NDIKIMI I KUR’ANIT FISNIK NË GJUHËN ARABE

0
1170

 

Çdo gjuhë, siç thonë hulumtuesit, vazhdon varësisht nga folësit e saj; ajo ngrihet me ngritjen e tyre dhe dobësohet me dobësimin e tyre. Ky imazh shoqëror i nënshtrohet ligjit të evolucionit. Historia na raporton për shumë gjuhë dhe kultura të cilat shijuan fatin e hidhur të humbjes dhe zhdukjes, gjë që nuk i ndodhi kulturës islame dhe gjuhës arabe, të cilën e ruajti Kur’ani Fisnik. Kështu, gjuha arabe mbeti gjuha më e fortë në rezistimin ndaj sfidave dhe vështirësive në kohën kur arabët u përzien me të huajt, falë elementeve kulturore dhe civilizuese që i ka fituar në saje të të qenit gjuhë e Kur’anit.

Njerëzimi, përgjatë gjithë historisë, nuk ka njohur ndonjë gjuhë që është përjetësuar falë librit të saj fetar. Kur’ani i ka vënë kurorën e jetës dhe sekretin e ekzistencës gjuhës arabe dhe pikërisht prej tij gjuha arabe mori shpirtin e vendosmërisë dhe guximshmërinë e jetës. Kur’ani Fisnik është shpirti që e bëri arabishten letrare gjuhë të të gjitha kohëve. Për çdo të mirë arabishtja, së pari, i detyrohet Kur’anit. Allahu qoftë i falënderuar fillim e mbarim![1]

Ndikimin dhe gjurmët e Kur’anit në gjuhën arabe do të mund t’i përmblidhnim në pikat në vijim:

  1. Ruajtja e gjuhës arabe nga humbja

Ndikimi i Kur’anit në gjuhën arabe, nga aspekti përmbajtjesor dhe formal, ka qenë vërtet i madh. Tekstet e Kur’anit janë të shenjta dhe të përjetshme, kështu që me ekzistencën e vazhdueshme të teksteve kur’anore edhe gjuha arabe vazhdoi të jetë e gjallë dhe aktive gjer në ditët tona. Dr. Jusuf Sherbexhi është munduar të përmbledhë disa nga sekretet që qëndrojnë pas përjetësisë së gjuhës arabe: ‘Sekreti që qëndron pas përjetësimit të gjuhës arabe dhe ruajtjes së saj është  ndikimi i madh i Kur’anit në jetën e ummetit arab, të cilin nga një ummet i humbur ai e shndërroi në një ummet të ndershëm e të fortë, dhe këtë për hir të mbajtjes së tij pas këtij libri (Kur’anit), i cili gdhendi (përsosi) shpirtrat  e tyre, fuqizoi karakterin e tyre, pastroi mendjet e tyre nga ndyrësira e idhujtarisë, bashkoi zemrat e tyre dhe unifikoi fjalët e tyre e rrjedhimisht edhe idealet, kështu që për hir të tyre ata sakrifikuan edhe jetët. Kur’ani largoi edhe padrejtësitë ndërmjet tyre si dhe shkuli nga gjokset e tyre urrejtjen, smirën, mërinë dhe inatet… Kur’ani ishte sikurse një kodër e lartë që i sfidonte ndikimet dhe kurthet që ngriheshin kundër gjuhës së tij, e mbronte atë dhe ruante pragun e saj… E meqë Kur’ani ka këtë pozitë, atëherë nuk është çudi pse muslimanët iu qasën atij dhe e mbrojnë atë, duke konsideruar se çdo armiqësi ndaj Kur’anit është armiqësi edhe ndaj arabishtes dhe anasjelltas. Kësisoj, sekreti i qëndrimit të Kur’anit deri më sot, e me lejen dhe dëshirën e Allahut gjer në amshim, fshihet pikërisht në mbrojtjen që Ai ia bën Kur’anit, ngase mbrojtja e tij nënkupton edhe mbrojtjen e saj… Këtë gjë më së miri mund ta kuptojë ai që përcjell gjuhët dhe fatin e tyre. Sa e sa gjuhë kanë qenë të ngritura, madje edhe në nivel ndërkombëtar, por më pas kanë humbur. Si shembull për këtë shih gjuhën latine, e cila dikur ishte gjuhë, kulturë dhe fuqi, por sot nuk ka mbetur asgjë përveç gjurmëve të saj. Gjuha arabe nuk e pati fatin që të ishte as fuqi, as gjuhë kulture e as prodhimi; ajo ishte gjuhë shkretëtire dhe analfabetësh dhe larg shkencave dhe njohurive, por falë Kur’anit Famëlartë, ruajtjen e të cilit e mori përsipër vetë Allahu, ajo u ruajt, për dallim nga librat e tjerë dhe gjuhët e tyre që nuk e patën këtë fat dhe u shuan[2]

