Nga ajo që theksuam më parë rreth zhvillimeve, ndryshimeve dhe luftërave të ndryshme në territoret shqiptare, vërehet se çështja orientale kishte filluar të trajtohet nga aspekti politik, ekonomik, shoqëror dhe fetar. Një prej çështjeve të tilla ishte edhe ajo e emigrimit dhe emigrantëve muslimanë, të cilët përkundër vullnetit të tyre u detyruan të emigrojnë në vende të ndryshme e të largohen, duke bartë me vete fenë, shpirtin dhe atë që mund të bartet.
Forcat ruse, serbe dhe ato bullgare, kishin bërë një marrëveshje për realizimin e këtij projekti dhe kishin filluar në praktikë ta aplikojnë, kështu, duke detyruar të emigrojnë shumë muslimanë, ndërsa në vend të tyre sillnin kolonë serbë, rusë, bullgarë dhe malazezë. Në këtë pjesë do t’i shqyrtojmë ngjarjet më të rëndësishme që kishin ndodhur gjatë emigrimit dhe deportimit.
Sipas historianëve gjendja aktuale politike në rajonin e Kosovës, paraqitej shumë e keqe, ndaj dhe në këtë kontekst, parlamentari shqiptar në shtetin osman, Osman Mustafa Efendiu, thotë: “Qytetet kosovare Piroti, Prokuplja dhe Leskovci që i takojnë Vilajetit të Kosovës janë okupuar nga Serbia. Çdo qytet në Vilajetin e Kosovës konsiderohet si Shqipëri, madje është shpirt dhe zemër e Shqipërisë”.[1]
Ekzistonin një varg i faktorëve të shumtë që ndikuan dhe ndihmuan në emigrimin e shqiptarëve nga vatani i tyre: Disa prej tyre ishin fetarë, ndërsa disa të tjerë ekonomikë dhe politikë. Por, siç duket, shkaku më kryesor ishte shërbimi ushtarak i obliguar në favor të serbëve të krishterë ortodoksë, kur veçmë botërisht dihet dhe është e qartë se shqiptarët muslimanë pikërisht më shumë se gjithçka tjetër e urrenin uniformën ushtarake serbe.[2]
Një nga arsyet që i kishin detyruar shqiptarët dhe muslimanët të emigrojnë ishte terrori i madh dhe presioni i ashpër që ushtronin rusët, serbët dhe malazezët ndaj tyre,[3] për të mbrojtur fenë e krishterë sllave.
Literatura historike i konfirmon krimet e tyre që bëheshin në forma nga më të ndryshmet, p.sh.: Përdhunimi i grave muslimane, vjedhja dhe konfiskimi i pasurisë së muslimanëve, duke i shndërruar kështu, brenda natës në të varfër e të sëmurë, pastaj djegia e xhamive, dyqaneve dhe pronave tjera, si dhe shumë lloje tjera të maltretimeve, të cilat madje as fjalët nuk mund t’i përshkruajnë.[4]
Shqiptarët myslimanë gajloheshin për mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe fetar, por nga presionet e mëdha që i përjetonin nga serbët, malazezët dhe grekët që ishin fanatikë dhe urryes të egër, më në fund, u detyruan të marrin rrugën e emigrimit.[5] Përveç kësaj, frika e muslimanëve të Ballkanit nga konvertimi i tyre në të krishterë ortodoksë sllavë, ishte shkas që shqiptarët të fillojnë të mendojnë për emigrim, ashtu siç ndodhi fatkeqësisht me muslimanët e Bullgarisë, ku pjesa dërrmuese e tyre u konvertua në të krishterë, ngase ata që bëheshin të krishterë, u shpëtonin ekzekutimeve dhe torturave çnjerëzore serbe dhe bullgare.[6]
Sipas disa historinanëve tjerë, shkas i emigrimit të shqiptarëve ishte edhe faktori ekonomik. Ky faktor është relativisht i vërtetë, ngase vetëm një numër i vogël i tyre ishte larguar për shkaqe ekonomike. Ithtarë të kësaj ideje janë evropianët perëndimorë të krishterë.
