EDUKIMI I FËMIJËVE  

0
610

 

Muhamedi a.s. thotë: “Urdhërojini fëmijët tuaj për namaz që nga mosha 7 vjeçare, rrihini ata nëse e lënë namazin që nga mosha 10 vjeçare dhe ndajini shtretërit e tyre gjatë fjetjes”. [E ka transmetuar Imam Ahmedi në musnedin e tij dhe Ebu Daudi në sunenin e tij.]

Ky hadith i Muhamedit a.s. përmban një prej ligjeve kryesore që ka të bëjë me edukimin e fëmijëve, në realitet ky hadith përfshin 3 ligje:

1) urdhërimi i fëmijëve për namaz,

2) rrahja e tyre nëse e lënë atë  dhe

3) ndarja e tyre gjatë fjetjes nëpër shtretër.

Ky konsiderohet si një obligim i sheriatit për prindërit, obligim për të cilin ata do të pyeten në ditën e gjykimit para Allahut xh.sh. Nëse nuk e kryejnë këtë obligim do të ndëshkohen, nëse e realizojnë do të shpërblehen nga Allahu xh.sh.

Urtësia e kësaj çështjeje qëndron në faktin se Allahu xh.sh. e ka bërë të varur çështjen e të vegjëlve nga më të mëdhenjtë, nga kujdestarët e tyre, duke filluar nga baba, e kështu me radhë.

Të gjithë ata janë përgjegjës për çdo vepër të keqe që rrjedh nga fëmijët e tyre.

Po ashtu ata do të shpërblehen nga Allahu xh.sh. nëse ua mësojnë fëmijëve ndonjë vepër apo cilësi të mirë.

Përgjegjësia e babait ndaj fëmijëve të tij konsiderohet si përgjegjësia e parë mbi të cilën Allahu xh.sh. e ka ngritur shoqërinë njerëzore. 

Tani do mundohemi ta sqarojmë në mënyrë të detajuar urtësinë që qëndron pas këtij ligji.

Kur lindet një fëmijë, dëshira e Allahut xh.sh. ka qenë dhe është që atë fëmijë ta dorëzojë në duart e prindërve të tij me natyrë të pastër. Nëse atë fëmijë kishim për ta lënë në një vend, ku nuk do të kishte ndikime të jashtme në edukimin e tij, ky fëmijë kishte për t’u rritur në rrugën e drejtë dhe të vërtetë, me natyrë të pastër në Islam dhe nuk do të kish qenë e mundur që ai të devijonte, sepse çdo devijim e ka bazën që nga fëmijëria për shkak se fëmijët nuk posedojnë rezistencë dhe forcë për t’u shmangur prej devijimeve.

Prandaj nëse kërkojmë që kjo ‘bimë’ të ruhet dhe të shpëtojë nga devijimet duhet t’i kushtohet rëndësi që nga mosha fëmijërore.

Nëse ruhet në këtë periudhë atëherë mbetet i tillë edhe më tej, e nëse jo atëherë mbetet i shtrembëruar dhe mandej përmirësimi është i vështirë. Mu për këtë arsye din-i islam i ka kushtuar rëndësi të veçantë edukatës së mirë që nga fazat e para të jetës së fëmijës.

Shtrohet pyetja se: cilës edukatë duhet t’i kushtojmë rëndësi dhe t’i japim përparësi gjatë edukimit?

Përgjigjja: Besimit në një Zot. Fëmija duhet të ketë bindje pozitive për ekzistencën që e rrethon, se ajo është krijesë e Allahut xh.sh. Pastaj falja e namazit është një pikënisje e rëndësishme dhe e shëndoshë për të mbjellë vlerat e tjera të moralit në shpirtin dhe sjelljen e tij dhe kjo konsiderohet si një ushqim i posaçëm i shpirtit dhe natyrës së pastër për personalitetin e tij islam, pasi namazi i përfshin të gjitha parimet e larta njerëzore.     

Nuk ka dyshim aspak se interesimi dhe kujdesi i prindit duhet të jetë më tepër rreth namazit dhe edukimi nuk mund të japë efektin e tij të duhur nëse nuk bazohet në dy baza të shëndosha: dëshirën dhe frikën. Obligimi  ynë është që të fillojmë me bazën e parë, dëshirën dhe vullnetin.

Nëse kjo e para nuk ka sukses dhe nuk ndikon fare, dhe fëmija është i rritur dhe e kupton frikën, atëherë i kthehemi përdorimit të metodës së dytë, frikës. Është gabim i madh të përdoret metoda e butësisë  me fëmijët në çështjet fetare, sepse dëshira për namaz nuk është gjithmonë prezent te fëmijët, pasi është vështirë që t’ju rrihet gati namazeve në kohë të caktuar. Edhe nëse tenton që fëmijës t’i japësh ndonjë shpërblim për faljen e çdo namazi, ai do të mundohet që të kryejë obligimin me qëllim që ta arrijë shpërblimin e caktuar.

Po ashtu është gabim kur dikush thotë se fëmija tani duhet lënë i qetë dhe se në të ardhmen koha do ta edukojë vetvetiu. Në këtë mënyrë lihet anash edukimi i tij dhe kur fëmija rritet arrin moshën e pubertetit (e pjekurisë) atëherë është vështirë për prindin apo edukuesin që ta edukojë këtë fëmijë.

Po ashtu, ky prind nuk do të ketë arsye të ankohet tek Allahu xh.sh. për mosdëgjimin e djalit të tij kur ai të jetë rritur, sepse Allahu xh.sh. nuk e ka obliguar atëherë edukimin e tij. Kur të jetë rritur, ai është në gjendje të diskutojë dhe të japë mendime të reja, dhe do jetë barazuar me prindin e tij në trup dhe në forcë.

Allahu xh.sh. ia ka dorëzuar këtë fëmijë prindit kur ai ishte i mitur, kur prindi ishte në gjendje që ky fëmijë t’ia pranonte këshillën, të merrte edukatën e duhur dhe të pranonte çdo përmirësim, përderisa ishte në natyrën e tij të pastër. 

Me të vërtetë, fëmija është amaneti më i shtrenjtë që Allahu xh.sh. ia ka dorëzuar në dorë prindit, prandaj llogaria në ditën e gjykimit për humbjen e atij amaneti do të jetë tepër e vështirë dhe e rëndë.

 

Përktheu dhe përshtati nga arabishtja: Prof.Dr. Hfz. Hajredin Hoxha

Prof.Dr.Muhamed Said Ramadan el Buti – FSHEHTËSITË E DISA LIGJEVE KUR’ANORE