Përmirësimi i shoqërisë sipas metodës kur’anore

0
168

Në bazë të asaj që u theksua më parë, mund të konkludojmë se Islami së pari i ftonte njerëzit në përforcimin e besimit dhe pas kësaj, ata (njerëzit) fillonin ta kuptonin të vërtetën e hyjnisë dhe të adhurimit në kuptimin më të gjerë.

Kur të realizohet kjo, besimi fillon e depërton thellë në shpirtin e njerëzve dhe atëherë do të bindemi se ky parim është përforcuar dhe stabilizuar. Pas këtij hapi, thirrësi vazhdon të ndërtojë ndërtesën, gjegjësisht shoqërinë nga aspekti i moralit, jetës dhe sistemit. Kjo shoqëri duhet të mbështetet në parimin e shëndoshë e të fortë, i cili parim nxirret nga Kur’ani dhe Sunneti, si dhe të vazhdojë më tej në jetë, sipas parimeve të Islamit.

“Thirrësi duhet të ndiejë se thirrja e tij është e gjallë, kreative, e lëvizshme dhe aktive. Se ajo lëviz dhe gjallëron nga ndjenjat dhe gjaku. Se thirrja nuk e lë të preokupohet me fëmijët apo me pasurinë e tij… Ja, ky është thirrësi i sinqertë! Vetëm kështu do të ndiejë besim të fortë në da’vetin e tij, i cili ndikon në zemrat e njerëzve dhe i vë në lëvizje ndjenjat e tyre aty ku aspiron të arrijë.”

Cila është metoda me të cilën i drejtohemi popullit dhe si ta nxjerrim atë nga sureja “El En’amë”? Cilat janë çështjet e mëdha fetare të cilat duhet t’i kuptojë thirrësi, për të pasur sukses në përmirësimin e shoqërisë sipas metodës kur’anore? Për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, ne sërish do t’i referohemi mendimeve të profesor Sejjid Kutubit, rreth disa çështjeve dhe problematikave fetare aktuale, si çështja e dhunës, përdorimi i saj, largimi dhe distancimi nga kriminelet e mëkatarët, idhujtaria e idhujtarët, etj.

Unë them se profesor Sejjid Kutubi (Zoti e mëshiroftë!), i ka deduktuar të gjitha këto çështje dhe çështjet tjera nga sureja “El En’amë” gjatë tefsirit të saj, posaçërisht gjatë tefsirit të ajeteve të cilat flasin për da’vetin dhe thirrësit.

Në vijim do t’i theksojmë disa çështje të cilat i shqyrton profesor Sejjid Kutubi gjatë tefsirit të ajeteve të da’vetit në tefsirin e tij “Fi dhilâlilKur’an.”:

A). Çështja e mbështetjes së thirrësve në dhunë dhe në përdorimin e forcës:
Këtu vlen të theksojmë disa mendime të profesor Sejjid Kutubit, i cili i ka shprehur ato, në disa shkrime të tjera rreth kësaj çështjeje, me qëllim që thirrësi ta kuptojë sa më mirë rolin e tij të rëndësishëm që ka në shoqëri.

Në një letër kundër pushtetit diktatorial egjiptian, gjatë marrjes së tij në pyetje në një burg ushtarak të sigurisë së lartë, letër kjo, që njëherit konsiderohet dokument sekret, profesor Sejjid Kutubi (Zoti e mëshiroftë!) shprehet për aktivitetin e tij, organizimin e lëvizjes dhe anëtarësimin e tij në radhët e Vëllezërve Muslimanë, ndaj dhe rreth këtyre aktiviteteve thotë:

“Nuk duhet të fillohet me asnjë organizim, përpos nëse individët arrijnë shkallë të lartë të të kuptuarit të besimit dhe nëse pajisen me moral islam në sjellje, bashkëpunim e vetëdije. Nuk duhet të nisemi nga parimi i formimit të sistemit islam dhe Sheriatit, por pikënisja duhet të jetë nga transformimi i shoqërive (pushtetarëve dhe popullit) drejt koncepteve të vërteta islame dhe nga formimi i një parimi, i cili edhe nëse nuk e përfshinë tërë shoqërinë, mjafton të ketë ndikim në elementet dhe institucionet që kanë ndikim në udhëzimin dhe në drejtimin e kahjes së tërë shoqërisë, për të shprehur dëshirë që të formojnë sistemin islam dhe ligjin e Sheriatit. Formimi i sistemit islam dhe ligji i Sheriatit nuk mund të realizohen në bazë të grushtshteteve nga lartë, por nga ndryshimi i konceptit dhe botkuptimit të tërë shoqërisë apo të bashkësive që mund ta lëvizin tërë shoqërinë. Shoqëria duhet të bindet se vlerat morale dhe aplikimi i Islamit mund të bëjnë që sistemi i tyre të jetë Sheriati si ligj i legjislativit.”