Njëri prej tyre thotë: “Zhvillimet ekonomike dhe shoqërore të shek. XIX ndikuan që një valë emigrimesh në grupe të marrin rrugën për në Stamboll, e që numri i tyre përbëhej prej 60 mijë emigrantësh. Ata merrnin rrugën për në Greqi, Egjipt, Rumani, Rusinë Jugore, Itali dhe në fund për në Amerikë e Australi. Nëpërmes kontakteve me banorët tjerë, këta emigrantë patën sukses të luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit kombëtar shqiptar”.[7]
Siç thash edhe më parë, shqiptarët e Shqipërisë Jugore, të cilët ishin ortodoksë, emigruan për arsye ekonomike dhe të jetesës, por jo edhe shqiptarët muslimanë që jetonin në veri të Shqipërisë ose në vilajetet tjera shqiptare.[8]
Emigrimi i detyruar i shqiptarëve nga toka e tyre ishte projekt dhe ide e lashtë serbe. Një historian serb që ishte përkrahës i fortë i idesë së deportimit të shqiptarëve dhe zëvendësimin e tyre me njerëz tjerë nga Jugosllavia, shprehet se, Serbia nëse dëshiron të jetojë e sigurt dhe e qetë, duhet patjetër ta pastrojë tokën e saj nga elementet e huaja, përpos elementit serb. Ky kriminel thoshte se shqiptarët dhe muslimanët kanë emigruar me dëshirë pa kurrfarë dhune ose detyrimi rus, serb apo bullgar!!![9]
Fenomeni i emigrimit kolektiv të muslimanëve shqiptarë zhvillohej në bazë të një marrëveshjeje të fshehtë në mes të Turqisë dhe Jugosllavisë gjatë viteve 1939-1944,[10] për ta zbrazur dhe liruar tokën shqiptare dhe për vendosjen e banorëve të rinj, kolonëve serbë aty. Pushteti jugosllav detyroi të emigrojnë më shumë se tetëmijë familje shqiptare muslimane me forcë dhe dhunë, ashtu siç kishte vepruar edhe në qytetet kosovare Pirot, Leskovc, Prokuplje, Vranjë dhe Kurshumli,[11] si dhe në qytet e tjera, duke ua djegur shtëpitë, konfiskuar pronat, shkatërruar fshatrat dhe duke përdorur mënyra të ndryshme të dhunës shtazarake. Vërtet u ndërmorën vepra të shëmtuara dhe vandale vite me radhë kundër muslimanëve shqiptarë, përkatësisht në gjysmën e parë të shek. XX, kur u dogjën dhe u shkatërruan 182 fshatra shqiptare muslimane.[12]
Prijësat fetarë Islam, hoxhallarët dhe ulematë, nuk rrinin duarkryq, por mendonin për çështjet e vatanit të tyre dhe të muslimaneve, dhe përcillnin me vëmendje situatën politike. Edhe pse nuk kam hasur në ndonjë studim mbi aktivitetet e hoxhallarëve shqiptarë në situata të tilla, siç ndodhi në Mesjetë, fjala bie me ulematë e Bosnjë e Hercegovinës dhe disa të tjerë në vende të ndryshme, p.sh.: Në vitin 1563, në Moricious, myftiu i komunës së Oranit e lejoi praktikimin e devotshmërinë së fshehtë, ( Al takij-jetu ) nëse muslimanët me dhunë detyrohen të bëhen të krishterë, duke i lejuar që vetëm me fjalë dhe formalisht të deklarojnë kufrin ( mosbesimin ) dhe shirkun (politeizmin ), përderisa zemrat e tyre ishin përplot iman (besim).[13]
Tokat shqiptare kishin edhe hoxhallarë të atillë që refuzonin dhe haptazi luftonin kundër dhunës, diktaturës, tiranisë dhe armiqësisë së krishterë fanatike serbe. Myftiu i qytetit të Prishtinës, Zenel-Abidin Efendiu, i cili ishte parlamentar në shtetin osman, qe trim dhe shumë i spikatur. Ai qysh herët e kishte kuptuar të vërtetën dhe mjerimin e shqiptarëve dhe thoshte se nëse situata vazhdon kështu, vendin do ta banojnë serbë të rinj që vijnë nga Serbia për qëllime banimi, dhe në këtë mënyrë muslimanët do t’i humbin tokat e tyre shekullore stërgjyshore.
