MENDIMI I FAHRUDDIN RAZIUT PËR LUFTËN DHE PAQEN ME ARMIQTË

 

Para se të shpalosim detaje nga mendimi i Imam Fahruddinit [Allahu e mëshiroftë!] do të doja të thosha se, gjatë shtjellimit të ideve të tij përkitazi me forcën dhe botëkuptimet e saj, kam ardhur në përfundimin se ideja e tij përmban elemente shumë të rëndësishme kulturore, shkencore dhe teknologjike. Ai nuk ka lënë gjë, që ka ekzistuar në kohën e tij e që ka të bëjë me domethënien e ajetit, që nuk e ka përmendur. Kam bindjen se, po të ishte gjallë sot, në kuadër të forcës do të përmendte edhe domethëniet e saj bashkëkohore. Respektivisht, në serinë e botëkuptimeve të hedhjes (ar. err-rremju) do të radhiste edhe topat, tanket, raketat etj, për shkak se komentimi pejgamberik i forcës nuk i përjashton domethëniet e  tjera që të jenë pjesë e saj.

Imami nënvizon edhe rolin e kuajve në luftë në kohën e të parëve (selefitë), që ishin një ndër mjetet më të forta të luftës, e që edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të kenë një rol të pamohueshëm. Pastaj, Imami (Allahu e mëshiroftë!) i qaset edhe qëllimit final të përgatitjes ushtarake, e që është ruajtja e karakterit, e shtetit, e pasurive, e nderit dhe çdo gjëje tjetër që ka vlerë për ta, në mënyrë që kësisoj t’i bëhet e qartë armikut pozita e tyre, e mbase mund të jetë shkak që kjo përgatitje të jetë shkak që armiku ta pranojë Islamin. Në komentin e ajetit: 

E ju përgatituni sa të keni mundësi force (mjete luftarake), e kuaj të caktuar për betejë kundër atyre (që tradhtojnë) e me të (me përgatitje), ta frikësoni armikun e All-llahut, armikun tuaj dhe të tjerët, të cilët ju nuk i dini (se kush janë), e All-llahu i di ata. Çfarëdo që shpenzoni në rrugë të All-llahut, ajo do t’ju kompensohet dhe nuk do t’ju bëhet padrejtë.” (el-Enfalë, 60)

…Fahrudin Raziu thotë: “Dije se Allahu i Lartësuar, kur ia obligoi të Dërguarit të Tij që t’i nxjerrë nga shtëpitë e tyre ata që e prishin marrëveshjen, apo ta thyejë marrëveshjen paraprakisht me ata që ka frikë se do ta bëjnë këtë, në këtë ajet e urdhëroi që të përgatitet kundër atyre të pafeve. Është thënë: Pasi që shokët e Pejgamberit [alejhis salatu ves selam] kishin rënë dakord në betejën e Bedrit që të ballafaqoheshin me të pafetë pa mjete dhe përgatitje (luftarake), Allahu i Madhëruar i urdhëroi që të mos veprojnë kësisoj, përkundrazi, të përgatiten me të gjitha mundësitë: mjete, përgatitje, forcë… Ndërsa qëllimi i fjalës ‘forcë’ (ar. el-kuvveh) këtu janë shkaqet që çojnë tek forca, për çka kanë përmendur:

  • Llojet e armëve,
  • Gjuajtja, – këtë duke u mbështetur në hadithin, në të cilin thuhet se Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] pas leximit të këtij ajeti kishte thënë: “Forca është gjuajtja!”duke e përsëritur tri herë,
  • Kalatë (fortifikatat),
  • Çdo gjë që përdoret për t’u forcuar në luftë kundër armikut.”

Sa i përket hadithit “Forca është gjuajtja!”, ai nuk mohon që në ‘forcë’ përfshihen edhe gjëra të tjera përveç hedhjes (gjuajtjes). Ngjashëm me këtë është edhe hadithi: ‘Haxhi është Arafat’, apo hadithi ‘Keqardhja është pendim’, që i japin rëndësi këtyre dy gjërave, por që në rastin e parë, përveç Arafatit ka edhe kushte të tjera, sikurse që në pendim ka edhe kushte të tjera përveç keqardhjes. 

Ky ajet dëshmon po kështu se përgatitja për xhihad me zotësi, armë, përvetësim të shkathtësive luftarake dhe gjuajtjes është obligim, por jo për të gjithë (farz kifaje).  

