Thirrja e muslimanëve në përmirësim (El Islah)

0
92

Karakteristikat dhe specifikat e metodës së Sejjid Kutubit në të kuptuarit e ajeteve të da’vetit.

Para se të flas për metodën e Sejjid Kutubit (Zoti e mëshiroftë!) mendoj se duhet të shqyrtoj disa karakteristika të metodës së tij. Kush e lexon librin e tij “Fi dhilâlil-Kur’an” dhe kush jeton nën hijen e tij, gjithsesi do të vërej disa karakteristika e specifika të cilat janë:
– Analiza e realitetit politik vendor/lokal dhe atij botëror, raporti i tij me Kur’anin dhe pasqyrimi i tij në bazë të zbërthimit të tij;
– Përjetimi i rrethanave aktuale politike të botës islame si dhe i gjendjes së dobët fetare e sociale të Ummetit islam;
– Kundërshtimi i ligjeve pozitive njerëzore, siç janë komunizmi, marksizmi, demokracia, kapitalizmi;
– Konfirmimi i ndikimeve negative të kishës(Ortodokse&Katolike) në Ummetin islam;
– Sqarimi i projekteve dhe metodave cioniste të çifutëve dhe të krishterëve kryqtarë-misionarë;
– Rënia e tij nën ndikimin e metodës kur’anore dhe përqendrimi i tij në parimet dhe prioritetet, mbi të cilat mbështetej metoda kur’anore në da’vetin (thirrjen) në Zotin e Mëdhërishëm, si p.sh.: çështja e besimit, monoteizmit, hyjnisë, pushtetit…; dhe:
– Raporti i ajeteve me biografinë e Pejgamberit dhe me ngjarjet historike, qoftë me kontratat dhe marrëveshjet që u lidhën në mes të muslimanëve e çifutëve ose në mes tyre e të krishterëve, qoftë me thirrjen e mbretërve dhe udhëheqësve në Islam, në bazë të letrave dhe ambasadorëve.

Këto ishin disa nga karakteristikat dhe specifikat më themelore, të cilat, lexuesi i nderuar i vëren gjatë çasteve të tij që kalon duke e lexuar tefsirin e profesor Sejjid Kutubit (Zoti e mëshiroftë!).
Gjatë studimit të kësaj sureje të bekuar, vërejta disa parime dhe elemente tek të clat mbështetej profesor Sejjid Kutubi në tefsirin e tij dhe në të kuptuarit e tij të ajeteve të da’vetit të kësaj sureje.

Profesori (Zoti e mëshiroftë!) përpiqej që të ndriçonte disa pika, ashtu siç përpiqej të vendoste disa parime të shkëlqyera e të ndritshme për thirrësit në Zotin e Madhërishëm nga ajetet që flasin për da’vetin, për çështjet dhe për metodat e tij. Natyrisht që është e pamundshme t’i shqyrtoj tërësisht këto çështje në bazë të studimit të një sureje… Por, sidoqoftë, do të përqendrohem në një tematikë brenda pikave të caktuara, gjithnjë duke e lutur Zotin e Madhërishëm që të jem sa më i suksesshëm në këtë çështje!

Këto parime dhe elemente rreth të cilave u zhvillua zbërthimi i profesor Sejjid Kutubit (Zoti e mëshiroftë!) në tefsir, vërehen qartë në studimin e tij të aspektit të da’ves (thirrjes) dhe janë dinamik më shumë se në aspektet tjera.

Ky është argument i qartë se ai (Zoti e mëshiroftë!) i vendoi vetes një rrugë dhe një metodë të posaçme gjatë tefsirit të tij të ajeteve të da’vetit…
Por, a thua vallë, cilat ishin parimet e tilla dhe cilat ishin rregullat e metodës së tij? Cila metodë i ndihmoi që të dallohet prej të tjerëve në disa ide e mendime dhe të bëjë ixhtahade(analiza-konkludime-analogji) të tij të posaçme?

Unë, me lejen e Zotit të Madhërishëm, do të mundohem dhe përpiqem,
që t’i sqaroj këto gjëra, dhe vendosa që t’i tuboj parimet dhe rregullat e tilla e t’i sistematizoj sipas formës vijuese, gjithnjë duke qenë i vëmendshëm dhe duke pasur kujdes ndaj hapave që ndërmirren gjatë periudhave të aktiviteteve në da’vet (thirrje). Uroj që sa më mirë t’ia kem dalë mbanë!

