Kjo pedagogji profetike e Muhamedit a.s. e shpallur nga Allahu xh.sh, me të cilën është pajisur personaliteti i Muhamedit a.s., dhe e cila është demonstruar në fjalët, gjendjen dhe veprat e tij, në jetën e përditshme me shokët e tij dhe të tjerët.
Po si të mos ketë ndikim pozitiv pedagogjia e Muhamedit a.s. kur Allahu ka deklaruar në librin e Tij në suretu el Ahzab, ajeti 21 (Ju, me të vërtetë, Pejgamberin e Perëndisë e keni shembull të mrekullueshëm, për atë që i druan Perëndisë dhe Ditës së Kijametit, dhe i cili e përmend shumë Perëndinë).
Po ashtu transmetohet nga Muhamedi a.s. se ai një ditë i ka pyetur shokët: A dëshironi të dini se Xhehenemi për kënd është haram (kënd e ka të ndaluar me djegë)? Xhehenemi është haram për çdo musliman i cili është i lehtë, i butë, i mëshirshëm, i afrueshëm.
Me këto veti morale janë pajisur edhe shokët e tij përgjatë predikimit të islamit anëmbanë botës. Ata me sjellje të mira, me sinqeritet, me besnikëri, besueshmëri, korrektësi në marrdhënie tregtare e kane përhapur islamin në viset e largëta të Azisë-Juglindore në Malajzi, Indonezi, Filipine etj.
Po ashtu edhe në shekujt e kohës moderne duke filluar nga shek. 17 -21 kemi shumë raste që prej faktorëve kryesore që i ka shtyrë popujt në mënyrë masive apo individuale për pranimin e Islamit ka qenë, dhe është sjellja personale sociale e mirë, e sinqertë e muslimanëve me të tjerët gjatë tregtisë, jetës së përgjithshme ku kemi qindra raste të evidentuara rreth kësaj çështje.
Ky realitet i pedagogjisë islame ka qenë prezentë gjithmonë në këshillat dhe udhëzimet e Muhamedit a.s. me shokët e tij kur i ka dërguar nëpër vende të ndryshme për ta predikuar islamin.
Transmeton Imam Buhariu nga hadithi i Ebu Hurejrës rastin e Ebu Musa el Esh’ariut dhe Muadh ibni Xhebelit kur i ka dërguar në Jemen dhe ju ka thënë: keni kujdes! Përgëzoni njerëzit, jepuni myzhde dhe assesi mos i largoni me fjalë apo me punë, lehtësoni dhe mos vështirësoni, pajtohuni, ujdisuni mes vete dhe mos u kundërshtoni.
Mos aplikimi i pedagogjisë islame nëpër institucionet tona edukativo- arsimore fetare, apo nëpër shkollat shtetërore të të gjitha niveleve të edukimit, ka ndikuar negativisht në kokën, zemrën dhe sjelljet e nxënësit apo studentit. Hasim në mësues, arsimtarë, edukatore në foshnjore ku e përdorin forcën/ dajakun/ thupren/ shuplaken!!
Kjo metodologji pedagogjike në edukim ka sjellë gjendjen tonë në atë fazë ku dhuna familjare, sociale, bashkëshortore është në rritje të dukshme.
Si të dilet nga kjo gjendje e mjerueshme?
Përgjigjja është e thjeshtë dhe e qartë! Aplikimi i pedagogjisë islame në edukim dhe arsimim, duke përfituar edhe prej metodave të tjera pedagogjike moderne të cilat nuk ndeshen me parimet e Islamit në besim dhe në moral, e sidomos në këtë kontekst rekomandoj fuqishëm të përfitojmë nga sistemi pedagogjik edukativo arsimor japonez dhe malajsian.
Për me gjerësisht rreth këtij qëllimi referoju punimeve tona:
1– (Edukata/pedagogjia e mësuesit dhe studiuesit të Kur’anit),
2- (Mungesa e Precizitetit në Edukim dhe Arsimim- studim komparativ të edukimit japonez-amerikan-arab),
3- (Malajzia një rrëfim i suksesshëm i edukimit bashkëkohorë) në webfaqen tonë: www.drhafezi.net,.
Prof. Dr. Hfz. Hajredin Hoxha,
PËRGJIGJE AKADEMIKE, FETARE, EDUKATIVO ARSIMORE PËR PYETJET HULUMTUESE NGA STUDENTËT KOSOVARË NË NIVEL TË DOKTORATURËS NË UNIVERSITETIN NDËRKOMBETAR TË NOVI PAZARIT