ILUSTRIMI I METODËS SHKENCORE TË TEFSIRIT TË KUR’ANIT FISNIK NËPËRMES VËSHTRIMIT KRITIK GJATË SHQYRTIMIT TË MENDIMEVE TË DISA DIJETARËVE KLASIKË DHE BASHKËKOHORË

0
668

Kjo çështje e rëndësishme shkencore ka preokupuar shumë dijetarë, hulumtues dhe studiues të Kur’anit dhe tefsirit të Kur’anit si në të kaluarën ashtu edhe në të sotshmen. Edhe mua më preokupoi kjo çështje, ashtu siç i kishte preokupuar ata. Kam vërejtur se ekziston një përzierje dhe kompleks në fjalët e disa dijetarëve dhe hulumtuesve rreth kësaj çështje, madje ende ekzistojnë disa paqartësi rreth çështjes në fjalë si dhe nuk është thjeshtëzuar aq sa duhet.

Që ta kuptojmë më mirë këtë çështje, obligohemi që të bëjmë një përmbledhje të shkurtër rreth karakteristikave të saj. Gjatë leximeve të mia dhe përcjelljes së lëvizjes së këtij koncepti shkencor, që nga e kaluara e deri më sot, vërejta se fjalët e dijetarëve janë kontradiktore në këtë çështje, ngase shpeshherë dijetarët mendonin ndryshe dhe asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë mendim të përbashkët përfundimtar, dhe për këtë u detyrova që të bëj një përmbledhje të mendimeve dhe botëkuptimeve të tyre, rreth kësaj çështje të rëndësishme nëpër sqarimet e çështjeve të tilla esenciale, kuptohet në mënyrë të përmbledhjes.

Ç’ka nënkuptohet me nocionin “tefsir shkencor” dhe cili është qëllimi i tij?

Sipas  Imamit Abduladhim Zurkanit, tefsiri shkencor nënkupton shkencat kozmologjike, njohuritë dhe çdo gjë që ekziston në botë nga artet dhe njohuritë, si p.sh.: inxhinieria, matematika, astronomia, ekonomia, sociologjia, natyra, kimia, kafshët, bimët, shkenca e shtresave të tokës, etj.[1]

Mendoj se ky mendim është më i saktë rreth kësaj çështjeje, dhe kur flasim për tefsirin shkencor të Kur’anit Fisnik duhet patjetër t’i dimë çështjet shkencore të cilat i theksova më parë.

Komentuesi që praktikon këtë metodë në tefsirin e tij, ka për qëllim ndërlidhjen e domethënieve të disa ajeteve kur’anore me të vërtetat shkencore autentike, e jo me teori e hipoteza me qëllim që ta tregojë Madhësinë e Krijuesit të Gjithësisë si dhe mrekullinë e Kur’anit se është Libri i Zotit të Urtë dhe të Gjithëdijshëm. Tefsiri shkencor nuk nënkupton përdorimin e terminologjisë shkencore e filosofike në ajete kur’anore, ashtu siç mendojnë disa dijetarë të kohës bashkëkohore, si p.sh., Prof. Emin El-Huli dhe Shejh prof. dr. Muhamed Husejn Dhehebij, të cilët thonë se tefsiri shkencor eshte ai që i referohet terminologjive shkencore për t’i kuptuar tekstet e Kur’anit si dhe nxjerrjen e shkencave të ndryshme dhe ideve  filozofike nga Kur’ani ”.[2]

Komentuesi  i Kur’anit nuk i referohet termave shkencore moderne për t’i kuptuar tekstet e Kur’anit, por mbështetet në ato shkenca, me qëllim që t’i sqarojë më tepër kuptimet e pafund të Kur’anit, e që deduktohen nga ajetet kur’anore dhe pikërisht kjo është domethënia e tefsirit shkencor.