Thirrja e muslimanëve në përmirësim(El Islah)

1. Thirrje në përmirësimin e besimit në bazë të të vërtetës hyjnore dhe adhurimit:
Për të pasqyruar siç duhet këtë hap të parë të rëndësishëm rreth metodës së profesor Sejjid Kutubit në mënyrë korrekte, ndihet nevoja për tubimin e mendimeve dhe ideve të Sejjid Kutubit (Zoti e mëshiroftë!) nga vende të ndryshme e të llojllojshme të veprës së tij, e më pastaj ato t’i krahasojmë dhe në fund do të japim një rezyme. Besoj se kështu, në këtë mënyrë, më së miri do ta sqarojmë mendimin dhe metodën e tij.

Njerëzit e shkathtë e dijnë se ky obligim ka nevojë për të dëshmuar së pari me fjalët e autorit dhe së dyti, për të vepruar në bazë të natyrës së metodës induktive. Vetëm Zoti e di se sa shumë herë e kam lexuar dhe studiuar tefsirin e sures El El En’amë, vetëm e vetëm për t’i nxjerrë këto ide, parime e rregulla, të cilat Sejjid Kutubi i ka mbështetur gjatë tefsirit të tij dhe të cilat kanë qenë bazë e mendimit të tij. Ai është bindur plotësisht në rëndësinë e fillimit të da’vetit për në besim dhe të da’vetit për në Zotin e Madhërishëm(thirje ne Akide).

Këtu ia vlen të theksohen numrat e faqeve, në të cilat flitet pikërisht për këtë çështje (besimin) në mënyrë të qartë, aluduese ose simbolike, pastaj këto do të përdoren si dëshmi, por gjithnjë duhet të kihet parasysh se nuk mund t’i theksojmë dhe t’i nxjerrim të gjitha mendimet dhe tekstet…sepse kjo punë e tejkalon siperfaqen e lejuar te stdudimit, Kush dëshiron diçka më tepër, atëherë ai duhet të mbështetet në tefsirin e Sejjid Kutubit dhe t’i lexojë faqet që hulumtuesi i thekson në studimin e tij.

Profesor Sejjid Kutubi (Zoti e mëshiroftë!) flet për këtë aspekt të rëndësishëm dhe elementar të jetës së individit dhe shoqërisë si dhe dëshiron që për këtë t’i informojë muslimanët në përgjithësi dhe thirrësit islam në veçanti. Në fillim të da’vetit ne duhet të fillojmë nga një parim, gjegjësisht nga da’veti në përmirësimin e besimit, të konceptit dhe domethënien e gjerë dhe universale të tij. Nëse plotësohet ky parim, atëherë fillohet me çështjet e tjera sekondare.

Përmirësimi i besimit luan rol të madh dhe ka rëndësi të jashtëzakonshme për jetën e Ummetit në përgjithësi dhe jetën e thirrësit në fê në veçanti. Kjo e vërtetë buron nga vetë Fjala e Zotit të Madhërishëm në suren “Hudë” kur Pejgamberi Shuajb (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i tha popullit të vet:

““O popull im, më thuani pra, nëse unë kam argumente të sigurta
nga Zoti im dhe nga ana e Tij, Ai më furnizoi mua me të mira (si mund të mos ju udhëzoj në rrugë të drejtë?) Unë nuk dua t’ju kundërshtoj (duke punuar) për atë nga e cila po ju ndaloj, unë nuk dua tjetër vetëm të përmirësoj aq sa mundem, por këtë mund ta arrij vetëm me ndihmën e Allllahut, vetëm Atij iu kam mbështetur dhe vetëm te Ai jam i drejtuar!”. (Hudë, 88)

Fillimi i da’wetit me përmirësimin, rregullimin, spastrimin e besimit, përmban në vete mbrojtje dhe preventivë nga hidhërimi i Zotit dhe nga dënimi i Tij ndaj popullit. Këtë të vërtetë e kemi nxjerrë nga vetë Fjala e Zotit të Madhërishëm:
“E Zoti yt nuk është që të shkatërrojë mizorisht vendet, nëse banorët e tyre janë punë mirë.” (Hudë, 117).

Tani, të shohim se ç’thotë profesor Sejjid Kutubi rreth rolit të Kur’anit Fisnik në periudhën mekase dhe rreth asaj se çka shëroi, dhe cka kërkoi nga populli, besimtarët në fillim të shpalljes së tij. Në këtë kontekst, ai (Zoti e mëshiroftë!) thotë:

“Ai shqyrtonte çështjen e parë, çështjen më të madhe dhe çështjen esenciale të kësaj feje të re, gjegjësisht çështjen e besimit që kishte të bëjë me parimin kryesor të hyjnisë dhe adhurimit,  marrëdhëniet në mes tyre…

Kur’ani i periudhës mekase ia shpjegonte njeriut fshehtësinë e ekzistimit të tij dhe të Universit rreth tij. Ai thoshte: ”Kush është ai? Prej nga erdhi? Si erdhi? Pse erdhi? Ku do të përfundojë? Kush e solli nga hiçi e asgjëja? Kush e dërgoi atje dhe çfarë përfundimi do të ketë? Ai e pyeste atë: Ç’është kjo ekzistencë që e ndjen dhe që e sheh? Kush është Ai që e mbikqyr, por nuk duket?