 

  1. Forcimi i gjuhës dhe veprimi në drejtim të përkryerjes së saj

Askush nuk dyshon se Kur’ani është burim i forcës, fuqisë dhe gjallërisë së gjuhës arabe, ndryshe, sikur ky potencial hyjnor të mungonte, atëherë gjuha arabe sigurisht se nuk do t’i dispononte këto domethënie të shumta, shprehje të zhvilluara, struktura të reja dhe metoda të larta që ka. Shkencëtari i madh, Rafiu, thotë: “Kur’ani u shpall asisoj që shumica e pakica e tij (tekstet e gjata e të shkurtra) sfidojnë. Ai është i ngjashëm me nurin (dritën) në mbarështimin (renditjen) e tij, ngase drita është dritë në tërësi dhe edhe kur ndahet nuk del jashtë natyrës së saj. Kur’ani në çdo pjesë të tij është tërësi, që nuk kanë kundërthënie ndërmjet vete, përveç nëse krijon qiell tjetër nga ky dhe tokë tjetër nga kjo. Kjo është arritur falë faktit se Kur’ani e filtroi gjuhën arabe nga shakullinat (zhiblat) dhe arriti që ta demonstrojë thelbin dhe esencën e fshehtësive të saj publikisht, kështu që me ujin e bukurisë erdhi më i mbushur se reja, me gjallërinë fizike më i mirë se rinia… Pastaj, në trajtimin e domethënieve delikate dhe të thukëta, të cilat i shfaq nëpërmjet I’xhazit dhe të cilat i portretizon me të vërtetën dhe i shpreh me alegorinë, për të vazhduar me atë elasticitetin që ia ka dhënë për ndërrimin e metodave dhe shndërrimin e strukturave, në të gjitha këto Kur’ani ka shfaqur një pamje impozante që të mahnit, jo vetëm për gjeneratën e arabëve por për tërë historinë. Këtu ka qenë fshehtësia e shtangies së tyre derisa të vërtetonin se a ishin duke dëgjuar zë të së tanishmes, zë të së ardhmes apo zë të përjetësisë, ngase arabishtja ishte gjuha që ata e njihnin.”[3]

Me gjithë sulmet e pamëshirshme ndaj gjuhës arabe dhe përhapjes së dialekteve popullore në formën e planprogrameve nëpër shkolla dhe universitete, madje në disa universitete amerikane dhe arabe u themeluan edhe departamente të veçanta, ata e pranuan se gjuha arabe disponon një fuqi, gjallëri dhe përhapje të shpejtë. Orientalisti Ernest Renan thotë: “Ndoshta gjëja më e çuditshme që ka ndodhur në historinë e njerëzimit, – sekreti i së cilës është vështirë të zbulohet, – është përhapja e gjuhës arabe. Kjo gjuhë në fillim ishte e panjohur dhe befas u shfaq shumë madhështore. Fillim e çfarë fillimi, pasuri e çfarë pasurie. E përsosur në kuptimin e asaj se, deri në ditët tona, nuk ka ndodhur ndonjë ndërrim i rëndësishëm i saj; ajo nuk ka fëmijëri dhe as pleqëri; që në fillim u shfaq e plotë dhe stabile, e ndoshta ajo që më së shumti të mahnit është mbjellja e saj në një shkretëtirë dhe arritja e përsosmërisë pikërisht në shkretëtirë, madje duke kaluar simotrat e saj me shprehje të shumta, domethënie precize dhe strukturë fenomenale…” Ndërsa Xhorxh Sartoni thotë: “Gjuha e Kur’anit, duke e llogaritur atë si gjuhë të arabëve, me këtë reformim ka qenë e plotë. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] i dha fleksibilitet aq sa e bëri të aftë të kodifikojë madje edhe shpalljen hyjnore në mënyrë shumë precize dhe ta shprehë atë me shprehje të bukura dhe të forta. Kështu, Kur’ani arrin ta lartësojë gjuhën arabe në pozitën e ‘shembullit më të lartë’ (methelu’l a’la) në shprehjen e qëllimeve.” Kurse Broklemani (Brookleman) shton: “Falë Kur’anit, arabishtja arriti një shtrirje të tillë që thuajse nuk e ka asnjë gjuhë tjetër. Muslimanët janë të vetëdijshëm dhe besojnë se gjuha arabe është e vetmja gjuhë që lejohet të përdoret në lutjet (namazet) e tyre. Kjo i ka mundësuar arabishtes që të fitojë një pozitë të lartë ndaj të gjitha gjuhëve të botës…”

