SHKAQET E PËRHAPJES SË ISLAMIT TE SHQIPTARËT

 

Menjëherë pas depërtimit të Islamit në shpirtrat e shqiptarëve,[1] jeta e tyre fillon të lulëzojë në të gjitha sferat, gjegjësisht në sferën edukative, ndërtimore, fetare, etj. Shqiptarët filluan të ndërtojnë xhami dhe mesxhide për t’i vënë në praktikë ritet e përditshme fetare, javore e vjetore. Historia e ndërtimit të xhamive dhe mesxhideve fillon që nga fillimi i ardhjes së shtetit osman në këto treva, dhe ky fenomen argumentohet me faktin se ekzistojnë xhami që janë ndërtuar prej kohës së depërtimit të tyre, si p.sh. xhamitë e Prizrenit në Vilajetin e Kosovës, gjegjësisht, Bajrakli Xhamia që është ndërtuar në vitin 1573/74, Xhamia e Sinan Pashës në vitin 1615. Ekzistojnë edhe xhami tjera të tilla, por s’kemi mundësi t’i theksojmë këtu e që janë ndërtuar para disa shekujve.[2]

 

Përveç kësaj, sufizmi me sektet dhe tarikatet e ndryshme të tij, kishte filluar të depërtojë në këto treva dhe ithtarët e këtij fraksioni fetar veçmë kishin ndërtuar teqetë e tyre afër xhamive, për të praktikuar ritet e tyre fetare sufiste. Në gjysmën e dytë të shek. XX, këto xhami e teqe u bënë pronë e shtetit dhe hynë nën mbrojtjen e shtetit me ligj.[3]

 

Në trevat shqiptare u gjendën ithtarë të bektashizmit apo alevizmit, nusajritë sufistë, që përkraheshin dhe financoheshin nga shtetet joislame katolike dhe ortodokse që ishin përreth Shqipërisë, si p.sh. Italia e Greqia, ngase parimet dhe mendimet e tilla sufiste u ngjanin shumë mësimeve të fesë krishtere.[4]

Arsimi në shkollat dhe mektebet fetare, nëpër territoret shqiptare që nga shek. XVI deri në shek XIX, aplikohej në gjuhën turke dhe arabe. Hoxhallarët dhe ekspertët e lëndëve fetare jepnin mësim dhe ua mësonin nxënësve leximin e Kur’anit dhe alfabetin arab. Në qytete të mëdha u hapën disa shkolla të mëdha të mesme ku mësoheshin më së shumti lëndë fetare. Rreth kësaj çështjeje të rëndësishme dhe rreth këtij faktori gjithashtu të rëndësishëm, mendoj se është me rëndësi t’i theksojmë fjalët e dr. Ramiz Zekajt, në disertacionit e doktoraturës mbi zhvillimin e kulturës islame te shqiptarët ku potencon:

“Pasi depërtoi Islami dhe u përhap në këto treva, muslimanët filluan me sistematizimin e mësimit islam, ndërtuan shkolla e mektebe për t’ia mësuar popullit parimet elementare të fesë islame. Këto shkolla u hapën në Kosovë, Maqedoni dhe në disa qytete të Greqisë. Shkollat dhe mektebet e tilla punonin dhe kryenin detyrën e vet afër xhamive dhe aty punonin imamë e hatibë. Sistemi arsimor ishte i përzier, kurse mosha e fëmijëve ishte prej 6-7 vjet deri në 14 vjet.

Lëndët e parapara ishin në gjuhën arabe, ndërsa komenti, sqarimi dhe mësimi zhvilloheshin në gjuhën shqipe. Gjatë mësimit, Kur’anit dhe tefsirit i kushtohej rëndësi e posaçme. Mësimi i tillë fillor ishte tre vjet dhe quhej: Shkolla e periudhës përgatitore (Rushdije). Pas pavarësisë së Shqipërisë dhe pas okupimit jugosllav të një pjesë të madhe të tokave shqiptare, u ndalua mësimi në shkollat e tilla në gjuhën shqipe, ndërsa mektebet islame që ishin afër xhamisë u mbyllën në Greqi pas luftës ballkanike në vitet 1912-1913, deri më sot. Muslimanët në territoret e okupuara shqiptare në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi e organizonin mësimin fetar nëpërmes Bashkësisë Islame me qëllim që të edukohen dhe arsimohen gjeneratat e reja.

