Distancimi i liderëve dështakë nga pasuesit e tyre

0
322

Provë e gabimit, padrejtësisë dhe rrjedhimisht dështimit të shembujve të lidershipit të përmendur në pjesën paraprake është dhe distancimi i pasuesve nga të pasuarit (liderët), mallkimi i tyre, lutja që të kenë dënim të shumëfishuar në Ditën e Kiametit, ditën e drejtësisë kur do të vendoset mizani (peshoja) dhe do të ndahet drejtësia. Në Kur’anin Fisnik përshkruhen pamje tronditëse nga këto skena ku do të dominojë fyerja, mallkimi dhe urrejtja ndërmjet miqve të interesit material dhe famës e karrierës. Allahu xh.sh. thotë:

 

“Ditën, kur fytyrat e tyre do të rrotullohen në zjarr, ata do të thonë: “Ah, sikur t’i ishim bindur Allahut dhe të Dërguarit!” 67. Dhe do të thonë: “O Zoti ynë, ne iu bindëm parisë tonë dhe eprorëve tanë, por ata na shmangën prej rrugës së drejtë. 68. O Zoti ynë, atyre jepju dënim të dyfishtë dhe mallkim të madh!”. [Ahzabë: 66-68]

Ku mund të ketë rast më të rëndë e të vështirë se ky?

Ai që deri dje kur ishte gjallë e deshi, pasoi, shoqëroi, sot po çohet kundër tij dhe po e mallkon. Allahu na ruajttë nga shoqërimi i hipokritëve!

Dijetari, AbduRrahman Sa’di, duke interpretuar këto ajete thotë: “…kur e morën vesh se ata dhe prijësit e tyre do të jenë së bashku të ndëshkuar, deshën ta shfryjnë mllefin ndaj tyre andaj thanë: O Allah, dënoji dyfish dhe mallkoi me mallkim që i ndjek pas përjetësisht!” Allahu ju thotë se të gjithë do të keni dënim të dyfishtë për shkak të bashkëpjesëmarrjes në kufër dhe në mëkate, kështu që edhe dënimin do ta ndani bashkë edhepse mund të keni dallim në ndëshkim nga njëri-tjetri, varësisht nga pesha e krimit të kryer…[1]

Këtë gjendje të dhimbshme dhe dëshpëruese, pra mallkimin, sharjen dhe ofendimin ndërmjet pasuesve dhe të pasuarve, Kur’ani na e sjell edhe në një kaptinë tjetër:

“Dhe ai tha: “Ju, në vend të Allahut, keni zgjedhur idhujt, për shkak të dashurisë midis jush në këtë jetë. Por, në Ditën e Kiametit do ta mohoni njëri-tjetrin dhe do ta mallkoni njëri-tjetrin. Streha juaj do të jetë zjarri dhe nuk do të ketë për ju kurrfarë ndihmësi.”[Ankebut: 25]

Kjo është drejtësia hyjnore dhe ky është gjykimi objektiv që u bëhet njerëzve në ditën kur asgjë tjetër pos zemrës së pastër nuk bën dobi, sepse nuk janë të barabartë liderët kriminelë dhe despotë, që urdhërojë dhe ndalojnë, marrin vendime dhe vënë firmën e tyre, me nëpunësit e tyre që urdhërohen e detyrohen dhe që pa vullnetin e tyre veprojnë! Kështu, për secilin duhet të ketë gjykim përkatës dhe shpërblim sipas veprës. Këtu mbaron puna me kriminelët dhe zullumin e tyre.

Dëshmi tjetër e dështimit të këtyre modeleve të lidershipit dhe falsitetit të këtyre lidhjeve ndërmjet liderëve dhe pasuesve të tyre është përshkrimi rrëqethës që Kur’ani i bën momentit të ndarjes dhe distancimit mes pasuesve injorantë miopë e kokëtrashë[2] dhe liderëve tiranë e të devijuar. Allahu xh.sh., thotë:

 

“Ah, sikur ta shihnin çastin kur të adhuruarit do t’i braktisin adhuruesit e tyre, kur të gjithë do të shohin dënimin e midis tyre do të këputet çdo lidhje. 167. Atëherë adhuruesit do të thonë: “Ah, sikur të ktheheshim edhe një herë (në jetën e Tokës) e t’i braktisnim ata ashtu siç na braktisën ne!” Kështu, Allahu do t’ua tregojë veprat e tyre si burim hidhërimi për ta dhe ata s’kanë për të dalë kurrë nga zjarri.” [Bekare: 166-167]

Imam Kurtubiu duke interpretuar këtë ajet ka thënë:

Do të thotë zotërinjtë dhe prijësit distancohen nga pasuesit e tyre në kufër. Është thënë edhe ndryshe se kuptimi është i përgjithshëm, pra se përfshin çdo të pasuar (gjë që mua, si autor, më duket më afër të qëlluarës). “…kur ta shohin dënimin…” – është thënë: kur të binden për të kur ta shohin në dynja. Por është thënë edhe ndryshe, kur të merren në llogari në botën tjetër. Që të dyja mendimet janë të qëlluara pasi që ata do ta marrin vesh këtë gjë me rastin e vdekjes, gjegjësisht duke dhënë shpirt iu bëhet e qartë se ku do të jenë në botën tjetër ndërsa në botën tjetër do ta përjetojnë dënimin e hidhur. Pra, zotërinjtë dhe paria distancohen nga ata që i kanë pasuar në kufër[3].