Myftiu i lartëpermendur ka përgatitur edhe një raport mbi situatën në Vilajetin e Kosovës dhe e ka paraqitur atë në Parlamentin osman, dhe pasi është lexuar para parlamentarëve të shtetit osman, Myftiu është ngritur në këmbë dhe ka thënë: “Zotërinj! Lexova letrën e dërguar nga Vilajeti i Kosovës që në mënyrë të qartë e të kuptueshme na sqaronte për gjithçka po ndodh atje. Ndaj, shkurt thënë: Të shkojmë atje e të luftojmë! Në të kundërtën ose të vdesim, ose të zgjedhim “ndonjë alternativë” tjetër për sigurimin dhe mbrojtjen e vendit tonë”.[14]
Sa qëndrim i mrekullueshëm dhe sa fjalë të sinqerta e vendimtare, por siç duket kjo letër nuk depërtoi në veshin e parlamentarëve dhe atyre që ishin të pranishëm! Mjerisht, muslimanët u deportuan nga fshatrat dhe nga shtëpitë e tyre, ngase rusët dhe bullgarët ua shkatërronin dhe digjnin shtëpitë e tyre, dhe ata kështu detyroheshin të ikin e t’i braktisin vatrat e tyre shekullore, siç ishte p.sh. ngjarja e muajit prill të vitit 1877. Ushtria ruse i armatoste bullgarët dhe i nxiste në luftë të shenjtë fetare ortodokse, se si t’ua djegin shtëpitë muslimanëve dhe t’i thernin ata. Nga ana tjetër, pushteti i krishter i Malit të Zi u kërcënohej muslimanëve vendas dhe i vinte para dy mundësive: Ose të emigronin e t’i braktisnin fshatrat e tyre, ose të merrnin armët e të luftonin kundër tyre.[15] Kjo gjendje ishte një sprovë tejet e vështirë për muslimanët, ngase “Ose të luftonin ose t’ua linin pasurinë, shtëpitë dhe pronën serbëve”[16] – të dy këto opsione ishin të hidhura. Në bazë të njohurive të mia, asnjë shqiptar musliman nuk ka pranuar t’i shërbejë ushtrisë serbe dhe malazeze, por me zemër të thyer ka preferuar të emigroj.
Dhe kështu, shqiptarët e Nishit, që ishte qytet i Vilajetit të Kosovës, emigruan kah mesi, pasi ishin në Verilindje të Kosovës, disa të tjerë shkuan në Stamboll, ku përjetuan jetë të vështirë, pa para, pa pasuri e pa tokë. Sipas të dhënave statistikore vetëm gjatë viteve 1877-1879 u deportuan më shumë se një milion shqiptarë dhe muslimanë nga Ballkani në shtete tjera.[17]
Është krejtësisht për t’u habitur me qëndrimet dhe sjelljet e shtetit osman gjatë periudhës së fundit, përkatësisht ndaj mënyrës së transportimit të emigrantëve të tillë, ngase, ai madje kishte huazuar edhe anije nga Anglia, Franca, Egjipti dhe Rusia dhe kishte caktuar vende të posaçme për zbarkimin e tyre në Edrene, Stamboll, Çanak Kala, Samsun dhe Izmir.[18]
Numri i emigrantëve dhe refugjatëve sa vinte e ritej, ai gjithnjë ishte në rritje e sipër dhe drejtohej në rrugë të ndryshme gjatë ikjes së tyre. Gjendja e tyre u përkeqësua aq shumë, saqë filluan të lypnin nëpër rrugët e vendeve ku ishin vendosur, siç ishte p.sh. rasti në Prizren, ku dhjetëmijë të deportuar ishin vendosur dhe ishin nën kujdesin e këshillave të posaçëm që ishin formuar për t’u kujdesur për ta.[19]
Emigrantët muslimanë edhe pse jetonin çaste të vështira në kurbet, nuk rrinin të qetë, por lëviznin për të siguruar vetveten e tyre, duke shkruar 145 ankesa, duke bërë demonstrata për të fituar opinionin publik, duke mbrojtur ndarjen dhe copëtimin e tokave të tyre në favor të serbëve, duke kërkuar prej shteteve perëndimore të ndërhyjnë dhe t’u lejohet të rikthehen në shtëpitë e tyre, por të gjitha këto pa asnjë sukses. Tokat e tyre u humbën dhe pasuritë e tyre shkuan pa kthim, madje edhe shpirti i tyre ishte shkatërruar në vendet e huaja e të panjohura, ku nuk dihej se ç’do të sillte e nesërmja, përkatësisht ç’do të bëhej me jetën e tyre. Të vërtetën e kësaj gjendjeje më së miri e di vetëm Zoti i Madhërishëm![20]
