Me nocionin “Çështja lindore” nënkuptoj atë që e thotë historiani Bedrush Shehu: “Ngjarjet ballkanike dhe qëllimet e okupimit nga ana e shteteve të mëdha evropiane, orvatjet dhe projektet e tyre për ndarjen e tokave të okupuara ballkanike, dialogu diplomatik ndërkombëtar kundër dhe pro turqve, çështja e popujve të robëruar dhe çështje tjera formulojnë atë që historianët e quajnë “Çështja lindore”.[1]
Në bazë të studimeve dhe hulumtimeve të mia mbi zhvillimin dhe ngjarjet historike në Ballkan, arrita të konkludoj se ekzistojnë disa faktorë dhe shkaqe kryesore që patën ndikim aktiv dhe të drejtpërdrejtë në çështjen e unitetit kombëtar shqiptar, ku ndër më kryesoret janë:
- Konflikti ruso-austrohungarez rreth pozicionit se kush do të ketë rol udhëheqës dhe dominues në Ballkan,
- Ngjallja e drejtimit kombëtar turanian turk si rezultat i revolucionit francez dhe lëvizja ortodokse sllavo-ruse për dominim politik;
- Vendimet e Konferencës së Londrës dhe të Berlinit, pakti i turqve me rusët në Shën Stefan për ardhmërinë e shqiptarëve; dhe:
- Formimi i shteteve të vogla të krishtera ortodokse përreth Shqipërisë, siç ishin Serbia, Greqia, Mali Zi dhe Bullgaria, të cilat rrezikonin mjaft ardhmërinë shqiptare.[2]
Krahas këtyre faktorëve, edhe zhvillimet politike ndërkombëtare evropiane luanin rol të rëndësishëm për shkak të projekteve të tyre mbi mënyrën e shkatërrimit të shtetit osman.[3] Muslimanët shqiptarë dhe joshqiptarë i përjetonin së bashku zhvillimet e çështjes orientale, posaçërisht zhvillimet që ndodhën në territoret shqiptare.[4]
Sa i përket lëvizjes fetare sllavo-ortodokse ruse, mund të thuhet se kjo lëvizje ka pasur për qëllim çlirimin e të krishterëve ortodokosë nga pushteti osman dhe austriak, me pretekst se banorët e Rusisë, Polonisë, Çekosllovakisë, Serbisë, Kroacisë, Bullgarisë dhe Sllovenisë janë një popull me një rrjedhë gjaku.[5]
Të gjithë ata besonin se Evropa ishte e sëmurë dhe se kishte ardhur koha që të shkatërrohet e të zhduket, dhe se pas shkatërrimit të saj, do të formohet një perandori e madhe me seli në Stamboll. Kur filloi lufta ruso-osmane në vitin 1853-1856, ata filluan të mendojnë se ishte afruar koha e formimit dhe themelimit të perandorisë së madhe e të shumëpritur.[6]
Historia na rrëfen se bashkimi i Gjermanisë Lindore me atë Perëndimore në vitin 1871, i nxiti ndjenjat e rusëve për realizimin e ambicieve dhe aspiratave të tyre fetare, kjo vërehet qartë edhe nga fjalët e orientalistit më të njohur rus, Nikolaj Jakovleviq Danilevski, i cili në librin “Rusia dhe Evropa”, thotë: “Çështja orientale në shek. XIX ishte një hallkë në zinxhirin e luftërave të gjata në mes Romës dhe Greqisë, gjegjësisht në mes Romës katolike dhe Greqisë ortodokse, ndaj nisur nga kjo, gjermanët konsideroheshin përkrahës të Romës, ngase ishin katolikë, ndërsa rusët ishin ithtarë bizantinë ortodoksë”.[7]
Në bazë të këtij raporti do të zhvillohen luftëra të vazhdueshme, posaçërisht kur dihet se fenomeni i urrejtjes fetare tek rusët do të ekzistojë në zemrat e tyre gjer në Ditën e Kijametit.
