gjithë ne, përfshirë thirrësit, udhëheqësit e grupeve dhe lëvizjeve islame, obligohemi që të zgjedhim rrugën dhe mënyrën më të lehtë e më të përshtatshme si dhe të zhvillojmë dialog në formën më të mirë e më të vlefshme të mundshme, ngase kështu na urdhëroi Zoti i Madhërishëm dhe Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)

Në këtë kontekst, Zoti i Madhërishëm thotë:
“Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira.
Zoti yt është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai e di më së miri për të udhëzuarit“. (Nahl, 125).
“Ju mos ua shani ata (zota) që u luten (idhujtarët), pos Allahut, e (si hakmarrje) të fyejnë Allahun nga armiqësia duke mos ditur (për Madhërinë e Tij).” (El En’amë, 108).
Nga metodat që patën sukses në thirrjen e jobesimtarëve dhe të gjithë njerëzve është metoda e shikimit të shenjave dhe argumenteve në Universin e gjërë e të mbushur plotë me argumente folëse, të cilat e konfirmojnë ekzistimin dhe monoteizmin e Zotit.

Në këtë kontekst, Zoti i Madhërishëm thotë:
“Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës…, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt”. (Ali-Imran, 190).

“Është fakt se në krijimin e qiejve e të tokës, në ndërrimin e natës e të ditës, të anijes që lundron në detë që u sjell dobi njerëzve, në atë shi e që e lëshon Allahu prej së larti e me te ngjallë tokën pas vdekjes së saj dhe përhapë në të nga çdo lloj gjallese, në qarkullimin e erërave dhe reve të nënshtruara mes qiellit e tokës (në të gjitha këto), për një popull që ka mend ka argumente”.(El-Bekare, 16).

Shejhul-Islam Ibn Tejjmije (Zoti e mëshiroftë!) thotë:
“Bindja ndodh edhe nga persiatja rreth Kur’anit dhe ajeteve që flasin për njerëzit, për horizontet dhe për veprat në bazë të diturisë…”

Edhe Imam Gazaliu në librin e tij voluminoz “Ihjau Ulumiddin”, flet rreth vlerës dhe të vërtetës së persiatjes e meditimit.

Kjo hyrje është e domosdoshme para se të filloj bisedën rreth mendimit të profesor Sejjid Kutubit që i ka shprehur në tefsirin e tij rreth kësaj çështje të rëndësishme gjatë tefsirit të ajeteve kur’anore dhe si ai, ua prezantonte ajetet e Zotit jobesimtarëve nëpërmes metodës së shikimit, persiatjes e zbulimit.

Në tefsirin e tij që i bën ajetit kur’anor:
“Ai është që lëshoi nga lartë shiun e me të nxorri bimën e çdo sendit dhe prej bimës gjelbrim dhe prej tij (prej gjelbërimit) kokrra të dendura në kallinj.
E nga hurmet, nga sythat e tyre kalaveshë të afërt (për t’i vjelë). Edhe kopshtin me hardhi ullinj e shegë të ngjashme (në dukje) e të llojllojshme (në shije).

Shikoni pra frutat e tyre kur i formojnë dhe kur piqen (të gjitha këto nga shiu).
Edhe në këto ka fakte për njerëzit që besojnë”. (El En’amë, 99) – ai thotë: “Roli i ujit nëpër çdo gjë është një rol që e sheh çdokush shumë qartë, qoftë analfabet apo intelektual, i prapambetur ose i civilizuar. Roli i ujit është më i madh se ajo që vërehet, dhe kjo theksohet edhe në Kur’an.

Me caktimin e Zotit, uji e bëri cipën e tokës të pjellshme. (Nëse është e vërtetë, sipas disa teorive, sipërfaqja e tokës në fillim ka qenë e zjarrtë pastaj e thatë dhe jo e përshtatshme për mbjellje, e pastaj me ndihmën e ujit dhe nën ndikimin e faktorëve atmosferikë, ndryshohet në dhê të butë). Uji e zbutë këtë shtresë të fortë me nitrogjen-azot, dhe sa herë që del rrufeja, formohet elektricitet, pastaj nga retë bie shiu për të kthyer pjellshmërinë në pushtet.

