Mesatarja në çështjet civile dhe në marrëdhëniet shoqërore

0
184

 

Imam Buhariu shënon, në Sahihun e tij, nga Enes Ibn Maliku:

Pastaj erdhën tre veta tek shtëpitë e grave të Pejgamberit (alejhis selam) të pyesnin për adhurimin e tij (alejhis-s-salatu ve-s-selam). Kur u njoftuan ndien disi se ata sikur e kishin anashkaluar adhurimin dhe nuk kishin bërë shumë. “E ku jemi ne në raport me Pejgamberin (alejhis selam) të cilit Allahu ia ka falur të gjitha mëkatet, të hershmet dhe të vonshmet” – thanë ata. Njëri prej tyre tha: Sa më përket mua, do të falem gjatë tërë natës. Tjetri tha: Unë do të agjëroj gjithmonë dhe nuk do të ha! Ndërsa i treti tha: Unë do të izolohem nga gratë dhe nuk do të fle me to kurrë! Kur erdhi Pejgamberi (alejhis selam) tha: A ju jeni ata që keni vendosur kështu e kështu? Pasha Allahun, unë më së shumti prej jush ia kam frikën dhe drojën Allahut, por megjithëkëtë agjëroj dhe ha, falem dhe pushoj, dhe fle me gratë (e mia). Kjo është tradita ime, ndërsa kush heq dorë nga tradita ime ai nuk është prej meje.[1]

Në disa transmetime, që Ibni Haxheri i ka përmendur në Fet’hu’l Bari, thuhet se tre të përmendurit në këtë hadith janë: Ali Ibn Ebi Talibi, Abdullah Ibn Amr el-Asi dhe Uthman Ibn Medh’uni. Këta u pajtuan që të agjëronin ditën, të faleshin natën, të mos flinin në shtrat, të mos hanin mish, të mos iu afroheshin grave dhe të tridheshin[2].

Mesatarja në marrëdhëniet bashkëshortore

Në Sahihun e Ibni Hibbanit është regjistruar rrëfimi i Ebu Derdasë me Selman Farisiun (Allahu qoftë i kënaqur me ta), rezymeja e të cilit është: Pejgamberi (alejhi’s selam) kishte vëllazëruar Selmanin dhe Ebu Derdanë. Një ditë Selmani e kishte vizituar Ebu Derdanë, me ç’rast e kishte parë Ummu Derdanë (gruan e tij) disi si të larguar nga jeta martesore. – Çfarë ke? – e kishte pyetur. – Vëllai yt nuk ndien më nevojë për dynjanë (i është larguar jetës bashkëshortore) – iu përgjigj gruaja. Ebu Derda u kthye në shtëpi. Selmani i uroi mirëseardhje dhe i ofroi ushqim. Ha!- i tha Selmani. Unë jam agjërueshëm – iu përgjigj Ebu Derdaja. Të betohem që të hash, ngase unë nuk do të ha derisa të hash edhe ti. Ai u pajtua dhe e hëngrën ushqimin bashkë. Atë natë Selmani bujti. Kur Ebu Derda u ngrit natën të falej, Selmani e pengoi dhe më pas i tha: O Ebu Derda! Vërtet, ti ke obligim ndaj Zotit, obligim ndaj familjes, obligim ndaj trupit tënd, andaj jepja çdokujt të drejtën e vet. Ha dhe agjëro, falu dhe fli, dhe fli me bashkëshorten tende. Kur erdhi mëngjesi, Selmani i tha: Ngrihu tash! U ngritën dhe u falën që të dy (namaz nate). Pastaj shkuan në xhami ta falnin sabahun. Ebu Derda e lajmëroi Pejgamberin (alejhi’s selam), për rastin e tij me Selmanin dhe mori të njëjtat fjalë edhe prej tij (alejhi’s selam)[3].

Mesatarja në marrëdhëniet shoqërore

Imam Bejhekiu transmeton, në Shuabu’l Iman, nga Zejd Ibn Eslem, e ky nga babai i tij, se Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: – O Eslem! Le të mos jetë dashuria jote ngarkesë dhe as urrejtja jote dëmtim! – E si kështu?- e pyeti. -Kur të duash, mos e ngarko veten shumë me të (mos u lidh shumë me të), mu ashtu siç lidhet fëmija me një send kur e do, por edhe kur të urresh, mos krijo urrejtje të atillë që të bën të dëshirosh dëmtimin e shokut tënd apo shkatërrimin e tij[4].