Meqë në Evropë dominonin tri perandori: Perandoria e Rusisë, e Gjermanisë dhe ajo e Austro-Hungarisë, ato, shpeshherë takoheshin në Berlin, Vjenë apo Petrovgrad, me qëllim që t’i planifikojnë projektet e ardhmërisë[8] së Evropës. Dhe kështu ata lypnin çështje që kishin të bënin me pozicionet e popujve të krishterë ortodoksë sllavë, i financonin dhe shpirtërisht i përkrahnin ata, derisa nxitën kryengritje të popujve të krishterë në Bosnjë e Hercegovinë, në Mal të Zi dhe në Serbi kundër shtetit osman, gjë e cila edhe ndodhi, përkatësisht u realizua.[9]
Pas ngjarjeve të tilla, Serbia dhe Mali i Zi, nën ndikimin e lëvizjes sllavo-ortodokse ruse, më 01.07.1876 i shpallën luftë shtetit osman. Me kalimin e kohës, rreziku nga lëvizja ruse sa vinte e bëhej akoma edhe më i qartë, derisa erdhi tek konflikti i Islamit me krishterimin ose i muslima-nëve me të krishterët, përkatësisht Evropës me Azinë. Në të njëjtën kohë, edhe Anglia i shpalli luftë pushtetit osman, dhe kështu, situata u përke-qësua edhe më shumë,[10] sa që tërë forcat kryqtare botërore u bashkuan kundër shtetit osman, gjegjësisht kundër Islamit dhe muslimanëve.
E gjithë kjo rezultoi me Konferencën e Berlinit, ku merrnin pjesë shtetet më të mëdha evropiane, që u mbajt nga 23.12.1876 deri më 20.01.1877, ku edhe doli në shesh e vërteta, përkatësisht urrejtja fanatike fetare e kombëtare kundër Islamit dhe muslimanëve, dhe ku u vendos që të shtronin kërkesa të rënda dhe tepër të vështira për shtetin osman. Në Berlin, doli në pah dhe u diskutua edhe çështja e shqiptarëve.
Në këtë Konferencë u vendos që:
- Të largohen armët nga muslimanët e Bullgarisë dhe Bosnjë e Hercegovinës;
- Të largohen nëpunësit muslimanë nga këto vende;
- Të formohet policia vetëm nga të krishterët;
- T’i lejohet ushtrisë osmane të qëndrojë nëpër kalatë e larta;
- Të mënjanohet pagesa e një të dhjetave dhe tagrambledhësit të jenë vendas;
- Të përdoret gjuha sllavo-ortodokse në gjykatë dhe administratë;
- Të emërohen guvernatorë të krishterë ashtu siç ishin emëruar në Liban; dhe:
- Të dënohen muslimanët që kishin marrë pjesë në krimet kundër të krishterëve dhe obligimi i tyre për kompensime materiale.[11]
Në këtë dokument nuk bisedohej aspak për shqiptarët, çështja e tyre ishte lënë në harresë, diplomatët perëndimorë madje as që e kishin potencuar këtë çështje.[12]
Pasi dolën nga kjo Konferencë të nënçmuar dhe kokëulur, duke mos u pajtuar me këtë dokument, ngase shteti osman në mënyrë kate-gorike kishte refuzuar përmbajtjen e tij, kulminacioni i nënçmimit arriti më 26.06.1878, kur Rusia, nuk ngurroi t‘i shpall luftë shtetit osman.
