Të gjitha falënderimet dhe lavdatat i takojnë Allahun xh.sh. Salavatët tona, lutjet tona qofshin për krijesën më të bukur dhe zotëriun e pejgamberëve Muhamedin a.s., familjen e tij, shokëve të tij dhe për të gjithë ata të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në momentin e fundit të kësaj jete.
Thotë Allahu në Kur’anin fisnik:
“Ruajuni nga e keqja (nga dënimi) që nuk i godet vetëm ata që bënë mizori prej jush, (por edhe të mirët), dhe ta dini se All-llahu është ndëshkues i rreptë“.[1]
“Për shkak të veprave (të këqija) të njerëzve, janë shfaqur në tokë e në det të zeza (bela, skamje, katastrofa, humbje e bereqetit etj.), e për ta përjetuar ata një pjesë të asaj të keqeje që bënë, ashtu që të tërhiqen (nga të këqijat)“.[2]
“Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni në All-llahun. E sikur ithtarët e librit të besonin drejt, do të ishte shumë më e mirë për ta. Disa prej tyre janë besimtarë, po shumica e tyre janë larg rrugës së Zotit“.[3]
Bazuar në këto dhe në tekste të tjera kur’anore, ne obligohemi të urdhërojmë për të mirë dhe të ndalojmë nga e keqja, ta pengojmë tiranin dhe mëkatarin nga dhuna dhe mëkatet. Sepse, përndryshe, Allahu, për shkak të disa njerëzve të paktë që luajnë me sigurinë e njerëzve dhe bëjnë shkatërrime në tokë, do të na ndëshkojë të gjithë, ngase ndëshkimi i Allahut sikur nuk shtyhet, po ashtu as nuk dallon të mirin nga i keqi, myslimanin nga jomyslimani; ai i përfshin të gjithë…
Sot, ymeti islam sa vuan nga armiqtë e jashtëm, të cilët i janë vërsulur për t’ia thithur gjakun, për t’i grabitur pasurinë, për të shkaktuar dyshime në besim e fe, duke u ndihmuar edhe nga globalizmi dhe shekullarizmi, dhe kjo nëpërmjet mjeteve të informimit, të shkruara apo elektronike qofshin, me pretekst të përhapjes së të “mirës“, kulturës, civilizimit, globalizmit dhe demokracisë, – ai po aq, në mos më shumë, vuan edhe nga plasaritjet e brendshme të strukturës së tij. Divergjencë në të menduar e të besuar, ndarje në lëvizje, grupe, medh’hebe e parti, mbytje dhe dëbim nga shtëpitë të njerëzve të pafajshëm dhe të shtyrë në moshë, pleq, gra apo fëmijë të jenë ata…Të gjitha këto janë pjellë fatzezë e kësaj divergjence, përçarjeje dhe fatkeqësie fetare e njerëzore që ka sulmuar rëndë Botën Islame.
Në disa vende të Botës Arabe dhe Islame janë shfaqur disa të rinj myslimanë, të cilët bëjnë thirrje për rikthimin në Islam. “Xhihad, Xhihad!“, “Vdekje kolaboracionistëve dhe hipokritëve“, janë moto të tyre.
Po të analizojmë dhe të shtjellojmë çështjen e tyre, do të shohim se ata janë bartës të ideve të prapambetura dhe ekstreme. Ata prej Islamit hise kanë vetëm emrin e tij, sa kohë që kundërshtojnë udhëzimet e tij. Ata shkaktojnë trazira, rrëmuja, kaos dhe skandale në tok, po mendojnë se janë duke vepruar drejt. Tronditin dhe trazojnë thellë qetësinë shpirtërore, ideore dhe politike të myslimanëve. Bëjnë thirrje për të mos respektuar prijësit, kundërshtimin dhe kryengritjet ndaj tyre, dhe jo vetëm kaq, ata edhe nxisin rininë që, krahas kësaj kryengritjeje, të luftojnë edhe të gjithë ata që gjenden përkrah këtyre liderëve, pa marrë parasysh se a janë dijetarë, persona të organit të sigurisë, etj.
Fatkeqësisht, e tërë kjo marrëzi kryhet në emër të urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja e përhapjes së të mirës dhe luftimit-pengimit të së keqes. Predikojnë dashurinë për vlera e virtyte, për mirëkuptim në mes njerëzve, kurse realiteti i tyre dëshmon të kundërtën. Ata rrokën armët për të luftuar të gjithë ata që nuk ndajnë mendim të njëjtë me të tyre dhe nuk besojnë sikurse besimi-bindja e tyre. Shembulli i fjalëve të tyre është sikurse shembulli i Faraonit, i cili u tha izraelitëve:
…Faraoni tha: “Unë nuk kam mendim tjetër t’ju jap përveç atij që ju thashë, dhe nuk jam duke ju udhëzuar tjetër përveçse në rrugën e drejtë!”.[4]
Ne, duke studiuar tekstet kur’anore dhe ato profetike, me lejen e Allahut, do të arrijmë tek rrënjët e këtij problemi shoqëror dhe fetar. Do të njihemi edhe me ligjet e Allahut nën kupolën e këtij kozmosi dhe me mënyrën e ndërrimit dhe largimit të së keqes. Do të bindemi se rekomandimet kur’anore janë shërimi më adekuat!
Ky studim do të diagnostikojë këtë sëmundje duke u nisur nga parimi bazë se terrorizmi, para së gjithash, është një sëmundje ideologjike, dogmatike dhe origjinale, që i ka rrënjët e tij ideologjike, dogmatike (fetare) dhe historike. Patjetër, pra, me ata ekstremistë e terroristë, na duhet të hyjmë në një betejë ideore dhe civilizuese-kulturore, që t’i mundim ata, sepse trajtimi-shërimi i idesë së gabuar dhe kulturës së shtrembëruar nuk bëhet veçse nëpërmjet idesë së qëlluar dhe origjinale, e cila mbështetet në Kuran e Synet, në përpjekje shkencore të dijetarëve, të shquar për devotshmëri dhe sinqeritet, në të kaluarën dhe të tashmen.
Ky punim, dashtë Allahu, do të jete si përgjigje e çështjeve vijuese:
Domethënia e Terrorizmit dhe rrënjët e ideologjike dhe historike të kësaj dukurie.
Cila është rruga ideore dhe cilat janë hapat metodikë që ndihmojnë në zhdukjen e dukurisë së terrorizmit?
A është zgjidhje për këtë fatkeqësi ideologjike, fetare dhe shoqërore mbështetja për idenë e matur (meshtarisë) dhe balancimit-ekuilibrit në dritën e Kur’anit dhe Synetit?
Doc.Dr.Hfz. Hajredin Hoxha
DUKURIA E EKSTREMIZMIT DHE TERRORIZMIT – TRAJTIMI I SAJ NDËRMJET PËRPJEKJEVE DIPLOMATIKE, AJETEVE KUR’ANORE DHE THËNIEVE PROFETIKE.
[1] el-Enfale, 25.
[2] err-Rrum, 41.
[3] Ali Imran, 110.
[4] Gafir, 29.