Në bazë të dhënave që i kemi nga burimet historike, vërehet qartë se disa emigrantë muslimanë janë nisur nga Ballkani për në Anadolli, disa të tjerë në Siri, disa në Qipro dhe disa të tjerë në Siujdhesën Arabe, në Halep, Damask, Adana, Diarbakir, Selanik, etj.[21] Ndërsa, vetëm në Vilajetin e Kosovës ishin vendosur afër 200 mijë emigrantë, mbi 5000 në qytetin e Kumanovës në Maqedoni, si dhe në shumë vende tjera, kuptohet që të gjitha nuk mund t’i përmendim këtu.[22] Por, na duhet patjetër të përmendim e të sqarojmë një çështje shumë të rëndësishme: Dëshirën e flaktë të emigrantëve shqiptarë në përgjithësi, dhe atyre muslimanë në veçanti, për t’u kthyer në atdheun dhe pasuritë e tyre, mirëpo, shteti osman i pengonte mjaft, saqë disa punonjës të shtetit osman këtë pengesë madje e paguan edhe me vdekje nga dora e emigrantëve, kjo për shkak se punonjësit e tillë osmanlinj i pengonin dhe nuk i lenin të ktheheshin në atdhe emigrantët.[23]
Një qëndrim i tillë i shtetit osman nuk ishte në rregull dhe ishte i gabuar dhe mjaft i keq, ndaj dhe assesi nuk u falet një gjest, përkatësisht veprim i tillë. Shteti osman është dashur t’u lejojë të kthehen individualisht ose kolektivisht në trojet e veta, dhe nëse luftonin, do të luftonin për atdheun e vet deri në vdekje kundër serbëve dhe malazezve. Por, siç duket dobësimi i shtetit osman gjatë kohëve të fundit ka ndikuar që më, as Serbia e as Mali i Zi të mos frikësohen nga pushteti osman dhe të mos i japin ndonjë rëndësi të madhe.[24]
Në bazë të të dhënave historike franceze, osmane dhe angleze që disponojmë, edhe emigrantët që ishin vendosur në tokat greke kërkonin pandërprerë dhe me ngulm që të ktheheshin në atdhe.[25]
Vlen të theksojmë raportin e kriminelit fanatik serb, prijësit dhe ideologut të deportimit dhe dëbimit të muslimanëve, Vaso Çubriloviqit, ku thuhet: “Procesi i dëbimit dhe deportimit të turqve (shqiptarë, boshnjakë, turq dhe çerkezë) nga fshatrat dhe nga qytetet e tyre, dhe zëvendësimi i tyre me ardhacakë nga Serbia e Mali i Zi është realizuar shumë më shpejtë se sa e paramenduam. Serbët e torturuar nga shqiptarët që ishin larguar në vende malore të papastruara, janë kthyer në fshatrat e zbrazura. Banorët e Malit të Zi janë kthyer gradualisht në këto fshatra e qytete të pastruara nga shqiptarët dhe muslimanët, dhe kështu, fshatrat e reja serbe kanë filluar të mbijnë pasi nuk ekzistonin…” [26]
Kjo ishte nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër, sipas disa historianëve shqiptarë dhe turq, gjurmët që ngelën nga emigrimi i tillë kolektiv i shqiptarëve, turqve dhe boshnjakëve, i pësuan në dëme madje edhe vetë serbët… Sipas Skender Rizajt, serbët merrnin nga muslimanët drithin, mineralet dhe prodhimet tjera tregtare, ndërsa, tash, pas dëbimit masiv, ata u privuan nga dobitë e tilla. Historiani serb Millan V. Smilaniq ua ka tërhequr vërejtjen serbëve për dëmet ekonomike që do të dalin nga deportimi i shqiptarëve.[27]
Nga gjurmët politike e shoqërore që u formuan nga emigrimi i detyruar e i dhunshëm i shqiptarëve dhe muslimanëve, ishte edhe krijimi i një urrejtjeje të madhe në mes muslimanëve dhe serbëve, urrejtje kjo që do të vazhdojë deri në Ditën e Gjykimit.[28] Deri dje jetonin bashkë dhe ishin fqinjë të njëri-tjetrit në një fshat dhe në një qytet duke e ndihmuar njëri-tjetrin, ndërsa tash s’ka mbetur më asgjë nga marrëdhëniet e dikurshme të vjetra, por çdo gjë është zhdukur…
Muslimanët në këtë mënyrë e kishin kuptuar të vërtetën mbi serbët dhe ndjenjat e tyre, si dhe urrejtjen e madhe që e kishin fshehur ata në zemrat e tyre kundër muslimanëve. Serbët shfrytëzuan çdo rast për t’i vrarë ose terrorizuar shqiptarët dhe muslimanët, dhe kjo ndodhi edhe tash para disa viteve në Bosnjë dhe së fundit edhe në Kosovë, ngjashëm siç kishin vepruar dikur paganët me Pejgamberin, a.s.(Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe sahabët e tij, r.a.(Zoti qoftë i kënaqur me ta!)