“…e kuaj të caktuar për betejë kundër atyre (që tradhtojnë)…

Nuk ka dyshim se kuajt janë mjetet më të forta për xhihad. Pastaj, Allahu i Madhëruar na rrëfen se përse e urdhëroi këtë përgatitje, pra shkakun e saj:

“…e me të (me përgatitje) ta frikësoni armikun e All-llahut, armikun tuaj dhe të tjerët, të cilët ju nuk i dini (se kush janë), e All-llahu i di ata…

Kjo për shkak se kur të pafetë ta kenë kuptuar se muslimanët janë përgatitur për luftë dhe janë kompletuar me të gjitha mjetet e duhura, kjo do t’i bëjë ata të frikësohen, ndërsa kjo frikë ka dobi, si:

  • Nuk ia mësyjnë vendeve islame për t’i sulmuar
  • Ndoshta frika i bën ta paguajnë xhizjen
  • Ndoshta ajo i shtyn që ta pranojnë Islamin
  • Ata nuk do t’i ndihmojnë të pafeve të tjerë
  • Kjo do të jetë shkak për avancimin, në kuptimin e zbukurimit më të madh të shtetit islam.

Pastaj Allahu i Madhëruar ka treguar dhe një tjetër urtësi të përgatitjes fizike, e që ka të bëjë me frikësimin e atyre armiqve që ne nuk i njohim, e për të cilët, sipas mendimit më të saktë, është thënë se janë ‘hipokritët’, e që sipas shpjegimit në këtë kontekst, do t’i binte se, sikur që frikësohen jobesimtarët nga përgatitja e besimtarëve, po kështu frikësohen edhe mynafikët – hipokritët.  Por, nëse thuhet se ‘hipokritët, që shtiren si pjesë e besimtarëve, nuk kanë frikë se do të luftohen, andaj si të kuptohet kjo?’, themi: Frika që mund t’iu shkaktohet atyre është nga dy aspekte:

  • Kur të shohin arsenalin ushtarak të besimtarëve dhe fuqinë e tyre të madhe, kjo me gjasë do t’i bëjë ata të mendojnë seriozisht për braktisjen e hipokrizisë dhe kthimit në besim të vërtetë, ngase mundësia e mposhtjes së besimtarëve është opsion i parealizueshëm. 
  • Është prej natyrës së hipokritëve që t’i shfrytëzojnë rastet për t’i përçarë besimtarët, kështu që, kur të shohin forcën e besimtarëve, frikësohen dhe nuk mendojnë t’i realizojnë planet e tyre të këqija. 
  • Besimtari mund të ketë kundërshtarë edhe nga ana e besimtarëve, kështu që është forca ajo që i frikëson edhe këta, sikurse që i frikëson edhe jobesimtarët.  

Ndërsa në komentim të ajetit:

Në qoftë se ata anojnë nga paqja, ano edhe ti nga ajo e mbështetu tek All-llahu. Ai është që dëgjon dhe di.“ (el-Enfalë, 61), Imam Raziu thotë:

“Dije se, pasi që është sqaruar forca dhe demonstrimi i saj që e frikësojnë armikun, është sqaruar dhe ajo se, nëse ata për shkak të kësaj frike anojnë nga paqja, atëherë duhet pranuar armëpushimi – paqja.”

Nadri ka thënë: xheneha err-rrexhulu ila fulanin ve exhneha lehu – idha tabeahu ve hadea lehu (جنح الرجل إلى فلان ، وأجنح له إذا تابعه وخضع له) – xheneha dhe exhneha kanë kuptimin e pasimit dhe nënshtrimit, ndërsa në kontekst të ajetit i bie: nëse ata anojnë nga marrëveshja-paqja, atëherë ano edhe ti! Kurse, pse fjala paqe-marrëveshje (ar. silm) është aluduar me përemrin vetor me gjini femërore (ar. fexhneha leha), kjo ngase me të është synuar jo emërtimi, por vetë vepra, sikurse që qëndron dhe në ajetin kur’anor:

Pastaj Zoti yt, atyre që pasi u torturuan, migruan, mandej luftuan dhe qëndruan, dhe pas të gjitha këtyre vuajtjeve, s’ka dyshim se Zoti yt atyre do t’ua falë dhe do t’i mëshirojë (Ai është që fal, është mëshirues).“ (en-Nahl, 110)

Pra, u përdor përemri i njëjtë, në gjininë femërore, për arsye se me të synohej veprimi i tyre.

Zemahsheriu, autori i Tefsirit ‘el-Kesh-shaf’, ka thënë: Fjala ‘Silm’ mund të marrë edhe gjininë femërore, sikurse që mund ta marrë edhe e kundërta e saj, fjala ‘Harb’. Poeti ka thënë:

Nga paqja mund të marrësh atë që do

Kurse nga frymëmarrjet e luftës të mjaftojnë ca gllënjka. 