Nga fjalët e profesorit shehid nënkuptojmë se shoqërinë duhet ta edukojmë me edukatë të vërtetë islame, e cila bazohet në Kur’an dhe Sunnet, dhe se kjo dëshmi e profesor Sejjid Kutubit (Zoti e mëshiroftë!) është e qartë sikur Dielli dhe njëherit bindshëm na vërteton se ai nuk besonte në përdorimin e dhunës, fuqisë, shkatërrimit dhe eksplodimit për të arritur në pushtet, gjegjësisht përmes metodave të grushtshteteve apo revolucioneve, përkundrazi…

Mirëpo, shumë shkrimtarë dhe hulumtues të huaj apo edhe arabë, me pa të drejtë, kanë ngritur akuza dhe kanë trilluar gënjeshtra nga më të ndryshmet për të dhe për partinë e Vellezrve Musliman që kan fitu me shumicë të madhe në zgjedhjet demokratike të fundit në Egjipt, pas Revolucionit të 25 Janarit 2011…

Kjo është argument dhe dëshmi shumë e fortë për pastërtinë e tij dhe të Vëllezërve Muslimanë nga trillimet e armiqëve të tyre cionistë e kryqtarë dhe të bashkëpunëtorëve të tyre. Imam Hasan El-Benna, udhëheqësi i përgjithshëm i Vëllezërve Muslimanë (Zoti e mëshiroftë!) dhe profesor Sejjid Kutubi ishin shtyllat më të rëndësishme dhe më të mëdha të udhëheqësisë fetare që frymëzonin Vëllezërit Muslimanë me edukatë të shëndoshë islame dhe urtësi, ata aspak nuk thirreshin në ekstremizëm, kryengritje, dhunë dhe vrasje, ndaj dhe akuzat për një gjë të tillë, janë tendencioze, me prapavijë (cioniste e kryqtare) dhe plotësisht të kota e të pakuptimta.

Nuk ka dyshim se ata gjykojnë nga larg sipas epsheve dhe paragjykimeve të tyre, e jo sipas të së vërtetës dhe realitetit, ngase sikur t’i lexonin me vëmendje mësimet e Imam Hasan El-Bennasë dhe mendimet e idetë e profesor Sejjid Kutubit (Zoti i mëshiroftë të dy!), do të kuptonin fare qartë, se ata të dy janë të pastër nga akuzat, shpifjet dhe gënjeshtrat e këtilla. Ne kështu mendojmë për ta dhe llogaritësi më i mirë i tyre gjithsesi është Zoti i Madhërishëm! E, ne, para Zotit nuk mund ta pastrojmë askënd!

B). Natyra dhe universalizmi i kësaj feje

Këtu, vlen të theksojmë disa mendime të profesor Sejjid Kutubit, me të cilat sqaron natyrën e kësaj feje dhe universalizmin e saj për thirrësit në Zot.
Thirrësi duhet të kuptojë se për shoqërinë është e përshtatshme metoda hyjnore e cila përbëhet nga mësimet e pastërta të Kur’anit Fisnik dhe Sunnetit të Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

Në këtë kontekst, profesor Sejjid Kutubi (Zoti e mëshiroftë!) thotë:
“Natyra e kësaj feje e bën të veten! Kjo është fê që mbështetet tërësisht në parimin e hyjnisë monoteiste. Të gjitha sistemet dhe të gjitha ligjet sheriatore dalin nga ky burim i madh. Kjo është sikur një lis i madh që bën hije të madhe dhe ka degë të gërshetuara që i rrijnë lartë dhe që ka nevojë për rrënjë të thella për ta mbrojtur trupin e vet. E tillë është edhe kjo fê, ngase sistemi i saj regullon çdo gjë në jetë.