Këtë gjë e konfirmon edhe fakti se shumica e pasuesve do të heqin dorë nga të pasuarit në Ditën e Llogarisë dhe se gjërat do të jenë krejtësisht ndryshe nga ato në këtë dynja. Harmonia dhe raportet e mira që dukeshin në dynja do të zhduken! Në vend të tyre do të ketë polemika, zënka, fjalosje, armiqësi për arsye se raportet e tyre në dynja në fakt kanë qenë të ndërtuara mbi gënjeshtra e tradhëti. Këtë na e vërteton edhe ajeti në vazhdim:

“Atë Ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të drejtët, që e kanë patur frikë Allahun.”[ Zuhruf: 67]

Ibn Xheuziu duke interpretuar këtë ajet thotë:

Shokët e dunjasë atë ditë, pra Ditën e Kiametit, do të jenë armiq të njëri tjetrit sepse, nëse shoqëria është për kufër dhe mëkat, shndërrohet me automatizëm në armiqësi në Ditën e Kiametit. Mukatili ka thënë: Ky ajet është shpallur për Umejje bin Halefin dhe Ukbe bin Ebi Muajtin…[4]

(6) Shembuj tjerë të lidershipit të dështuar dhe influencues për të keq tek populli kemi edhe idhujtarët arabë nga radhët e kurejshitëve, të cilët, në periudhën kur qe dërguar Muhammedi a.s. kishin shprehur pezm, revoltë dhe refuzim ndaj tij dhe besimit të tij. Ata janë dalluar për fanatizmin, kërcënimet dhe kërkesat irracionale, kanë dyshuar në vërtetësinë e profetësisë së Muhammedit a.s si pejgamber i vërtetë! Allahu xh.sh. na rrëfen për këtë e thotë:

“Jobesimtarët thonë: “Mos e dëgjoni këtë Kuran! Flisni e qeshni me zë të lartë, që të ndërprisni leximin e tij!”[ Fussilet: 26]

Imam Zemahsheriu duke interpretuar këtë ajet thotë:

Shprehja ‘elgav’ është lexuar në dy versione: me zanoren  ( e –velga’u ) dhe zanoren  (u –velgu)…Lagvi nënkupton fjalët e pavlera dhe të padobishme. Kuptimi është: mos e dëgjoni kur të lexohet dhe ngriteni zërin e thoni broçkulla çfarë t’iu vjen në gojë që lexuesit t’ia pështillni dhe të dominoni ndaj leximit të tij. Kurejshët ia përcillnin njëri tjetrit këtë si porosi e testament…[5]

Një interpretim të shkëlqyer të këtij ajeti e kam parë edhe tek Imam Sheukani, i cili ka thënë:

Ata i kanë thënë njëri-tjetrit: mos e dëgjoni Kur’anin dhe mos ia varni veshin. Është thënë se për qëllim me mos dëgjim është mos bindja dhe nënshtrimi, sepse, gjuhësisht, dëgjimi nënkupton bindjen dhe nënshtrimin. Fjala elgav! ka kuptimin: kundërshtojeni duke thënë fjalë të kota ose ngriteni zërin që t’i pështillet lexuesit. Muxhahidi ka shpjeguar se lagvi nënkupton fishkëllimat, britmat, duartrokitjet, shprehje të përziera që ajeteve t’i humbet kuptimi. Dahhaku ka thënë: folni sa të keni mundësi që t’i pështillet ajo që thotë. Ebu el-Alijeh thotë: nënvlerësojeni dhe shpalleni me të meta (të pavlerë)[6].

Sa mëkat për këta liderë injorantë, që nuk ndjekin Kur’anin i cili i është dhënë njerëzimit deri në kiamet! Ata nuk lanë gur pa lëvizur dhe nuk lanë fjalë të rëndë pa thënë, me qëllimin e vetëm – të ndalin fenë e Zotit dhe ta dëmtojnë mesazhin e Muhammedit a.s. por nuk ia dolën! E tëra që ndodhi ishte se fjalët dhe veprat e tyre u regjistruan si prova dhe dëshmi kundër tyre, në ditën kur do të merren në llogari.

Këta prijës dështakë nuk hoqën dorë nga përpjekjet për ta mohuar pejgamberinë e Muhammedit a.s. dhe Kur’anin Fisnik. Përpjekjet e tyre janë të regjistruara edhe në vende tjera në Kur’an, ku përshkruhen në hollësi por për shkak të natyrës së librit, ne do ta përmbyllim me kaq!

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

LIDERSHIPI I SUKSESSHËM (sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)


[1] AbduRrahman Sa’di, Tejsir el-Kerimi err-Rrahman fi Tefsiri kelami el-Mennan, 6/1403.

[2] Shih emisionin televiziv ‘Sekretet e lidershipit profetik’ të prezantuar nga profesori Tarik Suvejdan, respektivisht emisionin Ujejne bin Hisn shembull i liderit të keq. Shih: https://www.youtube.com/watch?v=XpqkN_2ZCOM

[3] Imam Kurtubiu, El-xhamiu li-ahkami el-Kur’an, 2/194.

[4] Ibn el-Xheuzi, Zad el-mesir, 7/327.

[5] Zemahsheriu, El-keshshaf, 5/381.

[6] Sheukani, Fet’h el-Kadir, 1/1315.