Prof. Dr. Hasen Dijaud-din Ater, në studimin e tij përkitazi me mrekullinë më të madhe të Kur’anit, përmend edhe disa pika të tjera me rëndësi për ndikimin e Kur’anit në gjuhën arabe, të cilave po iu referohem shkurtimisht:

  • Kur’ani i Madhërishëm i shpëtoi arabët nga dallimet e ndryshme dhe të shumta dialektike, kështu që ndikoi në drejtim të përafrimit dhe unifikimit të gjuhës së tyre, për të folur me dialektin më letrar të arabishtes…
  • Kur’ani e pastroi arabishten nga shprehjet e huaja dhe të paqarta dhe e shndërroi atë në një gjuhë të kulluar dhe tërheqëse
  • Kur’ani solli domethënie të reja që arabët nuk i njihnin dhe as nuk dinin t’i shprehnin, si: Islam, iman, furkan, shirk, kufr, nifak, savm, salat, zekat Krahas kësaj ai solli edhe aspekte përmbajtjesore ndijore interesante dhe të përjetshme, siç është – fjala vjen – tërheqja e vëmendjes për melekutus semavati ve’l erdmadhësitë e qiejve e të tokës dhe përfitimi i argumenteve logjike që dëshmojnë njëshmërinë, madhështinë dhe fuqinë e Zotit, si dhe obligimin e adhurimit vetëm të Tij… Allahu i Gjithëditur e shpalli Kur’anin në 114 pjesë, me një elokuencë dhe retorikë të pakrahasueshme në shprehjet dhe domethëniet e tij, si dhe në formën dhe përmbajtjen e tij…
  • Arabët e patën bërë zakon që në stinë dhe tregje të ndryshme të organizonin gara letrare. Në të shumtën e rasteve, tek konkurrentët ndodhnin mospajtime për shkak të mungesës së një shembulli letrar më të lartë, të cilin do të mund ta merrnin për kriter vlerësimi. E kur Kur’ani i befasoi ata me madhështinë e elokuencës së tij, epërsinë e retorikës së tij dhe pozitën e pakonkurrencë të tij, ata iu nënshtruan dhe u bindën se ai nuk mund të sfidohej. Aftësitë dhe kapacitet e tyre letrare iu nënshtruan atij dhe ata filluan të merrnin prej tij. Ata iu qasën studimit të karakterit të bukur letrar që solli ai, prej të cilit formuan një mori rregullash retorike dhe letrare. Me një fjalë, Kur’ani ishte modeli më i mirë i mundshëm dhe peshorja më e saktë.
  • Gjurmët e Kur’anit ende vazhdojnë të shfaqen qartë në letërsinë arabe: në poezi, prozë, urtësi, ligjërim e çfarëdo tjetër qoftë. Në të shfaqen shprehje dhe forma të shkëputura direkt prej Kur’anit, por ka edhe të atilla që janë formuluar duke shikuar në formalen dhe mënyrën e tij. Ndërsa sa iu përket temave, disa janë tërësisht të reja, si: sofizmi dhe asketizmi, por ka edhe të atilla që janë reformuar dhe iu është dhënë forcë dhe gjallëri, si entuziazmi, por që të gjitha këto tema janë ndikuar qartazi nga Kur’ani, gjë për të cilën nuk ka dyshim. Kjo mund të vërehet në vlerat e reja e të shumta shpirtërore, intelektuale, shoqërore dhe njerëzore që këto tema kanë marrë nga Kur’ani…
  • Kur’ani mbizotëroi mbi kapacitet letrare dhe tërhoqi interesimin dhe kujdesin e tyre. Sigurisht se nderi i krijimit dhe zhvillimit të shkencave gjuhësore i takon Kur’anit. Kur’ani është arbitri i këtyre shkencave, fjala e të cilit është gjithçka për to dhe jo anasjelltas. Vërtet është për t’u çuditur me punën e disa injorantëve që duan të bëjnë pikërisht të kundërtën: të krijojnë paqartësi rreth teksteve kur’anore dhe rregullave të gjuhës arabe. Këta natyrisht se e neglizhojnë faktin se Kur’ani është gjykues i këtyre shkencave. Argumenti kur’anor është vendim i prerë për mendimet kundërthënëse në të gjitha shkencat gjuhësore… Si rezultat i kësaj u shkruan disa vepra madhështore, si Nudhumu’l Kur’an e Xhahidhit, Delailu’l I’xhaz dhe Esraru’l belagah e Abdu’l Kadir Xhurxhanit, etj.
  • Kur’ani, siç mund të jetë e qartë për ty lexues i nderuar dhe për çdo studiues, është lënda që vë në lëvizje kritikën letrare tek arabët dhe është hulumtuesi kryesor drejtuar atyre dhe studimeve retorike në përgjithësi. Po u ndale të analizosh studimet kritike dhe peshojat e tyre në artet e fjalës (funun el kavl) do të gjesh se të gjitha i janë nënshtruar mënyrës kur’anore, të cilën na e kanë paraqitur studimet e I’xhazit të Kur’anit, sikurse që janë thirrur në argumentin apo faktin kur’anor, i cili ka qenë shembulli më i mirë dhe modeli vlerësues më i pranuar. Prej mënyrës dhe formës së tij (Kur’anit), bëhet edhe gjykimi për vlerat e metodave ndaj njëra-tjetrës…
  • Kur u intensifikuan studimet, përkitazi me komentimin (tefsirin) e Kur’anit dhe aspektit të I’xhazit në retorikën e tij, atëherë hulumtimet u thelluan në masë të konsiderueshme në shkencën e artit ekspresiv apo shprehimor (ar. Ilmu’dh-Dhevk[4]), kështu që doli në shesh ndikimi i Kur’anit në zhvillimin e shijes letrare arabe.