Kjo fê i sistemon çështjet e të gjithë njerëzve, qofshin ata të mëdhenj apo të vegjël, sistemon jetën e njeriut, jo vetëm në çështjet e kësaj dynjaje, por edhe në ato të botës tjetër (ahiretit), jo vetëm në marrëdhëniet e dukshme materiale por edhe në ndjenja, në fshehtësi e qëllime! Kjo fê është institucion i madh, i gjerë, gjithpërfshirës dhe dominues, ndaj dhe për këtë shkak ka nevojë për rrënjë…!”

Ai (Zoti e mëshiroftë!), poashtu thotë:
“Ky është një aspekt i fshehtësisë dhe natyrës së kësaj feje, që përcakton metodën e vet për formimin e njeriut dhe më tej…, përcakton formimin e besimit, depërtimin e universalizmit të këtij besimi thellë në shpirt. Kjo është e domosdoshme për formim korrekt, sigurim për të siguruar raportin në mes formës së dukshme të drurit mbi tokë dhe rrënjëve të tij në thellësi të tokës.

Kur të përcaktohet besimi: “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut!” – në brenditë më të thella, atëherë gjithsesi do të përforcohet edhe sistemi që del nga parimi: “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut!”

Nënshtrimi është parim i besimit dhe nëpërmjet këtij nënshtrimi, njerëzit me kënaqësi dhe vullnet i pranojnë parimet e Islamit dhe ligjet e tij.
Ata nuk i refuzojnë që në fillim dhe nuk i aplikojnë vetëm në mënyrë formale.
Kështu do të zhduken vera (alkooli), kamata, bixhozi, traditat e xhahilijetit, tërë kjo- falë ajeteve të Kur’anit dhe haditheve të Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

Edhe pse qeveritë tokësore bëjnë përpjekje që t’i ndalojnë gjërat e tilla me ligje, sisteme, vendime, dekrete, ushtri, pushtet, propagandë e mediume, ata megjithatë, përsëri dështojnë në këtë gjë…”

Nga kjo që u tha më sipër, vërehet se metoda e profesor Sejjid Kutubit mbi të kuptuarit e ajeteve të da’vetit, gjatë dhënies së shembujve për njerëzit, ekskluzivisht mbështetej në Kur’anin Fisnik. Nga e gjithë kjo, ai tentonte të vërtetojë universalizmin e kësaj feje në çdo aspekt të jetës, si për të mëdhenjtë ashtu edhe për të vegjëlit, si për njerëzit e elitës, ashtu edhe për njerëzit e thjeshtë, të dukshmen dhe të padukshmen…

Pa universalizmin e tillë nuk do të mund të stabilizohet gjendja e muslimanëve dhe e gjeneratave të ardhëshme. Shembulli paraprak me lisin është shembulli më i mirë për thirrësit në Zot, mbi vlerën dhe rëndësinë e besimit, dhe para se gjithash: Mbi mbjelljen e tij në zemra.

C). Pikënisja – përcaktimi i rrugës së besimtarëve ndaj rrugës së kriminelëve

Ndokush mund të thotë: “Mirë, ne e pranojmë Kur’anin si metodë të jetës sonë, por cilat janë pikat dhe çfarë projekti ka kjo metodë hyjnore në besim e dinamikë, si dhe kush do t’i caktojë për ne pikëpamjet e kësaj metode? Ku është pikënisja? Në cilat parime duhet të mbështetemi për edukimin tonë dhe të shoqërisë sonë?”

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, duhet patjetër të shqyrtojmë disa çështje të rëndësishme rreth thirrjes apo da’vetit në përmirësimin e shoqërisë, sipas metodës së vetme kur’anore, sipas vizionit të profesor Sejjid Kutubit. Vlen të theksojmë se disa nga këto çështje dhe sqarimin e tyre e kemi theksuam edhe më sipër.

Përgjigjen ndaj kësaj pyetje e gjejmë të ky dijetar idealist (Zoti e mëshiroftë!) kur e caktoi parimin e besimit për pikënisje dhe epiqendër. Siç duket, përsëritja e shumtë e kësaj çështjeje, na bën që të ndalemi më hollësisht në të, me qëllim që t’i sqarojmë dimensionet e saj fetare dhe domethënien edukative të saj.

Kjo piknisje konsiston qartësinë dhe dallueshmërinë e rrugës së besimtarëve dhe jobesimtarëve, të mirëve dhe të këqinjëve, të sinqertive dhe hipokritëve…etj. Kur bëhet dallimi në mes të këtyre grupeve;atëhere kuptohet haptazi dhe në mënyrë decisive mesazhi i thirjes sonë.