Në fillim të shek. XX, në Shqipëri ishin të njohura disa mektebe arsimore islame, si p.sh. mektebet në Shkodër, Tiranë dhe qytete të tjera. Disa dokumente dhe regjistrime osmane konfirmojnë se në veri dhe në jug të Shqipërisë ishin hapur shumë shkolla. Hoxhallarët dhe mësuesit, si p.sh. Shejh Hafiz Ymer Shemsedini, përdornin të dy alfabetet gjatë mësimit, gjegjësisht alfabetin arab për lëndët fetare dhe alfabetin shqip me shkronja latine për lëndët shkencore ose natyrore.

Pas luftës ballkanike u ndërpre procesi mësimor për një kohë, ndërsa shkollat u shndërruan në depo, në ahur kafshësh dhe në qendra emigrantësh, si p.sh. ashtu siç ndodhi në qytetin Pejë, etj. Në një dokument serb, të cilin ministri i çështjeve fetare serbe ia kishte dërguar Ministrisë së Arsimit në Beograd në vitin 1923, thuhet se “Arsimi fetar te shqiptarët muslimanë është çështje e ndërlikuar dhe shumë e rëndësishme. Në këto treva ekzistojnë afër pesëdhjetë muftinjë fetarë dhe afër 600 imamë e hatibë dhe asnjëri prej tyre nuk e di gjuhën serbe, të gjithë janë kundër shtetit serb dhe s’ka fshat e as qytet pa shkolla fetare që gëzojnë autoritet të lartë nga banorët e fshatit ose qytetit. Në këto shkolla mësohet vetëm urrejtja dhe armiqësia kundër serbëve”.[5]

Pastaj profesor Zekaj vazhdon e thotë: “Edhe pse kishte presione dhe shtypje shtetërore për të ndaluar mësimin fetar, kjo lëvizje ka vazhduar dhe falë Zotit të Madhërishëm nuk është ndërpre fare, p.sh. në Kosovë në vitin 1936 shkollat e tilla funksiononin si “Sibjan Mejtepe”. Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë dhe rreth tij kishte 33 mejtepe arsimore për fëmijë. Në vitin 1936 në Mitrovicë kishte edhe një medrese me të njëjtin emër ku mësonin 216 fëmijë (djem e vajza). Edhe në Gjakovë u hapën shkolla të tilla gjatë viteve 1932-1938, dhe pritej që të hapeshin edhe shkolla tjera, derisa numri i tyre të arrinte 80. Pas Luftës së Dytë Botërore, situata ndryshoi shumë në Shqipëri dhe u bë gati se absurde hapja e shkollave të tilla për shkak të qëndrimeve të shtetit laik kundër fesë, dhe për këtë shkak edhe u mbyllën të gjitha shkollat dekada me radhë. Shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë nuk e ndërprenë mësimin, por vazhduan edhe pse mësuesit e tillë dhe hoxhallarët në rrethanat e atëhershme nuk merrnin rroga për punën e tyre.

 Shkolla të mesme fetare ekzistonin edhe në trevat e tjera shqip-tare, si p.sh. në Shkup, Prizren, Shkodër, Elbasan, Berat, Vlorë, Ulqin, Janinë, Tetovë, etj. Në qytetin e Shkupit, Maqedoni, kishte një shkollë të mesme me autoritet, që ishte ndërtuar para katër shekujsh, gjatë pushtetit osman e që quhej Medreseja e “Isa Beut”. Po ashtu edhe në qytetin Prishtinë të Kosovës ekziston shkolla e mesme që quhet Medreseja “Alaudin” e që ka degë reprezantive edhe në qytete tjera. Në këto shkolla diplomuan shumë nxënës që më vonë u bënë ulema dhe dijetarë të famshëm”.[6]

 

Krahas përhapjes së edukatës fetare islame, me një hov të madh vazhdonte edhe përhapja e fesë së krishterë nëpërmjet ndërtimit të kishave dhe manastireve ortodokse që ngërthenin në vete shkolla në gjuhën greke e që funksiononin në përkrahje të shteteve ortodokse. Ekzistonte lëvizje e fuqishme dhe fushatë e egër fetare katolike kundër Islamit. Disa priftërinj shqiptarë kishin hapur shkolla në gjuhën italiane dhe këta priftërinj katolikë filluan mësimin e gjuhës shqipe në shkollat e tilla, edhe pse kishin një numër të vogël të nxënësve, që nuk tejkalonte numrin 10, në çdo shkollë.