 

  1. Unifikimi i dialekteve arabe

Është e ditur se dialektet e gjuhës arabe ishin të ndryshme; ato përmbanin pjesë të çmuara letrare, por kishin edhe gjëra krejtësisht të pavlera. Kur’ani u shpall në shtatë shkronja (dialekte), në mënyrë që leximi dhe recitimi i tij të ishte i lehtë për të gjithë. Padyshim, dialektet dallonin edhe nga shkalla dhe niveli i aspektit letrar, gjë që bëri që Uthmani [Allahu qoftë i kënaqur me të] të nxirrte një dekret që, me rastin e kodifikimit apo përmbledhjes së Kur’anit brenda një mus’hafi, po qe se ndodhte ndonjë diskutim rreth shprehjeve, atëherë të merrej shprehja e kurejshëve, ngase Kur’ani qe shpallur në gjuhën e tyre.

Gjuha apo dialekti i kurejshëve ishte më e qarta, më e lehta dhe më e ëmbla, ndaj të gjitha dialekteve të Gadishullit, vlerë të cilën mundohet ta shpalosë para nesh edhe Imami i shquar, Sujuti [Allahu e mëshiroftë], i cili thotë: “… të folurit e kurejshëve është më i lehti dhe më i qarti, ndërsa të folurit e arabëve është paksa i vrazhdë dhe i pakuptueshëm. Për këtë shkak, arabët i afrohen asaj dhe duan ta përvetësojnë atë, sidomos kur kanë parë se bukurinë dhe ëmbëlsinë e saj e ka shtuar edhe Kur’ani. Ata, kur panë këtë bukuri, iu qasën Kur’anit për ta dëgjuar atë dhe, përkundër vullnetit dhe dëshirës së tyre, thanë: Vërtet, qenka i ëmbël dhe elegant (magjepsës); lartësia e tij është frytdhënëse, ndërsa pjesa e poshtme e tij gufuese. Vërtet, ai triumfon, ndërsa mbi të nuk mund të triumfohet![5]