Ajo që vlen këtu të përmendet është se Imam Raziu ndan mendimin e pranimit të marrëveshjes, nëse pala kundërshtare anon nga ajo. Kjo është thënë në kontekst të të qenit të muslimanëve faktor përcaktues, pra kur forca dhe fuqia janë në anën e tyre, e jo në rastin e kundërt, pra kur muslimanët janë të dobët, siç kanë thënë disa. Sipas Raziut, edhe nëse kjo marrëveshje është bërë vetëm sa për të mashtruar dhe tradhtuar muslimanët, ajo duhet pranuar, pasi që dispozitat fetare ndërtohen mbi atë që është e manifestueshme – dukshme (ar. dhahir) dhe jo mbi të pamanifestueshmet (ar. batin). Zoti e di më së miri!  

Ndërsa në komentin e ajetit:

Po nëse duan të mashtrojnë me të (me paqen), ty të mjafton All-llahu. Ai është që të fuqizojë ty me ndihmën e Vet dhe me besimtarët.“ (el-Enfalë, 62)

…Imam Raziu thotë: Allahu i Madhëruar, pasi që në ajetin e mësipërm urdhëroi për paqen, në këtë ajet shtjellon disa prej dispozitave të saj, apo më konkretisht, sqaron se në rast lidhjeje të marrëveshjes nga pala kundërshtare vetëm sa për të mashtruar, kjo lidhje duhet pranuar, ngase dispozita merret për gjëra që janë të dukshme – manifestueshme dhe se marrëveshja, sido që të jetë, nuk është më e fortë se besimi (imani). Përderisa çështjen e besimit e kemi ndërtuar mbi gjëra të manifestueshme (deklarative) dhe jo mbi të tjera, atëherë në këtë rast kjo është më parësore. Mu për këtë ka thënë:

Po nëse duan…” (el-Enfalë, 62), 

…duke aluduar në ata që janë përmendur më parë, respektivisht:

Në qoftë se ata anojnë nga paqja, ano edhe ti nga ajo e mbështetu tek All-llahu. Ai është që dëgjon dhe di.“ (el-Enfalë, 61)

Por, nëse thuhet, si e komentoni ajetin, në të cilin qëndron:

Nëse ti e heton tradhtinë e një populli (ndaj marrëveshjes), atëherë edhe ti ua hidh atyre (marrëveshjen) në mënyrë të njëjtë, sepse All-llahu nuk i do ata që tradhtojnë (fshehurazi).“ (el-Enfalë, 58)

…i cili sikur, sipërfaqësisht, nuk përputhet me ajetin me të cilin argumentojmë, themi: Domethënia e këtij ajeti është se nëse ju vëreni shenja të forta që ata vërtet po duan ta prishin marrëveshjen, ndërsa me tradhtinë e përmendur në ajetin paraprak (ajetin 62 nga kaptina el-Enfalë) synohet ajo që nuk është manifestuar në publik, pra nuk ka shenja të mashtrimit të qartë se ata duan apo synojnë ndonjë të keqe, porse bëhet fjalë për një lloj hipokrizie dhe mashtrimi. Pastaj, pas kësaj, Allahu thotë:

…ty të mjafton All-llahu…“ (el-Enfalë, 62), që d.m.th. të mjafton Allahu që është me ty, dhe të qenit e Tij me ty është e mjaftueshme!

Ndërsa, në koment të ajetit 35 nga kaptina Muhammed:

Pra, mos u dobësoni e të kërkoni pajtim (armëpushim), kur ju jeni ngadhënjyes dhe All-llahu është me ju dhe nuk ua pakëson veprat tuaja.

…thotë: Pas sqarimit se vepra e jobesimtarit, që formalisht duket si e mirë, është e shkatërruar dhe se mëkati i tij (shirku, pabesimi) është më i keqi, dhe, rrjedhimisht, edhe i pafalshëm, sqaroi se ai nuk ka (nuk meriton) ndonjë respekt në këtë botë dhe as në botën tjetër. Allahu ka urdhëruar që ta respektojmë Muhammedin [alejhis salatu ves selam] (Kur’ani: en-Nisa: 92) sikurse që ka urdhëruar luftimin e tyre në këtë ajet:  “Pra, mos u dobësoni…” (Muhammed, 35), që nënkupton se përderisa të gjitha shkaqet janë për të qenë serioz në këtë çështje dhe në xhihad, atëherë mos u bëni të dobët:

Pra, mos u dobësoni e të kërkoni pajtim (armëpushim).” (Muhammed, 35)

Radhitja në ajetet e sipërpërmendura është në kulminacion preciziteti dhe përpikërie. Kjo për shkak se ajeti:

O ju që besuat, bindjuni All-llahut, respektoni të dërguarin…” (en-Nisa, 59) 

…parasheh nxitimin për të luftuar, ngase urdhri i Allahut dhe të Dërguarit të Tij për xhihad është pjesë e urdhrit të tyre që duhet respektuar dhe pikërisht për këtë gjë, ky urdhër duhet çuar në vend dhe nuk duhet shfaqur përtaci, neglizhencë apo dobësi në përfilljen dhe zbatimin e tyre. Pastaj, pas përcaktimit (parashikimit, nënkuptimit, ar. el-mukteda), ndodh që të shfaqet (realizohet) ndonjë pengesë (ar. el-manië) e të mos shfaqet (realizohet) shkaktari (ar. el-musebbib).

