Në këtë kapitull do të përqendrohemi në shpjegimet e komentuesve klasikë, të dhëna për ajetet kur’anore, që trajtojnë çështjen e paqes dhe armëpushimit me armiqtë, apo edhe ajetet që trajtojnë çështjen e përgatitjes ushtarake kundër tyre. Po kështu do të diskutojmë edhe për shkaqet e zbritjes së këtyre ajeteve.
IMAM TABERIU (vdiq 310 h.)
Imam Taberiu apo ‘Mësuesi i komentuesve’, siç e thërrasin dijetarët muslimanë, në komentimin e ajetit 61 të kaptinës el-Enfal,
Në qoftë se ata anojnë nga paqja, ano edhe ti nga ajo e mbështetu tek All-llahu. Ai është që dëgjon dhe di.”
…thotë: Allahu i Madhëruar i thotë të Dërguarit të Vet: Nëse i frikësohesh tradhtisë së tyre, atëherë vepro ngjashëm me ta dhe shpallu luftë, por, nëse anojnë nga paqja me ty dhe e braktisin luftën, qoftë duke hyrë në Islam, qoftë duke paguar xhizjen, qoftë duke u nënshtruar apo qoftë edhe me çfarëdo forme tjetër të shprehjes së vullnetit për paqe, atëherë ti ano nga paqja dhe afrojua atë që kërkojnë prej teje…” [1]
Imam Taberiu, siç mund të vërejmë qartë, ajetin e komenton sipërfaqësisht, duke u ndalur në urdhrin e Allahut të Madhëruar për të Dërguarin e Tij, Muhammedin alejhi’s selam, për të anuar nga paqja për sa kohë që atij i ofruar është shansi. Këto janë parimet e fesë sonë të pastër, e cila nuk nxit për luftë dhe derdhje gjaqesh, ashtu siç propagandojnë të tjerët kundër saj.
Ndërsa në komentimin e ajetit 60, nga po e njëjta kaptinë (el-Enfal)
E ju përgatituni sa të keni mundësi force (mjete luftarake), e kuaj të caktuar për betejë kundër atyre (që tradhtojnë) e me të (me përgatitje) ta frikësoni armikun e All-llahut, armikun tuaj dhe të tjerët, të cilët ju nuk i dini (se kush janë), e All-llahu i di ata. Çfarëdo që shpenzoni për rrugën e All-llahut, ajo do t’ju kompensohet dhe nuk do t’ju bëhet padrejtë.”
…Imam Taberiu (duke parafrazuar Ibni Abbasin [Allahu qoftë i kënaqur me të dy]) thotë: Allahu i Madhëruar thotë se nëse keni frikë se jobesimtarët dhe femohuesit, me të cilët në fakt keni lidhur armëpushim, ju tradhtojnë, atëherë ju – besimtarë – përgatitni për luftë pajisjet e nevojshme, të cilat do t’i frikësonin idhujtarët, armiqtë e Allahut të Madhëruar dhe armiqtë tuaj…”[2]
Pastaj, Imam Taberiu citon një hadith pejgamberik, i cili forcën (ar. el-kuvveh) e komenton me hedhje (shtizash e shigjetash):
Vëni re! Forca është hedhje! Vëni re! Forca është hedhje!”[3]
Kësisoj, bazuar në këto shpjegime, del se muslimanët e kanë për obligim që të përgatisin tërë pajisjet ushtarake të nevojshme për ta frikësuar armikun. Nga metodologjia e tradicionalistit Imam Taberiut dihet se ai Kur’anin e komenton së pari me Kur’an e pastaj me Sunnet, ndërsa ne pamë se në ajet ‘forcën’ (ar. el-kuvveh) e komenton me ‘hedhje’ (ar. err-rremju), kuptim ky i shkëputur nga hadithi.
Pastaj Imami komenton edhe pjesën e ajetit:
… dhe të tjerët, të cilët ju nuk i dini (se kush janë), e All-llahu i di ata…”
…për të cilën jep këto shpjegime: Komentuesit kanë mendime të ndryshme se kush dhe çfarë janë ‘të tjerët’, si:
- Benu kurejdha,
- Një grup xhinësh
…ndërsa ne si të saktë shohim mendimin se Allahu i Madhëruar i urdhëroi besimtarët që të përgatiten për xhihad dhe luftë me të gjitha pajisjet me të cilat e frikësojnë armikun e Tij dhe të tyre, idhujtarët. Nuk ka hapësirë që të thuhet se për qëllim është njëri kuptim dhe jo kuptimet e tjera të forcës, ngase Allahu i Madhëruar e solli atë në formë të përgjithësuar. E nëse thuhet se domethënia e saj është shpjeguar me ‘hedhje’ (ar. err-rremju) në Sunnet, themi se, megjithëkëtë, hadithi nuk e përkufizon domethënien e saj (forcës) në vetëm ‘hedhje’, porse shpjegon një prej shumë domethënieve të saj. Ndryshe, çdo gjë që ndihmon në luftën kundër idhujtarëve është forcë dhe fuqi.
Ndërsa sa i përket mendimit se me ‘të tjerët’ synohen xhinët, Imam Taberiu e merr për të saktë, për faktin se besimtarët e dinin kë e kishin armik nga çifutët (beni kurejdhanë) dhe nga idhujtarët – persianët… [4]
Si rezyme do të mund të thuhej se mendimi i Imam Taberiut për forcën përfshin çdo gjë që përbën pajisjen e duhur ushtarake të besimtarëve, duke përfshirë këtu të gjitha llojet e armëve, kuajt (mjetet), shpatat, mburojat etj. Pra, shihet se kuptimin e fjalës ‘forcë’ ai nuk e tkurr në domethënien e ‘hedhjes’ së ofruar në hadith, të cilën në fakt ai e sheh vetëm si një prej shumë domethënieve të saj.
Kjo transparencë e Imam Taberiut dhe hapje e tij në të kuptuarit e tekstit kur’anor, me këto dimensione dhe parametra, është vërtet për t’u lëvduar. Allahu i Madhëruar e mëshiroftë Imam Taberiun dhe e shpërbleftë me xhenetet e Tij!
Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA
VERSETET KUR’ANORE PËRKITAZI ME PAQEN DHE LUFTËN – krahasim ndërmjet komentimeve klasike dhe bashkëkohore të Kur’anit –
[1]Tefsiri i Taberiut, 14/32, 37, 40.
[2] Tefsiri i Taberiut, 14/31.
[3] Hadithin e transmeton Imam Muslimi në Sahihun e tij (shën. i përkth.)
[4] Ibid.