Imam Bejhekiu përmend, po kështu, edhe Muammerin që citon disa ta kenë dëgjuar Hasanin duke thënë: Duani lehtë dhe urreni lehtë, ngase disa njerëz e kanë tejkaluar normalen në dashurinë ndaj disa të tjerëve dhe janë shkatërruar, sikurse që janë shkatërruar disa të tjerë që i kanë kaluar kufijtë në urrejtje. Andaj ju as mos doni tepër, por as mos urreni tepër[5].

Rast tjetër që Imam Bejhekiu përmend është ai i Hammad-it nga Thabiti, nga Mutrifi, i cili ka thënë: Gjërat më të mira janë ato mesataret[6].

Merveziu, në librin Es-Sunneh, përmend Ebu Kilaben të ketë cituar Ibni Mes’udin duke thënë: “…Mbahuni pas diturisë e keni kujdes risitë, tenettuin (ekstremizmin) dhe thellimin!” [7]

Imam Ibni Maxheh, në Sunenin e tij, në kapitullin e El iktisadu fi’l ekl, sqaron se el-iktisad rrjedh nga el-kasd, që nënkupton: vendosmërinë në rrugë (qëndrimin drejt në rrugë – ar. el-istikametu fi’t tarik), mu ashtu siç ka ardhur në ajetin kur’anor:

Udhëzimi për në rrugë të drejtë i takon All-llahut e ka edhe rrugë që është e shtrembër…” en-Nahl, 9.

Më pas, kjo fjalë është huazuar për t’u përdorur me kuptimin e mesatares në gjëra e çështje të ndryshme, siç ka ardhur p.sh. në hadithin që e transmeton Buhariu:

Ndiqni rrugën e mesme (mundohuni në mënyrë të arsyeshme në rrugën tuaj) se do të arrini (cakun)![8]

Pra, mbani një rrugë mesatare, një qëndrim të peshuar në thëniet dhe veprat tuaja. Le të mos ketë ekstremitet të asnjërit pol. Me këtë kuptim kanë ardhur edhe hadithet:

Përmbajuni udhëzimit (qëndrimit fetar) mesatar!”, dhe

Nuk do të varfërohet ai që shpenzon me maturi!”

Pra, ndiqni një rrugë mesatare (në kuptimin e hadithit të parë) dhe mos shpenzoni tepër, por as mos u bëni koprracë (në kuptimin e hadithit të dytë) [9].

E lusim Allahun që, përkitazi me çështjen e parimit të mesatares dhe maturisë, të na ketë dhënë sukses për mësimin dhe kuptimin e Librit të Tij dhe Sunnetit të Pejgamberit të Tij, Muhammedit (alejhi’s selam)!

Rinia dhe personat me kompetenca dhe përgjegjësi le ta kuptojnë mirë këtë realitet, ngase vërtet nevoja për të është shumë e madhe!

Dhe Allahu xh.sh, di me se miri!

 

Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

MANIFESTIMET E MESATARES NË AJETET KUR’ANORE DHE HADITHET PEJGAMBERIKE SI DHE NDIKIMI I TYRE NË REALIZIMIN E INTEGRIMIT DHE UNITETIT TË UMMETIT


[1]  Buhariu, pj. 5, f. 1949, nr. i hadithit: 4776.

[2]  Ibid.

 [3]  Sahihu Ibni Hibban, 1414. Bejrut: Muessesetu-rr-Rrisaleh. Pj. 2, f. 20.

[4]  Bejhekiu, Shuabu-l-Iman, 1410. Bejrut: Daru-l-kutubi-l-ilmijjeh. Pj. 5, f. 261, nr. i hadithit: 6598.

[5]  Ibid, nr. i hadithit: 6599.

[6]  Ibid, nr. i hadithit: 6601.

[7]  Merveziu, Es-Sunneh, 1408. Bejrut: Muessesetu=l-kutubi-th-thekafijjeti, pj. 1, f. 30, nr. i hadithit: 85.

[8] Ky hadith e krahason besimtarin, në raport me adhurimin, me një udhëtar, i cili vetëm nëse udhëton pandërprerë ka gjasa që ta humbë fuqinë dhe të mos arrijë assesi te caku. E nëse udhëton me pushime, pra ndjek një masë të caktuar gjatë ecjes, herë ecën e herë pushon, atëherë ka mundësi ta përshkojë rrugën pa probleme. Përkthyesi.

[9]  Sunen Ibni Maxheh, pj. 1, f. 240, nr. Hadithit: 3348.