Thirrja (da’veti) dhe metoda e saj nëpërmes sures “El En’amë”

 Arsyet e zgjedhjes së sures “El El En’amë”
Ekzistojnë disa arsye dhe shkaqe që ndikuan në mua për ta zgjedhur dhe studiuar suren e bekuar “El El En’amë”, e jo ndonjë sure tjetër të Kur’anit:
* Kjo sure e bekuar dhe e gjatë është prej sureve mekase, përveç disa ajeteve për të cilat thuhet se janë medinase. Suret mekase përgjithësisht karakterizohen nga ajo që, së pari mbështeten më shumë në aspektin e besimit dhe të da’vetit (thirrjes), se sa në aspektet tjera. Kjo sure plotësisht përputhet me përmbajtjen e këtij hulumtimi;

* Kjo sure e bekuar përmban në vete shumë argumente e fakte kozmologjike që konfirmojnë ekzistimin e Zotit të Madhërishëm, krijimin, fuqitë dhe kontrollimin e Tij të këtij Universi, çështjet e robërve (njerëzve), njerëzve dhe xhinëve, besimtarëve dhe jobesimtarëve… Shihi ajetet 11-14, 59-66, 95-99. Kjo ka lidhje të drejtpërdrejtë me tematikën e disertacionit që fokusohet në thirrjen në Zotin e Madhërishëm;

* Kjo sure e bekuar flet për popujt e kaluar (të mëhershëm), për gjendjen e tyre pas ardhjes së pejgamberëve dhe të dërguarëve në mesin e tyre nga Allahu i Madhërishëm, me qëllim të udhëzimit të njerëzve, dhe për qëndrimin që mbajtën popujt ndaj pejgamberëve dhe të dërguarve. Këtu flitet gjithashtu edhe për qëndrimin e pejgamberëve ndaj tyre. Edhe ne sot kemi shumë nevojë për një gjë të tillë, veçanërisht ne-thirrësit në fê. (ajetet 6-10);

* Në këtë sure të bekuar ka mënyra e metoda të shumta të da’vetit (thirrjes), metoda këto, për të cilat ka nevojë thirrësi musliman në këtë kohë.
Pra, thirrësi sot ka nevojë për durim, qëndrim, llojllojshmëri të mënyrave të da’vetit, varësisht nga gjendja e popullit siç është p.sh.: argumentimi racional dhe orientimi i pyetjeve në drejtim të kundërshtarëve, për të argumentuar Fuqinë e Zotit dhe dominimin e Tij mbi çdo gjë (shihi ajetet 17-18, 33-34-3538 dhe 50-52); dhe shërben për të marrë mësim të mirë, nga përjetimet e popujve të kaluar dhe nga fati (përfundimi) i tyre. Pastaj, këtu, në këtë sure, ekziston metoda, e cila të nxit dhe të tërheq vërejtjen, të urdhëron dhe ndalon, që njëherit është edhe rikujtim për begatitë e Zotit si dhe metodë e sfidimit.
Shihi ajetet 11-12-13, 46-47;

* Kjo sure e bekuar flet për Ithtarët e Librit (Ehli-Kitabë) dhe për fshehjen e njohurive të tyre mbi Pejgamberin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Kjo pikë është shumë e rëndësishme, posaçërisht për thirrësin në Zot gjatë dialogut të tij;

* Kjo sure e bekuar tregon në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë dallimin esencial dhe të plotë në mes muslimanëve dhe kriminelëve, dhe nga ky sqarim, thirrësit në fê duhet të kuptojnë se nuk kanë nevojë për kompleksitet gjatë da’vetit dhe thirrjes së tyre në fê. Rruga në mes muslimanëve dhe jobesimtarëve duhet të jetë haptazi e qartë dhe e ndarë.
Shihi ajetet 55-57-68;

* Kjo sure e bekuar sqaron legjitimitetin e hulumtimit, kërkimin dhe argumentimin e të vërtetës dhe të saktës, gjë kjo që qartë vërehet në ngjarjen e Ibrahimit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) kur e pa hënën natën dhe…! Shihi ajetet 74-79;