Në këtë kontekst historiani prof. Skender Rizaj thotë se numri i fshatrave dhe qyteteve që mbetën të zbrazura nga deportimi i muslimanëve nga Kosova ishte i madh, dhe më vonë këto vende ishin zëvendësuar me kolonë serbë dhe ishin shndërruar në qytete e fshatra serbe, si p.sh. Leskovci, i cili kishte përreth 87 fshatra me 2.445 shtëpi muslimanë dhe me 16.327 banorë. Edhe në Prokuplje kishte 72 fshatra, 785 shtëpi dhe 13.239 banorë, etj. Pra, numri i përgjithshëm ishte 227 fshatra, 5.793 shtëpi dhe 42.300 banorë. Mjaftojnë vetëm këto të dhëna statistikore, kurse për të dhënat e tjera do të flasim më vonë.
Kështu ky kapitull përfundon me të gjitha këto të dhëna që kishin të bënin me ngjarjet dhe zhvillimet fatkeqe e të kobshme, ngase shqiptarët muslimanë si në të shkuarën, ashtu edhe sot, ishin dhe mbetën viktimë e zhvillimeve të tilla ogurzeza në çdo drejtim dhe çdo lëmi.
Aspak nuk duhet të habitemi nëse shohim se dijetarët shqiptarë muslimane gjatë kësaj kohe historike tejet të vështirë, do të përqëndrohen në dy çështje të rëndësishme:
1: Mbrojtjen e identitetit të mendimit islamik fetar; dhe:
2: Mbrojtjen e mendimit kombëtar shqiptar.
Shpresoj se me ndihmën e Allahut xh.sh. patëm sukses në paraqitjen e disa karakteristikave më të rëndësishme të historisë së shqiptarëve. Të vërtetën e di më së miri vetëm Zoti i Madhërishëm!
Prof. Dr. Hfz. HAJREDIN HOXHA
TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)
[1] Skender Rizaj, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”; 77-78.
[2] Po aty, f. 79.
[3] Për therjet, masakrat dhe ekzekutimet e tjera të kryera nga serbët dhe malazezët ndaj shqiptarëve muslimanë, shikoni më gjerësisht në burimet dhe dokumentet historike të rëndësishme: El Mexhzeretu fi Jugoslafia – Thertorja në Jugosllavi , Kuvajt, Darul-Vithak; Zekeria Cana, “Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullatën shqiptare 1912-1913- (Dokumente)”; Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë 1996, 11; Azem Ajdini, “Masakra srbo-malazeze e Tivarit”, Edlor, Tiranë 1998; Huseyin Kansu, “Kosova inkinci Bosnya olmasin”; Yildizlar Matbaasi, Istanbul 1998; Huseyin Kansu, “Kosova inkici Bosnja olmasin”, Yildizlar Matbaasi, Istanbul 1998, 11-33; Hakif Bajrami, “Kosova-njëzet shekuj të identitetit të saj-argumente historike”; Era, Prishtinë 2001, 77-81; AIITC, “Gjenocidi serb në Kosovë”; Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, sesion shkencor, qershor 1999, 35, 44, 65; Harrila Kola, “Gjenocidi serb ndaj shqiptarëve në viset e tyre etnike në Jugosllavi, 1941-1967”; Elton, Tiranë 2000, 116-222; Bedri Tahiri, “Adem Jashari legjendë e legjendave”; Rilindja, bot. III, Prishtinë 2001; Bedri Tahiri, “Agu i Lirisë-kronikë lufte, 22.02.1999-22.06.1999”; Zëri i Kosovës, Prishtinë 2001.
[4] Justin McCarthy, “Death and exile”; 131-141.
[5] Po aty, f. 1, 19, 59, 94.
[6] Po aty, f. 152-153.
[7] Georges Castellan, “Histori e Ballkanit”; 379-380.
[8] Petrika Thëngjilli, “Historia e Shqipërisë”; 27; Muhamed Mufaku, “Shqiptarët në botën arabe”; 97-130; Haris Silajxhiç, “Shqipëria dhe SHBA-të në arkivat e Uashingtonit”–(“Albanija i SAD, Kroz arhive Vashingtona”); 1991, përkthyer nga Xhelal Fejza, Dituria, Tiranë 1999; 25-42.