Priftërinj më të njohur ishin Pjetër Bogdani, Frang Bardhi, Andrea Bogdani, etj. kurse çuditërisht emrat e tyre glorifikohen edhe sot e kësaj dite me të madhe, nga shqiptarët katolikë dhe ata marksistë e laikë, por me emra muslimanë… Në rrethana të tilla u hap edhe shtypshkronja e krishterë për shtypjen e librave dhe traktateve. Priftërinjtë e tillë aplikonin metodën e pastër evropiane në mësim, dhe shqiptarët që mësonin aty, diplomonin sipas metodës perëndimore. Kjo përhapje fetare e krishterë dhe kjo fushatë e ashpër kundër Islamit kishin filluar që nga fillimi i shek. XIX.[7]

 

Vlen të përmendet se lëvizja kombëtare shqiptare në periudhën e Rilindjes kishte arritur kulmin letrar kombëtar e fetar nga shek. XVII deri në shek. XIX. Lëvizja e tillë karakterizohet me shumë vepra të shkruara në alfabetin arab, nga shkrimtarët shqiptarë muslimanë,[8] si p.sh. divanet poetikë dhe prozaikë të disa sufistëve etj. Disa divane u përkthyen nga gjuha arabe dhe turke, ndërsa pjesa më e madhe e tyre u përkthyen nga gjuha perse.[9] Pra, fenomeni i përhapjes së Islamit, njëherit karakte-rizohej edhe me përhapjen e tarikateve dhe doktrinave të ndryshme të sufizmit.[10]

Ndër poetët dhe shkrimtarët shqiptarë më të njohur, që ndihmuan në lëmin e sufizmit bektashian ishin Dalip Frashëri, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Hasan Zyko Kamberi, Sulejman Naibi, Sheh Kadria, Nezim Frakulla, Dervish Hasani, Baba Abidin Leskoviku, etj.[11]

 

Aspak nuk duhet të habitemi nga ekzistimi i fenomenit sufist në mesin e shqip-tarëve,[12] ngase shteti osman nuk i kundërshtonte tarikatet dhe doktrinat sufiste.[13] Shteti osman pajtohej me mendimin sufist dhe doktrinat e tij të ndryshme, përveç me ato të sektit bektashian.

Për shkak të zhvillimeve rrënjësore që i përjetonte toka shqiptare në sfera të ndryshme intelektuale, letrare, kombëtare e fetare, priftërinjtë shqiptarë shfrytëzuan rastin dhe i përkthyen tekstet e shenjta fetare[14] nga gjuhët latine, italiane e greke në gjuhën shqipe, pastaj i botuan dhe i shpërndanë në mesin e shqiptarëve, anembanë tokave shqiptare, dhe këtu patjetër na duhet të potencojmë se e tërë kjo fushatë e tyre, zhvillohej nën moton e mbrojtjes dhe mësimit të gjuhës amtare shqipe ![15]

Nëse i analizojmë shkrimet e tilla prozaike e letrare dhe divanet poetike, do të vërejmë se ata përmes tyre zbërthenin probleme shoqërore, fetare, politike e ekonomike, dhe e përjetonin popullin shqiptar në të gjitha sferat dhe ashtu siç e përjetonin shqiptarët veten e vet. Siç duket, ata kishin gjetur liri të plotë që të shkruanin për çështjet e lirisë dhe të robërisë nën pushtetin osman, ngase i urrenin osmanlinjtë për shkak se ata, nuk interesoheshin për çështjen e shqiptarëve.

Për ta realizuar këtë qëllim, apo thënë më mirë, për të nxitur urrejtje, përdornin fjalët më të egra dhe më të vrazhda, vetëm e vetëm për t’u hakmarrë. Një grup tjetër shqyrtonte çështjen e papunësisë dhe varfërisë ndër shqiptarët, ndërsa disa të tjerë merreshin me çështjen e emigrimit dhe largimit nga vatani apo atdheu, posaçërisht njerëzit që kishin lënë fëmijët e tyre në gjendje jashtëzakonisht të mjerueshme.