* Kjo sure e bekuar e ka theksuar numrin më të madh të pejgamberëve dhe të dërguarëve të cilët kishin metoda të ndryshme, por një da’vet (thirrje) të përbashkët. Shihi ajetet 82 80. Kjo çështje është shumë e rëndësishme për thirrësit, të cilët duhet t’i unifikojnë qëllimet e tyre të da’vetit edhe pasi të kenë metoda dhe mënyra të ndryshme;

* Kjo sure e bekuar përmban parime të mëdha nga aspekti i besimit (imanit) dhe nga lëmi të ndryshme, si legjislacioni, marrëdhëniet juridike, ibadetet…Shihi ajetet 103-108-118-137-121-151-153. Kjo luan rol të rëndësishëm dhe tejet të madh në moralin dhe në kulturën e da’vetit dhe thirrësit;

* Kjo sure e bekuar sqaron adhurimet e periudhës së xhahilijjetit (injorancës), të cilat i praktikonin idhujtarët e Mekës, gjegjësisht ndarjen e dhuratave dhe kurbaneve në emër të Zotit dhe të zotërave që e shoqëronin Atë.
Nga kjo nënkuptohet se thirrësit duhet të kuptojnë dhe të studiojnë realitetin e shoqërisë, të cilën dëshirojnë ta thirrin. Shihi ajetet 136-140-146;

* Kjo sure e çmuar përmban në vete këshilla të rëndësishme, të cilat dijetarët i kanë quajtur “dhjetë këshilla”. Nuk e teproj nëse them se këto dhjetë këshilla konsiderohen si kulminacioni i legjislacionit islamik si p.sh.: Mosbërja shok Zotit të Madhërishëm, e që në thelb nënkupton monoteizmin (tevhidin) që njëherit është dhe mbetet baza e besimit të besimtarit; Sjellja e mirë ndaj prindërve. Edhe kjo është ndër veprat më të preferuara të Zotit të Madhërishëm; Mosmbytja e fëmijëve nga frika prej varfërisë, ngase Zoti i Madhërishëm është Furnizuesi dhe Përgjegjësi. Më gjerësisht shihi ajetet 151153, të cilat i udhëzojnë dhe i mësojnë thirrësit se duhet të përqendrohen në çështjet parësore-prioritare fetare, në çështjet e rëndësishme në fê dhe pas kësaj të kthehen drejt çështjeve dytësore-sekondare;

* Hyrja e gjatë, e këndëshme dhe mjaft e rëndësishme, të cilën e shkroi profesor Sejjid Kutubi (Zoti e mëshiroftë!), konsiderohet si hyrje më e gjatë në tefsirin e tij të “Fi dhilâlil-Kur’an.” Në këtë hyrje, profesor Sejjid Kutubi sqaron rëndësinë e Kur’anit gjatë periudhës mekase dhe rolin e hapat që duhet të ndërmirren në formimin e shoqërisë islame. Kjo periudhë e gjatë duhet t’ju tregojë thirrësve se kanë nevojë për të kaluar kohë të gjatë me ata që i thirrin gjatë periudhës së formimit të besimit dhe mbjelljes së tij në zemra e intelekte (mendje). Ata nuk duhet të shpejtojnë në vjeljen e rezultatit, përpara se t’ua sqarojnë njerëzve fshehtësinë (sekretin) e ekzistimit të tyre, t’ua sqarojnë ekzistimin e këtij Universi rreth tyre, tju tregojnë atyre se kush janë ata, prej nga kanë ardhur, si kanë ardhur, për çka kanë ardhur dhe ku do të shkojnë në fund. Kështu shkruan profesor Sejjid Kutubi (Zoti e mëshiroftë!) në tefsirin e tij;

* Mbase kjo ishte edhe arsyeja më e fortë që më nxiti ta studiojë këtë sure të bekuar, gjegjësisht sfidat me të cilat ballafaqohemi sot, ne thirrësit, ndaj dhe mu për këtë shkak obligohemi që t’i studiojmë suret e periudhës mekase, të cilat përmbajnë strategji të ndryshme të da’vetit, derisa të gjejmë shpëtim, rrugëdalje e alternativë nga ajo ku ne sot, fatkeqësisht jemi katandisur, pra në këto ditë të përçarjes, coptimit e mosmarrëveshjeve në mes thirrësve, si dhe në mos-sistematizimin e strategjisë së aktiviteteve të tyre dhe dobësinë e devijimin për shkak të injorancës së thirrësve dhe të atyre që punojnë në këtë lëmi…;