Definicioni i tefsirit shkencor: 

Nëse e kuptojmë qëllimin dhe synimin e tefsirit shkencor, atëherë mund të formulojmë një definicion tjetër që përputhet me qëllimin e tij, krahas definicionit të parë që e thoshin hulumtuesit. Ndoshta definicioni i prof. dr. Ahmed Umer Ebu Haxher-it është më afër qëllimit të synuar dhe më i kapshëm për ne. Në këtë kontekst, ai thotë: “Ky është tefsiri, ku komentuesi përpiqet t’i kuptojë tekstet e Kur’anit në bazë të rezultateve të konfirmuara të shkencës, dhe t’i zbulojë fshehtësitë e mrekullisë së tij, nëpërmes të dhënave precize shkencore, të cilat njerëzit nuk i dinin në kohën e zbritjes së Kur’anit, dhe kjo argumenton se Kur’ani nuk është fjalë njerëzish, por është fjalë e Zotit, Krijuesit të Fuqishëm dhe të Fortë”.[3]

A ka kundërshtim në mes ajeteve të qarta kur’anore dhe të vërtetave të konfirmuara shkencore?

Me fjalë të shkurtëra themi se nuk ka kundërshtim në mes të ajeteve të qarta të Kur’anit Fisnik dhe në mes të vërtetave të konfirmuara e të sakta shkencore, përkundrazi, madje Kur’ani Fisnik i përkrahë dhe i përforcon. Në këtë kontekst, Shejhul-Islam, Ibn Tejmije, thotë:  S’mund të ketë kundërshtim në mes traditës së saktë dhe racios së qartë…”, dhe mendoj se kjo thënie është shumë e qartë dhe s’ka nevojë për sqarim të mëtejshëm.[4]

Dhe nëse ekziston diçka që mund të jetë kontradiktë ose kundërshtim, sipas disa dijetarëve; ajo mund të jetë e qartë por e pasaktë, ose e saktë por e paqartë. Nuk jam dakord me prof. dr. Ahmed Ebu Haxherin dhe transmetimin e tij të fjalëve të Shejh Imam Muhamed Abduhusë dhe disa të tjerëve rreth kontradiktës së intelektit me traditën, pa kritikuar apo kundërshtuar atë.  Shejh Muhamed Abduhu thotë: “Në mesin e popullatës islame ka pajtueshmëri, përpos disa që s’janë shumë të rëndësishëm, dhe nëse intelekti kundërshton traditën, merret parasysh intelekti, ndërsa në traditë ka dy rrugë:

  1. Pranimi i autenticitetit të traditës, por pa pasur mundësi të kuptohet dhe në këtë rast çështja i mbështetet Zotit; dhe:
  2. Komentimi i traditës duke i mbrojtur rregullat e gjuhës, derisa të harmonizohet kuptimi i saj me atë që konfirmon intelekti”.[5]

Është për t’u habitur me hulumtuesin dr. Ahmed Umeri, përse nuk e ka kritikuar Shejh Muhamed Abduhunë qoftë edhe me një resht të vetëm, sepse kështu nënkuptohet se ai është dakord me mendimin e Shejh Muhamed Abduhusë.

Pajtojohem me pjesën e parë të fjalëve të Muhamed Abduhusë, ndërsa nuk dakordohem me pjesën e dytë të fjalëve të tij. Këtu lind pyetja “Nëse shpjegojmë tekstin tradicional sipas rregullave të gjuhës arabe dhe nuk përputhet dhe nuk harmonizohet me intelektin, atëherë ç’duhet bërë? A do ta komentojmë tekstin, duke e nxjerrë jashtë kontekstit, deri sa të përputhet me intelektin? Këtë nuk e thotë askush, bile as ai që ka pak njohuri në gjuhën arabe dhe në usuli fikh.

Në këtë rast jemi dakord me Imam Muhamed Abduhunë kur thotë: “Pranojmë autenticitetin e traditës, si dhe pranojmë se nuk mund ta kuptojmë, dhe në këtë rast çështjen ia mbështesim Zotit të Madhërishëm dhe nuk i japim prioritet intelektit ndaj traditës së vërtetë”.

Klasifikimi i qëndrimeve të dijetarëve që përkrahin apo kundërshtojnë drejtimin e tefsirit shkencor në të kaluarën dhe në të sotshmen.

