VËSHTRIM RRETH NGJARJEVE POLITIKE NË BALLKAN – KARAKTERISTIKAT E BARRIERAVE TË DIALOGUT

0
693

Nëpërmjet një vështrimi historik rreth zhvillimit të ngjarjeve politike, fetare dhe shoqërore në Ballkan, do të mundohemi të hedhim dritë mbi shkaqet e brendshme dhe të jashtme, të cilat ndikuan në njërën apo tjetrën mënyrë në dështimin e dialogut ndërmjet popujve ballkanikë. Rikthimi në histori, për rastin tonë, është shumë i rëndësishëm, ngase ndryshe nuk do të arrijmë dot deri tek evidentimi i pikave të dobëta që kanë shkaktuar përçarjet ndërmjet këtyre popujve. Në mënyrë që e kaluara të mos përsëritet edhe në të tanishmen, patëm dëshirë të bëjmë një përmbledhje të shkurtër të saj.

Burime të rëndësishme shqiptare dhe evropiane flasin për një çështje tejet të ndjeshme, atë të ashtuquajturës “Kriza e Evropës Lindore” (1875-1878), e cila ka të bëjë me ngjarjet ballkanike dhe aspiratat e shteteve evropiane dhe planet e tyre për ndarjen e tokave ballanike. Po kështu flitet edhe për negociatat e larta diplomatike me turqit dhe përpjekjet e vazhdueshme për rrëzimin e perandorisë osmane.

Ne u ndalën në zhvillimin e ngjarjeve në Ballkan në fund të shekullit të XIX-të dhe në fillim të atij të XX-të, dhe nëpërmjet studimit arritëm të evidentojmë disa nga shkaqet kryesore që çuan në ndezjen e konfliktit ndërmjet popujve muslimanë dhe atyre sllavoortodoksë.

Me këtë do të doja të citoja historianin e madh musliman, Ali Muhammed Salabin, i cili duke përshkruar problemin në fjalë thotë:

“Malazezët dhe serbët i nxisnin boshnjakët për t’u çuar kundër shtetit osman, përpjekje këto që në vitin 1876 shkuan huq. Sulltani Abdul Hamidi II orvatej të pengonte ndërhyrjen e shteteve evropiane, kështu që nxori një dekret me të cilin e ndante gjykatën nga ekzekutivi, duke caktuar që gjykatësit të zgjidheshin me votim nga familjet.

Po kështu, barazoi në taksa muslimanët dhe jomuslimanët, por as kjo nuk i kënaqi banorët. U organizuar kryengritje, por ato u shuan shpejt. Por, Austria, e cila qëndronte prapa këtyre revolucioneve të dështuara, për shkak të ambicieve për të marrë Bosnjën nën pushtet, kërkoi nga Sulltani reformim, kërkesë kjo e mbështetur edhe nga Rusia, Gjermania, Franca dhe Anglia, dhe të cilën Sulltani e kishte pranuar, por jo dhe të krishterët. Këta të fundit e refuzuan një gjë të tillë dhe në kryengritje u çuan edhe bullgarët. Edhe këta patën mbështetjen e Austrisë dhe Rusisë, e veçanërisht kësaj të fundit, e cila themeloi shoqata ruse në Bullgari për të përhapur ndikimin e saj tek banorët ortodoksë dhe sllavë, të cilët në fakt i furnizonte me armatim.

Këta banorë i nxisnin serbët dhe boshnjakët për kryengritje kundër osmanëve në kohën kur vendet evropiane përhapnin dezinformata për kinse masakra të osmanëve ndaj të krishterëve, ndërsa në fakt ishte e vërtetë e kundërta. Rusia, Gjermania dhe Austria i nxisnin serbët dhe malazezët kundër osmanëve, për shkak të ambicieve të tyre për të përfituar territor. Rusia dëshironte të zgjerohej nga ana e Bullgarisë, ndërsa Austria nga Bosnja.

Këto shtete nuk ndaleshin së premtuari ndihmë dhe përkrahje për princin serb, në rast se ngrihej kundër turqve. Rusët filluan të vërshonin në qytetet serbe dhe malazeze por shteti osman i mposhti ata dhe aleatët e tyre. Shtetet evropiane intervenuan për kinse ta ndaluar luftën, ndryshe do të ndizej luftë e madhe.