* Kjo sure e bekuar është përplotë qëndrime e dëshmi mbi jetën e arabëve gjatë periudhës së injorancës (asaj paraislame, të xhahilijetit).
Injoranca (xhahilijeti) i sotshëm bashkëkohor dhe largimi i njerëzve nga Islami, haptazi apo fshehurazi, qofshin këta pushtetarë apo njerëz të rëndomtë, si individë apo si kolektivitet; nuk është fare më e lehtë se injoranca (xhahilijeti) i parë; dhe:

* Kjo sure e bekuar i ka vëndosur parimet kryesore për të ecur me lejen e Zotit, në drejtim të realizimit të metodës hyjnore dhe për ta nxjerrë e shpëtuar mbarë Ummetin nga injoranca që i ka kapluar bijtë dhe thirrësit e tij.
Gjithsesi nuk ka dyshim se ka për të ardhur dita, kur besimtarët do të gëzohen nga aplikimi i Ligjit të Zotit dhe nga përjetimi i kësaj metode hyjnore në jetën e tyre të përditshme.

 Tematikat e sures “El El En’amë”

Kjo sure e bekuar i zbërthen disa çështje të rëndësishme nga jeta e individit, shoqërisë dhe Ummetit, si dhe kundërshton haptazi dhe në mënyrë reale: devijimin dhe pikëpamjet injorante (xhahiliste) të idhujtarëve ndaj të vërtetës së Zotit të Madhërishëm dhe Sheriatit të Tij. Tematika e besimit është bazë e kësaj sure, duke filluar prej fillimit e deri në mbarimin e saj.

Në këtë kontekst, profesor Sejjid Kutubi (Zoti e mëshiroftë!) thotë: “Tematika e cila shqyrtohet prej fillimit e deri në mbarim-është ajo e besimit me të gjitha parimet dhe elementet e tij. Kjo sure ka të bëjë me shpirtin e përgjithshëm të njeriut, me ekzistencën në tërësi, me burimet e besimit dhe me çështjet inspiruese të fshehta apo të dukshme të kësaj ekzistence të madhe. Ajo e dërgoi njeriun në botën e qiejve e të tokës, i sheh errësirat dhe dritën, shikon diellin, hënën e yjet në xhennetet e rrethuara dhe të parrethuara në të cilat rrjedh uji i pastër;

Kjo sure e dërgon njeriun edhe në popujt e zhdukur dhe ia tregon gjurmët e tyre që akoma janë të dukshme dhe evidente. Pastaj e dërgon në errësirat e tokës dhe të detit, në fshehtësitë (misteret) e botës të padukshme dhe të shpirtit, ku i gjalli del nga i vdekuri dhe i vdekuri del nga i gjalli, në farën e mbjellur e që jeton në errësirat e mitrës. Po ashtu e shëtit edhe nëpër botën e xhinëve dhe të njerëzve, të shpezëve dhe atë të egërsirave, të të parëve dhe të fundëve, të të vdekurve e të gjallëve, të engjëjve mbrojtës ditën dhe natën…” Profesor Sejjid Kutubi kur flet rreth tematikave të kësaj sure, diku, në një vend tjetër, thotë:

“Kjo sure e shqyrton çështjen elementare të besimit, çështjen e hyjnisë së Zotit, i njofton robërit (njerëzit) me Zotin e tyre dhe u tregon se kush është Ai, cili është burimi i kësaj ekzistence, çfarë fshehtësie ka pas kësaj bote, cilët janë robërit, kush i solli në këtë ekzistencë, kush i krijoi, kush i ushqen, kush kujdeset për ta, kush i rregullon çështjet e tyre, kush i ndryshon zemrat dhe sytë e tyre, kush e ndryshon natën dhe ditën, kush bën fillimin dhe mbarimin e tyre (natës dhe ditës), prej çka i krijoi, sa do të jetojnë, ku do të shkojnë?