Përkrahësit klasik të tefsirit shkencor janë: 

  • Imam Ebu Hamid El-Gazali, i vdekur në vitin 505 hixhri, në librat e tij “Ihjau Ulumiddin” dhe “Xhevahirul-Kur’an”.
  • Imam Fahrudin Er-Razi, i vdekur në vitin 606 hixhri në tefsirin e tij të njohur “Mefatihul-Gajb”.
  • Ibn Ebu El-Fadli El-Mersi, i vdekur në vitin 655 hixhri, dhe këtë e ka theksuar Imam Es-Sujuti në librin “El-itkan fi ulumil-Kur’an”.[6]
  • Imam Bedruddin Muhamed ibn Abdullah Ez-Zerkeshi, i vdekur në vitin 794 hixhri në librin “El-Burhan fi ulumil-Kur’an”.
  • Iman Xhelaluddin Es-Sujuti, i vdekur në vitin 911 hixhri në librin “El-itkan fi ulumil-Kur’an” dhe “Mu’terekul-ekran”.[7]

 

Përkrahësit ekstremistë të tefsirit shkencor në kohën moderne:[8]

  • Shejh Imam Muhamed Abduhu (1848-1905) në tefsirin e xhuzit “Amme”.
  • Shejh Tantavi Xheuheri, i lindur në vitin 1862 në tefsirin e tij “El-Xhevahir fi tefsiril-Kur’an”.
  • Es-Sejjid Abdurahman El-Kevakibi, i lindur në vitin 1265, në librin “Taba’iul-istibdadi ve mesari’ul-isti’badi”.
  • Abdurrezak Neufel, në librin “All-llahu vel-ilmul-hadith”.

 

Përkrahësit e moderuar të tefsirit shkencor:

  • Shejh Muhamed Bahijt El-Muti’ij, 1882-1935 në librin “Tenbihul-ukulil-insanijjeti lima fi ajatil-Kur’an minel-ulumil keunijjeti vel-imranijjeti”.
  • Shejh Abdulhamid ibn Badis, i vdekur në vitin 1940, në librin “Tefsiru ibn Badis” ose “Mexhalisul-tedhkir min kelamil-habir.”
  • Shejh Mustafa El-Meragi, 1881-1945, “Tefsirul-Meragi”.
  • Shejh dr. Muhamed Abdullah Derraz, i vdekur në vitin 1947, në librin “Med-hal ilal-Kur’anil-Kerim”.
  • Mendimtari Shejh Vehiduddin Han në librin “El-Islamu jetehadda”.
  • Shkrimtari dhe letrari Mustafa Sadik Er-Rafi’ij, i vdekur në vitin 1938, në librin “I’xhazul-Kur’an vel-belagatun-nebevijjeti”.
  • Hulumtuesi dhe specialisti i kimisë dr. Muhamed Ahmed El-Gamravi.
  • Dijetari dhe astronomi dr. Muhamed Xhemaluddin El-Fendij, në librin “El-Kur’anu vel-ilmu”.
  • Shejh Muhamed Tahir ibn Ashur, i vdekur në vitin 1973, në librin “Et-tahrir vet-tenvir minet-tefsiri”.[9]
  • Nga moderatorët që nuk i ka theksuar hulumtuesi i lartpërmendur janë edhe dijetarët:
  • Mendimtari i njohur islam Muhamed Ferid Vexhdi në komentet e tij të librit “El-Islam vet-tibbul-hadith”.[10]
  • Mendimtari i njohur i Islamit Bedi’uz-Zeman Se’id En-Nursij, i vdekur në vitin 1960, në tefsirin e sures “El-Bekare” me titull: “Isharatul-i’xhaz fi medhānnil-ijxhaz”, si dhe disa punime tjera të tij që titullohen: “Kul-lijjatu resailun-nur”.[11]
  • Shejh Muhamed Mutevel-li Sha’ravi, në librin “Mu’xhizetul-Kur’an”.
  • Mjeku dhe mendimtari Dr. Mustafa Mahmud, në librin “El-Kur’an… muhaveletun li fehmin asrijjin”.
  • Mendimtari Mahmud Nadjim Nesimi, në librin ”Me’at-tibbi fil-Kur’anil-Kerim”.
  • Mendimtari i njohur i Islamit Shejh Abdulmexhid Zendani në shumë vepra dhe shkrime të tij, si p.sh.: “El-Mu’xhizetul-ilmijjetu fil-Kur’an ves-sunneti”, kumtesë shkencore në Konferencën e Parë Ndërkombëtare në Islamabad në vitin 1987.[12] Këta qka i përmendëm sipër janë dijetarë të mëdhenj e të njohur në lëmin e tefsirit shkencor, qofshin ato përkrahës apo kundërshtarë. S’ka dyshim se ne nuk i kemi përmendur të gjithë hulumtuesit, si dhe ditët e ardhshme do të nxjerrin në shesh edhe dijetarë tjerë. Lusim Zotin e Madhërishëm që t’i shpërblejë, muxhtehidët që kanë mendime të sakta dhe të qëlluara, dy herë, ndërsa ata që gabojnë, një herë!