Në këto çaste mjaft kritike dhe të vështira, edhe Serbia dhe Mali i Zi i shpallën luftë shtetit osman, duke shfrytëzuar rastin e preokupimit të osmanëve me Rusinë, kësisoji duke menduar se shteti osman, nuk do të ketë mundësi të sundojë përsëri.[13]
Duke marrë parasysh dobësinë e shtetit osman si në numër ashtu dhe në pajisje, plotësisht ishte e qartë se nuk ishte e favorshme për ta, që të zhvillojnë një luftë me Rusinë, ku rezultatet dështuese veçmë ishin në dukje. Ndaj, nisur nga kjo, shteti osman u detyrua të nënshkruaj marrëveshje me Rusinë, e cila përmbante edhe 29 nene që ishin kundër shqiptarëve, përkatësisht kundër ardhmërisë së tyre politike, gjeografike, kombëtare dhe kulturore.[14]
Një situata e tillë ndikoi që shqiptarët fuqishëm të reagojnë kundër zhvillimeve politike që ishin kundër tyre dhe kështu në vitet 1878-1885, e formuan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit me qëllim për t’u mbrojtur nga rreziku që u kërcënohej. Kjo Lidhje Shqiptare ishte si një revolucion i përgjithshëm shqiptar kundër qëndrimeve të shtetit osman dhe marrë-veshjeve të tij me shtetet e mëdha kolonizuese, e që ishin në dëm të tyre.
Kjo Lidhje ka rëndësi të madhe në historinë e kohës bashkëkohore të shqiptarëve. Kur bisedohet për faktorët dhe shkaqet që ndikuan në formi-min e saj, historiani i njohur, prof.dr.Skender Rizaj, thotë se ishin katër faktorë të jashtëm dhe të brendshëm që ndikuan në formimin e Lidhjes:
Ndërtesa ku u mbajt Lidhja Shqiptare e Prizrenit
- Mosmarrëveshjet dhe grindjet në mes shteteve të mëdha në llogari dhe në dobi të shqiptarëve;
- Reformat politike shoqërore dhe administrative të shtetit osman kundër interesave të shqiptarëve;
- Deportimi dhe dëbimi i një numri të madh të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre; dhe:
- Nevoja e madhe dhe obliguese për pavarësi.[15]
Kjo Lidhje në fillim nuk dëshironte të ndahej nga shteti osman, por kërkonte pavarësi në kuadër të këtij shteti.
Shkaku kryesor i daljes në shesh të kësaj Lidhje nënkuptohet qartë nga fjalët e historianit turk që i thekson profesori i njohur Skender Rizaj: “Nga lufta turko-ruse në vitin 1877 doli në pah fakti se shtetet fqinje të Ballkanit dëshironin t’i zgjerojnë kufijtë në dëm të shqiptarëve dhe tokave të tyre. Gjendja e tillë i nxiti shqiptarët të mendojnë për ardhmërinë e tyre dhe për situatën e tyre nëse shkatërrohet shteti osman. A mund të pranojnë pushtetin grek ose serb e të rikthehen në robëri?! Ky ishte shkaku që nxiti formimin e Lidhjes Shqiptare për të formuar qeveri kombëtare në Shqipëri e pastaj të ndahen nga pushteti osman”.[16]
Siç vërehet nga ky raport, shqiptarëve rreziku u kanosej nga të gjitha anët. Profesori i njohur thekson se një ndër personalitetet fetare islame që ndihmuan dhe morën pjesë në formimin e Lidhjes ishte Shejhu, Myftiu e Muderrisi, Haxhi Ymer Prizreni,[17] Shejh Haxhi Zeka dhe gjykatësi i Sheriatit Shejh Ahmed Korenica, si dhe disa personalitete të njohura nga viset tjera mbarëshqiptare.
Dhe në fund, në Luftën Ballkanike 1912-1913, kur u kërcënohej rreziku para dyerve nga ndarja dhe coptimi i vendit, më 28.11.1912 në qytetin e Vlorës-Shqipëri, shpallën Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë, nën udhëheqjen e aktivistit dhe intelektualit të njohur shqiptar, Ismail Qemali.[18]
Pra, në këto rrethana, shqiptarët vendosën për pavarësinë e shtetit të tyre dhe ndërmorën një hap të tillë kombëtar, duke shpallur shtetin e tyre, për të pasur një vend ku do të përqëndrohen dhe të cilin do ta mbrojnë.