Muslimanët vazhduan ta lexojnë Kur’anin ditë e natë, derisa e vërtetuan në praktikë se vërtet ata janë njerëzit më të mirë të dalë ndonjëherë në sipërfaqen e dheut, duke e lexuar atë që të gjithë, arabë dhe joarabë, me një gjuhë të vetme, gjuhë që i unifikoi ata, duke shkrirë deri diku ato dallimet që i kishin para shpalljes së Kur’anit në dialektet e tyre. Kësisoj, ata hynë në një etapë të re historike, në të cilën u bë unifikimi i gjuhëve të tyre…[6]

Mbase është e njohur se arabët, para shpalljes së Islamit, kishin dallime në të folur. Ata mblidheshin për çdo vit në tregun Ukkadh, sikurse edhe gjatë kohës së Haxhit, në të cilat merrnin pjesë një grup i madh ligjëruesish, poetësh dhe gojëtarësh. Në këtë kongres tregtar shkencor – nëse mund të quhet kështu – ata shkëmbenin dhe diskutonin me njëri-tjetrin, formë kjo e njohur për pasurimin e dialekteve, derisa në skenë u paraqit Islami, libri i të cilit u shpall në gjuhën e kulluar arabe, duke shkaktuar kështu një revolucion shkencor dhe linguistik të ri, metodën dhe stilin e të cilit arabët nxituan ta përvetësojnë pa hezitim[7]. Së shpejti Kur’ani u bë qendër referuese për vlerësimet gjuhësore dhe afrimin ndërdialektor. Në të kaluarën shkrirja në një dialekt tjetër konsiderohej turp, ndërsa me shpalljen e Islamit muslimanët e mësuan gjuhën nga Kur’ani dhe nga metoda e tij, dhe jo vetëm arabët. Kësisoj, dialektet do të hidheshin në koshin e plehrave të historisë, ndërsa gjuha arabe me çlirimet islame do të bëhej edhe gjuhë e atyre vendeve, siç ishte rasti me Shamin, Irakun, Egjiptin, Persinë etj. Statusi i saj do të ndërrohej nga gjuhë fetare në gjuhë populli dhe shteti.[8] Ajo u bë gjuha e vetme për të gjithë muslimanët në botë, me të cilën ata mund ta adhurojnë Zotin e tyre. Imamët e katër medhhebeve janë pajtuar njëzëri se nuk lejohet falja e namazit me gjuhë joarabe.

 

  1. Transformimi i arabishtes në gjuhë botërore

Gjuha, siç dihet, është paraqitja më korrekte e jetës së atyre që e flasin atë, dhe në rastin e arabëve, para shpalljes së Kur’anit, ajo nuk ishte e njohur ngase arabët nuk shquheshin për diç apo nuk kishin ndonjë pozitë tek popujt, në mënyrë që njerëzit t’i qaseshin mësimit të gjuhës së tyre apo të lidhnin bashkëpunim me ta. Gjuha e tyre nuk ishte gjuhë e shkencës dhe dijes, e krahas kësaj arabët nuk kishin ndonjë civilizim a prodhimtari të caktuar. Tërë kjo bëri që arabishtja të mos mund të dilte jashtë Gadishullit Arabik. Kësisoj jetuan arabët derisa erdhi Kur’ani, i cili solli parimet dhe normat më të përkryera që njeh shoqëria njerëzore. Kur’ani ia garantoi arabishtes jo vetëm mbijetesën por edhe zhvillimin dhe jetëgjatësinë, dhe ja, arabishtja sot është e gjallë dhe shume e fortë, është gjuhë e miliona njerëzve në mbarë botën. E duke e ditur se arabishtja është qenësore për të mbajtur fenë dhe për ta kuptuar saktë atë, njerëzit iu qasën mësimit të saj si gjuhë e Kur’anit. Andaj, nëse themi se po të mos ishte Kur’ani arabishtja nuk do ta kishte këtë fat, nuk gabojmë.

 

  1. Shpikja e disa shkencave që nuk do të ekzistonin pa Kur’anin

U shpikën shkenca të reja në disa fusha, si në rrafshin fetar: Hadithi, Fikhu, Usuli Fikhu; në gjuhë: Sintaksa, Morfologjia, Elokuenca, Të kuptuarit e gjuhës (fiku-l-lugah); në shkencat filozofike: Logjika, Filozofia Islame, Teuhidi, Apologjetika e shkenca të tjera.