Kjo jetë lulëzon kudo, dhe kush e mbolli atë brenda këtyre të vdekurve? Ky zbukurim i madh, ky syth që del, kjo farë që mbinë, ky yll vezullues, ky mëngjes që agon, kjo natë që kaplon, ky Univers që rrotullohet, pra, kush qëndron pas të gjitha këtyre gjërave? Kush?

Ç’ndodhë dhe çfarë fshehtësirash ka pas tërë këtyre gjërave? Këto popuj dhe këto shekuj (apo këto gjenerata që zhduken dhe ata që vijnë), që shkatërrohen e që lindin pasardhës… Kush i krijon pasardhësit dhe kush i shkatërron? Pse krijon pasardhës? Pse shkatërrohen e zhduken? Çfarë fundi, çfarë llogarie dhe çfarë shpërblimi do të marrin pas shkatërrimit, sprovave dhe vdekjes?”

“Tematika kryesore, të cilën e shqyrton kjo sure është e ndërlidhur dhe nuk mund të ndahet në pjesë. Kjo sure është si valët, të cilat qëndrojnë njëra pas tjetrës…”
Në kontekst të kësaj teme, prof. dr. Vehbe Zuhajli thotë: “Në përgjithësi, kjo sure përmbledh:

* Konfirmimin e parimeve të besimit në bazë të bindjes, ndikimit, dialogut, diskutimit, përgjigjes dhe pyetjes;

* Konfirmimin e pejgamberllëkut, mesazhit e shpalljes dhe
kundërshtimin ndaj dyshimeve të idhujtarëve me argumente racionale e të kuptueshme;

* Sqarimin e parimeve të fesë, moralit, etikës shoqërore dhe të “dhjetë këshillave”;
* Fenë e cila që nga koha e Ademit deri te Muhammedi (Paqja dhe
bekimet e Allahut qofshin mbi të!) është po ajo fê e njëjtë në esencë, mënyra dhe në synime;
* Drejtësinë hyjnore që ka caktuar popuj dhe individ të ndryshëm dhe faktin që Zoti i shkatërron zullumqarët, u jep begati adhuruesëve dhe ia mundëson më të mirit që të trashëgojë në tokë…; dhe:
* Allahun i Cili është burimi i legjislacionit, hallallit dhe haramit.”108 Prof. Rashid Imam Husejn, në librin e tij “Kur’anijjat”, kur flet për zbërthimin praktik të problemeve dhe të krizave të botës, thotë:
“Kjo sure është luftë kundër eksploatuesëve të të dobtëve. Shihi ajetet 119-161. Ndërsa ajeti 152: “Mos iu afroni pasurisë së jetimit derisa ai të arrijë pjekurinë” – tregon qartë se si të veprohet në punë të ndryshme juridike. Prej këtij ajeti nxirren leksione të rëndësishme, të cilat nëse  praktikohen me parimet dhe rregullat, do të drejtohej e tërë ekonomia e botës.”

Profesor Rashidi vazhdon më tej duke thënë:
“Shtetet e pasura nuk duhet t’i shfrytëzojnë shtetet e varfëra, përkundrazi, ato duhet t’u ndihmojnë që të shpëtojnë nga problemet dhe nga vështirësitë ekonomike. Të pasurit duhet t’u ndihmojnë të varfërve, dhe vetëm në këtë mënyrë nuk do të ketë arsyetim e as argument për përhapjen e imoralitetit për shkak të papunësisë.

Çdo orvatje duhet të ketë për qëllim lumturinë dhe progresin e njerëzimit e jo të vrapohet vetëm pas interesave personale. Nga analizimi i kësaj sureje të bekuar mund të konkludojmë se çdo leksion që merret prej saj, mjafton të zbërthejë të gjitha problemet e botës.”

Kjo i bëri mjaft përshtypje Bernard Shoit, i cili u shpreh:
“Unë gjithmonë fenë e Muhamedit e shihja në piedestal për shkak të vitalitetit të saj. Ajo është feja e vetme që posedon fuqi dhe potencial për t’u përballur me sfidat e ndryshme në periudha të ndryshme të jetës.”111 Mendoj se çka u tha më lartë është e qartë dhe evidente në suren “ El En’am”, dhe po që se ia hedhin një shikim nga afër do të bindemi plotësisht.