 

Analiza e mendimit të Imam Shatibiut:

Hulumtuesi dr. Ahmed Umer Ebu Haxheri shqyrton këtë temë në disertacionin e tij mjaft të rëndësishëm dhe tejet të vlefshëm, përkatësisht i rreket temës së atyre të cilët kanë refuzuar tefsirin shkencor në të kaluarën dhe në të tashmen nga kundërshtuesit klasikë në përgjithësi, kurse në veçanti e thekson Imam Shatibiun (Zoti e mëshiroftë!).

Ç’është e vërteta, gjatë leximit tim të fjalëve të Imam Shatibiut në “El-Muvafakat” , vërejta se ai nuk e kundërshton tefsirin shkencor në përgjithësi, por as edhe në detaje, ndaj dhe nuk mund ta klasifikojmë në grupin e refuzuesve të këtij lloji të tefsirit, ashtu siç e kishte klasifikuar hulumtuesi i sipërpërmendur dhe paraprijësit e tij. Imam Shatibiu hulumtonte çështjen se a i përmbledh Kur’ani shkencat e të parëve dhe të mëvonshmëve. Imam Shatibiu po ashtu i kritikon ata të cilët aplikojnë këtë metodë në tefsiret e tyre, edhe mendon se ata dalin nga konteksti i ajeteve.

Ai gjithashtu shqyrton edhe një çështje tjetër në librin “El-Muvafakat”, gjegjësisht çështjen e përmbajtjes së shkencave në Kur’an, e që ekzistonin vetëm në mesin e arabëve dhe kështu ai përkufizon shkencat vetëm për arabët![13] Imam Shatibiu (Zoti e mëshiroftë!) nuk mohon të vërtetën e ekzistimit të disa shkencave në Kur’anin Fisnik që ishin vetëm në mesin e arabëve, dhe në këtë mënyrë Imam Shatibiu nuk mund të klasifikohet në grupin e atyre që kundërshtonin tefsirin shkencor në përgjithësi dhe në detaje, ashtu siç mendonin shumica e hulumtuesve të kësaj tematike, ngase ky është një keqkuptim dhe trillim për të.[14]

Më pëlqen kritika e hulumtuesit dr. Ahmed Umerit ndaj fjalëve të Imam Shatibiut në çështjen e shkencave që ekzistonin tek arabët, i cili në këtë kontekst thotë: “Sikur të përkufizohej vetëm me arabët, nuk do të kritikohej, nuk do të ishin njerëzit të barabartë në shkencë. Pra, ky qëndrim nuk është i saktë dhe nuk përputhet me realitetin,  ashtu siç nuk përputhet edhe me qëndrimet e muslimanëve të parë rreth kësaj çështje për të cilën flet Imam Shatibiu.[15] Nuk mund të ndalohet tefsiri shkencor për asnjë gjeneratë, ngase Kur’ani është për të gjitha gjeneratat që do të jetojnë në tokë.”[16]

Jo fort larg këtij mendimi ka qenë, edhe një tjetër dijetar, Shejh dr. Abdullah Derraz ( Allah e meshirofte ) i cili ka kritikuar këtë çështje në “El-Muvafakat”.[17] Këtu e shoh të dobishme që t’i citoj fjalët më të rëndësishme të Imam Shatibiut rreth kësaj çështjeje, derisa ta kuptojmë mirë këtë problematikë.