Njeriu i imiton ligjet e Universit dhe formon ushqim artificial në të njëjtën mënyrë. Nëse kjo lëndë (uji) nuk ekziston, zhduket pjellshmëria e tokës në tërësi!

Zbulimet bashkëkohore konfirmojnë rolin e madh të ujit në këtë jetë…(A nuk thuhej në Kur’an: “Vërtetë në këtë ka argumente për popullin që beson…”)
Besimi i hap zemrat, ndriçon të pamurit, i nxitë aparatet përceptuese të instiktit dhe njeriun e bën të gjallë si dhe e thirrë intuitën të besojë në Zotin, Krijuesin e çdo gjëje. Sikur të ndodhte e kundërta, zemrat do të ishin të vulosura, sytë të mbyllur, instikti i ngulfatur dhe nuk ndjen asgjë, madje edhe nëse kalon rreth krijimit të tillë pa u përgjigjur fare “Përgjigjen ata që dëgjojnë…” Vetëm ata që besojnë i kuptojnë këto ajete!”

Nga kjo analizë e krijimit, vërehet qartë metoda e profesor Sejjid Kutubit gjatë jetesës së tij nën hije të këtij ajeti, që është një ndër ajetet që flasin për da’vetin, por me një përsëritje të begative të Zotit me qëllim që t’ia përkujtojnë njeriut një gjë të tillë: “Këtë metodë obligohen që ta aplikojnë thirrësit!” Ekziston edhe një metodë tjetër, të cilën e përdor profesor Sejjid Kutubi në thirrjen e jobesimtarëve në besim për të konfirmuar ekzistimin e Krijuesit dhe Kreatorit të Madhërishëm. Sipas mendimit të Sejjid Kutubit, shkencat kozmologjike nuk mohojnë ekzistimin e Zotit të Madhërishëm por e kundërta e kësaj është e vërtetë.

Në këtë kontekst, ai dëshmon me thënie e deklarata të dijetarëve specialistë për të konfirmuar të vërtetat e tilla. Ai e zbërthen ateizmin në Perëndim dhe e definon si sëmundje të fesë dhe konceptit të Zotit nën ndikimin negativ të kishës, dhe në vazhdim do të shohim se si i shqyrton çështjet e tilla:

“Pakica e veçantë sot diskuton për ekzistimin e Zotit pa u mbështetur në shkencë, ngase shkenca nuk e pranon ateizmin, sepse nuk mund ta argumentojë një gjë të tillë, as nga ndonjë fakt shkencor e as nga natyra e Universit. Kjo e keqe i ka kapluar nga kisha dhe nga “Zoti i kishës”, ngase nuk mbështetej në asnjë parim fetar. Natyra instiktive e diskutuesve të tillë ndikon negativisht në rolin themelor të qenies njerëzore, ashtu siç ndodh metamorfoza e krijesave!

E vërteta e krijimit (si e vërteta e lulëzimit të jetës) nuk theksohet në Kur’an pa konfirmimin e ekzistimit të Zotit ngase diskutimi rreth kësaj çështje nuk ka vlerë të madhe dhe nuk meriton një qasje serioze në Kur’an, por përdorej vetëm për t’i drejtuar njerëzit në rrugë të drejtë si dhe gjatë jetës së tyre të jenë të bindur në monoteizmin e Zotit, në adhurimin e Tij, në Fuqinë e Tij, në Pushtetin e Tij dhe në të vërteta të tjera! Pra, vetëm Atij i takon adhurimi dhe nuk ka nevojë për shok…!

Xhulian Haksli, autori i veprave: “Njeriu nuk qëndron vet” dhe “Njeriu në botën moderne”, thekson disa ide që janë të pabaza dhe rrjedhin nga imagjinata e tij.
Në librin “Njeriu në botën moderne”, gjegjësisht në kapitullin: “Feja si çështje objektive”, flet gjëra të tilla të çuditshme dhe thotë:

“Progresi i shkencave; i logjikës dhe i psikologjisë – ka ndikuar që Zoti të jetë i padobishëm, ndaj dhe e kanë dëbuar shkencat natyrore nga intelektet tona sa që është zhdukur si krijues i Universit dhe është bërë vetëm “arsye e parë” ose parim i përgjithshëm dhe i paqartë”. Vili Deurant, autor i veprës “Ndriçimet e filosofisë” thotë:
“Filosofia hulumton Zotin, por jo Zotin e teologëve që e parashohin si diçka jashtë botës së natyrës. Ajo hulumton zotin e filosofëve që është ligj i botës… edhe pse thuhet, është vështirë të pranohet”.