 Emri dhe arsyeja

Për sa i përket fshehtësisë (urtësisë) së emrit të kësaj sureje, prof. dr. Vehbe Zuhajli, në tefsirin e tij thotë:
“Sureja “El El En’amë” është e gjashta me rradhë, dhe quhet kështu për shkak të theksimit të begative në të: “Ata i lënë All-llahut, prej asaj që Ai i krijoi vetë, një pjesë të drithit dhe një pjesë të kafshëve dhe thonë: “Kjo është për All-llahun” sipas bindjes së tyre, “e kjo për shokët (zotërat tonë)”. Mirëpo, ajo që u dedikohet zotërave të tyre nuk arrin te All-llahu, ndërsa ajo që është për All-llahun u arrin zotërve të tyre. Sa keq gjykojnë ata! ”(El El En’amë,136).

Me këtë nënkuptojmë shkakun e emrit të kësaj sureje, dmth;përmendja e kafshëve, sepse termi: El En’am ne gjuhën arabe përfshin këto lloje të kafshëve: Devet, Lopët dhe Delet.
A ndërsa rasti apo arsyeja është; se kjo ndërlidhet me konceptet e mëparshme, ngase të dy suret “El Ma’ide” dhe “El El En’amë”
kundërshtojnë qëndrimet dhe besimet e Ithtarëve të Librit, i theksojnë ushqimet e ndaluara, prerjet si dhe kritikojnë ithtarët e xhahilijetit për shkak të ndalimit të tyre të disa begative për t’u afruar me idhujt e tyre…”

Në këtë kontekst duhet thënë se edhe Shejhu dhe mendimtari i madh islam, zotëriu Muhamed Reshid Rida, ka një komentim të rëndësishëm në tefsirin e tij “El-Menar”, që mendoj se ia vlen ta theksoj këtu, me qëllim që të shohim edhe një fshehtësi nga fshehtësitë e shumta të kësaj sureje…

Ky mendimtar (Zoti e mëshiroftë!) thotë:
“Kush e analizon rregullimin e sureve në mus-haf do të kuptojë se në sistematizimin e tyre ka fjali të gjata, mesatare dhe fjali të shkurtëra, me qëllim që të bëhen sa më të lehta për lexim dhe mësim përmendësh. Lexuesi fillon të lexojë e të transferohet nga më të gjatat drejt atyre më të shkurtërave dhe akoma më të shkurtërave113, kësisoji që të jetë më vital dhe të mos e kaplojë mërzia. Nga fundi mësohet përmendësh për shkak se është më e lehtë për fëmijët. Pasi që besimi është më prioritar në fê, çështja e Ithtarëve të Librit shqyrtohet më shumë se ajo e idhujtarëve, ndaj dhe për këtë shkak ata kritikohen më detajisht dhe më pas vijon me idhujtarët.

Një gjë e tillë vërehet më qartë në suren “El El En’amë” se sa në suret tjera, ngase kjo sure plotëson suren “El-Bekare” rreth çështjeve të besimit. Pastaj vijon sureja “El A’ërafë” e cila i sqaron ligjet e Zotit të Madhërishëm për pejgamberët e të dërguarit rreth çështjeve të popujve të tyre me ta. Kjo është argument për idhujtarët dhe Ithtarët e Librit. Sureja “El El En’amë” flet më hollësisht për Ibrahimin të cilit i përkasin arabët dhe Ithtarët e Librit në rrjedhë e fê.”

 Rreth vlerës së sures dhe zbritjes së saj

Rreth vlerës së kësaj sureje dijetarët, mufessirët transmetojnë disa mendime. Transmeton Sai’id ibn Jubeir nga Ibn Abbasi i cili thotë: “Nëse dëshiron të mësosh mbi injorancën e arabëve, lexoje ajetin e 130 dhe me tej të sures “El El En’amë”:
“S’ka dyshim se kanë dështuar keq ata që mbytën fëmijët e tyre
nga mendjelehtësia e pa kurrfarë dije dhe ata që duke i shpifur Zotit, shpallën të ndaluar atë që Zoti u kishte dhuruar. Ata kanë humbur rrugën e drejtë dhe prej fillimit nuk ishin në udhëzim.“ (El En’amë, 140).”