 

  1. Mbizotërimi ndaj gjuhëve fqinje

Këtë të vërtetë e kuptojmë atëherë kur bëjmë krahasime të arabishtes me gjuhët e tjera, si: anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja etj.

Ndërsa sa i përket ndikimit të Kur’anit në shpirtrat e besimtarëve e jobesimtarëve, atëherë fol e mos ki frikë fare. E si mund të mos ndikohet shpirti i njeriut prej Kur’anit, kur edhe bota inorganike, kodrat dhe malet, ndikohen prej tij?! Një prej atyre që kanë folur vërtet bukur për këtë çështje është edhe Prof. Dr. Salah Abdu’l Fettah el-Halidi, në studimin e të cilit gjenden mësime e dobi të shumta, prej të cilave, për t’i dhënë një pamje më komplete punimit, por edhe një koncept më të elaboruar lexuesit, mendoj se ia vlen të shkëpusim ca paragrafë:

Kur’ani ka një ndikim të jashtëzakonshëm në shpirtin e njeriut, gjë që dëshmon se është fjalë e Allahut, ndryshe, ndikim të tillë tek njeriu nuk mund të lë kurrë fjala e njeriut. E vërteta, të folurit elokuent ndikon tek shpirtrat e ndërgjegjshëm, qofshin këto fjalë prozë a poezi, dhe sa herë që elokuenca është më e theksuar, edhe ndikimi rritet, por asnjëherë sikurse ndikimi nga fjala e Allahut. Kur’ani ka aluduar në ndikimin e tij që është ekskluziv për nga lloji, që madje sikur Allahu t’iu drejtohej me të edhe krijesave inorganike, ato do të ndikoheshin prej tij. Allahu ka thënë:

“Sikur Ne ta zbritnim këtë Kur’an mbi ndonjë kodër, do ta shihje atë të strukur e të çarë prej frikës nga All-llahu. Këta janë shembuj që ua shkoqisim njerëzve, që ata të mendojnë.” (el-Hashr, 21.)

Mosbesimtarët janë të privuar nga Kur’ani ndikues, e sikur Allahu t’ia shpallte këtë Kur’an ndonjë kodre, do ta shihje kodrën tek përulej dhe çahej nga frika e Allahut. Por jo, Allahu nuk iu drejtua me të kodrave. Ai iu drejtua njeriut, i cili gjithsesi se duhet të ndikohet prej Kur’anit dhe, rrjedhimisht, edhe t’ia ketë frikën Allahut. Fatkeqësisht, jo të gjithë njerëzit janë ndikuar prej tij. Ka të atillë madje që edhe ia kanë kthyer shpinën. Kur e dëgjojnë atë, ata ikin prej tij, e kështu zemrat e tyre bëhen më të forta se guri. Ata e pengojnë depërtimin e Kur’anit në zemrat e tyre dhe kështu bëjnë krim ndaj vetvetes. Allahu thotë:

Kur ti e lexon Kur’anin, në mes teje dhe atyre që nuk e besojnë botën tjetër, Ne vëmë një perde të padukshme. 46. Ndërkaq, në zemrat e tyre vëmë një mbulesë dhe shurdhim të thellë të veshëve të tyre që nuk mund ta kuptojnë atë. E kur e përmend ti në Kur’an Zotin tënd, vetëm Atë, ata ikin mbrapa dhe largohen.” (el-Isra, 45-46.)

Në fakt, mosbesimtarët e dinin ndikimin e Kur’anit në shpirtra, kështu që frikësoheshin që ta dëgjonin atë, andaj edhe “e këshillonin” njëri-tjetrin që të qëndronin sa më larg tij, e po të ndodhte që të lexohej në prani të tyre, atëherë ata të shushuritnin e të pëshpëritnin vetëm e vetëm që të mos dëgjohej ai. Allahu na flet për këtë:

Ata që nuk besuan thanë: “Mos e dëgjoni këtë Kur’an dhe kur të lexohet ai, ju bëni zhurmë (bërtitni) ashtu që ta pengoni!” (Fussilet, 26.)

Kur’ani patjetër se ndikon tek njerëzit. Mu për këtë Islami kërkon prej ithtarëve të tij që t’ua lexojnë Kur’anin mosbesimtarëve dhe t’i bëjnë ata ta dëgjojnë Kur’anin, ngase do të ndikohen prej tij.