Në shkrimet e tyre ekzistojnë edhe shqyrtime të çështjeve materiale, si p.sh.: Çështja e pasurisë dhe dashurisë së njerëzve ndaj parasë pa kurrfarë përjashtimi, qofshin njerëz të fesë islame, udhëheqës a gjykatës, apo njerëz të rëndomtë. Ata po ashtu shkruanin për çështjen e përhapjes së ryshfetit dhe korrupsionit financiar, çështjen e gjakmarrjes që ekzistonte ndër shqiptarët shekuj me radhë[16] dhe çështjen e urrejtjes dhe zilisë në mes njerëzve fetarë muslimanë, për shkak të lidhjeve të afërta të disave prej tyre me sulltanin.[17]

Njohja e letërsisë shqiptare islame, qoftë sufiste apo sunite, ka rëndësi të madhe, ngase është një pasuri e madhe që prezanton doktrinat e mendimit fetar islam në mesin e shqiptarëve, ashtu sikur që pasqyron edhe shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Nga çështjet e tjera shoqërore që gjenden në këtë periudhë, është edhe mbështetja e shqiptarëve të tillë muslimanë në fenomenin e tolerancës fetare dhe bashkëjetesa në paqe në mes shqiptarëve muslimanë, ortodoksë e katolikë, ngase sipas tyre dallimet në mes feve nuk duhet të krijojnë urrejtje. Para tyre qëndronte armiku i përbashkët dhe të dy palët ishin të rrezikuara prej tij, pra nga shteti osman!!!

S’ka fije dyshimi se kjo fushatë çmendurake zhvillohej kundër Islamit dhe muslimanëve, pikërisht  në kohën kur shtetet fqinje joislame i përkrahnin dhe i nxitnin disa shqiptarë në ide të tilla destruktive. Shtetet e tilla kolonizuese gjetën urë fetare, intelektuale, sufiste bektashiane për t’i realizuar qëllimet dhe synimet e tyre të krishterizimit. [18]

Në shkrimet e tyre po ashtu shqyrtohej faktori i arsimit, kulturës dhe letërsisë.[19] Faktor i rëndësishëm i lulëzimit të Islamit në mesin e shqiptarëve ishin edhe udhëtimet për të kërkuar diturinë në vende të ndryshme të botës. Disa prej tyre për të mësuar, udhëtuan në Egjipt, përkatësisht në Universitetin e  Al Az’har, disa të tjerë në Indi dhe një pjesë e bukur e madhe në Turqi, respektivisht në kryeqendrën e Perandorisë, në Stamboll. Përveç këtyre vendeve, ca të tjerë udhëtuan në Iran, Libi, Liban, Paris, Itali e disa në vende tjera.[20]

Nga emigrantët shqiptarë që emigruan në shtetet arabe dhe u bënë dijetarë të mëdhenj e me famë botërore, mund të përmenden:

  • Shejh Muhaddith Abdulkadër Arnauti, (Allahu e mëshiroftë ) i cili jetoi dhe veproi në Damask, Siri e që njihet si ekspert i hadithit në shek. XX dhe recensues i një opusi të madh të literaturës së hadithit;
  • Shejh Muhaddith Nasiruddin Albani, (Allahu e mëshiroftë ) i cili ka jetuar në Aman, ku edhe kaloi tërë jetën e vet duke punuar në shkencën e hadithit;
  • Shejh Muhaddith Shu’ajb Arnauti, i cili gëzon autoritet jo më pak se dy të parët;
  • Dr. Muhamed Mufaku-Arnauti, i cili jeton në Aman, Jordani dhe vepron si historian dhe studiues i njohur; dhe:
  • Shejh Vehbi Sulejman Gavoçi, (Allahu e ruajtë ), fakih i njohur në Damask te Sirisë, i cili njihet si ekspert i shquar i fikhut hanefit.[21]

 

Gjithashtu, ka pasur edhe jomuslimanë që udhëtuan në Itali, Bullgari e Greqi për t’u specializuar në shkencat fetare të krishtera (në shkencat katolike e ortodokse) si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për punë e shkollim[22] apo në shtete të tjera.

Ndikimi i shkollave turke dhe arabe te dijetarët shqiptarë ishte i madh, gjë kjo që vërehet qartë nga qëndrimet e tyre që mbajnë përkitazi ndaj disa çështjeve shoqërore dhe fetare. Me plot bindje, lirisht mund të konstatojmë se ekzistonte një mendim i përbashkët në mes të të diplomuarve në Az’har dhe atyre në Stamboll, ngase të dy grupet thërrisnin në reformimin e metodës shkollore fetare dhe të disa çështjeve shoqërore e fetare.

