Historianët shqiptarë dhe termat banale, jo edukativoarsimoro-shkencore, kundër Perandorisë Osmane

0
285

 

Ajo çka është me rëndësi shkencore me studimin dhe analizën tonë është edhe një dukurie negative: ajo e përdorimit të disa shprehjeve jo objektive, jo shkencore, ofenduese, tendencioze, anti-islame etj., të përdorura në historiografinë shqiptare.

Gjatë studimit tim i kam vërejtur këto shprehje, të cilat më kanë shqetësuar shumë dhe thosha me vete: vallë, a me të vërtetë Perandoria Osmane ka qenë e atillë siç e etiketojnë të tjerët? Prej këtyre shprehjeve që kam hasur mund të veçojmë:

  1. Pushtuesi turk,
  2. Zgjedha turke,
  3. Barbarët turq,
  4. Vërshimi turk,
  5. Përdhunimi osman,
  6. Okupimi turk,
  7. Islamizim i dhunshëm etj.

Këto terma, për mendimin tim, janë bërë qëllimisht prej historianëve në fjalë dhe nën presionin e diktaturës komuniste enveriste. Edhe pse regjimi enverist-komunist ra dhe mori një rrugë pa kthim, akoma intelektualët tanë i ruajnë këto shprehje nëpër faqet e historisë, për të dëshmuar ende më mirë dhe më qartë qëndrimet e tyre ndaj muslimanëve dhe fesë islame.

Këto terma tregojnë joobjektivitetin e historianëve klasikë dhe modernë, tregojnë sekularizmin e tyre, kualitetin e tyre personal dhe profesional që ata janë përgatitur nëpër kuzhinat komuniste, ateiste, dhe anti-islame.

Për dëmet, masakrat, gjenocidin, etnocidin dhe kulturocidin, që kanë shkaktuar perandoritë e ndryshme të mëparshme, si ajo e bizantine, romake, serbe, mbi popullit tonë gjatë tërë historisë shekullore, gati rrallëherë njeriu has në këto terma banale, ndërsa kur vjen çështja e osmanlinjve dhe e fesë islame, që ka qenë shpëtuesja e vetme për shqiptarët, si do ta shohim më poshtë, terma të tillë i gjen të përdorur me bollëk.

Feja e Allahut xh.sh., si thotë edhe studiuesi i njohur islamik Enver El-Xhundij: “…e ka nxjerrë (shpëtuar) botën në tërësi nga faza fëmijërore e papjekurisë, duke e udhëzuar dhe drejtuar në rrugën dhe fazën e pjekurisë njerëzore…” [1] dhe se civilizimi i shtetit dhe Perandorisë Osmane ka treguar civilizimin dhe kulturën më të lartë njerëzore që ka ekzistuar ndonjëherë në histori.[2]

Në lidhje me termat fyes dhe tendenciozë që u përmendën më lart, studiuesi Dr. Hysamedin Feraj analizon këtë  hipotezë se (me depërtimin e Perandorisë Osmane në Ballkan dhe sundimin e saj në Shqipëri)  kjo ka qenë e dëmshme dhe situata e shqiptarëve u keqësua. Si pasojë e kësaj, historiografia zyrtare në Shqipëri, mbas Luftës së Dytë Botërore, e ka mbajtur dhe e ka mbrojtur këtë hipotezë.[3]

Për mendimin tim, historianët e periudhës së kohës moderne disi po hakmerren me këto shprehje ndaj Perandorisë Osmane.

Ndërsa hipoteza e dytë, nga themelimi i nacionalizmit shqiptar, thotë se situata etnike e shqiptarëve përgjithësisht u përmirësua.[4]

Historiografia shqiptare dhe pjesa dërmuese e intelektualëve shqiptarë modern nuk shohin ndonjë të mirë që u ka sjellë atyre kjo Perandori me ardhjen e Islamit si fe e re për etnikumin shqiptar.

Tani të shohim disa fakte historike dhe shkencore rreth dobive dhe të mirave që ka sjellë Perandoria Osmane për shqiptarët. Sipas studiuesit Hysamedin Feraj, këto të mira mund t’i radhitim kështu si vijon:

Së pari: “…Depërtimi i Perandorisë Osmane në Ballkan dhe pushtimi i Shqipërisë e gjeti pjesën më të madhe të shqiptarëve nën sundimin serb, bullgar, grek dhe bizantin…” [5] dhe këta pushtues kanë qenë më të rrezikshëm për ekzistencën etnike të shqiptarëve se sa Perandoria Osmane, madje rreziku i tyre nuk mund të krahasohet me rrezikun e Perandorisë.