Imam Shatibiu (Zoti e mëshiroftë!) në “El-Muvafakat” thotë: ”Arabët kishin interes për shkencat që i dinin njerëzit, si p.sh. astrologjinë, ngase sipas saj orientoheshin në tokë e në det, dhe e dinin ndërrimin e stinëve dhe kjo çështje shumë herë theksohet në Kur’anin Fisnik:

“Ai është që krijoi yjet për ju që me ta të orientoheni në errësira kur jeni në tokë ose në det”.[18]

“Ndërsa (natën) ata orientohen me anën e yjeve”.[19]

Pastaj ata merreshin me të reshurat e shiut, formimin e reve dhe me erërat e forta, dhe në këtë kontekst, Zoti i Madhërishëm thotë:

“Ai është që u shfaq vetëtimën trishtuese (nga ndonjë fatkeqësi), por edhe shpresëdhënëse (për shi), dhe formohen re të dendura. Ndërkaq murmurima madhëron (Zotin një) me falënderimin (që i takon) e Tij”.[20]

Përveç kësaj, arabët njihnin historinë dhe të dhënat mbi popujt e kaluar, dhe një gjë e tillë shumë herë theksohet në Kur’an dhe në Sunnet. Kur’ani i informon më shumë se sa dinin dhe u rrëfente shumë gjëra që nuk i dinin arabët, p.sh. në Kur’an, Zoti i Madhërishëm thotë:

“Këto janë nga lajmet e fshehta (të hershme) që po të shpallim ty. Ti nuk ishe ndër ta kur i hidhnin shortet se kush prej tyre do të bëhej kujdestar i Merjemes”.[21]

Arabët kishin eksperiencë të gjatë edhe në mjekësi, ngase atë e aplikonin dhe e kishin mësuar nga përvoja. Në këtë kontekst, Imam Shatibiu thotë se shumë njerëz që e kanë tepruar gjatë komentimit, duke ia shtuar Kur’anit të gjitha shkencat e të parëve dhe të mëvonshmëve, si p.sh., shkencat natyrore, pedagogjike, logjike, të simbolikës, etj. Siç thamë më parë, një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

Selefi i devotshëm i sahabëve, tabi’inëve dhe atyre që vinin pas tyre, e njihnin më së miri Kur’anin dhe shkencat e tij, dhe nuk na ka ardhur asgjë prej tyre se kanë folur për këto çështje, dhe sikur të kishin njohuri rreth gjërave të tilla, do të transmetohej diçka prej tyre dhe do ta dinim origjinën e problemit, dhe meqë nuk ka asgjë të tillë, kjo gjë argumenton se as që ka ekzistuar fare.

Mungesa e transmetimeve të tilla argumenton se Kur’ani nuk kishte për qëllim atë që e deklaronin. Është e vërtetë se Kur’ani përmban në vete shkenca të arabëve ose atë që e vështrojnë njerëzit që mendojnë, por asgjë më tepër. Nuk është në rregull t’i shtohet diçka Kur’anit apo t’i pakësohet dhe duhet përkufizuar vetëm në atë që ka të bëjë me arabët.[22]

Nëse i lexojmë me vëmendje fjalët e Imam Shatibiut (Zoti e mëshiroftë!) do të gjejmë të kundërtën nga ajo që thonë kundërshtarët e drejtimit shkencor në përgjithësi dhe në detaje, dhe kështu, ajo që thuhet për të është trillim, ngase ai nuk e mohon këtë drejtim shkencor në tefsir tërësisht, por e ka përkufizuar vetëm në atë që ekzistonte tek arabët. Por, ne themi se edhe ky mendim i tij është gabim, ngase:

  1. Potenciali i arabëve në atë kohë ka qenë i kufizuar deri në atë shkallë të cilën e thekson edhe vetë Imam Shatibiu. Ata i kuptonin shkencat e atëhershme në bazë të kapacitetit të tyre shkencor dhe njerëzor. Sikur të jetonin arabët e gjeneratës së parë në kohën tonë, s’ka dyshim se do të mësonin këto shkenca që janë formuar në kohën tonë, do t’i shfrytëzonin në favor të tyre dhe do t’i mësonin këto shkenca ashtu siç i kishin mësuar shkencat e atëhershme.
  2. Po, patjetër duhet përkufizuar vetëm në atë që ekzistonte tek arabët, kur është fjala për shkencat e gjuhës arabe, artet e stilistikës e retorikës dhe lojën e fjalëve, ngase Kur’ani ka zbritur në gjuhën e pastër arabe. Nuk mund të përqëndrohemi e të flasim për mjekësinë apo astronominë arabe, ngase mundësitë e njerëzve për t’i përfituar shkencat kozmologjike nga Kur’ani Fisnik janë të ndryshme. Pastaj, dituria (dituria e re dhe e dobishme) është gjë e humbur e besimtarit, dhe ai është i obliguar ta kërkojë dhe ta marrë kudo që ta gjejë.