Poashtu transmeton Imam El Daremiu në “Sunenin” e tij, i cili thotë: “Transmetohet nga Ebu Ne’imi, nga Ebu Zuhejr ibn Is’haku, nga
Abdullah ibn Halife se Omeri ka thënë: “Pastaj “El El En’amë” është nga pjesët e zgjedhura të Kur’anit.”

“Affani përcjell nga Hemmami, i cili thotë: ”Kam dëgjuar Ebu Imran El-Xheunin se ka thënë: “Na ka transmetuar Abdullah ibn Rebbahi, i cili ka thënë: “E kam dëgjuar Ka’bin duke thënë: “Çelësi i Teuratit (fillimi i Teuratit) është çelësi i sures Hud”, dhe ne disa verzione: Çelësi i Teuratit eshte fillimi i Suretu-l-Maide dhe fundi i saj(dhjete keshillat e fundit).

Shejh Muhamed ibn Darijs në librin e tij “Fedailul Kur’an” thekson: “Na kanë informuar Sulejman ibn Hazbi, Musa ibn Ismaili dhe Ali ibn Zejdi nga Jusuf ibn Mehrani, e ky nga Ibn Abbasi se ka thënë: “Sureja “El El En’amë” tërësisht zbriti natën”. Edhe Ali ibn Musa ka thënë: “Zbriti natën në Mekë dhe rreth saj shtatëdhjetë mijë engjëj bënin tesbih.”

Imam Muhamed ibn Darijsi thekson se Ismail ibn Ajjashi transmeton nga ibn Ebbani, ky nga Shehr ibn Hansheb se ka thënë: “E kam dëgjuar Ibn Abbasin duke thënë: “E tërë sureja “El El En’amë” ka zbritur në Mekë dhe rreth saj ka pasur grup engjëjsh, të cilët bënin tesbih në mes qiellit e tokës, saqë e tërë toka dridhej nga jehona e tesbihut të tyre.” Ibn Abbasi vazhdon e thotë: ”Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) kur e dëgjoi tesbihun e tyre, u frikësua dhe ra në sexhde, derisa iu shpall sureja.”

Në brendi të disa librave të tefsirit hasa në disa të dhëna mbi vlerën e sures “El El En’amë”, ndaj dhe në vijim do t’i theksoj për të pasur një pasqyrim sa më të plotë rreth vlerës së kësaj sureje të bekuar:

Imam Fahrudin Raziu (Zoti e mëshiroftë!), në tefsirin e tij “TefsirulKebir” thotë: “Sureja “El El En’amë” është mekase, përveç ajeteve 20-23-91-114141-151-152-153.”
Imam Fahrudin Raziu transmeton nga Ibn Abbasi i cili thotë:
“Kjo sure është mekase dhe ka zbritur në tërësi nën përcjelljen e shatëtdhjetë mijë engjëjve. Engjëjt zbritën dhe i mbushën të dy brigjet e Mekës, ndërsa Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i thirri shkruesit dhe ata e shkruan atë natë, përveç gjashtë ajeteve, të cilat janë medinase.”

Transmetohet nga ibn El Munkedir, i cili thotë:
“Kur zbriti sureja “El El En’amë”, Pejgamberi (Paqja dhe
bekimet e Allahut qofshin mbi të!) bëri tesbih e tha: “Kjo sure u shoqërua me engjëj sa që e mbuluan tërë hapësirën!”
Usulistët thonë se kjo sure dallohet me dy karakteristika:
“Ajo u shpall përnjëherë dhe shapalljen e saj e shoqëruan shtatëdhjetë mijë engjëj, tërë kjo, ngase përmban në vete argumente të monoteizmit (tevhidit), drejtësisë, pejgamberllëkut, ringjalljes, ç’vlerësimin e doktrinave të jobesimtarëve e ateistëve, gjë kjo që argumenton se shkenca e usulit ka vlerë dhe rëndësi të pakufizuar.”