Kush e krijoi këtë Univers përplotë fshehtësi (mistere)? Kush e sistematizoi dhe kush e kontrollon? Kush ndryshon ashtu siç i vërejmë gjërat para syve? Ai poashtu i thoshte? Si të kooperojë me Krijuesin e këtij Universi dhe me vetë Universin? Si të veprojnë robërit me Krijuesin e robërve? Kështu i kaloi trembëdhjetë vjet të plota për të konfirmuar këtë çështje madhore…”

Nga ajo që u theksua më parë del në pah edhe një karakteristikë tjetër nga karakteristkat e metodës së prof. Sejjid Kutubit në të kuptuarit e ajeteve të da’vetit. Ai mendonte se besimi islam është çështje e madhe dhe themelore, dhe se në bazë të kësaj çështjeje formohen shoqëritë njerëzore, dhe pikërisht në bazë të kësaj çështjeje u formuan gjenerata e parë e sahabëve dhe tabi’inëve si dhe u realizua përhapja madhore e Islamit nëpër botë.

Në bazë të aktiviteteve të tyre, kjo fê u përcoll deri te ne. Këtë parim e pranoi profesor Sejjid Kutubi dhe këtë parim e argumenton në bazë të realitetit, intelektit, historisë dhe fesë. Thirrësi duhet të veprojë brenda këtij parimi dhe gabon nëse thirret në bazë të ndonjë parimi tjetër.

Që ta kuptojmë më mirë rëndësinë e përqendrimit të besimit në thirrjen në Zotin e Madhërishëm, do të shohim se ç’thotë profesori Sejjid Kutubi rreth kësaj tematike. Përsëritja e shpeshtë e kësaj çështjeje të ndijshme na bën të kuptojmë se çfarë vlere ka kjo për thirrësin dhe se në të duhet përqendruar një kohë bukur të gjatë, me qëllim që rrënjët e këtij lisi të depërtojnë në thellësitë e zemrave dhe të japin frytin e tyre dhe të përdoren, kuptohet me lejen e Zotit, në çdo kohë.

Rreth ajetit të parë të sures “El El En’amë”: “Falënderimi i qoftë vetëm Allahut, që krijoi qiejt me tokën, që formuloi errësirat e dritën, e megjithë këtë (që Ai meriton lavdërim) ata që mohuan i barazojnë (idhujt) me Zotin e tyre.” (El El En’amë, 1); – profesor Sejjid Kutubi thotë:
“Tesbih dhe pranim për faktin se vetëm Ai meriton të falënderohet, si dhe falënderim për hyjninë e Tij që vërehet në krijim e formim. Me këtë arrihet prej hyjnisë së lavdëruar në specifikën e parë të krijimit…

Fillon me krijimin në formë më të madhe të ekzistencës.”
Mendimi i profesor Sejjid Kutubit rreth hyjnisë(El Uluhije) është i gjerë dhe universal, ngase përfshinte këtë jetë, këtë Univers dhe tërë atë që është në mes tyre. Universalizmi hyjnor i jetës nënkupton se vetëm Zoti i Madhërishëm ka pushtet(El Hakimije) absolut. Nga Ai buron ç’do gjë dhe më pas vetëm Atij i kthehet gjithçka. Vetëm Ai i sjell sheriatet, parimet, ligjet..

Kjo argumentohet me ajetin e të po të njëjtës sure, dhe në këtë kontekst profesori (Zoti e mëshiroftë) thotë:
“Pjesa e tretë i përmbledh të dy pjesët e para brenda një qarku, ngase konfirmon hyjninë e Zotit në Univers dhe në jetën njerëzore: Ai është Allahu (që adhurohet e madhërohet prej çka ka) në qiej e në tokë.

“Ai i di fshehtësitë dhe publikimet tuaja dhe Ai e di atë që e bëni.” (El El En’amë, 3). Ai që krijoi qiejt dhe tokën është Zoti në qiej e në tokë, i Vetmi që adhurohet; të gjitha çështjet hyjnore vërehen në to dhe me nënshtrmin e njerëzve para ligjit të Zotit si dhe realizimi i urdhërave të Tij.”

