PËR PRAKTIKIMIN E LIGJEVE FETARE KËRKOHET BUTËSI DHE GRADUALITET

0
620

 

Muhamedi a.s. ka thënë: “Me të vërtetë, në praktikimin e parimeve të fesë ka vështirësi, prandaj mundohu për t’i praktikuar ato gradualisht dhe dalëngadalë, pasi ai që e mundon mjetin për të arritur te caku, e shkatërron (dëmton) mjetin dhe nuk e arrin cakun.” [Transmeton imam Ahmedi nga hadithi i Enesit, dhe Bejhekiu nga hadithi i Xhabirit.]

Muhamedi a.s., me këtë hadith, na tregon një ligj (parim) islam tejet të rëndësishëm. Ai na tregon se feja islame është e gjerë dhe plot me parime, e kush tenton që të ngutet për t’i realizuar këto ligje dhe parime, nuk mundet, sepse rruga është e gjatë dhe forca e tij e vogël, e ndoshta ky person shkatërrohet tërësisht në atë rrugë të gjatë për shkak të forcës së vogël që ka. Pikërisht për këtë arsye është vaxhib (obligim) që muslimani t’i marrë dhe t’i praktikojë ligjet fetare gradualisht dhe pa u ngutur fare.

Muhamedi a.s. na e ilustroi këtë çështje të rëndësishme me një shembull shumë adekuat, duke thënë:

Ai i cili mundohet që t’i praktikojë tërësisht dhe menjëherë parimet e fesë islame, është sikurse një njeri i cili mundohet të kalojë një pjesë të rrugës duke e munduar pa mëshirë mjetin e tij bartës. Çka do të ndodhë me këtë njeri? Mjeti do t’i shkatërrohet para kohe dhe ai do të ngelet në gjysmë të rrugës. A është kjo mençuri? Natyrisht jo!                                                            

Ky ligj islam konsiderohet si një rregullore edukative – arsimore tejet e rëndësishme, të cilën duhet ta dijë dhe kuptojë çdo musliman, për arsye se praktikimi i obligimeve të fesë islame përmban një lloj vështirësie për trupin dhe epshin e njeriut. E prej muslimanit kërkohet vazhdimisht rishikimi i këtyre dy elementeve (trupit dhe epshit). Kështu që, në mënyrë graduale, ligjet e fesë islame realizohen pa problem dhe njeriu nuk duhet që t’i  stërngarkojë këto të dyja, me të gjitha ngarkesat e fesë, menjëherë.

Është një bindje e gabuar te disa persona (hoxhallarë apo të tjerë) kur thonë se Allahu xh.sh. ka kërkuar nga robërit e Tij që ata t’i besojnë në një mënyrë apo në një metodë që përmban në vetvete vështirësi dhe mundim. Të këtij mendimi janë pjesa dërrmuese e dijetarëve të fesë islame.

Ai i cili mundohet t’i realizojë gradualisht ligjet e fesë islame do t’i sigurojë vetes një jetë të lumtur. Argument për çështjen në fjalë kemi rastin e Muhamedit a.s. Praktikimi i fesë islame u plotësua gradualisht për 23 vite. Allahu xh.sh. kishte mundur ta plotësonte predikimin e fesë edhe për një kohë shumë më të shkurtër, mirëpo Ai e zgjodhi këtë metodë për t’i dhënë botës mësim dhe udhëzim se në çështjet fetare kërkohet gradualitet dhe ngadalësim, me qëllim që fjala të ketë sukses. Ai i cili vepron kësisoj i siguron vetes siguri dhe përparim gjithnjë, dhe nuk kthehet kurrë mbrapa.

Ekzistojnë shembuj të disa personave të cilët i kanë marrë çështjet e fesë me vrull dhe me shpejtësi, mirëpo pas pake kohësh i kanë lënë të gjitha obligimet fetare, bile edhe ato më kryesoret, sepse janë dobësuar (lodhur) dhe nuk kanë pasur forcë që t’i përballojnë të gjitha ligjet e fesë islame, e si rezultat i kësaj ata kanë stagnuar krejtësisht.

Mu për këtë arsye Muhamedi a.s. ka thënë: “Me të vërtetë kjo fe është e lehtë, nëse dikush tenton ta mundë atë, ai do të humbë” (që do të thotë se nëse ti mundohesh me tërë forcën tënde që t’i praktikosh ligjet dhe parimet e fesë, atëherë nuk do të mundesh). Është gabim fatal i shumë prindërve dhe mësuesve që i stërngarkojnë dhe i detyrojnë fëmijët dhe nxënësit e tyre me dhunë që t’i praktikojnë ligjet e fesë. Kjo metodë ka qenë e dështuar dhe jo e suksesshme. Si pasojë e kësaj dhune të pamëshirshme  ata fëmijë ose nxënës janë bërë më të pasjellshëm.

Kemi parë shumë djelmosha të rinj besimtarë, të cilët i kanë bërë Allahut xh.sh. ibadet tërë natën duke falur namaz nafile, pastaj ata e kanë lënë namazin nafile, plus i kanë lënë edhe farzet.

E tërë kjo që u tha nuk do të thotë që të bëjmë lehtësime të panevojshme aty ku nuk duhet, mirëpo edhe nuk duhet të bëjmë ngarkim të tepërt, por duhet të gjejmë një pikë mesatare në mes të lehtësimit dhe ngarkimit. Shejtani mundohet që ta hutojë muslimanin në mes këtyre dy pikave të rëndësishme dhe ta dezorientojë atë, prandaj kërkohet dituria islame që muslimani të ruajë veten e tij nga çorientimet.

Përktheu dhe përshtati nga arabishtja: Prof.Dr. Hfz. Hajredin Hoxha

Prof.Dr.Muhamed Said Ramadan el Buti – FSHEHTËSITË E DISA LIGJEVE KUR’ANORE