Dijetarët shqiptarë në përgjithësi nuk e refuzonin idenë e shkollës reformiste[23] , gjë të cilën edhe do ta shohim insha’Allah më vonë në këtë libër.

Fatkeqësisht, nuk kemi mundësi të zgjerohemi më shumë në theksimin e shembujve të tjerë, për të parë akoma më mirë, se sa kanë ndihmuar shkollat dhe qytetërimet e popujve tjerë tek dijetarët shqiptarë, si p.sh.: Ndikimi i qytetërimit persian, i cili ishte shumë i madh në mendimet dhe qëndrimet e dijetarëve shqiptarë, saqë shumë prej tyre përkthyen literaturë nga letërsia dhe trashëgimia perse në gjuhën shqipe, literaturë kjo e cila ekziston edhe sot e kësaj dite. Pra, siç duket, kontaktet e tyre me personalitetet dhe qytetërimet tjera nuk i kanë shpëtuar nga dëmet dhe gjurmët anësore negative.[24]

Ndër faktorët që ndikuan në lulëzimin e Islamit te shqiptarët ishte edhe fenomeni i mësimit përmendësh i Kur’anit Fisnik (hifzi). Ky fenomen i çuditshëm ekziston te shqiptarët qysh nga kohërat e hershme. Fenomeni i tillë është prestigjioz dhe vërehet që nga depërtimi i Islamit në këto treva.

Hifzi i Kur’anit Fisnik zhvillohej në mektebe e shtëpi, ndërsa më vonë formohen edhe shkolla fetare të posaçme për shkencat fetare, si p.sh. në Prizren, ku në kohën e pushtetit osman katër shekuj më parë u ndërtua një shkollë fetare shumë autoritare-Medreseja e “Gazi Mehmet Pashës”.

 

Në këtë shkollë kanë diplomuar shumë hoxhallarë dhe hafizë të Kur’anit Fisnik. Të rrallë ishin nxënësit që diplomonin aty e që nuk ishin hafizë të Kur’anit. Në bazë të disa të dhënave të fundit statistikore, në mes viteve 1950-1994, aty kanë diplomuar 70 hafizë të Kur’anit Fisnik, pjesa dërmuese e të cilëve ishin meshkuj. Por, në mesin e tyre kishte edhe femra që ishin hafizë të Kur’anit Fisnik.[25]

Në qytetet e Maqedonisë ku jetojnë shqiptarët, kohëve të fundit të këtij shekulli, ky fenomen është më i dukshëm, më i gjallë dhe më aktiv në mesin e hoxhallarëve dhe besimtarëve të atjeshëm. Në këto treva shqiptare dolën lexues me zë të bukur e reprezentativë, hafizë të fortë që mund të krahasohen me kompjuterë për nga preciziteti, memoria dhe mbajtja mend e ajeteve të Kur’anit pa ndonjë huti.

Preciziteti i tillë në hifz është fryt i hifzit të hershëm që nga mosha dhjetë-dymbëdhjetë vjeçare, madje në raste konkrete ka fëmijë që me ndihmën dhe bekimin e Zotit të Madhërishëm, e kanë kryer hifzin edhe në moshën gjashtëvjeçare,[26] siç ishte p.sh. rasti i para dhjetë vjetëve, me një hafiz nga qyteti i Tetovës në Maqedoni. Nga historia e dijetarëve shqiptarë në kohën bashkëkohore vërehet qartë se të dhënat biografike konfirmojnë se pjesa dërrmuese e tyre kanë qenë hafizë të Kur’anit Fisnik. Edhe sot e kësaj dite ekziston dëshira e madhe për vazhdimin e këtij fenomeni hyjnor në mesin e muslimanëve shqiptarë. Sheh fëmijën që nuk e njeh arabishten fare e as që flet atë, por e lexon Kur’anin Fisnik në mënyrë të shkathtë e me të gjitha rregullat e duhura të leximit ( me texhvid), dhe një fenomen i tillë, deshëm apo s’deshëm, t’i nxit emocionet nga zëri i këndshëm dhe melodia e bukur.

Kohëve të fundit, në Kavajë të Shqipërisë, është themeluar një shkollë fetare enkas për mësimin e hifzit të Kur’anit Fisnik,[27] aty, nxënësit mësojnë edhe lëndë tjera fetare, gjuhë angleze, informatikë etj, por përqëndrimi i plotë i tyre është dhe mbetet hifzi i Kur’anit. Një vepër e tillë është vërtetë e mahnitshme dhe me aq sa kam unë njohuri, është ndër të parat e këtij lloji në këto treva.