Rreth të vërtetave dhe fakteve të kësaj hyjnie, thotë se ato nuk i ngjanë hyjnisë filosofike-teorike negative të cilën e predikojnë fetë tjera. Kjo hyjni është parim origjinal në brendi të njerëzve dhe buron nga instikti.133 Pastaj profesori (Zoti e mëshiroftë) thotë:

“Vala e parë e paraqet të vërtetën e hyjnisë që vërehet në krijimin e qiejve dhe të tokës, në krijimin e errësirave dhe dritës, në krijimin e njeriut nga dheu, në përfundimin e jetës së njeriut dhe në ringjalljen e tij. Kjo e vërtetë argumenton universalizmin hyjnor të Zotit në qiej e në tokë, i Cili i di fshehtësitë e njerëzve dhe veprat e tyre të dukshme si dhe përfitimet e tyre të dukshme e të fshehta. E gjithë kjo nuk është argumentim i hyjnisë
filosofike-teorike negative, por i të vërtetave të jetës njerëzore.

Ata duhet t’i mbështeten vetëm Zotit. Ai nuk mund të zëvendësohet me asgjë dhe në asnjë mënyrë nuk mund të kontestohet monoteizmi i Tij. Universalizmi hyjnor dominon mbi çështjet e Universit dhe mbi çështjet e jetës njerëzore, haptazi ose fshehurazi. Në bazë të sistemimit të rezultateve natyrore konfirmohen të vërtetat mbi pushtetin absolut të Zotit në çështjet e jetës tokësore si dhe mbi Pushtetin e Tij në çështjet kozmologjike.”

Përqendrimi në besim ose në monoteizëm(El Ijman ve El Teuhid) së pari i përfshinë të tre dimensionet gjatë da’vetit në Zotin e Madhërishëm dhe kjo ishte prej çështjeve prioritare të profesor Sejjid Kutubit (Zoti e mëshiroftë!). Në këtë kontekst, gjatë bisedës se tij rreth dimensioneve të teuhidit-monoteizmit, ai e zgjeron këtë domethënje duke thëne:
“- Monoteizmi i udhëheqjes dhe udhëzimit;
– Monoteizmi i nënshtrimit dhe adhurimit; dhe:
– Monoteizmi i burimit të sheriateve dhe urdhërave”.

Unë them se monoteizmi i Zotit në këto sfera ka dimensione të besimit, dimensione edukative dhe të da’vetit në jetën e muslimanëve në përgjithësi dhe në jetën e thirrësve islam në veçanti. Kjo ka rëndësi shumë të madhe dhe nuk duhet filluar me diçka tjetër në da’vetin tonë në Zotin e Madhërishëm.

Pra, njerëzit duhet të jenë shumë të kujdesshëm ndaj kësaj çështjeje.
Të shohim se çka thotë profesor shehid Sejid Kutubi në këtë kontekst: “Kjo valë e re ka për qëllim poashtu të paraqet të vërtetën e hyjnisë që vërehet në pushtet, aktivitet, furnizim, garancë, fuqi, shkatërrim, dobi, dëm… E gjithë kjo nuk konfirmon hyjninë filosofike-teorike negative, por konfirmon të vërtetat e monoteizmit të udhëheqjes e udhëzimit dhe faktin se monoteizmi dhe udhëzimi janë pasqyrë e nënshtrimit dhe adhurimit. Kur Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) urdhëroi që të mos merret askush si mbikqyrës përveç Zotit, ai me këtë sqaroi se ky urdhër mbështetet në faktin se Zoti ushqen dhe Ai (larg qoftë!) nuk ushqehet.

Pastaj, mbështetja tek dikush tjetër përveç se tek Allahu, kundërshton urdhërin e Islamit, si dhe krijon idhujtari…”
Nga fjalët e profesor Sejjid Kutubit mund të konkludojmë disa karakteristika të metodës së tij në të kuptuarit e ajeteve të da’vetit, të cilat janë:
Konfirmimi i tij i parimeve të monoteizmit të hyjnisë(Teuhid El Ulihije) dhe i rëndësisë së tij, dhe pas kësaj thirret në vepra të zemrës dhe të gjymtyrëve, përkundër metodës filosofike-teorike negative. Ai (Zoti e mëshiroftë!) i jep dimensione praktike e dinamike këtij aspekti të rëndësishëm të monoteizmit.