Sejjid Kutubi (Zoti e mëshiroftë!) thotë:
“Nga kjo epiqendër duhet të fillojë çdo lëvizje islame për të përcaktuar rrugën e besimtarëve dhe rrugën e kriminelëve.
Duhet të fillosh me definimin e rrugës së besimtarëve dhe me definimin e rrugës së kriminelëve, për t’i dalluar besimtarët nga kriminelët në botën reale e jo në botën e teorive, dhe kështu thirrësit muslimanë dhe lëvizja islame do të dijnë se kush në të vërtetë është musliman e kush kriminel.

Pas përcaktimit të rrugës së besimtarëve, metodës dhe shenjave të tyre si dhe të rrugës së kriminelëve, metodës dhe shenjave të tyre, atëherë nuk do të përzihen këto dy rrugë, dhe për rrjedhojë nuk do të ketë gabim në adresë dhe nuk do të ketë më përzierje në mes cilësive e karakteristikave të besimtarëve dhe atyre të kriminelëve.”

Për mos me e lënë lexuesin dhe thirësin të habitur dhe pa pergjigje për pyetjen e shtruar nga pytësi: se vallë cfarë është ajo rruge?dhe e kujtë ështe?
Profesori pergjigjet vet duke thënë se:
“Rruga e muslimanëve është rruga e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe e atyre që janë me të në këtë fê. Ky përcaktim ekzistonte dhe ky sqarim ishte i plotë, në ditën kur Islami i kundërshtonte idhujtarët në Gadishullin Arab.

Rruga e muslimanëve të mirë është rruga e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe e atyre që ishin me të, ndërsa rruga e idhujtarëve kriminelë-ishte rruga e atyre që nuk ishin futur me të në këtë fê. Islami kudo e luftonte idhujtarinë, totemizmin, ateizmin dhe fetë e ndryshme të devijuara nga burimi qiellor, pas intervenimeve njerëzore. Islami, kudo dhe kurdo që ballafaqohej me këto sekte e fraksione, rrugën e kishte plotësisht të qartë: Ajo ishte rruga e besimtarëve të devotshëm, e cila tërësisht ishte e qartë, ashtu siç ishte e qartë edhe rruga e idhujtarëve jobesimtarë e kriminelë, dhe këtu, në këtë gjë, nuk ka kurrfarë përzierje apo hutie!”

Pas ilustrimit të pikënisjes dhe epiqendrës, ai vazhdon të flas për vështirësitë dhe peripecitë me të cilat do të ballafaqohen thirrësit për të realizuar Sheriatin e Allahut të Madhërishëm dhe për aplikimin e tij në tokë. Në këtë kontekst, ai (Zoti e mëshiroftë) thotë:

“Peripecia e madhe e cila do t’i sfidojë lëvizjet e Islamit dhe të vërtetës sot, nuk ka të bëjë me këtë, por ka të bëjë me ekzistimin e njerëzve nga radhët e muslimanëve, të cilët jetojnë në vendet që më parë ishin vatra të Islamit e të fesë dhe Sheriatit të Zotit, kurse tash, në tokat e tilla, njerëzit largohen nga Islami i vërtetë dhe atë (Islamin) e bartin vetëm në emra. Ata e mohojnë besimin dhe realitetin e parimeve të Islamit, edhe pse mendojnë se kanë besim islam!”

Nga kjo që u cek më lartë prej fjalëve të profesor Sejjid Kutubit, duhet të kuptojmë mirë se Islami nuk mjafton me anën teorike, por kërkohet në mënyrë decizive edhe aspekti praktik i Islamit. Nuk mjafton për ne të emërtohemi me emra musliman a ndërsa me veprat tona i kundërshtojmë parimet Islame.

Profesori pastaj vazhdon t’ua sqarojë të vërtetën e Islamit thirrësve në Zot, duke u thënë:
“E vërteta e Islamit… Islami është dëshmi se “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut!”… Dëshmia: “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut!” vërehet në parimin e besimit se vetëm Zoti është Krijues i këtij Universi, se njerëzit vetëm Zotit duhet t’i drejtohen gjatë adhurimit dhe aktiviteteve tjera në jetë, se vetëm nga Zotit i marrin ligjet dhe se vetëm pushtetit të Tij i nështrohen në jetën e tyre…

Secili individ që nuk dëshmon se “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut!”
në këtë kuptim, nuk konsiderohet se ka bërë dëshmi dhe se ka hyrë në Islam, përkundër asaj se ka emër, pseudonim apo rrjedhë islame.