Ne nuk i konsiderojmë argument të Kur’anit e as si argument për intelektet tona të disiplinuara me udhëzus të Kur’anit, por i theksojmë si dijetarë të diturisë njerëzore, të cilët merren seriozisht me këtë çështje.

Xhon Klivland Kotran, kimist e matematicient, doktor i Universitetit të Kornellit, njëherit edhe shef i Departamentit të Shkencave Natyrore i Univeritetit të Dolthit dhe autor i librit: “Zoti manifestohet në kohën e shkencës”, në kapitullin: “Rezultati i domosdoshëm”, thotë:
“A mund të paramendojë ndonjë i mençur, ose të besojë se materia është larg intelektit dhe urtësisë dhe se ajo befas vetë e ka krijuar veten e saj?

Apo ajo e ka krijuar këtë sistem dhe këto ligje, e pastaj ato ai ka imponuar vetvetes? Nuk ka dyshim se përgjigjja do të jetë negative. Materia shndërrohet në energji ose kur energjia shndërrohet në materie, ndodhë procesi sipas ligjeve konkrete dhe kështu edhe materia u nënshtrohet ligjeve të njëjta, të cilat vetë ajo paraprakisht i krijoi…

Mirëpo, nga ana tjetër kimia argumenton se disa materie zhduken dhe humbasin, madje disa zhduken me shpejtësi të madhe, ndërsa disa të tjera më ngadalë, dhe kështu, materia nuk është as e përhershme e as eternale, ngase ka fillim. Argumentet kimike dhe të shkencave tjera konfirmojnë se fillimi i materies nuk ka qenë i ngadalshëm e as gradual, por është gjetur papritmas dhe kështu, shkencat e tilla kanë mundësi të na caktojnë kohën kur janë formuar materiet e tilla.

Nga kjo nënkuptohet se kjo botë materiale duhet të jetë e krijuar dhe se, që nga krijimi i saj, lëviz në bazë të ligjeve dhe rregullave të caktuara kozmologjike, dhe kështu, zhduket teoria e befasisë. Pasi që kjo botë nuk mund ta krijojë veten e vet e as ligjet e veta, atëherë patjetër duhet të ekzistojë një Krijues që është jomaterial. Të gjitha argumentet konfirmojnë se ky Krijues duhet të jetë i mençur dhe i urtë.

Intelekti nuk mund të funksionojë në botën materiale (siç thuhet në mjekësi e psikologji) pa pasur dëshirë, dhe ai që dëshiron patjetër të jetë ekzistent nga vetja e vet. Rezultati i logjikshëm i intelektit tonë është se ky Univers, jo vetëm që ka Krijues, por Krijuesi i saj duhet të jetë i Urtë, i Gjithdijshëm dhe i Fuqishëm për çdo gjë që të ketë mundësi të krijojë, sistematizojë e rregullojë këtë Univers.

Ky Krijues duhet të jetë Ekzistent, i Përhershëm dhe të manifestojë faktet e Tij në çdo vend. Dhe kështu, detyrohemi të pranojmë ekzistimin e Zotit, Krijuesit dhe Mbikqyrësit të këtij Universi, ashtu siç thamë në fillim të këtij pasusi: “Progresi i shkencave që nga koha e Kalvinit, na bën që të bindemi si asnjëherë më parë, se ne, nëse mendojmë thellë, shkencat do të na obligojnë që të besojmë në Zot.”

Frank Alen, naturalist dhe biolog, në librin e tij: “Formimi i botës, rastësi apo qëllim?”, thotë:
“Shumë herë thuhet se ky Univers material nuk ka nevojë për krijues
pa ne. Nëse pranojmë se ky Univers ekziston, atëherë si do ta sqarojmë ekzistimin e tij? Rreth kësaj çështje, ekzistojnë këto teori:
1. Ky Univers është iluzion dhe kjo kundërshton atë që e thamë më parë rreth ekzistimit të saj;
2. Kjo botë është e përhershme pa fillim; dhe:
3. Kjo botë ka krijues.