Pengesa (ar. el-manië) nga lufta mund të jetë e natyrës së kësaj bote por edhe të botës tjetër. Sa i përket asaj të botës tjetër është për shkak se jobesimtari nuk ka respekt dhe vlerë në këtë botë dhe në botën tjetër, për shkak se nuk ka vepra (të pranuara) në këtë botë, ndërsa në ahiret nuk i falen mëkatet. Kësisoj, nëse ekziston shkaku dhe nuk është evidente pengesa, atëherë duhet të realizohet shkaktari (ar. el-musebbib). 

Pengesës së kësaj bote nuk i është dhënë përparësi ndaj ajetit: “Pra, mos u dobësoni” (Muhammed, 35), duke aluduar kështu në atë se punët e kësaj bote nuk duhet të jenë pengesë para kësaj. Pra, ju mos u tregoni të dobët ngase fitorja është e juaja, apo, ju duhet të jeni të vendosur që vendosmërinë ta vlerësoni ndaj disfatës

Sipas kësaj që shpjegon Imami, del se në asnjë çast nuk duhet lëshuar pe nga xhihadi dhe se, pavarësisht rrethanave dhe shkaqeve që thërrasin apo jo për luftë, për shkak se jomuslimanët janë armiq të Allahut dhe të Dërguarit të Tij si dhe ndaj tyre nuk duhet treguar kurrfarë respekti, nuk duhet qenë tolerantë me ta. Unë nuk di si ta kuptoj këtë qëndrim kur më parë Raziu përmend animin në armëpushim nëse jobesimtarët anojnë, madje edhe nëse nuk janë të sinqertë në qëllimet e tyre. Mendimi i Raziut se jomuslimani nuk ka respekt në këtë botë është çështje e diskutueshme.

Terroristët do të mund ta merrnin këtë si mbështetje dhe justifikim për aktet e tyre. Si mund të jetë puna kështu kur Kur’ani na urdhëron të jemi të drejtë dhe të arsyeshëm në raport me ta, sikurse që na urdhëron të polemizojmë me të mirë me ta? Sipas mendimit të Raziut, ne do të duhej t’i çrrënjosnim të gjithë mosbesimtarët.

Kjo nuk është praktika kur’anore dhe as pejgamberike. Jomuslimanët ekzistonin edhe në të gjallë të Muhammedit [alejhis salatu ves selam] por nuk është transmetuar që ai të ketë thënë për zhdukjen e tyre nga faqja e dheut. Përkundrazi, ata ishin fqinj të tij, madje ai mori edhe nuse prej tyre, si edhe polemizoi dhe diskutoi me ta për shumë çështje. Vërtet, ata nuk kanë ndonjë vlerë tek Allahu, në botën tjetër, siç ka thënë Allahu:

E Ne i kthehemi ndonjë vepre që e bënë ata dhe e bëjmë atë hi e pluhur.“ (el-Furkan, 23)

Ndërsa në dynja, ata kanë fenë e tyre ndërsa ne fenë tonë, ata kanë punët e tyre e ne punët tona. Tek Allahu është takimi ynë. Allahu e di më së miri!

 

Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

VERSETET KUR’ANORE PËRKITAZI ME PAQEN DHE LUFTËN – krahasim ndërmjet komentimeve klasike dhe bashkëkohore të Kur’anit –

Related Stories

Na ndiqni në Youtube

spot_img

Tema të tjera

قضايا دينية، اجتماعية، سياسية معاصرة في ميزان القرآن: قراءة...

قضااي دينية اجتماعية سياسية معاصرة يف ميزان القرآن قراءة حتليلية يف تفسري األستاذ سيد قطب ورقة...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح القاضي مع الأستاذ إغناز غولد:...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث: التجربة الكوسوفية...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث التجربةالكوسوفيةمع الصربنموذج ورقة علمية قدمت في املؤتمر العاملي بعنوان: "...

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام ورقة علمية معدة للندوة العلمية يف امللتقى...

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية د/خيرالدين خوجة(الكوسوفي)

دراسات لأسلوب القرآن الكريم

سلسلة عرض وتقديم أعلام الدراسات القرآنية (3) دراسات لأسلوب القرآن الكريم للشيخ الأستاذ الدكتور محمد عبد الخالق...

Kategoritë më të popullarizuara

Comments