Imam El Kurtubiu në tefsirin e tij, thotë:
“Sipas shumicës kjo sure është mekase” ; dhe më pas transmeton nga Ibn Abbasi i cili thotë: “Nëse dëshiron të mësosh mbi injorancën e arabëve, lexoje ajetin e 130 dhe me tej të sures “El El En’amë”:
“S’ka dyshim se kanë dështuar keq ata që mbytën fëmijët e tyre nga mendjelehtësia e pa kurrfarë dije dhe ata që duke i shpifur Zotit, shpallën të ndaluar atë që Zoti u kishte dhuruar. Ata kanë humbur rrugën e drejtë dhe prej fillimit nuk ishin në udhëzim.“ (El En’amë, 140).”

Imam El Sheukani thotë:

“Transmetohet nga Taberaniu, nga ibn Merdevejhi, Ebu Shejhi, ElBejhekiu në “Shu’ab”, e ky nga Enesi i cili thotë se Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:
“Sureja “El El En’amë” zbriti në shoqërim të engjëjve që kishin
kapluar tërë hapësirën duke bërë tesbihe e duke e shenjtëruar”. Toka dridhej, ndërsa Muhammedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) vazhdimisht thoshte: Sub’hanallahi-l-Adhijm, Sub’hanallahi-l-Adhijm“I pastër nga të metat është Zoti i Madhërishëm, i pastër nga të metat është Zoti i Madhërishëm…”

5. Mënyrat e da’vetit (thirrjes) në Kur’anin Fisnik në përgjithësi Kur’ani Fisnik është Libër i dhëzimit, retorikës dhe elokuencës. Ai u shpall nga Allahu, Zoti i botëve, e zbriti Shpirti Fisnik (engjëlli Xhibril) në zemrën e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) në gjuhën e pastër arabe që të tërheq vërejtjen.
As retoristët arabë e as ata të huajë, nuk patën asnjë mundësi që të bëjnë një sure të vetme me dhjetë ajete, po madje as edhe një ajet të vetëm, të ngjashëm me ndonjë ajet të Kur’anit Fisnik…
Kur’ani Fisnik dallohet me stilin e lartë superior gjuhësor të elokuencës dhe retorikës, si dhe me një metodë atraktive e rrjedhshmëri të këndëshme.

Mënyrat e da’vetit ndryshojnë varësisht nga mënyrat e tilla gjuhësore…

Prof. dr. Ahmed Ebu Zejdi i thekson disa metoda të da’vetit (thirrjes) në Kur’anin Fisnik dhe thotë:

– Pjesa dërmuese e këtyre mënyrave përputhen me natyrat e ndryshme të njerëzve dhe kanë të bëjnë me urdhërin, ndalimin, urtësinë, këshillën, udhëzimin e fundit të popujve të kaluar, nxitjen për veprim dhe kërcënim, shembuj, rrëfime-tregime, fjalë të drejtuara intelektit etj.
Në vijim do të theksojmë disa detaje nga mënyrat e tilla me shembuj kur’anor:
– Metoda e urdhërit dhe ndalimit: “Falni namazin dhe jepni zeqatin!” (El-Bekare, 43).
– Metoda e dialogut bindës: “Populli i Nuhit i përgënjeshtroi të dërguarit, kur iu tha atyre vëllai i tyre Nuhu: “A nuk i frikësoheni (Zotit)? Unë për ju jam pejgamber besnik!” Ata thonë: “E si të të besojmë ty, kur ty të besojmë më të ultit?” (Shuaraë, 105-106).
– Metoda e këshillave dhe udhëzimeve: “Një njeri besimtar nga familja e Faraonit, që e fshehte besimin e vet, tha “A doni ta mbytni një njeri vetëm pse thotë Zoti im është Allahu?”
– Metoda e nxitjes dhe kërcënimit: “Dhe ngutuni (me punë që meritoni) në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe për në një Xhennet për të devotshmit.” (Ali-Imran, 133).
“E Xhehennemi është në pritë (në pusi), (ai) është vendstrehim i arrogantëve….” (Nebe’ë, 21-25).
– Metoda e përkujtimit për begatitë: “Allahu është Ai që i krijoi qiejt dhe tokën, dhe Ai lëshoi prej së larti ujë (shi), e me të nxjerr fruta si ushqim për ju, dhe për të mirën tuaj u vuri në shërbim anijet, të lundrojnë nëpër det me urdhrin e Tij, e në shërbimin tuaj i vuri edhe lumenjtë; Për ju i nënshtroi diellin dhë hënën që në mënyrë të zakonshme vazhdimisht udhëtojnë. Për ju përshtati edhe natën e ditën; Dhe Ai ju dha gjithatë që e kërkuat (që kërkoi nevoja juaj) dhe, edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni (në numër). Vërtet, njeriu është i padrejtë dhe shumë përbuzës”. (Ibrahim, 32-34).

