Cilat janë ato cilësitë dalluese të sjelljes së Pejgamberit a.s., që cilësohet nga Zoti xh.sh., si krijesë me virtyte më të larta pedagogjike?

0
549

Allahu xh.sh. e ka cilësuar Muhamedin a.s. me shkallën më të lartë moralit. Thotë Allahu xh.sh. në suretu el Kalem, ajeti 4: (Vërtet, ti je në një shkallë të lartë morali!). Me këtë lëvdatë Allahu xh.sh, na bën me dije se ky pejgamber është më i edukuari dhe më i arsimuari i përzgjedhur nga Allahu xh.sh. për udhëzimin e njerëzimit. Në këtë kontekst po përmendim disa cilësi dalluese të sjelljes së Muhamedit a.s., e prej tyre veçojmë:

  • a-nuk ngutej gjatë fjalimit,
  • b-e përsëriste disa herë mesazhin/fjalinë,
  • c-nuk e ngrite zërin,
  • d-ishte mësuesi më i dashur për të gjithë, për besimtarë dhe jo-besimtarë,
  • e-i dëgjonte të moshuarit dhe të rinjtë kur flisnin,
  • f-nuk e ndërpriste askë gjatë të folurit,
  • g-nuk kritikonte në mënyre direkte dhe nuk përmendte emra të personave të kritikuar, edhe pse i dinte se kush janë ata, por e bënte këtë në mënyrë indirekte për ruajtjen e paqes dhe të dinjitetit të njeriut,
  • h-nuk e rëndonte askënd me fjalë të rënda,
  • i-i butë dhe i sjellshëm me te gjithë ( Munafikët, Hebrenjtë, të Krishterët, Arabët jo besimtarë (paganët/mushrikët) prej fiseve te ndryshme etj etj.

Këto veti pedagogjike, etike dhe morale qe ishte pajisur Muhemedi a.s. – e qe duhet pajisur çdo musliman dhe çdo besimtar e në radhë të parë hoxhallarët, profesorët, arsimtarët, mësuesit, edukatorët në foshnjore, prindërit dhe çdo lider a person që është në pozitë) janë të dëshmuara me ajete kur’anore dhe hadithe të Muhamedit a.s. dhe se shkaku i hapësirës së ngushtë po i përmendim ca prej tyre.

Thotë Allahu xh.sh. në suretu el Enfal, ajeti 159 ( Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase All-llahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj t’i falju atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në Allahun, se All-llahu i do ata që mbështeten).

Po ashtu edhe ne Sahihun e Imam Buhariut transmetohet rasti i atij Earabiut/Beduinit /fshatarit i cili ka urinuar në Xhami të pejgamberit a.s. ne prezencën e Muhamedit a.s. dhe të sahabeve!

Disa prej sahabeve deshën ta ndalin me forcë, por pejgamberi a.s. iu tha: jo ! mos e ndalni urinimin e tij! Merreni një kovë me ujë dhe  derdheni në atë vend ku ka urinuar në mënyrë që të shpërlahet dhe të pastrohet vendi.

Në këtë rast Muhamedi a.s. iu tha: Allahu kërkon lehtësim dhe jo vështirësi, ju ka dërguar që të lehtësoni dhe jo ta vështirësoni, pastaj Muhamedi a.s. ma vonë e thërret Earabiun/Bediunin dhe i thotë në mënyrë të butë: a nuk je Musliman a?

Ai tha po, pastaj Muhamedi a.s. shtoi duke thënë se këto vende dmth: xhamia, faltoret janë për Ibadet dhe për Dhikr, nuk bën diçka të ndytë me pas në këto vende të shenjta. Dhe në këtë rast shihet qartë butësia pedagogjike e Muhamedit a.s. gjatë edukimit, arsimimit, këshillimit dhe udhëzimit të tjerëve. Allahu na mundësoftë që të edukohemi me këtë edukatë të lartë islame (kur’anore dhe profetike) kudo që të jemi dhe më këndo jemi. Amin, amin, amin.

Prof. Dr. Hfz. Hajredin Hoxha
PËRGJIGJE AKADEMIKE, FETARE, EDUKATIVO ARSIMORE PËR PYETJET HULUMTUESE NGA STUDENTËT KOSOVARË NË NIVEL TË DOKTORATURËS NË UNIVERSITETIN NDËRKOMBETAR TË NOVI PAZARIT