Lusim Zotin e Madhërishëm që t’i bekojë në jetën dhe në veprat e tyre dhe urojmë në të ardhmen të hapen sa më shumë shkolla të tilla edhe në qytetet tjera në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi.

I mbështetetemi sinqerisht Zotit të Madhërishëm, vetëm Ai udhëzon dhe drejton në rrugë të drejtë!

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)

 


[1] Po aty.

[2] Më gjerësisht mbi arkitekturën islame osmane të xhamive në Prizren, shih: Raif Virmica, “Prizren camileri”; Turk Demokratik Yayinlari, Prizren 1996, 13-14, 16, 23, 24, 37; Ramiz Zekaj, “Zhvillimi i kulturës islame ndër shqiptarët gjatë shek. XX”; 153-163; Faik Miftari, “Pakës dritë për Kosovën”; NFL-BAF, Prizren 2001, 31-38.

[3] Mbi historinë e doktrinave sufiste dhe teqeve, shih: Jashar Rexhepagiq, “Dervishët, rendet dhe teqet në Kosovë, në Sanxhak dhe në rajonet përreth Dukagjinit”; Pejë 1999, 155-217, 219-264.

[4] Mbi mësimet dhe doktrinat e këtij fraksioni fetar të devijuar sufist, shih më gjerësisht: John Kingsley Birge, “The Bektashi Sufi order of Dervishes”; Hartford seminary, Press, Hartford, corm, USA, 1937; Hajdar Salihu, “Poezia e Bejtexhinjve”; Rilindja, Prishtinë 1987, 85-120; Baba Selim Rexhep Kaliçani, “Dede Ahmedi i gjallë mes nesh”; Fushë Krujë 2000; Hajredin Hoxha, “The Bektashi sufi order; general survey on it’s history and doctrines”; 2000; I.I.U., Kuala Lumpur, Malaysia; Dr. Ali Vishko, “Harabati Teqe e Tetovës dhe veprimtaria në të në periudhën e kaluar”;  Design, Tetovë 1997; Roberto Maroco de la Roka, “Kombësia dhe feja në Shqipëri, 1920-1944”; Përktheu nga italishtja Luan Omari, Elena Gjika, Tiranë 1994, 37-44; H.T.Norris, “Islam in the Balkans-religion an sociaty between Evrope and Arab world”; 89, 123, 169, 174, 190, 211.

[5] Shih më gjerësisht: Dr. Ramiz Zekaj, “Zhvillimi i kulturës islame ndër shqiptarët gjatë shek. XX”; 74-79, Marrë nga arkivi i Jugosllavisë, Ministarstvo Pravde Kraljevine Jugosllavije-vjersko odelenje, 129, 4814/19.

[6] Po aty, f. 81-85.

[7] “Historia e Popullit Shqiptar”– vëll. 4, 100; Muhamet Pirraku, “Kultura kombëtare shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit”; 274, 278, 280, 456.

[8] Muhamed Mufaku, “El-Ebxhedijjetul-Arabijjetu fith-thekafetil-Albanijjeti”; f. 5-40; “Melamihun Arabijjetun Islamijjetun fil-Edebil-Albanij”; f. 60-67, po nga i njëjti autor; Muhamet Pirraku, “Gjurmime albanologjike-seria e shkencave filologjike”;16/1986, Prishtinë 1987, 197-212; Muhamet Pirraku, “Gjurmime albanologjike” IX/1979-1980, 203-236; Naim Frashëri, “Vepra letrare 5-Qerbelaja”; 1996;13-316.

[9] Muhamet Pirraku, “Kultura Kombëtare shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit”, f. 456.