– Metoda e përkujtimit të përfundimit të popujve të mëparshëm:
“Themudi dhe Adi përgënjeshtruan tronditjen (Kijametin). Sa i përket Themudit, ata u shkatërruan me krisma të tmerrshme, ndërsa Adi është shkatërruar me një erë të fortë, të pakufishme.” (El Hakka, 4-10).
Kjo metodë ka të bëjë me përfundimin e popujve të mëhershëm.
– Metoda e këshillave: “ (Përkujtoja popullit tënd) kur Llukmani duke e këshilluar, birit të vet i tha: “O djali im, mos i përhskruaj Allahut shok sepse idhujtaria është padrejtësia më e madhe.” (Llukman, 13).
– Metoda e shembujve: “A nuk ke kuptuar se si Allahu bëri shembull: Fjalën e mirë si pema e mirë që rrënjët e saj janë thellë (në tokë) e degët e saj janë lartë.” (Ibrahim, 24).
– Metoda e fjalëve drejtuar intelektit: “Është fakt se në krijimin e qiejve e të tokës, në ndërrimin e natës e të ditës, të anijes që lundron në det që u sjell dobi njerëzve.” (El Bekare, 164).
– Metoda e pyetjeve: “A nuk është Allahu që mjafton robit të vet (Muhammedit)?” (Zumer, 36).
“A nuk udhëtuan ata nëpër tokë e të shohin se si ishte përfundimi i atyre që patën qenë para tyre?“ (Gafir, 21).
– Metoda e sfidimit: “E në qoftë se keni dyshim në atë që Ne ia
shpallëm gradualisht robit tonë, atëherë sillnie ju një kaptinë të ngjashme si ai (Kur’ani) dhe thirrni (për ndihmë) dëshmitarët tuaj (zotërat) pos Allahut, nëse jeni të sinqertë (në thëniet tuaja se Kur’ani nuk është prej Zotit)?” (El-Bekare, 23-24).

Pjesa dërmuese e këtyre mënyrave apo metodave të da’vetit janë theksuar në suren “El El En’amë” dhe së shpejti një gjë të tillë do ta shohim në këtë sure. Ne ishim të obliguar t’i shqyrtojmë këto metoda, me qëllim që të kuptojmë metodën e profesor Sejjid Kutubit në tefsirin e tij dhe mënyrën se si ai e ka bërë nxjerrjen, të pjesës më të madhe të metodave të tilla nga Kur’ani Fisnik.

 

Asoc.Prof.Dr.Hfz.Hajredin Hoxha
Rruga e Da’wetit në Allahun xh.sh. nën hijen e Sures El En’am (Direktiva te arta për hoxhallarë dhe studentë sipas Tefsirit të prof.Sejid Kutub )

Related Stories

Na ndiqni në Youtube

spot_img

Tema të tjera

قضايا دينية، اجتماعية، سياسية معاصرة في ميزان القرآن: قراءة...

قضااي دينية اجتماعية سياسية معاصرة يف ميزان القرآن قراءة حتليلية يف تفسري األستاذ سيد قطب ورقة...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح القاضي مع الأستاذ إغناز غولد:...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث: التجربة الكوسوفية...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث التجربةالكوسوفيةمع الصربنموذج ورقة علمية قدمت في املؤتمر العاملي بعنوان: "...

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام ورقة علمية معدة للندوة العلمية يف امللتقى...

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية د/خيرالدين خوجة(الكوسوفي)

دراسات لأسلوب القرآن الكريم

سلسلة عرض وتقديم أعلام الدراسات القرآنية (3) دراسات لأسلوب القرآن الكريم للشيخ الأستاذ الدكتور محمد عبد الخالق...

Kategoritë më të popullarizuara

Comments