Korrektimi i metodës së mendimit, hulumtimit dhe da’vetit sipas metodës gnostike dhe edukative

0
128

 

Kur’ani Fisnik erdhi për të korrektuar shumë çështje dhe koncepte të xhahilijetit, si nga aspekti i moralit, jetës sociale, ashtu edhe nga aspekti ekonomik, prandaj sureja “El En’amë” është shembulli më i mirë i një korrektimi të tillë.

Nga konceptet e gabuara të arabëve të cilat i shqyrtoi Kur’ani Fisnik, ishte edhe projektimi i rrugës, nëse dëshironin ta kuptonin këtë fê dhe natyrën e saj ashtu siç duhej, ndaj dhe i obligoi që fuqitë e tyre njerëzore dhe njohuritë e tyre të kufizuara t’i mbështesin në fê, si dhe të mos tejkalojnë në çështjet e padukshme që të mos hutohen dhe kështu, të humbasin në errësirat e injorancës, hamendjes dhe të hutisë…

Ne obligohemi që të respektojmë gjërat që i ka ndaluar, të mos zhytemi në çështjet e determinizmit dhe indeterminizmit (kadasë dhe kaderit), ashtu siç zhyteshin idhujtarët në çështje të tilla dhe thoshin: “E ata që i shoqëruan Zotit, do të thoshin: “Sikur të donte Allahu nuk do ti bënim shok (nuk do të ishim idhujtarë), as ne, as prindërit tanë, e as nuk do të ndalonim asnjë send.” (El En’amë, 148).

Profesor Sejjid Kutubi (Zoti e mëshiroftë!) në tefsirin që i bën ajetit kur’anor “E ata që i shoqëruan Zotit, do të thoshin: ”Sikur të donte Allahu nuk do ti bënim shok (nuk do të ishim idhujtarë), as ne as prindërit tanë, e as nuk do të ndalonim asnjë send. Kështu patën gënjyer edhe ata që ishin para tyre derisa (për shkak të mëkatit) përjetuan dënimin tonë të ashpër. Thuaj: “A mos keni ndonjë fakt e të na e prezentoni atë neve?” Ju mbështeteni vetëm hamendjes, në të vërtetë vetëm gënjeni. Thuaj: “Allahu ka argumentin më të  plotë dhe sikur të donte Ai, do t’ju vinte në rrugë të drejtë të gjithëve.” (El En’amë, 148-149); – thotë:

“Çështja e dytë kishte të bëjë me korrektimin e metodës së mendimit dhe persiatjes. Zoti i urdhëroi dhe i ndaloi nga veprat e këqija dhe këtë duhet ta dijnë dhe ta besojnë me bindje të plotë. Dëshira e Zotit është çështje e fshehtë dhe atë nuk mund ta dijë askush. Pra, si ta dijmë atë? E nëse nuk e dijmë, atëherë si të bindemi dhe si të mbështetemi në këtë?

“Thuaj: “A mos keni ndonjë fakt e të na e prezentoni atë Neve?“ “Ju i mbështeteni vetëm hamendjes, në të vërtetë vetëm gënjeni.”
Urdhërat dhe ndalesat e Zotit dihen në mënyrë kategorike, dhe pasiqë i dijnë, atëherë pse t’i braktisin ato e të thellohen në gjëra që nuk i dijnë? Kjo është përfundimtare rreth kësaj çështje. Zoti i Madhërishëm nuk i obligon njerëzit që të dijnë fshehtësinë dhe kaderin e Tij e as që të veprojnë sipas dëshirës së tyre, por i obligon që t’i dijnë urdhërat dhe ndalesat dhe të jetojnë sipas tyre. Kur përpiqen të bëjnë një gjë të tillë, Zoti i Madhërishëm i udhëzon, ua hapë zemrën në Islam, dhe në raste të tilla, kjo çështje duket shumë e lehtë dhe e qartë nga aspekti shkencor dhe është larg paqartësisë së dialogut e bisedave të tilla hamendëse!