Jam i bindur se, sikur shteti osman të sillej mirë me shqiptarët, sikur t’i mbronte dhe sikur t’i plotësonte disa kërkesa të tyre, ata do të ishin përkrahës dhe ndihmues më të mirë për ta, ngase një gjë e tillë ngaherë është dëshmuar dhe vërtetuar historikisht,[19] kur dihet se në çdo ekspeditë ushtarake osmane, komandanti ishte shqiptar për shkak të karakteristikave që i dallonin, siç ishin trimëria, besa, komandimi dhe aftësitë/shkathtësitë ushtarake. Shteti osman po të mendonte kështu dhe sikur edhe më shumë të investonte në to, atëherë nuk do të rrënohej…Por, megjithatë të vërtetën e di vetëm Zoti!
Prof. Dr. Hfz. HAJREDIN HOXHA
TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)
TOKAT SHQIPTARE NGA ASPEKTI POLITIK DHE FETAR NË KOHËN BASHKËKOHORE
[1] Bedrush Shehu, “Çështje shqiptare në vitet e 30-ta të shek. XIX”; 15.
[2] Hysamedin Feraj, “Skicë e mendimit politik shqiptar”; 38.
[3] Më gjerësisht mbi historinë e Austro-Hungarisë në Bosnjë e Hercegovinë, shih: Fikret Karçiq, “The Bosniaks and the challenges of modernity, late Ottoman and Habsburg times”; 20-125; Journal of Islamic Studiese, vol. 5, nr. 2, July 1994, Oxford University press; “Islam in the Balkans”; Alexander Lopasic, “Islamization of Balkans with special reference to Bosnia”; 163-186.
[4] Më gjerësisht shiko dy veprat e historianit tonë të njohur prof.dr. Skender Rizaj, “Lidhja shqiptare e Prizrenit”; 39; dhe: “Historia e përgjithshme; Koha e re-1453-1789”; Prishtinë, Universiteti i Kosovës në Prishtinë, bot. II, 1983, 317-321 dhe f. 355-356.
[5] Skender Rizaj, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”; 40; Mehdi Frashëri, “Historia e lashtë e Shqipërisë dhe shqiptarëve”; 34-35.
[6] Po aty, f. 40.
[7] Skender Rizaj, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”; 43.
[8] Skender Rizaj, “Lidhja e Prizrenit”; 44; Georges Castellan, “Histori e Ballkanit”; 342.
[9] Mehmet Maksudoglu, “Ottoman history based manily on Ottoman sources”; 293; Justin McCarthy, “Death and Exile”; 6,10,12.
[10] Po aty, f. 48.
[11] Skender Rizaj, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”; 48-49; Nexhip P. Alpan-Nesim Koci, “Shqiptarët në Perandorinë Osmane”; 34; “Historia e Popullit Shqiptar”-vëll. 2; 106-173.
[12] Është për t’u habitur fakti se profesori turk dr. Mehmet Maksudoglu, në librin e tij nuk ka përmendur asgjë mbi shqiptarët në shtetin osman dhe mbi rolin e tyre në këtë shtet, kur në tërë librin e tij flet për historinë e shtetit osman, vërtet çudi!!!
[13] Po aty f. 67; Uthman Uglu, “Mudhekkirâtul-Emireti Aishe”; Validi Es-Sulltan Abdulhamid Eth-Thâni, 11-56.
[14] Skender Rizaj, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”; 69-70.
[15] Skender Rizaj, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”; 8.
[16] Skender Rizaj, “Lidhja shqiptare e Prizrenit”; 115. Marrë nga Mehmet Ali Ayni “Milliyetcilik”; 279-280.
[17] U lind në vitin 1820 në qytetin e Prizrenit dhe u dallua për aktivitete fetare, sufiste dhe kombëtare. Vdiq në Ulqin të Malit të Zi në vitin 1886 në rrethana misterioze. Ai ishte i përndjekur nga shteti osman. Më gjerësisht për jetën e tij shih: Abib Ahmeti, “Theranda, Prizreni ndër shekuj”; Orient, Prizren, 1996, f. 175-177.
[18] Më gjërësisht shih: Skender Rizaj, “Lidhja shqiptare e Prizrenit”.
[19] Nexhip P. Alpan-Nesim Koci, “Shqiptarët në Perandorinë Osmane”; 15; “Historia e Shqipërisë”-vëll. 2; 243.