Në tefsirin e ajetit 14 të së njejtës sure: “Thuaj: “A pas Allahut, krijues i qiejve dhe i tokës, që ushqen të tjerët, ndërsa Vet nuk ushqehet, të pranoj Zot tjetër?” Thuaj: “Unë jam i urdhëruar të jem i pari që bindem dhe (urdhërohem): të mos bëhem kurrsesi nga idhujtarët!” – ai jep komentim të gjerë dhe thotë:

“Kjo çështje, gjegjësisht çështja e konsiderimit të Zotit si mbikqyrës të vetëm me plotkuptimin e fjalës, nënkupton nënshtrimin e plotë të njeriut në adhurimin e Tij dhe në Pushtetin e Tij absolut, vetëm Atë të adhurojë dhe vetëm Atij t’ia kushtojë të gjitha ritet fetare. Njeriu duhet të mbështetet vetëm në ndihmën e Tij dhe vetëm Atij t’i drejtohet në raste të vështira. Ky është thelbi i çështjes së besimit. Pra, ose sinqerisht t’i mbështetesh Zotit me plotëkuptimin e fjalës, e që nënkupton Islamin ose t’i bësh shok Atij, gjë kjo që konsiderohet idhujtari(Shirk). E, idhujtaria dhe Islami assesi nuk mund të qëndrojnë bashkë në një zemër!…”

Dijetari i madh El-Alusij El-Bagdadi, në tefsirin e tij thotë:
“Një nga kuptimet e “Mbikqyrjes” është adhurimi”; dhe më pas shton: “Kjo nënkupton edhe ndihmën e Tij, dhe ky është kuptimi i njohur i  tij. Kush mbështetet në ndihmën e ndokujt tjetër nuk mund ta adhurojë Atë…”

Këtu, El Imam El Alusi dhe profesori i çmuar Sejjid Kutubi (Zoti i mëshiroftë!) argumentojnë realisht dhe me fakt sheriatin se mbështetja duhet të jetë vetëm ndaj Zotit të Madhërishëm, e ndaj askujt tjetër! E, a thua vallë kujt mund t’i mbështetesh nëse jo Zotit të Madhërishëm?

Profesori (Zoti e mëshiroftë) thotë: “Kjo është logjika e fortë dhe e thellë e instiktit…, se kujt i takon mbështetja e kujt jo? Kujt nëse jo Krijuesit të qiejve e tokës, të cilat i krijoi dhe i formoi? Kujt nëse jo Furnizuesit të qiejve e tokës, i Cili ushqen dhe nuk lypë ushqim?”139
Ai gjithashtu vazhdon e thotë: “Kjo është një çështje qartë e përckatuar, nuk pranon as dobësi e as luhatje: Vetëm Zotit t’i drejtohesh me adhurim, nënshtrim, ibadet, mbështetje e ta pranosh pushtetin e Tij absolut në çdo gjë dhe të refuzosh t’i bësh shok!

Të veprosh me zemër e me vepra vetëm për hir të Tij e jo për ndokënd tjetër! E gjithë kjo nënkupton Islamin… Nëse i shoqëron ndokënd tjetër, atëherë kjo quhet idhujtari! E, idhujtaria dhe Islami assesi nuk mund të qëndrojnë bashkë në një zemër!…”

Jam i mendimit se, siç duket, idetë dhe mendimet e Sejjid Kutubit rreth idhujtarisë(Shirkut) dhe konceptit të saj, përputhen në mënyrë identike me mendimet e Shejhul-Islam Ibn Tejmijes.

Nga fjalët e theksuara të profesor Sejjid Kutubit, konkludojmë se ai që therrët në fê e që punon në këtë lëmi, duhet të jetë i kujdesshëm dhe i vetëdijshëm gjatë thirrjes së njerëzve në të vërtetën e hyjnisë dhe parimeve të saj, duhet ta kuptojë mirë Kur’anin Fisnik dhe Sunnetin e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) që njerëzve t’ua ofrojë Islamin, ashtu siç e ka zbritur Zoti i botëve pa shtuar ose pa cunguar gjë. Ai duhet t’ua paraqet Islamin e vërtetë, e jo ashtu siç dëshirojnë epshet dhe emocionet.

Pra, kjo ishte metoda e Sejjid Kutubit (Zoti e mëshiroftë!). Ai përdori metodë të posaçme gjatë deduktimit të mësimeve, këshillave e leksioneve nga Libri i Zotit të Madhërishëm! Ai nuk kishte rënë nën ndikimin e ndonjë dijetari dhe nuk bënte ndonjë imitim të verbër, por mbështetej në fuqinë e Zotit… Ai u udhëzua në këto fakte dhe në këto të vërteta.