Sot në tokë ka njerëz që kanë emra muslimanësh, janë nga rrjedha e muslimanëve dhe janë nga vendet të cilat një kohë ishin vatër e Islamit, por sot as njerëzit nuk dëshmojnë se “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut!”, e as ka vende të cilat, me plot kuptimin e fjalës besojnë në Zot…Vazhdon profsor Sejjid Kutubi në diagnozimin e problemit që ballafaqohen thirësit e Islamit dhe lëvizjet Islame, duke thënë:

Këto lëvizje, sot më së shumti vuajnë nga:
– Kaosi, paqartësia dhe tollovia që e kanë kapluar kuptimin e parimit: “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut!”, si dhe të Islamit nga njëra anë dhe kuptimin e idhujtarisë e të injorancës (xhahilijetit) nga ana tjetër;
– Mosqartësimi në mes rrugës së muslimanëve të devotshëm dhe rrugës
së idhujtarëve kriminelë; dhe:
– Përzierja e simboleve dhe titujve, tollovia në mes të emrave e cilësisë dhe mosekzistimi i dallimeve në mes rrugëve.”

Nga fjalët e mësipërme të profesor Sejjid Kutubit, qartë nënkuptohet se ai mbështetet në domosdoshmërinë e sqarimit të metodës islame, detajet e hollësitë e saj për Ummetin islam në përgjithësi, dhe për thirrësit në veçanti. Kjo është një pjesë nga metoda e tij në të kuptuarit e ajeteve të da’vetit, gjegjësisht nga indukcioni i koncepteve të tilla nga ajeti fisnik: “Që të dalë në shesh rruga e kriminelëve.” (El En’amë, 55).

Ai thekson se arsyeja e përzierjeve të nocioneve dhe koncepteve të muslimanëve, sot, në kohën tonë, është moskuptimi i kësaj teme dhe largimi i njerëzve nga mësimet dhe parimet e kësaj feje, si dhe ardhja gjer te përzierja e gjërave në të shumtën e rasteve.
Këtu vlen të theksohen disa çështje dhe problematika që kanë të bëjnë me atë që u theksua më sipër, gjegjësisht me përcaktimin e distancimit nga mëkatarët, kriminelët, dhe pyetjet që lindin më pas: Sa mund të largohemi prej tyre, prej cilëve të largohemi, si dhe a mund të ulemi dhe kur të ulemi me ta?!

Profesor Sejjid Kutubi thotë:
“Akoma ndiejmë se kemi nevojë të përcaktojmë se kush janë idhujtarë?
Idhujtarë janë ata të cilët i bëjnë shirk Zotit në çështjet hyjnore:
– qoftë në besimin në ndonjë tjetër krahas Zotit;
– qoftë me simbolet adhuruese për ndonjë tjetër krahas me Zotin;
dhe:
– qoftë në pranimin e pushtetit dhe sheriatit nga ndonjë tjetër përveç Zotit.

Më mirë do të ishte sikur të thonim se të ai i cili ka lidhje me njërën nga këto tre pika – ata janë idhujtarë – edhe nëse quhen muslimanë! prandaj të jemi të bindur në fenë tonë!
Përkufizimi i shoqërimit me zullumqarët (idhujtarët), të cilët e konsiderojnë fenë si lojë dhe zbavitje! Veç u theksua më parë se kjo ka të bëjë me rikujtim dhe kujdes e jo për diçka tjetër! Apo nëse e marrin si lojë e zbavitje në çfarëdo mënyre që i theksuam më parë.”

Në kontekst të këtij ajeti, në librin “El-Xhami”u li ahkamil-Kur’an”, Imam El Kurtubiu thotë:
“Në këtë ajet kundërshtohen ata që mendojnë se imamët, që janë udhëheqës e argument, duhet të ulen me mëkatarët për t’i korrektuar mendimet e tyre të gabuara!”

“Ne themi (këto janë fjalët e Sejjid Kutubit, vërej. e H. Hoxhës) se ajeti lejon në mënyrë të kufizuar uljen apo shoqërimin e tyre (mëkatarëve) me qëllim të këshillimit, përkujtimit161 dhe të korrektimit të ideve të tyre devijuese e të gabuara. Ndalohet mosreagimi ndaj fjalëve dhe veprave të mëkatarëve të devijuar, ngase në këtë mënyrë konstatohet se pranohet e keqja dhe dëshmohet kundër të vërtetës.