Teoria e parë nuk është asgjë tjetër përveçse një teorie emocionale, ngase atë që e shohim nuk është diçka tjetër përveç iluzion dhe nuk është e vërtetë.
Kohëve të fundit, Xhejms Xhinsi i kthehet këtij mendimi dhe thotë se “Universi  në të vërtetë nuk ekziston, por është vetëm parafytyrim në iluzionet tona.” Mirëpo, në bazë të kësaj teorie, mund të themi se ne jetojmë në botën e iluzioneve, si p.sh. trenat që i shohim e që i prekim janë iluzione, udhëtarët janë iluzion, kalojmë lumenj që nuk janë të vërtetë, ecim mbi ura jomateriale etj. Ky mendim është totalisht iluzion i skajshëm, ndaj dhe nuk meriton të shqyrtohet e as të polemizohet!

Sipas mendimit të dytë, kjo botë, përfshirë materien dhe energjinë, u krijua nga hiçi, andaj as kjo teori nuk është më e mirë se ajo e para, ndaj dhe për këtë shkak nuk meriton të shqyrtohet, e as që ia vlen të polemizohet.
Sipas mendimit të tretë, Universi është i përhershëm dhe pa fund. Ky mendim ndërlidhet me mendimin që thotë se ky Univers ka Krijues, por dallohet në parimin se është i pafillim. Pra, përhershmëria duhet t’i përket ose botës që vdes ose Zotit që është i Gjallë e që krijon, dhe nuk është vështirë të zgjedhim mendimin më të përshtatshëm dhe më adekuat.

Ligjet e “termodinamikës” vërtetojnë se Universi dalë ngadalë po e humbet energjinë, sa që një ditë kjo nxehtësi do të arrijë në një shkallë shumë të ulët, gjegjësisht në zero absolute dhe atëherë, do të zhduket energjia dhe jeta do të jetë e pamundshme.

Pra, në këtë situatë të zeros absolute, krijesat dhe trupat do të zhduken me kalimin e kohës.
Dielli i ndritshëm, yjet që xixëllojnë dhe toka e pasur me lloje të ndryshme të jetës – janë argumente të qarta se burimi i Universit ndërlidhet me një kohë të caktuar që ka nisur në një moment konkret, dhe në këtë mënyrë janë krijuar krijesat. Kjo nënkupton se Universi duhet të ketë Krijues të përhershëm, i Cili është pa fillim, i Gjithdijshëm për çdo gjë, i Fuqishëm me fuqi të pakufizuar dhe se Ai është Krijues i këtij Universi.”

Lexuesi vëren se metoda e profesor Sejid Kutubit (Zoti e mëshiroftë!) ka të bëjë me thëniet e dijetarëve dhe të filosofëve europianë, si argument kundër atyre që mohojnë ekzistimin e Zotit të Madhërishëm. Kjo metodë vlen të ndiqet në jetën tonë të përditshme gjatë diskutimit, polemikës sonë me ateistë, sekular, filosof, jobesimtar; ngase mund të përdoret për të argumentuar me mendimet e tyre rreth çështjeve shkencore.

B). Thirrja e jobesimtarëve në bazë të dialogut të qëlluar dhe diskutimit më të mirë

Ky pasus ka vlerë shumë të rëndësishme, përkundër asaj se në fillim është shqyrtuar në mënyrë të thuktë. Këtu, tani do të përpiqem që të jap një zbërthim pak më të gjerë e më të detajshëm.
Shumë njerëz e thirrës janë marrë me da’vet në mbarë botën dhe disa prej tyre e kanë kuptuar urtësinë e aktivitetit të tillë, janë orvatur që të realizojnë rrugën e pejgamberëve dhe të dërguarëve (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ta!) dhe e kanë kryer me sukses obligimin e tyre, duke korrë fitore kundër vetes dhe kundër armiqëve të tyre. Mirëpo disa prej tyre, nuk e kanë kuptuar veprën dhe rolin e misionit të tyre, duke menduar se da’veti duhet bërë vetëm disa ditë, disa muaj ose disa vite, dhe kështu, kanë dështuar dhe pësuar disfatë pa e arritur pëlqimin e Zotit të tyre…

Sipas mendimit tim, thirrësi( hoxha, studiuesi i shekncave Islame) në Zotin e Madhërishëm i ngjanë tamam mjekut kirurg, qoftë në punë apo në detyrë, kjo ngase kirurgu operon qindra njerëz të sëmurë, pa marrë parasyshë shtetësinë, natyrën, fenë ose moralin e tyre. Mjeku obligohet që t’i trajtojë të gjithë njësoj, të jetë i qetë dhe i durueshëm në shërimin e tyre dhe i bindur se kjo është puna e vet në jetën e tij, ndaj dhe për këtë shkak, nuk ka arsye pse të hidhërohet apo të preket nga ankesat dhe pakënaqësitë e shumta të të sëmurëve.