[9] Skender Rizaj, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”; Zamir Shtylla, “The Deportation of Albanians in Yugoslavia after the Second World-War 1950-1966”; 233-239; Vaso Çubriloviq, “The Problem of Minorities in the Now Yugoslavia: The truth on Kosova”; 301-306.
[10] Kjo ishte periudha e sundimit të Ataturkut dhe pas rënies së halifatit osman. Zyrtarisht në vitin 1924, pushtetin në Turqi e morën masonët hebrenj, d.t.th. pushteti administrativ, ekonomik dhe ai politik ra në duart e masonëve.
[11] Emin Plana, “On the deportation of Albanians from the territory of Sanjak, of Nish, of Kosova 1877-1878-The Truth on Kosova”; 73-78.
[12] Hakif Bajrami, “Kosova njëzet shekuj të identitetit të saj”; 84.
[13] Journal of the Internacional Istitute of Islamic Thought and Civilization, (ISTAC), vol. 6:1, Abdal-Rahim Muddathir, “Muslim Minorities in Western Societies, the Medievial scene”; 10.
[14] Skender Rizaj, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”; 78. Marrë nga Basbakanlik arsivi, Istanbul, Meclisi Meb’usan, II-ed, cild 13, Aralik 1877 -16 Subat, 1878 In’ikadlar, Istanbul 1954, 77-78.
[15] Skender Rizaj, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”; 79.
[16] Rreth statistikës, gjegjësisht numrit më të saktë të emigrantëve dhe të deportuarve nëpër vendet e botës, shih: Justin McCarthy, “Death and exile”; 88-91, 159, 161, 162, 163, 164; Sipas historianit të njohur shqiptar, Skender Rizaj, ambasadori britanik në Stamboll Layard ka thënë se ushtria ruse dhe bullgare ka pasur për qëllim deportimin e tërë muslimanëve nga Ballkani dhe konfiskimin e pasurive dhe pronave të tyre; Skender Rizaj, “Lidhja shqiptare e Prizrenit”; 81; Hough Poullton, “Muslim identity and the Ballkan State”; 19-20.
[17] Skender Rizaj, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”; 80.
[18] Po aty, 80-81; Hough Poullton, “Muslim identity and the Ballkan State”; 146-148.
[19] Po aty.
[20] Po aty, f. 83.
[21] Justin McCarthy, “Death and exile”; 36-37, 65, 89; “Muslim identity and the Ballkan States”; Yulian Konstantinov, “Strategies for sustianity a vulnerable idetentity-case of Bulgarian Pomaks”; 33-53.
[22] Numri i emigrantëve boshnjakë kishte tejkaluar 50 mijë gjatë sundimit austro-hungarez në mes viteve 1878-1918. Më gjerësisht shih: Fikret Karçiq, “The Bosniaks and the challanges of modernity”; 53; Journal of islamic Studies, 5:2, July 1994; Dr. Muhamed Mufaku, “Two Hijras and two Fatwas”; 242.
[23] Skender Rizaj, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”; 87-88.
[24] Krahaso fenomenin e procesit të emigrimit të shqiptarëve dhe emigrimin e muslimanëve të Bosnjës në bazë të të dhënave në Journal of Islamic Studies, 5, 2 July,1994, “Islam and Muslims in Bosnia”; Dr.Muhamed Mufaku, “Two Hijras and two Fatwas”; 242-253.
[25] Skënder Rizaj, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”; 89; Ibrahim Daut Hoxha, “Viset kombëtare shqiptare në shtetin grek”; 85, 99, 139, 170, 224, 233.
[26] Historiani i njohur prof. Dr. Skender Rizaj, kur i komenton fjalët e kriminelit të lartpërmendur, thotë: “Historikisht nuk është e vërtetë se shqiptarët nga Vilajeti i Kosovës i kanë dëmtuar serbët, kjo është gënjeshtër dhe trillim, ngase ndodhte e kundërta. Dihet se Lidhja Shqiptare i ka mbrojtur edhe serbët dhe se në këto treva nuk ka pasur serbë me gjak të pastër serbi. Serbët e Kosovës ishin shqiptarë ortodoksë që praktikonin ritet fetare në gjuhën e kishës sllave…” Skender Rizaj, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”; 97-98; Shefqet Dibrani, “Feja në shërbim të Kombit”; www.albmuslim-yahoogroups.com.
[27] Po aty, f. 93.
[28] Po aty.