MENDIMI I EBU BEKIR EL-XHEZAIRIUT PËR PËRGATITJEN USHTARAKE DHE MARRËVESHJEN – ARMËPUSHIMIN ME ARMIKUN

0
553

 

KOMENTUESIT BASHKËKOHORË DHE VIZIONI I TYRE PËR PËRGATITJEN USHTARAKE DHE MARRËVESHJEN – ARMËPUSHIMIN ME ARMIKUN

 

MENDIMI I EBU BEKIR EL-XHEZAIRIUT[1]

Komentuesit bashkëkohorë i kanë trajtuar këto ajete nga aspekte të tjera, respektivisht duke u nisur nga disa prej problemeve dhe sfidave të paraqitura në rrafshin politik, ushtarak, ekonomik dhe shkencor. Shejh Ebu Bekir Xhezairiu, në komentin e këtyre ajeteve përmend, së pari, shkaqet e zbritjes – shpalljes së tyre, pastaj, “forcën” (ar. el-kuvveh) të përmendur në ajet e shpjegon në përputhje me atë që është transmetuar në hadith, pra me “gjuajtje” (ar. err-rremju), për të vazhduar më pas me shpjegime se kjo lloj përgatitje sot njihet si ‘paqe e armatosur’, për shkak se, siç mendon Shejhu, të gjithë jomuslimanët janë armiq të Islamit dhe muslimanëve. Ky mendim i Shejhut nuk mund të hidhet poshtë.

Në komentin e ajeteve 60-61 nga kaptina el-Enfal:

E ju përgatituni sa të keni mundësi force (mjete luftarake), e kuaj të caktuar për betejë kundër atyre (që tradhtojnë) e me të (me përgatitje), ta frikësoni armikun e All-llahut, armikun tuaj dhe të tjerët, të cilët ju nuk i dini (se kush janë), e All-llahu i di ata. Çfarëdo që shpenzoni për rrugë të All-llahut, ajo do t’ju kompensohet dhe nuk do t’ju bëhet padrejtë. 61. Në qoftë se ata anojnë nga paqja, ano edhe ti nga ajo e mbështetu tek All-llahu. Ai është që dëgjon dhe di.“

…Shejhu thotë: Me rastin e përfundimit të Betejës së Bedrit dhe disfatës së idhujtarëve, si dhe kthimit të tyre në Mekë të mllefosur e plot mëri ndaj muslimanëve, për shkak të së cilës u arrit edhe deri tek Beteja e Uhudit, Allahu i Madhëruar i urdhëroi besimtarët që të përgatiten aq sa kanë mundësi, e tha:

E ju përgatituni sa të keni mundësi force…” (el-Enfal, 60)

Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] e ka shpjeguar forcën me hedhje (gjuajtje), dhe këtë në thënien: ‘Vëni re! Forca është gjuajtje!’ – duke e përsëritur tri herë këtë gjë. Pastaj, në pjesën vijuese të komentit të ajetit në fjalë:

e kuaj të caktuar për betejë kundër atyre (që tradhtojnë) e me të (me përgatitje), ta frikësoni armikun e All-llahut, armikun tuaj dhe të tjerët, të cilët ju nuk i dini (se kush janë), e All-llahu i di ata…”, Shejhu thotë: Pasi që Allahu i urdhëron për përgatitje, iu tregon edhe për qëllimin e saj, që është frikësimi i idhujtarëve që të mos e shohin luftën fare si opsion. Kjo është ajo që njihet si ‘paqja e armatosur!’ dhe që Ummetit ia ruan një respekt dhe vend ndërmjet popujve për shkak të frikës. Ndryshe, do t’i vërsuleshin dhe do ta luftonin.

Në komentin e pjesës “…dhe të tjerët…Shejhu thotë se për qëllim janë armiqtë e tjerë jashtë kurejshitëve. “të cilët ju nuk i dini (se kush janë), e All-llahu i di ata…” këta, shpjegon Shejhu, mund të jenë çifutët, zjarrputistët, hipokritët apo edhe xhinët. Përderisa Allahu nuk iu ka vënë emër, nuk mund të thuhet se janë këta dhe jo ata, me gjithë dijen tonë se të gjithë ata që nuk e besojnë Allahun, njerëz apo xhinë qofshin, janë armiq të Allahut.

Ndërsa në komentin e ajetit të dytë (ajeti 61 nga kaptina el-Enfalë):

Në qoftë se ata anojnë nga paqja, ano edhe ti nga ajo e mbështetu tek All-llahu. Ai është që dëgjon dhe di.”, Shejhu thotë: Allahu i Lartësuar e urdhëron të Dërguarin e Tij, që njëherësh ishte komandant i ushtrisë, të pranojë marrëveshjen kurdoherë që ata anojnë nga marrëveshja sinqerisht, ngase Muhammedi [alejhis salatu ves selam] është dërguar mëshirë dhe jo ndëshkim për njerëzimin. Po kështu e urdhëroi që t’i mbështetet Allahut në këtë gjë, pra ta pranojë armëpushimin dhe t’i mbështetet Atij, ngase A i mjafton kundër sherrit dhe të këqijave të tyre[2].

Pastaj Shejhu përmend mësimet e nxjerra nga ajetet dhe, duke pasur parasysh faktin se është pjesë e këtij shekulli, ai forcën e komenton me çdo armë të zbuluar dhe prodhuar nga njeriu, duke sqaruar se kjo, parimisht, nuk bie ndesh me paqen, përderisa kryhet si pjesë e asaj që ai e quan ‘paqe e armatosur.’

Mësimet e përfituara nga ajetet

  • Përgatitja ushtarake çdoherë, sipas rrethanave dhe në përputhje me kohën. Pra, nëse në të kaluarën kjo nënkuptonte përgatitjen e kuajve dhe të shtizave, sot nënkupton përgatitjen e mjeteve të sofistikuara të luftimit, si tanket, raketat etj.
  • Aprovimi i parimit ‘Paqja e armatosur’.
  • Muslimanët është e pamundur të mos kenë armiq, ngase të këqijtë, njerëz apo xhinë qofshin, janë armiq të tyre.
  • Shpenzimi për xhihad është prej rrugëve më të mira dhe më dobiprurëse për besimtarin në botën tjetër.
  • Armëpushimi pranohet apo refuzohet varësisht nga rrethanat.[3]
  • Konsideroj se mendim i Shejhut është i peshuar dhe i matur mirë. Unë pajtohem me shpjegimin e tij për ‘forcën’ dhe e përgëzoj për këtë kapacitet dhe dije të mirë e të madhe!

 

Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

VERSETET KUR’ANORE PËRKITAZI ME PAQEN DHE LUFTËN – krahasim ndërmjet komentimeve klasike dhe bashkëkohore të Kur’anit –

 


[1]  Ndoshta, sikur të merrnim kriter kohën (kur kanë jetuar këta komentues), këtu do të duhej t’ia fillonim me Sejjid Kutbin, por, për shkak se ky i fundit është thelluar në detaje përkitazi me të drejtat ndërkombëtare, e kemi lënë në fund të këtij kapitulli, për t’u marrë më shumë me të.

[2] Xhezairi, Ebu Bekir. Ejseru-t-tefasir. 2/51-52.

[3] Ibid. 2/53.