Zoti i Madhërishëm ka mundësi që t’i krijojë njerëzit të udhëzuar, t’i drejtojë në udhëzim ose t’ua hedhë udhëzimin në zemrat e tyre e të udhëzohen fare lehtë, por Zoti i Madhërishëm dëshiroi që njerëzit t’i bëjë të kenë fuqi për t’u drejtuar kah udhëzimi ose humbja dhe t’i ndihmojë atij që dëshiron të udhëzohet, pra, t’ia mundësojë një gjë të tillë.

Ai vepron sipas dëshirës së Vet!
“Thuaj: “Zotit i takon argumenti i madh (fortë), dhe sikur të
dëshironte, do t’ju udhëzonte të gjithëve.” Kjo është çështje e qartë dhe e formuluar në një formë shumë të lehtë e të kapshme për njerëzit, prandaj për Islamin dhe për metodën islame, diskutimi rreth kësaj çështjeje është i panjohur, ngase asnjë dialog i tillë filozofik ose teologjik nuk ka përfunduar me ndonjë rezultat të kapshëm…

Dialogu e shqyrton këtë çështje në një mënyrë që nuk përputhet me natyrën e saj, ngase natyra e çdo të vërtete përcakton metodën e shqyrtimit dhe mënyrën e zbërthimit të saj. P.sh.:
– E vërteta materialiste mund të analizohet në bazë të eksperimenteve
laboratorike;
– E vërteta matematikore mund të shqyrtohet nga aspekti i parimeve
teorike;
– E vërteta metafizike duhet të analizohet me ndonjë metodë tjetër; dhe: – Kjo është ashtu siç thamë më parë: “Metoda e shijes praktike të kësaj të vërtete nga aspekti praktik.”

Si në të kaluarën, ashtu edhe sot, njerëzit janë përpjekur të zhvillojnë dialog e të shqyrtojnë çështjet mendore me metoda të tilla… Pastaj erdhi kjo fê (Islami) që të realizojë një realitet shkencor me urdhra e ndalesa të qarta, ndërsa thellimi në dëshirën metafizike është hyrje në huti, ngase aty flet mendja pa argumente dhe aty humbet energji e madhe, në vend që kjo energji të harxhohet në vepra pozitive, realiste e të dukshme168 nga njëra anë, dhe nga ana tjetër u erdhi Kur’ani Fisnik me metodë gnostike e edukative, krejtësisht të re për ta.

Profesor Sejjid Kutubi e ilustron këtë metodë gjatë tefsirit të tij të ajetit kur’anor: “Thuaj “Ecni nëpër tokë e mandej shikoni se si qe përfundimi i gënjeshtarëve.” (El En’amë, 11).
Këtu gjithsesi do të vërejmë një pjesë të rëndësishme të metodës së profesor Kutubit, të cilën ai e përdori gjatë tefsirit të ajeteve që ka të bëjë me rëndësinë e historisë dhe me rolin e saj në edukimin e gjeneratave. Ne poashtu do të vërejmë se si ai i sqaron pikat qendrore dhe shtyllat e studimit të historisë nga aspekti islam.

Në shumë vende të tefsirit të tij “Fi dhilâlil-Kur’an” kërkon rishkrimin e historisë islame prej fillimit. Arabët ecnin nëpër tokë për shkaqe tregtie e jetese dhe nuk ua vënin veshin gënjeshtarëve kur kalonin rreth shtëpive të tyre natën e ditën, e as që i dëgjonin. Në kontekst të kësaj, Kur’ani fisnik thotë:

“E ju (mekas) me siguri kaloni aty pari mëngjes (ditën) e mbrëmje (natën). Pra, a nuk mblidhni mend?” (El Saffatë, 137-138). Zoti i Madhërishëm dëshiron që t’i informojë ata, neve dhe gjeneratave që do të vijnë pas nesh, deri në Ditën e Kijametit se jeta në tokë duhet të eci ashtu siç thekson Ai (Zoti) duke marrë mësim e këshilla dhe të mos i dënojë Zoti ashtu siç i dënoi ata (popujt e mëparshëm)…