[10] Më gjerësisht mbi lëvizjen dhe mësimet e sufizmit si dhe mbi qëndrimin e disa dijetarëve të njohur, shihi veprat: Muhamed Ahmed Durnejk dhe Siham Teufik El-Misrij, “Ibn Tejmijje ves-Sufijje”; (Tripoli, Mektebetul-Imân, bot. 1, 1992), f. 53-167; Abdurahman Bedevi, “Shatahat sufijje”; Kuvajt, Vikaletul-metbu’at, bot 2, 1976, f. 7-48; Irfan Abdulhamid Fettah, “Nesh’etul-felsefetis-sufijjeti ve tetavvuruha”; Bejrut, Darul-Xhil, bot. 1, 1993, f. 27-249; Ibn El-Xheuzi, Ali Hasan Ali Abdul-Hamij, “El-Munteka en-Nefis min Telbisi iblis”; (Darul’ ibn-Xheuzi), 208-513; Ebu Bekër Muhamed El-Kilabudhi, (ka vdekur në vitin 358 hixhri), “Et-Tearruf li Medhhebi Ehlit-Tesavvuf”; komenti i Mahmud Emin En-Nevavij, (Kajro, 1969); Abdurrahman Ebu El-Kasim Abdulkerim ibn Heuzan El-Kushejri (ka vdekur në vitin 456 hixhri) “Er-Risaletul-Kushejrijjeti”; (Kajro, Mektebetu Muhamed Ali Subajh, 1957), f. 126; Esh-Shejh El-Ekber Muhjidin Muhammed ibn Ali El-Arabijj, (ka vdekur në vitin 638 hixhri), “El-Futuhatu el-Mekkijjetu”; (Bejrut, Darus-Sadir, El-babu 373).

[11] Hajdar Salihu, “Poezia e bejtexhinjve”; 13, 144, 147, 165, 265, 268, 289; H.T. Noris, “Islam in the Ballkans”; 161-190; Muhamet Pirraku, “Kultura kombëtare shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit”; 273, 274-278, 309, 324.

[12] Po aty.

[13] Po aty.

[14] Mbi historinë e përkthimeve të Biblës në gjuhën shqipe dhe në gjuhët e tjera, shih më gjerësisht studimin e linguistit dhe latinologut fanatik katolik shqiptar Engjëll Sedaj, “Bibla dhe përkthimet e saj në gjuhën shqipe”; Shtufi, Prishtinë 1999, 94-121, 125-172.

[15] Muhamet Pirraku, “Kultura kombëtare shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit”; 368-456; “Historia e Popullit Shqiptar”-vëll.4, 100-101.

[16] Gjakmarrja për vrasje është fenomen i vjetër që ekziston në të gjitha territoret etnike shqiptare. Kohëve të fundit, fatkeqësisht, kjo dukuri ka marrë përmasa të mëdha në trojet tona, ku ndodhin shumë vrasje për gjakmarrje. Kjo dukuri edhe në Kosovë ishte mjaft e përhapur, por në vitin 1990 ndodhi ndryshim radikal në historinë e shqiptarëve, ngase një grup intelektualësh shqiptarë muslimanë e katolikë, morën iniciativë për pajtimin e gjaqeve në mes familjeve që ishin në hasmëri dhe vërtetë me sukses të madh pajtuan qindra familje shqiptare që kishin armiqësi për shkak të vrasjeve. Më gjerësisht rreth pajtimeve në mes viteve 1990-1992 shih: Anton Çeta, Zymer Neziri, Myrvete Dreshaj, Sadri Fetiu dhe Mehmet Halimi, “Pajtimi i gjaqeve 1990-1991”; Era, Prishtinë 2001; Muhamet Pirraku, “Lëvizja mbarëpopullore shqiptare për faljen e gjaqeve, 1990-1992 – kronikë” ; Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë 1998.

[17] Muhamet Pirraku, “Kultura kombëtare shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit”; 294, 362, 356.

[18] Muhamet Pirraku, “Kultura kombëtare shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit”; 309-324, 393-394, 364-366, 380-388, 409-415, 440-453; Hajdar Salihu “Poezia e bejtexhinjve”; 133-141, 148-160, 212-213, 243-251; “Historia e popullit shqiptar”-vëll. 4, 105-106; Mark Krasniqi, “Toleranca fetare në lëvizjet çlirimtare të popullit shqiptar në shek. XVII-XVIII”; në: Feja, Kultura dhe Tradita Islame ndër Shqiptarët, 205-210; Mahmud Hysa, “Tema sociale në letërsinë islame shqiptare të shek. XVIII-XIX”; 258-2449.

[19] Shih këtë vepër letrare që përmban në vete tri punime letrare të shejhut dhe komentuesit të shquar shqiptar Hafiz Ibrahim Dalliu, që shqyrtojnë çështje politike e shoqërore në mes viteve 1920-1942. Petrit Kusi, “Hafiz Ibrahim Dalliu, Vepra letrare- Dokrra hini, Grenxat e kuqe të Tiranës, Një ëndërr e ime”; botime enciklopedike, Tiranë 2000.