Ndaj, e shoh të udhës se muslimanët në përgjithësi, dhe thirrësit islam në veçanti(hoxhallarët, studentët e sheriatit) duhet t’i përjetojnë këto citate nga tefsiri i tij dhe ta kuptojnë më shumë këtë çështje, gjegjësisht t’i qartësojnë më mirë gjërat dhe të kuptojnë sa më qartë e më mirë rëndësinë e saj…
Ai (Zoti e mëshiroftë!) thotë:

“Kjo është një qasje tjetër rreth të vërtetës së hyjnisë(El Uluhije)… Qasje e fuqisë së madhe mbi robërit, e kontrollimit të përherhshëm. Atë nuk e zë fare gjumi. Kaderit (Caktimit) të Tij që nuk vjen as më herët e as më vonë, fundit që s’mund t’i ikë askush, llogarisë së fundit që nuk harron asgjë! E gjithë kjo dominon mbi njerëzit dhe ndikon në ta!

“Vetëm Ai është mbizotërues ndaj robërve të vet. Ndaj juve dërgon rojë (cakton engjëj) derisa kur t’i vijë ndonjerit prej jush vdekja, atij ia marrin shpirtin të dërguarit Tanë (engjuj të tjerë) dhe ata nuk bëjnë kurrfarë lëshimi. Pastaj i kthehen Allahut, Sunduesit të vërtetë të tyre.
Vetëm i Tij është sundimi (gjykimi) dhe Ai është më i shpejti i llogaritësve.” (El El En’amë, 61-62).
(Ai është mbizotërues ndaj robërve të vet) – Ai ka fuqi shkatërruese dhe ata janë nën pushtetin e Tij dhe fare janë të dobët nën pushtetin e këtij Sundimtari, nuk kanë as fuqi as ndihmues por janë robër! Sundimi është mbi ta dhe ata i nënshtrohen Atij.”
Profesor Sejjid Kutubi, këtu jep argumente të realta historike, argumente Sheriati mbi fenomenet e mëshirës së Zotit të Madhërishëm, mbi të vërtetën e Hyjnisë së Tij (i pastër është Ai nga të metat!) në shumë sfera…

Kjo është një pjesë e metodës së tij dhe kjo ka të bëjë me kthimin në biografinë e pastër të Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) për të marrë shembull dhe leksione nga ngjarjet e tij.
Në këtë kontekst, ai (Zoti e mëshiroftë!) thotë:

“Aspektet në të cilat vërehet Mëshira e Zotit dhe e hyjnisë së Tij, janë ata ndryshime, të cilat do t’i përmbledhim këtu, para se t’i detajizojmë gjatë paraqitjes së teksteve kur’anore:

1. Mëshira e Zotit qartë vërehet në zemrën e Pejgamberit të Zotit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), dhe ai gjenë argument në vetvete nga Zoti i tij. Ai është i bindur në të dhe fare nuk e luhatin gënjeshtrat dhe intrigat e gënjeshtarëve. Pastaj përqendrohet tërësisht në Zotin e tij dhe largohet nga devijimet e popullit të vet, ngase ishte i bindur në atë që e udhëzoi:
“Thuaj: “Unë jam i ndaluar të adhuroj ata që adhuroni ju, pas Allahut!” Thuaj: “Unë nuk ndjeki dëshirat tuaja, pse atëherë do të isha i humbur e jo prej të udhëzuarëve (në rrugë të drejtë).” Thuaj: “Unë i përmbahem të vërtetës (që më erdhi) nga Zoti im. Ju e gënjyet Atë, e për atë që nguteni ju, (dënimin), nuk e bëj unë, vendimi i takon vetëm Allahut; Ai e rrëfen të vërtetën, Ai është më i Miri i gjykatësve.” (El El En’amë, 56-57).

2. Në vendimin e Zotit të Madhërishëm kundër gënjeshtarëve dhe mospranimi i propozimit të tyre që të sjellë ndonjë mrekulli fizike, që të mos përshpejtojë dënimin e tyre për shkak të përgënjeshtrimit të tyre, ashtu siç vepronte zakonisht Zoti i Madhërishëm me gjeneratat e mëparshme. Sikur të ishte në dorë të Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) atë që e kërkonin ata që të përshpejtohet, ai nuk do të mund ta largonte. Ky prolongim është Mëshirë dhe Rahmet i Zotit, si dhe fenomen ku qartë vërehet hyjnia e Tij:

“Thuaj: “Sikur të ishte ajo për të cilën nguteni ju te unë, çështja mes meje dhe mes jush do të ishte e përfunduar. (por kjo nuk është)Allahu më së miri e di për mizorët.” (El El En’amë, 28).