 

Bashkëkohorët që refuzojnë tefsirin[23] shkencor janë:

  • Shejh Reshid Rida, 1865-1935.
  • Shejh Mahmud Sheltut, 1893-1964.
  • Shkrimtari dhe letrari i njohur islam Abbas Mahmud El-Akkad, (i vdekur në vitin 1964), në librin e tij “El-Felsefetul-Kur’anijje”.
  • Profesori Shejh Muhamed Izzet Derruzetu, i lindur në vitin 1888, në librin e tij “Et-Tefsirul-hadith”.
  • Shejh Dr. Muhamed Abduladhim Ez-Zerkani, në librin “Menahilu el-irfan fi ulumul-Kur’an”, ku thekson se ekzistojnë kushte dhe rregulla për tefsirin shkencor.
  • Shehidi dhe komentuesi Sejjid Kutub (Zoti e mëshiroftë!) 1906-1966, në shumë vende të tefsirit të tij “Fi dhilalil-Kur’an”, si p.sh., komenti i tij i ajetit kur’anor:

“Të pyesin ty për hënën e re (dhe fazat e saj). Thuaj: “Ato janë përcaktime të kohës për njerëzit dhe për haxh”,[24] si dhe në tefsirin e tij që i bën ajetit kur’anor në suren Fussilet:

“Ne do t’ju bëjmë atyre të mundshme që të shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë”.[25]

Këtu patjetër duhet të ndalemi në një pikë shumë të rëndësishme që ka të bëjë me mendimin e Shehidit Sejjid Kutub rreth kësaj çështjeje. Qëndrimin e tij kundër tefsirit shkencor në tefsirin e tij “Fi dhilalil-Kur’an”, Shehidi Sejjid Kutubi (Zoti e mëshiroftë!) arsyeton me fjalë të thukta e të qarta. Sipas tij, ky është gabim metodologjik parimor dhe në vete përmban tre nocione që nuk përputhen me natyrën e Madhështisë së Kur’anit Fisnik.

  1. Ndjenja dhe dështimi shpirtëror i brendshëm i disa njerëzve se shkenca është kryesore dhe se Kur’ani ecë pas saj (shkencës);
  2. Keqkuptimi i natyrës së Kur’anit, mesazhit dhe funksionit të tij. Kur’ani është një e vërtetë absolute; dhe:
  3. Komentimi i vazhdueshëm që del jashtë kontekstit të teksteve të Kur’anit, duke vrapuar pas teorive dhe hipotezave që nuk janë të qëndrueshme e stabile.

Të gjitha këto çështje nuk përputhen me natyrën e përkryer të Kur’anit Fisnik. Ai më tej vazhdon e thotë: “Kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet t’i shfrytëzojmë dobitë që i zbulon shkenca nga teoritë dhe të vërtetat rreth gjithësisë, jetës e njeriut,  për ta kuptuar në tërësi Kur’anin. Nuk ishte ky qëllimi im nga ajo që thash më parë…” [26]

  • Profesori dhe mendimtari Abdulvahid Vafi dhe profesori Ismail Madh’har janë të mendimit se ky lloj tefsiri është një lloj risie dhe bidat që do të nxisë automatikisht grindje në mes të fesë dhe shkencës.[27]
  • Muhamed Husejn Edh-Dhehebij, në librin e tij të njohur “Et-Tefsir vel-mufessirunë”, f. 178.
  • Profesori i filosofisë islame dr. Atif El-Iraki.
  • Shejh Abdulkerim El-Hatib.

Mund të thuhet se ky është drejtimi i pjesës dërmuese të komentuesve klasikë si Imam Taberiu, Imam Kurtubiu, Bejdavi, Ibn Kethiri, Ebus Su’udi, etj., ngase askush nuk ka transmetuar asgjë prej tyre që ka lidhje me këtë çështje.

Harmonizuesit në mes ajeteve kur’anore dhe shkencave kozmologjike.

Pasi u njoftuam me kategoritë e qëndrimeve të njerëzve rreth kësaj çështje, po ashtu hasim edhe në një grup tjetër njerëzish, që mendojnë se mund të harmonizohen shkencat kozmologjike dhe të dhënat shkencore me ajetet kur’anore që kanë të bëjnë me shkencat e tilla. Kështu mendon një grup muslimanësh e filosofë klasikë, si p.sh., Ibn Sinâ, El-Farabiu dhe Ibn Rushdi.