[20] Mahmud Hysa, “Alamiada shqiptare”; vëll. 2; 170.

[21] Këtë plejadë dijetarësh të shquar shqiptarë, kontributin e tyre të gjerë fetar nuk e kam  studiuar në disertacionin tim, ngase ata kolosë nuk kanë jetuar dhe vepruar në tokat shqiptare, edhe pse janë me origjinë shqiptare. Dijetarët e sipërpërmendur jetuan, vepruan dhe punuan në rrethana të ndryshme fetare e politike në trojet arabe. Por, s’do mend që në të ardhmen sa më të afërme, meritojnë të studiohen, si dhe për to të shkruhen disertacione magjistrature apo doktorature në nivel universitar.

[22] Muhamet Pirraku, “Kultura kombëtare shqiptare”; 393, 433, 418; Eqber Skendi, “Hoxhë Kadriu (Kadri Prishtina)”; 14; Roberto Maroco de la Roka, “Kombësia dhe fetë në Shqipëri 1920-1944”; 209; Qazim Xhelili, “Vehbi Dibra”; 12; Ismail Ahmedi, “Hafiz Ali Korça-Jeta dhe Vepra”; 13-18; Shefik Osmani, “Panteoni iranian dhe iranologët shqiptarë”; Sadi Shirazi-Tiranë 1998; Ramiz Zekaj, “Zhvillimi i kulturës Islame ndër shqiptarët në shek XX”; f. 258-381.

[23] Ismail Ahmedi, “Hafiz Ali Korça-jeta dhe vepra”; Logos-A, Shkup 1997, 44-45.

[24] Shefik Osmani, “Panteoni iranian dhe iranologët shqiptarë”; 92-108, 109-121, 132-133.

[25] Ramiz Zekaj, “Zhvillimi i kulturës Islame ndër shqiptarët në shek. XX”; 207; Faik Miftari, “Pakëz dritë për Kosovën”; 45-49; Tayyib Okiç, “Tefsir ve hadis usulunun bazi meseleleri”; Nun Yayincilik, Istanbul, Turkiye 1995, 141.

[26] Hoxha që e ka mësuar këtë fëmijë të vogël është Shejh Muhaffiz Mulla Mahmud Asllani nga Tetova, Allahu e ruajtë, me të cilin pata nderin që të takohem tri vjet më parë, për të parë se si ai, ua mëson fëmijëve hifzin e Kur’anit. Sipas mendimit tim dhe vështrimit të metodologjise së tij hifz, pash dhe u binda se hoxha në fjalë – ma sha Allah- ishte shumë i shkathtë dhe ekspert për të nxjerrë hafizë të Kur’anit në shek. XX, ngase tërë jetën ia ka përkushtuar këtij qëllimi të lartë e sublim. Ai del nga shtëpia që në kohën e namazit të sabahut dhe kthehet në shtëpi pas namazit të jacisë. Numri i hafizëve që kanë kryer hifzin tek ky hoxhë deri më tash është 101 dhe s’di a ka ndonjë tjetër në botën islame apo arabe që ia ka tejkaluar në këtë çështje. Zoti na bëftë sikur ai!

[27] Shih revistën islame që e boton Instituti i Mendimit dhe Qytetërimit Islam Shqiptar: The Islamic Civilization News Periodic Bulletin (Albanian Institute of Islamic Thought and Civilization); Tiranë, 17.01.2001, 13.

 

Related Stories

Na ndiqni në Youtube

spot_img

Tema të tjera

قضايا دينية، اجتماعية، سياسية معاصرة في ميزان القرآن: قراءة...

قضااي دينية اجتماعية سياسية معاصرة يف ميزان القرآن قراءة حتليلية يف تفسري األستاذ سيد قطب ورقة...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح القاضي مع الأستاذ إغناز غولد:...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث: التجربة الكوسوفية...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث التجربةالكوسوفيةمع الصربنموذج ورقة علمية قدمت في املؤتمر العاملي بعنوان: "...

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام ورقة علمية معدة للندوة العلمية يف امللتقى...

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية د/خيرالدين خوجة(الكوسوفي)

دراسات لأسلوب القرآن الكريم

سلسلة عرض وتقديم أعلام الدراسات القرآنية (3) دراسات لأسلوب القرآن الكريم للشيخ الأستاذ الدكتور محمد عبد الخالق...

Kategoritë më të popullarizuara

Comments