E nëse ndokush prej idhujtarëve të kërkon strehim, ti strehoje në mënyrë që t’i dëgjojë fjalët e All-llahut (Kur’anin), e mandej përcille deri në vendin e tij të sigurt. Këtë, ngase ata janë popull që nuk e di (të vërtetën e fesë islame).” (et-Teubeh, 6.)

Kjo kishte të bënte me ndikimin tek mosbesimtarët, ndryshe tek besimtarët, që i kanë zemrat të hapura për dritat e Kur’anit, ndikimi është i madh.

All-llahu e shpalli të folmen më të mirë, librin, të ngjashëm në mrekulli, të përsëritur herë pas here (me këshilla e dispozita), që prej (dëgjimit të) tij rrëqethen lëkurët dhe zemrat e tyre. Ky (libër) është udhëzim i All-llahut, me të udhëzon atë që do. E atë që All-llahu e lë të humbur, për të nuk ka ndonjë udhëzues.” (ez-Zumer, 23)[9]

Dr. Halidijj-i ka sjellë edhe shembuj nga ndikimi praktik i Kur’anit në shpirtrat e mosbesimtarëve, si tregimi i tre liderëve kurejshë që e dëgjuan Kur’anin tek Qabeja tri net radhazi. Pastaj ka sjellë shembuj nga ndikimi i Kur’anit tek sahabët, si tregimi i pranimit të Islamit nga Omer Ibn Hattabi, [Allahu qoftë i kënaqur me të], pastaj tregimi i martirit Sejjid Kutbit me gruan jugosllave në vitin 1949, e cila u ndikua shumë nga ajetet kur’anore gjatë udhëtimit me anije nga Egjipti në SHBA.

Si rezyme të këtyre fjalëve, në fund të këtij referimi, do të mund të konstatonim se vlera e Kur’anit dhe ndikimi i tij i madh nuk ka qenë vetëm në gjuhën arabe dhe në ruajtjen dhe pasurimin e saj, por në çdo gjë: kozmos, krijesa dhe botë.

Kjo është dhurata e Zotit, që Ai ia jep kujt të dojë, e Allahu është Dhurues i Madh, ndërsa lutja jonë e fundit është:

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

 

Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

VLERA E KUR’ANIT FISNIK DHE NDIKIMI I TIJ NË RUAJTJEN DHE PASURIMIN E GJUHËS ARABE


[1] Për më shumë shih: Lehexhatu’l arab fi’l Kur’ani’l Kerim – dirasetun istikraijjetun tahlilijjetun, f. 210.; Etheru’l Kur’ani’l Kerim fi’l lugati’l arabijjeh, Ahmed Hasen Bakuri, Darul mearif, Egjipt, …, f. 28-32.

[2] Shih: Bakuri, Ahmed Hasen, Etheru’l Kur’ani’l Kerim fi’l-lugati’l arabijjeh, f.23;  http://www.al-maqha.com/t7344.html Webfaqja është shfletuar më datë 20/05/2010.

 

[3] Err-Rrafii, Sadik, Tarihu adabi’l arab, v.2, f.74.

[4] Fjala Dhevk në letërsi nënkupton një ndjenjë kuptimore në bazë të së cilës bëhet vlerësimi i ndikimit letrar apo artistik. Shih: Mes’ud, Xhubran, Err-Rraid – mu’xhemun lugavijjun asrijjun,  Daru\l Ilm lil melajin, Bejrut, f. 376 (shën. i përkth).

 

[5] Këto në fakt janë fjalët e Utbe Ibn Rebias të thëna me rastin e dëgjimit të leximit të kaptinës Fussilet nga Pejgamberi [alejhis salatu ves selam]. Shih: Tefsiru Ibni Kethir, 3/150.

[6] Sujuti, el-Muz’hir fi ulumi-l-lugati-l-arabijjeti, 1/129.

[7] Shih: Lehexhat el-arab fi-l-Kur’ani-l-Kerim – dirasetun istikraijjetun tahlilijjetun, f. 207.

[8] Ibid.

[9] Shih: Salah, Abdu’l Fettah el-Halidijj, I’xhazu’l Kur’an el-bejanijj ve delailu masdarihi’rr Rrebbanijj, f.491-492; Min axhaibi’l Kur’ani’l lugavijjeti te Dr. Fuad Mahmud Muhammed Senedi, f. 41-101.