Këtu krijohet huti për njerëzit, lojë me fenë e Zotit dhe me fetarët, ndaj dhe për këtë shkak, në rast të tillë, duhet të ketë largim dhe distancim.”

Nga ajo që u theksua rreth metodës dhe sqarimit të profesor Sejjid Kutubit, gjegjësisht rreth ndarjes dhe distancimit nga mëkatarët dhe kriminelët, vërejmë se ai qëndrimin e tij e shpreh, duke u bazuar në ajetin kur’anor: “Ja, kështu Ne u sqarojmë argumentet në mënyrë që të dalë në shesh rruga e kriminelëve.” (El En’amë, 55)

“ Këtu vlen të përmendet problematika apo fenomeni negativ bashkëkohor i disa të rinjëve ekstremist shqiptar -hoxhallarë dhe studentë-, boshnjak, turq, anglez, amerikan pakistan, arab etj, ku ata në shumë raste janë bërë vegël destruktive më shumë se sa vegel konstruktive. Dmth, ata në të shumtën e rasteve që i kam përjetuar dhe i kam pa anembanë globit tokësor- gjatë kohës së studimeve si student dhe si akademik nëpër universitete të ndryshme- nuk e kanë të qartë këtë realitet.

I kam pa ata duke diskutuar, debatuar dhe duke shaktuar probleme nëpër xhamija ku falen pes kohët e namazit nëpër qytetet e Kosvës dhe gjetiu, me pleq, besimtarë të udhëzuar, të drejtë, të pafajshëm; pa ndonjë arsye serioze apo shkencore domethënëse! Saqë ka shkaktuar kjo dukuri urretje te masa e gjerë, dhe në qarqe të ndryshme ndaj këtyre hoxhallarëve dhe studentëve!

Përkundrazi, ata duhet të dalin nëpër shitore, rruge, kafene, qajtore, shadërvane, qendra tregtare, shkolla, kompani të ndryshme, fakultete, bregdete, etj, etj. Aty ku kundërshtohet haptazi Allahu xh.sh. dhe Muhamedi a.s. Ata duhet të bëjnë dallimin e atyre që janë në rrugë të drejtë dhe atyre që janë në rrugë të shtrembur. Ata duhet ta kuptojnë mirë këtë ajet kur’anor për rreth se cilës e kemi edhe fjalën.

Ata shokë, kolegë nuk bën me qenë viktima te djallit dhe të epshit të tyre. Ata duhet me pas punë dhe me ba da’vet me kriminel, vjedhësa, narkoman, alkoholiqar, ma ata që zhvillojnë tregti ilegale me organe te njerëzve, me mallra, me njerëz të korruptuar moralisht, financiarisht, shpirtnisht, familjarisht, politikisht, ekonomokisht, akademikisht…etj; e jo me i shqetësue xhematin nëpër Xhamija që falin pes kohët e namazit!”

Besoj se këto fjalë mjaftojnë për atë që dëshiron të përkujtojë dhe të orientohet me metodën e Kur’anit Fisnik, gjatë da’vetit në Zotin e Madhërishëm.

Ç). Historia islame argument për distancim nga mëkatarët

Ajeti kur’anor: “E mua më është shpallur ky Kur’an që me të t’ju tërheq vërejtjen juve dhe atij që i komunikohet (dhe të gjithë atyre që vijnë pas jush deri në Ditën e Kijametit). Ju po dëshmoni se pos Allahut ka edhe zotra të tjerë, a? Thuaj: “Unë nuk dëshmoj!” (El En’amë, 19) – është një nga ajetet që flasin për da’vetin në mënyrë të nxitjes dhe pyetjes.

Sejjid Kutubi kur bën komentimin e këtij ajeti, ai e komenton këtë pjesë e cila theksohet në konstruksionin kur’anor të këtyre ajeteve si p.sh; çështje e miqësisë me jo besimtarët,(el Vela’u) monoteizmit (el Tevhid) dhe ajo e distancimit nga të keqinjët (el Mufaselatu).
164

Profesor Sejjid Kutubi (Zoti e mëshiroftë!) vazhdon e thotë:
“Kjo çështje e këtij besimi dhe këtij parimi, është një e vërtetë e madhe, ndaj dhe për këtë, sot besimtari duhet të qëndrojë gjatë kohë para këtij mësimi hyjnor… Këtë shoqëri e sulmon i tërë xhahilijeti i botës, njësoj siç sulmohej kur u shpallën këto ajete për të përcaktuar pozitën e tyre dhe për të ecur sipas parimeve të tilla. Të tillët duhet të ulen gjatë para ajeteve të tilla për të projektuar rrugën e tyre të udhëzimit.