Ky ajet është një ndër ajetet që flasin për da’vetin (thirrjen) por në mënyrë këshilluese. Të shohim se ç’thotë profesor Sejjid Kutubi (Zoti e mëshiroftë!) rreth kësaj çështjeje. Në tefsirin e ajetit kur’anor: “Thuaj: “Ecni nëpër tokë e mandej shiheni se si qe përfundimi i gënjeshtrave”. (El En’amë, 11); – ai thotë: “Ecja nëpër tokë duhet të ketë qëllim shikimi, mendimi e persiatjeje si dhe për t’i njohur ligjet e Zotit, të regjistruara në ngjarje e ndodhi dhe në gjurmë të dukshme, gjegjësisht në historinë e transmetuar nga ngjarjet që reflektohen përmes gjurmëve në tokë e në popuj.

Pra, ecja duhet të jetë e kësaj natyre dhe duhet të realizohet me vetëdije dhe për qëllime të tilla. Natyrisht se për arabët të gjitha këto gjëra ishin të reja!
Paramendo transformimin që ua bëri metoda islame hyjnore prej xhahilijetit në këtë nivel të vetëdijes, mendimit, zbërthimit dhe njohurive. Ata duhej të ecnin sipas metodës gnostike-edukative dhe kjo ishte diçka e re për ta.

Kjo metodë e re i barti ata prej xhahilijetit në rrugën që lartëson deri në piedestal.”
Më pas, Sejjid Kutubi e përfundon fjalën e tij rreth kësaj çështjeje të rëndësishme duke thënë:
“Kjo metodë, nga aspekti i komentimit të historisë ishte diçka e re për intelektin njerëzor të asaj kohe, ngase nuk kishte shumë informata historike, përpos transmetimeve nga ngjarjet, traditat dhe njerëzit, por pa pasur ndonjë metodë analitike ose strukturale që i ndërlidh ngjarjet në mes veti, ashtu siç ndërlidhen sot, në mes premisave dhe rezultateve si dhe në mes periudhave e ngarjeve.

Metoda kur’anore i ngriti njerëzit në lartësi të tilla dhe i obligoi që të përdorin metodën e shikimit në ngjarjet e historisë njerëzore. Kjo metodë nuk është periudhë e mënyrave, mendimit apo e njohurisë, jo, por është metodë që i jep komentim të saktë historisë njerëzore.”

Nga kjo që u cek më lartë rreth tefsirit të ajetit Kur’anor mund të nxjerrim shumë mësime të rëndësishme për jetën tonë. Sa herë që ndëgjojmë për termete, vërshime, vullkane, tsunami, kallje të pyjeve, stuhi, të reshura atmosferike (shi,borë), epidemi, uri, thatësi, etj etj, ne duhet të marim mësime nga këto ndodhi dhe ti lutemi Allahut xh.sh. për mirqenien tonë. Të ruhemi nga shkaqet që na shpiejnë drejt hidhërimit të Allahut xh.sh, dhe të marim mësim prej këtyre ndodhive katastrofale që sot e kanë kapluar tërë planetin tonë.

Ti analizojmë veprat, dukuritë negative të atyre popujve që janv sprovuar me këso sprova të rënda, në mënyrë që ta evitojmë dënimin e Allahut Fuqiplotë, me teube dhe istigfar dhe korixhim të veprave individuale apo kolektive, me urdhëresë kah e mira dhe ndalimin nga e keqja.

 

Asoc.Prof.Dr.Hfz.Hajredin Hoxha
Rruga e Da’wetit në Allahun xh.sh. nën hijen e Sures El En’am (Direktiva te arta për hoxhallarë dhe studentë sipas Tefsirit të prof.Sejid Kutub)