Unë gjithashtu mendoj se thirrësit në Zotin e Madhërishëm duhet të kenë gadishmëri të plotë për t’u takuar individualisht me çdo njeri, qoftë ai i mirë apo mëkatar, besimtar apo jobesimtar, dijetar apo xhahil. Pra, duhet me zemërgjerësi t’i dëgjojnë ankesat e tyre, të cilat janë të shumta si dhe duhet të kenë kujdes ndaj të tjerëve.

Nuk është aspak urtësi që da’veti të përkufizohet vetëm brenda qarqeve të muslimanëve dhe kjo njëherit është edhe padrejtësi e madhe, ngase duhet të praktikohet edhe brenda qarqeve të jomuslimanëve.
Pyetja e rëndësishme, e cila mund të shtrohet këtu është: Kush prej thirrësve duhet t’i thërras jobesimtarët e të depërtojë në qarqet dhe në vendet e tyre? A ka kushte që janë të domosdoshme për thirrësin që do të veprojë në mesin e njerëzve të tillë?

Pra, sipas mendimit tim, thirrësit duhet të ndahen në thirrës të muslimanëve dhe në thirrës të jomuslimanëve, si dhe duhet të posedojnë cilësi e shkathësi të posaçme, të cilat nëse plotësohen atëherë do t’i lejohet thirrësit të merret me një aktivitet të tillë madhor. Ne do t’i shqyrtojme këto çështje në pjesën tjetër vijuese të këtij hulumtimi dhe do të flasim për cilësitë e thirrësit, të cilat mbështeten në metodën kur’anore.

Shejh Salih ibn Abdullah ibn Hamejdi në traktatin e tij mbi rëndësinë e sjelljes së mirë dhe mbi thirrësin e suksesshëm, thotë:

“Nga mënyrat e rëndësishme për të qenë thirrja e suksesshme në Zot dhe për t’i afruar njerëzit ndaj Islamit e për t’i praktikuar urdhërat dhe ndalesat e tij, është sjellja e mirë e thirrësit, gjegjësisht ai të jetë i pajisur me vepra të mira, cilësi të larta dhe moral të pastër, kështu, gjithnjë për të qenë shembëlltyrë për të tjerët dhe për t’i inspiruar njerëzit me konceptet e Islamit dhe të bëj që të afrohen njerëzit ndaj tj. Ndikimi me vepra e sjellje ka ndikim më të madh se sa fjalët…”

Këto fjalë rreth sjelljes së mirë janë shumë të rëndësishme, qoftë për muslimanët qoftë për të tjerët. Për shkak të vlerës së madhe të kësaj çështjeje, profesor Sejjid Kutubi (Zoti e mëshiroftë!) ka qëndrim të fortë e konkret rreth saj, dhe kjo vërehet qartë në tefsirin e tij të ajetit kur’anor të sures “El En’amë”, i cili ajet flet për da’vetin nëpërmjet urdhërit e ndalesës:

“Ju mos ua shani ata (zotat) që u luten (idhujtarët), pos Allahut, e (si hakmarrje) të fyejnë Allahun nga armiqësia, duke mos ditur (për Madhërinë e Tij). Kështu, Ne i kemi zbukuruar çdo populli veprimin e vet, mandej e ardhmja e tyre është te Zoti i tyre, e Ai shpërblen për atë që vepruan”. (El En’amë, 10).

Gjatë tefsirit të këtij ajeti, Sejjid Kutubi thotë:
“Edhe pse Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) urdhëroi që të kundërshtohen idhujtarët, gjegjësisht i urdhëroi besimtarët që t’iu kundërshtohen idhujtarëve, ai megjithatë i udhëzoi që t’i kundërshtojnë me sjellje të mirë e me edukatë të lartë, ashtu siç u takon të sillen besimtarëve.