3. Në diturinë e Zotit për gjërat metafizike dhe përfshirja në këtë dituri e çdo gjëje që është në këtë ekzistencë. Çdo gjë që është ashtu siç e ka krijuar Zoti dhe vetëm Zoti mund t’i jep format e tilla, e askush tjetër përveç Tij: “Çelësat e fshehtësisë janë vetëm te Ai, atë (fshehtësi) nuk e din kush pos Tij. Ai e di çka ka në tokë dhe në detë. Ai e di për çdo gjeth që bie dhe s’ka kokër në thellësi të tokës, s’ka të njomë dhe s’ka të thatë që nuk është (shënuar) në Librin e qartë (Levhi-Mahfudh).” (El El En’amë, 59).

4. Në mbizotërimin dhe mbikqyrjen e Zotit të Madhërishëm mbi
njerëzit në çdo situatë dhe gjendje të tyre, në gjumë e në zgjuarje, në vdekje e në jetë, në këtë botë dhe në botën tjetër (ahiret):
“Ai është që ju vë në gjumë natën dhe e di çka vepruat ditën, pastaj ju ngjall-zgjon në të (ditën) për deri në afatin e caktuar (vdekje). Pastaj do të ktheheni e do t’ju njoftojë me atë që keni pas vepruar. Vetëm Ai është mbizotërues ndaj robërve të Vet. Ndaj juve dërgon rojë (cakton engjëj) derisa kur t’i vijë ndonjërit prej jush vdekja, atij ia marrin shpirtin të dërguarit Tanë (engjuj të tjerët) dhe ata nuk bëjnë kurrfarë lëshimi. Pastaj i kthehen Allahut, Sunduesit të vërtetë të tyre. Vetëm i Tij është Sundimi (gjykimi) dhe Ai është më i Shpejti i llogaritësve.” (El En’amë, 60-62).

5. Në instiktin e vet përgënjeshtarëve, kur ata të ballafaqohen me
Xhehennemin dhe atëherë vetëm prej Zotit kërkojnë ndihmë për të shpëtuar.
Ata bëjnë idhujtari (shirk) dhe harrojnë se Zoti, të Cilin e lusin për t’i shpëtuar mund t’i bëjë që të shijojnë lloje të ndryshme të dënimit edhe se askush nuk mund t’u ndihmojë:
“Thuaj: “Kush ju shpëton prej errësirave (trishtuese) të tokës e të detit e (nga trishtimi) ju luteni Atë haptas e fshehtas (duke thënë): “Nëse Ai na shpëton prej kësaj, ne do të jemi (besimtarë) mirënjohës?”

Thuaj:“Allahu ju shpëton nga ajo dhe nga çdo brengosje.” Megjithëkëtë, ju Atij i përshkruani shok. Thuaj: “Ai ka fuqi (t’ju shpëtojë, por edhe) t’ju sjellë dënim prej së larti ose prej së poshti nën këmbët tuaja apo t’ju ndajë në grupe e ta luftoni njeri-tjetrin. Shih se si i sqarojmë faktet në mënyrë që të kuptojnë”. (El En’amë, 63-65).

Nga ajo që pamë më sipër, vërejmë se metoda e profesor Sejjid Kutubit rreth të kuptuarit të ajeteve të da’vetit mbështetet në rikthimin në histori, në historinë e pastër të Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), në historinë e popujve të kaluar dhe në qëndrimin e tyre ndaj pejgamberëve si dhe në mësimet që mund të merren prej tyre. Metoda e tij poashtu mbështetej në faktin që njerëzit duhet të kthehen në Cilësitë e Zotit të Madhërishëm, të cilat vërehen në çdo gjë, si p.sh.: njohuritë e Tij mbi botën e padukshme, kontrolli i Tij i veprave të njerëzve dhe gjendjes së tyre, etj.

Pastaj ai (Zoti e mëshiroftë!) shqyrtoi një çështje tjetër, që njësoj është e rëndësishme si edhe çështjet tjera të besimit, gjegjësisht çështja e sqarimit të qëllimit të definicioneve sheriatore:
Qëllimi i hyjnisë dhe pushtetit!(El Uluhije ve El Hakimije) Ai thekson se vetëm Zoti i Madhërishëm është Ai që vendos për jetën e robërve (njerëzve) dhe se askush tjetër nuk ka një autoritet të tillë. Askush përveç Tij nuk mund të ndalojë, as të vendos sheriat e të gjykojë…

– të gjitha këto janë karakteristika të hyjnisë. Në jetën e njerëzve askush s’ka të drejtë përveç Zotit, ngase askush përveç Zotit të Madhërishëm nuk krijon, nuk furnizon, nuk ngjallë, nuk vdes, nuk dëmton, nuk sjell dobi, nuk jep, nuk ndalon, nuk mund t’i jep as vetes e as të tjerëve qoftë në këtë botë apo në botën tjetër.
Konstruksioni i sures rreth kësaj çështjeje i thuri argumentet në mënyrë të mahnitshme, duke ilustruar me pamje, qëndrime e intonacione që ndikojnë thellë në zemër në çdo mënyrë dhe në çdo aspekt!