Koha është e njejtë si atëherë kur iu shpall kjo fê njerëzimit, ashtu dhe sot. Nnjerëzit janë shndërruar njësoj siç ishin atëherë kur iu shpall Kur’ani Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe kur i erdhi Islami me sqarimet e veta të rregullës së madhe, gjegjësisht parimi i Dëshmisë: “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut!”; ashtu siç, Rib’ij ibn Amir, ambasadori i Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), ia sqaroi
udhëheqësit të persianëve Rrustemit, i cili kur e pyeti: “Çka u ka sjellë?“; Ri’biju iu përgjigj: “Zoti na dërgoi që ta transferojmë atë që don nga adhurimi i robërve në adhurimin e Zotit, nga devijimi i fesë në drejtësinë e Islamit”.

Ai e dinte se Rrustemi dhe populli i tij nuk i besonin Kisras si Krijues i Universit dhe nuk i dhuronin sakrifica e dhurata, por merrnin prej tij ligje dhe në këtë kontekst e adhuronin atë, gjë kjo që në Islam, rreptësisht refuzohet dhe kundërshtohet. Ai i tha se Zoti i ka dërguar për t’i nxjerrë njerëzit nga sistemet dhe gjendja e adhurimit të njerëzve në adhurimin e Zotit dhe në drejtësinë e Islamit…”

D). Çmimi i këtij distancimi dhe largimi

Nëse e kuptojmë tamam ashtu siç duhet çështjen e distancimit dhe të mosshoqërimit me zullumqarët dhe mëkatarët kriminelë, përpos me qëllim rikujtimi e këshillimi, atëherë kjo konsiderohet thelbi i besimit, dhe në këtë kontekst duhet të dijmë çmimin dhe sakrificat që duhet t’i bëjmë për gjërat e tilla…
Pra, të shohim në vijim se çka thotë profesori shehid rreth këtij çmimi: “Distancimi dhe largimi mund t’i krijojë shoqërisë besimtare sakrifica e vështirësi, por, sakrificat dhe vështirësitë e tilla nuk kanë për të qenë më të dëmshme e më të mjerueshme se sa mosdallimi i qëndrimeve dhe koncepteve, për shkak të shoqërisë injorante (xhahilite) që jeton për rreth tyre.

Nëse i kthehemi historisë së da’vetit në Zot nga ana e të gjithë pejgamberëve të Zotit, përfundimisht do të bindemi se ndihma e Zotit dhe realizimi i premtimit të Zotit për fitoren e pejgamberëve të Tij dhe të besimtarëve, nuk ka ardhë menjëherë para ndarjes së shoqërisë së besimtarëve nga populli i tyre, për shkak të besimit dhe metodës së jetës (fesë), si dhe nga besimi i tyre injorant dhe jeta e tyre xhahilite.

Kjo ishte pika ku ndaheshin të gjitha thirrjet dhe rruga e këtij da’veti është një, ndaj dhe për këtë shkak, rruga e tillë duhet të jetë ashtu siç ka qenë në kohën e të gjithë pejgamberëve (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të gjithë ata!)”

Aludojmë nga kjo q u tha më lartë se rruga e të mirëve duhet të dallohet nga ajo e të këqinjëve, e të drejtëve të dallohet nga ajo e kriminelëve, e të sinqertive nga ajo e hipokritëve, e të korruptuarëve nga ajo e të pastërve, ajo e Muslimanëve nga ajo e Qifutëve dhe e Krishterëve.

Kjo metodë është metodë Kur’anore dhe profetike. Ai i cili e kundërshton atë dhe vepron kunder saj;ska dyshim se është larguar nga rruga e drejtë dhe është futur në rrugë të xhahilave.

 

Asoc.Prof.Dr.Hfz.Hajredin Hoxha
Rruga e Da’wetit në Allahun xh.sh. nën hijen e Sures El En’am (Direktiva te arta për hoxhallarë dhe studentë sipas Tefsirit të prof.Sejid Kutub)