Ata urdhërohen që të mos i fyejnë zotat e idhujtarëve, që pastaj edhe idhujtarë të mos e fyejnë Zotin e Madhërishëm, ngase ata (idhujtarët) nuk e dinin Madhërinë dhe Lartësinë e Zotit. Pra, nëse besimtarët i shanin zotat e tyre, atëherë ata do ta shanin Zotin e Madhërishëm: “Ju mos i shani ata (zotat) që u luten (idhujtarët), pos Allahut, e (si hakmarrje) të fyejnë Allahun nga armiqësia, duke mos ditur (për Madhërinë e Tij). Kështu Ne i kemi zbukuruar çdo populli veprimin e vet, mandej e ardhmja e tyre është te Zoti i tyre, e Ai i shpërblen për atë që vepruan”. (El En’amë, 108).

Sipas natyrës që Zoti ua krijoi njerëzve, secili njeri që vepron diçka, kënaqet dhe e mbron veprimin e vet, pra edhe nëse vepron vepra të këqija, përsëri kënaqet e i mbron ato. Nëse është i dhunuar, bën vepra të mira, madje edhe nëse është në humbje e vepron keq, ai vepron duke qenë i bindur se vepron mirë. Pra, e tillë është natyra e njeriut.182
Ata thërrasin në shokë krahas Zotit, edhe pse e dijnë se Zoti është Krijues dhe Furnizues. Nëse muslimanët i fyejnë zotat e tyre, ata do të distancohen nga besimi i tyre në Zot dhe do t’u luten hyjnive të tyre për të mbrojtur adhurimin, konceptet, pozitat dhe traditat e tyre!

Pra, besimtarët duhet t’i lënë ashtu siç janë: “Pastaj ata do t’i kthehen Zotit të tyre dhe do t’i informojë për atë që vepruan”. Kjo sjellje përputhet me natyrën e besimtarit, i cili është plotësisht i qetë në fenë e vet dhe tërësisht i bindur në besimin e vet, me zemër të udhëzuar, në të cilën nuk mund të depërtojë asgjë e keqe.
Nëse i shajnë zotat e tyre, nuk do t’i udhëzojnë, përkundrazi, akoma do t’ua shtojnë edhe më tepër këmbënguljen, e për një kundërveprim të tillë, asnjë besimtar nuk ka nevojë! Pra, një sjellje e tillë mund të ndikojë që idhujtarët t’ua shajnë muslimanëve Zotin e tyre të Madhërishëm!”

Ne mendojme se nga ajo që u theksua më sipër, është vështirë të realizohet ky parim, ndaj dhe për këtë shkak thirrësi duhet të ketë një strategji të posaçme me shoqërinë rreth kësaj çështjeje, që të ketë mundësi të praktikojë një parim të tillë.

Thirrësi duhet të veprojë në atë mënyrë, që të tjerët të kuptojnë se ai nuk u takon atyre, dhe kjo mënyrë do të ishte kështu:
– Të largohet prej tyre kur nuk bën da’vet;
– Të mos lejojë veten që ta vizitojnë të tjerët; dhe:
– T’u tregojë se ai nuk dakordohet me situatën e tyre, dhe se ngushtohet nga gjendja dhe sistemi i tillë i jetesës së tyre, ndaj dhe për këtë shkak, patjetër duhet të kërkohet rrugëdalje e ndryshim.

Nga fjalët e profesor Sejjid Kutubit nënkuptohet parimi i ndërmarrjes së hapave preventive, si dhe parimi i krahasimit në mes veprave të mira dhe atyre të këqija. Këto gjëra duhet të aplikohen në sferën da’vetit islam, me qëllim që që thirrësi të mos përjetojë diçka të papëlqyer apo edhe të dështojë në da’vet, për shkak të veprave e fjalëve të tyre, nëse nuk përdoren urtësia dhe parimet e theksuara të Sheriatit.

 

Asoc.Prof.Dr.Hfz.Hajredin Hoxha
Rruga e Da’wetit në Allahun xh.sh. nën hijen e Sures El En’am (Direktiva te arta për hoxhallarë dhe studentë sipas Tefsirit të prof.Sejid Kutub)