Përfaqësuesit e vendeve evropiane u mblodhën në Stamboll dhe i prezantuan Portës së Lartë propozimet e tyre, ndër të cilat si më të rëndësishme ishin:

  • Ndarja e Bullgarisë në dy vilajete, të sunduara nga të krishterë,
  • Emërimi i një komisioni shtetëror për ekzekutimin e vendimeve,
  • Këto specifika të vlejnë edhe për Bosnjë Hercegovinën
  • Perandoria të heqë dorë nga disa toka në dobi të serbëve dhe malazezëve…”[1]

Ndërsa për rolin dekonstruktiv të klerikëve ruso-ortodoksë në dialogun ndërshtetëror, Salabi thotë:

Rusia, për shkaqe fetare, ekonomike dhe gjeografike, mëtonte arritjen (depërtimin) deri tek ujërat e qeta. Piter Alekseviqi i Madh (1627-1725), në testamentin e lënë, i porosiste rusët për konflikt kulturor kundër osmanëve derisa shteti i këtyre të fundit të merrte fund.

Në paragrafin e nëntë thotë:

Le t’i afrohemi Kostandinopojës dhe Indisë sa të kemi mundësi, për arsye se kush e ka Kostandinopojën, e ka në dorë tërë botën. Kësisoj, lufta me osmanët duhet të vazhdojë….Le të bashkëpunojmë me Austrinë për deportimin e turqve nga Evropa, e kur ta kemi bërë, atëherë le t’i bashkojmë ushtritë dhe flotat tona në Baltik dhe Detin e Zi dhe të fillojmë negociatat me Francën dhe Austrinë për ndarjen e botës në mes nesh.[2]

Porositë e Piterit nuk ranë në “veshë të shurdhër.” Rusët i kushtuan rëndësi dhe filluan kurthet e tyre duke i mbështetur, bashkërisht me vendet e tjera evropiane, kryengritjet që organizoheshin kundër osmanëve. Madje Rusia u angazhua edhe në krijimin e shteteve të reja të krishtera, si Rumania, Bullgaria, Serbia, Greqia, gjë të cilën e dëshmon edhe marrëveshja e Shën Stefanit me osmanët, e cila mban datën 15 shkurt 1878 dhe e cila, ndër të tjera përmban këto pika:

  • Përcaktimi i kufijve për Malin e Zi, për të shmangur konfliktin, dhe pavarësimin e tij
  • Principata serbe pavarësohet dhe përfiton edhe toka të reja
  • Bullgaria pavarësohet individualisht dhe (edhe) në mënyrë administrative, që nënkupton se nëpunësit e saj janë të krishterë
  • Rumania pavarësohet plotësisht
  • Porta e Lartë merr përsipër ruajtjen e armenëve dhe të krishterëve nga kurdët dhe çerkezët
  • Shteti osman paguan gjobën luftarake në një vlerë prej 250 milionë lirash ari22.

Për këtë dëshmojnë dhe rekomandimet dhe vendimet e dala nga Kongresi i Berlinit në vitin 1887, në të cilin u votua edhe ndërrimi i disa neneve të marrëveshjes së mëparshme (Shën Stefanit), për shkak të mos përmbushjes së disa interesave të vendeve evropiane.

Një gjë mbetet sa e çuditshme aq edhe konfuze. Përse, në të dy marrëveshjet, faktori musliman në Ballkan nuk është përmendur fare, as nga rusët dhe as nga osmanët, kur dihet se formimi i shteteve të vogla ortodokse të krishtera, e që ishin fqinj të tyre, si Serbia, Mali i Zi, Greqia, Bullgaria, paraqisnin rrezik potencial për ekzistencën e shqiptarit musliman?…[3]

Ky ilustrim historik është një nga ato faktet dëshpëruese që mjaftojnë për të pasqyruar qëndrimin e njëanshëm dhe aspak objektiv e human të shteteve evropiane karshi popujve islamë në Ballkan, e me theks të veçantë shqiptarëve dhe boshnjakëve. Këto qëndrime turpëruese mbase janë pengesë në kohën tonë, bile ndër pengesat kryesore, pse dështon bashkëjetesa paqësore ndërmjet këtyre popujve[4].

 

Doc.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

BARRIERAT E DIALOGUT DHE SHKAQET E DËSHTIMIT TË TIJ NË KOHËN BASHKËKOHORE(përvoja e Kosovës me serbët si shembull)


[1] Salabi, Ali Muhammed. Ed-Devletu el-uthmanijjetu – avamilu-n-nuhud ve esbabu-s-sukut, f. 408-410.

[2] Ibid. Shih edhe: Harb, Muhammed. El-Uthmanijjune fi-t-tarih ve-l-hadareh, f. 128-147. 22 Ibid, f. 412-413.

[3] Feraj, Hysamedin. Skicë e mendimit politik shqiptar, f. 38.

[4] Për më shumë rreth historisë austrohungareze në Bosnjë dhe Hercegovinë shih: Karçiç, Fikret. The Bosniaks and the challenges of modernit, late Ottoman and Hapsburg times, 120-125; Journal of Islamic Studies, Vol.5, No.2, July 1994, Oxford University Press; Lopasiç, Alexander. Islamization of the Balkans with special reference to Bosnia, 163-186.