ÇËSHTJA LINDORE -Faktorët kryesorë që kanë ndikuar në luftërat ballkanike

0
171

 

Gjatë studimit dhe leximit të historisë së Ballkanit në përgjithësi dhe të shqiptarëve në veçanti, kemi hasur mendime të ndryshme të studiuesve të ndryshëm të historisë. Ata kanë përmendur disa faktorë që kanë ndikuar në këto luftëra. Ne do ti cekim këta faktorë, duke mos u thelluar në analiza të hollësishme. Këta faktorë, në mënyrë të përgjithshme, mund të radhiten si vijojnë:

  1. Konflikti mes Austro-Hungarisë dhe Rusisë se cila prej tyre është më superiore dhe se cila prej tyre meriton të jetë udhëheqëse në Ballkan.
  2. Dobësimi dhe shkatërrimi i Perandorisë Osmane.
  3. Ringjallja e çështjes nacionale turke në Evropë për vetëqeverisje, si rezultat i Revolucionit Francez, sidomos nacionalizmi i të krishterëve që ishin në Perandorinë Osmane, kur ata filluan të ndiejnë superioritet mbi të tjerët.
  4. Ekspansioni imperialist i Rusisë, dhe Pansllavizmi i saj..
  5. Për mendimin tim, konkluzionet e konferencës së Berlinit dhe të Londrës, Marrëveshja e Shën Stefanit etj., kanë qenë prej faktorëve më kryesore në shpërthimin e luftërave shqiptare në Ballkan kundër Perandorisë Osmane, gjë që i revoltoi ata dhe shkaktoi indinjatë të thellë tek ata.
  6. “…Krijimi i shteteve të pavarura fqinje: Serbisë, Greqisë, Malit të Zi, Bullgarisë, dhe rreziku i copëtimit territorial të territoreve etnike shqiptare ndërmjet këtyre shteteve fqinje…”[1]
  7. Reformat administrative centralizuese – Tanzimati (1839), kundërshtimi i tyre nga masat e privilegjuara shqiptare dhe ardhja e zyrtarëve të huaj nga Porta e Lartë në këto vende shqiptare, shkaktoi revoltën dhe kryengritjen e tyre.[2]

 

Prandaj, nga ato që u thanë më lart, për definicionin e çështjes lindore mund të konkludojmë se:

“…Ngjarjet ballkanike, qëllimet pushtuese të fuqive të mëdha evropiane ndaj popujve të Ballkanit, përpjekjet e tyre për ndarjen e tokave të Ballkanit, marrëveshjet diplomatike mbi Turqinë dhe me Turqinë, pretendimet e pavarura të çështjeve dhe të pozitave të popujve të robëruar, pranimi apo mospranimi i lëvizjeve të tyre çlirimtare dhe gjithçka që ndodh në Ballkan dhe në lidhje me të, u pagëzua si Çështje Lindore…” [3]

 

Motivi i ardhjes së osmanlinjve në Ballkan

Sa i përket motivit të ardhjes së osmanlinjve në Evropë (në Ballkan), mund të thuhet se ai ka qenë thjesht për qëllime fetare, për të përhapur Islamin, mesazhin Kur’anor dhe atë profetik në këto troje të krishtera, në mes të të cilave ka qenë edhe trualli i Shqipërisë.

Ky motiv mund të kuptohet edhe nga një rast historik kur Sulltan Sulejman Kanunin (e madhërishëm) e vizitoi ambasadori i Hungarisë, më 1526, me rast Sulltani i tha atij:

“…Kryqëzatat evropiane kishin vendosur t’i kërcënonin të parët e mi përgjithmonë. Ato kishin akumuluar retë e krishterimit, mirëpo ato re nuk e prunë shiun (teksti ne origjinal). Po të mos ishin të krishterët (kryqëzatat) shkaktarë të kësaj lufte (fitorja e Moha’s) nuk kishte për t’u derdhur kaq shumë gjak në këtë luftë.”[4]

Nga kjo deklaratë e Sulltan Sulejman Kanunit, mund të kuptojmë se qëllimi i ardhjes së tyre në Ballkan (Evropë) ka qenë mbrojtja dhe protektorati i muslimanëve të Ballkanit prej kryqëzatave, që ata të mos konvertoheshin në krishterizëm. Për mendimin tim, ky ka qenë motivi kryesor dhe primar. Ky motiv nënkupton edhe ekspansionin politik dhe gjeografik të Perandorisë Osmane, krahas atij Islam, pasi që nuk ekziston kurrfarë antagonizmi mes ekspansionit fetar dhe atij politik.

Sa i përket ardhjes së osmanlinjve në trojet shqiptare, ajo ishte pikërisht me ftesë të disa principatave shqiptare të Shqipërisë, për t’i ndihmuar kundër vëllezërve të tyre shqiptar, siç do ta shohim më poshtë.

 

Doc.Dr.Hfz.Hajredin Hoxha
Vështrim islam rreth faktorit fetar në historinë shqiptare moderne dhe antike

 


[1] Hysamedin Feraj, Skicë e mendimit politik shqiptar, f. 38.

[2]  Po aty, f. 38. Më gjerësisht shih edhe Skënder Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1877-1885, (Krushë e Madhe, Prizren, 1998), f. 8.

[3] Bedrush Shehu, Çështja shqiptare në vitet e 30 të shek. XIX-XX, f. 15.

[4]  Mehmet Maksudoglu, Ottoman History Based Mainly on Ottoman Sources, (Malaysia,1993), f. 13.