Kuptimi i profesor Sejjid Kutubit (Zoti e mëshiroftë!) ndaj çështjes së besimit, ashtu siç theksuam më parë, është formuar nga një parim i fuqishëm, i qëndrueshëm dhe i fortë, i bazuar ne parimin e dëshmisë (shehadetit): “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe Muhammedi është i Dërguari i Zotit!” Ai (Zoti e mëshiroftë!), shumë herë e përsëriste këtë të vërtetë dhe shpesh në këtë kontekst thoshte:

“Besimi në Islam mbështetet në dëshminë se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, dhe në këtë mënyrë njeriu e heq nga zemra e vet hyjninë e mjerimit dhe mbështetet vetëm në adhurimin e Zotit, si dhe largon pushtetin absolut nga njerëzit dhe i nënshtrohet vetëm Pushtetit Absolut të Zotit…”
Në këtë mënyrë, ai formoi një ide të qartë dhe një metodë eksplicite rreth të kuptuarit të kësaj feje. Arsyeja që e shtyri të formojë ide dhe parime të tilla është fakti se Islami ka natyrë të posaçme dhe se natyra e kësaj feje (sipas profesor Sejjid Kutubit) bazohet mbi:

“Parimin e hyjnisë së Zotit Një. Të gjitha sheriatet dhe sistemimet e Tij rrjedhin nga ky parim i madh. Sistemi i kësaj feje dominon në të gjitha poret e jetës për të gjithë njerëzit, qofshin ata të mëdhenj apo të vegjël. Ky aspekt përfaqëson fshehtësinë dhe natyrën e kësaj feje, përcakton metodën në formimin e vetvetes dhe gjetiu, formon besimin që depërton në thellësi të secilit njeri dhe që konsiderohet e domosdoshme për formimin korrekt.”

Profesor Sejjid Kutubi e kuptoi rëndësinë e fillimit të zbritjes së Kur’anit suksesivisht brenda një kohe të gjatë të periudhës mekase. Ky fenomen, të cilin profesori e quajti: “fenomeni i Kur’anit mekas”, bëri që të përqendrohet gjatë kohë në këtë periudhë dhe të nxjerr këshilla e leksione, të cilat e inspironin për strategjinë dhe mënyrat e da’vetit. Nuk ka kurrfarë dyshimi se kjo konsiderohet si parim esencial i metodës së fuqishme të tij në të kuptuarit e ajeteve të da’vetit. Ndoshta kjo ishte edhe arsyeja kryesore që ai e shkroi një hyrje të gjatë për suren “El En’amë”, në krahasim me hyrjet që shkroi për suret tjera, gjatë definimit të tyre.

Në këtë hyrje të gjatë të sures “El En’amë” edhe njëherë e konfirmoi metodën e tij në të kuptuarit e ajeteve të da’vetit dhe faktin se kjo metodë është zhvilluar dhe formuar nga studimi i tij i periudhës së gjatë mekase, që përqendrohej në formimin e njeriut nga aspekti i besimit (akides), para obligimit të tij me obligime sheriatore.

Sejjid Kutubi (Zoti e mëshiroftë!) thotë:
“Kjo metodë e bekuar nuk do të realizohej deri në këtë nivel të lartë, sikur të mos fillonte da’veti nga ky parim dhe sikur të mos e lartësonte këtë flamur, gjegjësisht flamurin:

La ilahe il-lall-llah “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut!”

Pra, asgjë tjetër nuk vlen përveç këtij parimi! Kjo metodë duket e vështirë, por në thelb është e lehtë.

Kjo metodë e bekuar pati sukses, ngase mbështetej sinqerisht vetëm në Zotin e Madhërishëm dhe sikur të bazohej në thirrje racionale apo në thirrje sociale e morale ose në ndonjë parim tjetër, krahas parimit:

“Nuk ka zot tjetër përveç Allahut!” – nuk kishte për të korrë asnjë sukses”.Besoj bindshëm se kjo analizë e jona është e mjaftueshme për temën që biseduam dhe Allahu di më mire.

 

Asoc.Prof.Dr.Hfz.Hajredin Hoxha
Rruga e Da’wetit në Allahun xh.sh. nën hijen e Sures El En’am (Direktiva te arta për hoxhallarë dhe studentë sipas Tefsirit të prof.Sejid Kutub )