Së dyti: Shqiptarët në mijëvjeçarin e fundit u ndodhën nën perandorinë universaliste, multietnike, multikulturore dhe me organizim social bizantin dhe osman. Perandoria bizantine ishte më rrezikuese për ekzistencën etnike.[6]

Së treti: Perandoria Osmane e frenoi procesin asimilues sllav, grek, bullgar dhe bizantin, duke e shkatërruar atë, dhe i dha fund presionit të saj asimilues etnik. Po ashtu e dobësoi mbretërinë serbe, bullgare, greke dhe e frenoi procesin e sllavizimit  dhe të greqizimit të shqiptarëve.[7]

Së katërti: Perandoria Osmane ishte shumë tolerante nga pikëpamja etnike.  Ajo nuk ishte institucion vetëm i turqve, por e gjithë klasës sunduese që përbëhej nga popujt e tjerë jo turq, si arabë, shqiptarë, grekë, boshnjakë, serbë, kurdë, kroatë, hebrenj, në duart e të cilëve ndodhej edhe pushteti ekonomik.[8]

Së pesti: Perandoria Osmane nuk ka ushtruar kurrë dhunë sa i përket përhapjes së fesë islame. Ajo ka qenë shumë tolerante në krahasim me ortodoksizmin e shqiptarëve që bëhej me dhunë të egër fizike dhe ekonomike. Islamizmi pranohej vullnetarisht prej masave, në praninë e dy dëshmitarëve dhe gjykatësit. Në disa gjykata të Shqipërisë ende ruhen dokumentet e ceremonialit të konvertimit në Islam vullnetarisht. Islami nuk është përhapur me dhunë dhe me shpatë, siç flitet nëpër librat e historisë klasike dhe bashkëkohore dhe siç beson pjesë dërmuese e intelektualëve sekularistë shqiptarë.[9]

Së gjashti: Shqiptarët, kur e pranuan Islamin, nuk do të thotë se u turqizuan apo u osmanizuan, siç flitet dhe besohet te masa dërmuese laike shqiptare. Ndërsa  ortodoksizmi ishte njëkohësisht edhe sllavizim dhe greqizim, ashtu siç u bë në Perandorinë Bizantine. Gjuha sllave dhe greke ishte edhe gjuhë e kishës. Ndërsa me Islamin nuk ishte ashtu. Gjuha e fesë ishte gjuha arabe. Ajo nuk ishte gjuhë e sunduesit dhe nuk paraqiste rrezikun e asimilimit etnik..[10]

Së shtati: Administrata civile dhe ushtarake në Shqipëri, gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, ishte pothuajse tërësisht shqiptare, ndërsa gjatë pushtimit serb në shekujt e hershëm dhe së fundi në shek. e 20-të, para një dekade, postet administrative u jepeshin serbëve.

Së teti: Shqiptarët sekularistë anti-islamë dhe historianët e tillë, në veçanti duhet të turpërohen prej faqeve të ndritshme të Perandorisë Osmane. Ata, gjatë pesë shekujve, kurrë nuk kanë ushtruar apo organizuar shpërngulje masive të shqiptarëve, siç kanë bërë grekët dhe sllavët prej kohësh, si edhe para dy dekadave  në Bosnjë dhe Hercegovinë, e po ashtu edhe viteve të fundit në Kosovë. Tani, para ca viteve edhe sllavët e Maqedonisë po ushtrojnë të njëjtën politike të miqve dhe stërgjyshërve të tyre mbi popullatën shqiptare civile muslimane të pambrojtur,[11] siç do ta shohim më poshtë.

Së nënti: Perandoria Osmane  nuk ka ndërmarrë asnjëherë ndonjë fushatë për ndërrimin e emërtimeve shqiptare, ndërsa pushtuesit serbë, gjatë sundimit bizantin, patën marrë një fushatë intensive të madhe në këtë drejtim, siç është rasti me Shqipërinë e Jugut.[12] Kjo traditë e tyre shekullore vërehet në dekadat e fundit në Kosovë, ku qeveria sllave ortodokse serbe e serbizoi çdo emër fshati, rruge, qendre etj. Po ta kishte pasur atë synim Perandoria Osmane, për 500 vite, mund të na kishte shlyer edhe prej hartës ekzistuese dhe të kish humbur çdo gjurmë tonën.

Së dhjeti: Historikisht është dëshmuar nga historianët, priftërinjtë etj., se osmanlinjtë nuk ishin pushtues dhe grabitqarë. “…Historikisht është një fakt i dokumentueshëm që sulltanët e parë erdhën në këtë vend me ftesë të princave arbërorë, pra jo për të pushtuar Arbërinë, por për të shuar konfliktet dhe luftën civile ndërmjet principatave…” [13]

 

Së fundi, mendoj se këto fakte janë mjaft bindëse për intelektualët shqiptarë dhe historianët laikë shqiptarë e perëndimorë, që ata të pendohen dhe të kërkojnë publikisht falje për gabimet e bëra qëllimisht. Ky pendim i tyre pranohet me kushtin që faqet e nxira dhe të devijuara, me shprehje fyese dhe jo shkencore, të largohen prej historisë sonë shqiptare njëherë e përgjithmonë, dhe në vend të atyre gabimeve të interpretohet e vërteta historike siç u tha më lart… Përndryshe atyre nuk ka për t’ua falur kurrë as Allahu xh.sh., as historia dhe as populli.

 

Doc.Dr.Hfz.Hajredin Hoxha
Vështrim islam rreth faktorit fetar në historinë shqiptare moderne dhe antike


[1] Enver El-Xhundij, Tes’hihu Ekberi Hatain Fit Tarihil Islamij, Esulltanu Abddulhamid Ethanij Vel Hilafetul Islamijetu, (Korrektimi i gabimit më të madh në Historinë Islame, Sulltan Abdylhamidi i dytë dhe Hilafeti Islam),  f. 210.

[2] Shih Mehmed Maksudoglu, ‘Ottoman History Based mainly on Ottoman Sources’, f. 340; Po ashtu shih: Muhammad Asad, The Road to Mecca, (Islamic Trust Book, Kuala Lumpur, 1999), f. 5-7.

[3] Hysamedin Feraj, Skicë e mendimit politik shqiptar, f. 50.

[4] Po aty, f. 50.

[5] Po aty, f. 51.

[6] Shih po aty, f. 51

[7] Më gjerësisht, po aty, f. 51.

[8] Po aty, f. 52, marrë nga: Skënder Rizaj, Kosova gjatë shekujve, XV-XVI-XVII, 284. Po ashtu shih: Nexhip P.Alpan-Nesip Kaci, Shqiptarët në Perandorinë Osmane, (Monografi, Tiranë, Albin, 1997), f. 35,41,125; Po ashtu shih: Sami Frasheri, Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet, f. 36.

[9] Hysamedin Feraj, Skicë e mendimit politik shqiptar, f. 53; Po ashtu shih këtë artikull të helmuar në internet të studiuesit: Shefqet Dibrani me titull: Feja në Shërbim të Kombit, në: www.http//yahoogroups.com/feja në shërbim të kombit; Po ashtu shih: Ali M.Basha, Islami në Shqipëri gjatë shekujve, f. 19.

[10] H. Feraj, Skicë e mendimit politik shqiptar, f. 54.

[11] Po aty, f. 56; Po ashtu shih: Muslim Identity and the Balkan State, Hough Poullton&Suha Taji Farouki, editors, (Hurst&Company, London,1997), f. 168-169; Po ashtu shih artikujt: M. Suflay, The Illyrians, the Albanians and the Slavs: problems of continuity and symbiosis, f. 71, E. Pllana, The Deportation of Albanians from the territory of Sandjak of Nish of Kosovo, f. 73, Z. Shtylla, The Deportation of Albanians in Yugoslavia after the Second World War(1950-1966), f. 222, Vaso Cubrilovic, The Problem of Minorities in the new Yugoslavia, f. 301 etj., në: The Truth on Kosova, (The Academy of Sciences of the Republic of Albania, Institute of History, Encyclopedia Publishing House, Tirana, 1993).

[12] H. Feraj, Skicë e mendimit politik shqiptar, f. 57; “…Qeveria Osmane në Ballkan  esencialisht ka qenë qeveri jo asimiluese e popujve të Ballkanit dhe ka qenë qeveri multinacionale në shpirt…” Më gjerësisht, Muslim Identity and the Ballkan State, f. 15.

[13] Gjergj Gashi, Arbëria dhe Vatikani, f. 9; Nicollas Costa, Albania a European Enigma,8; Stavro Skendi, Zgjimi kombëtar shqiptar, (Phoenix, Tiranë, 1967), f. 17.