Drejtimi i ithtarëve që tentonin harmonizimin në mes filosofisë e fesë, mbështetet në komentimin e teksteve fetare dhe harmonizimin e kuptimit të tyre me filosofinë. Ky drejtim i ka rrënjët tek filosofët grekë dhe në legjendat e tyre që kishin shenjtëri fetare, dhe të cilat komentoheshin në mënyrë alegorike. Disa filosofë muslimanë komentonin filosofinë greke dhe pastaj përpiqeshin t’i harmonizojnë idetë e tyre me idetë e Islamit, derisa thoshin se qëllimi i tyre primar ishte harmonizimi në mes fesë dhe filosofisë. Kështu mendonin filosofët arabë dhe kjo qartë vërehet në thënien e Imam Bejhekiut se filosofi El-Kindi ka harmonizuar në veprat e tij në mes parimeve të Sheriatit dhe parimeve të racionales.

El-Kindiu ka mbështetur tefsirin e tij të ajeteve të Kur’anit në baza racionale, të cilat i ka nxjerrë nga studimi i filosofisë. Po ashtu edhe filosofi musliman Ebu Nasr El-Farabi është përpjekur të harmonizojë filosofinë me Sheriatin, dhe në komentimin e ajetit kur’anor:

“Ai është i pari dhe i fundit, i dukshmi dhe i padukshmi”,[28] Farabiu thotë: “S’ka ekzistencë më të përkryer se të Tij dhe ekzistenca e Tij s’ka kurrfarë mangësie; Ai në qenien e Tij është i dukshëm, dhe pasi që është shumë i dukshëm shndërrohet në të padukshëm; Të duket çdo gjë e dukshme si Dielli që zbulon çdo imtësi, por vetë s’mund të shikohet”.

Ai po ashtu është përpjekur të konfirmojë se s’ka kurrfarë dallimi në mes filosofisë greke dhe besimit të Sheriatit islamik. Po ashtu edhe Ibn Sinâ është përpjekur të harmonizojë në mes fesë dhe filosofisë,[29] ashtu siç vepruan edhe disa hulumtues bashkëkohorë, por që nuk janë filosofë. Ithtarët bashkëkohorë të këtij drejtimi në përgjithësi janë shkrimtarë, hulumtues e mjekë, por jo edhe komentues të njohur e as ekspertë të tefsirit. Njerëzit e tillë kontribuojnë në studimet kur’anore dhe shkencore, duke i përcjellë zbulimet e reja shkencore dhe duke i krahasuar ajetet kur’anore që kanë të bëjnë me çështjet e tilla.

Në bazë të kësaj që u tha më sipër, mund të gjejmë një qëndrim të moderuar në këtë çështje të rëndësishme, po ashtu, mund të themi se këtë lloj tefsiri shkencor të Kur’anit nuk e pranojmë në tërësi, por as që e refuzojmë në tërësi, por mbështetemi në disa rregulla dhe kushte, që i kanë theksuar dhe i kanë bërë rezyme disa dijetarë në veprat e tyre, përfshirë edhe studimin tim dhe nëse plotësohen këto kushte dhe rregulla, atëherë mund të mbështetemi në një tefsir të tillë.

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)

[1] Muhamed Abduladhim Ez-Zurkani, “Menahilul-irfan fi ulumil-Kur’an”;vëll.2, f.1-6.

[2] Muhamed Husejn Edh-Dhehebij, “Et-Tefsir vel-mufessirunë”; vëll. 3, f. 140.

[3] Ahmed Umer Ebu Haxher, “Et-Tefsirul-ilmijj lil-Kur’ani fil-mijzan”; Bejrut, Daru Kutejbe lin-neshri vet-teuzi; bot. 1, 1991, f. 66.

[4] Po aty, f. 83; Më gjerësisht rreth kësaj çështje të rëndësishme shih enciklopedinë e Shejhul-Islam Ibën Tejmijes, me titull: “Der’u tearudil akli ven-nekli ve muvafekatu sahihil-menkul li sarihil-ma’kul”; Rijad, Darul-kunuzil edebijjeti; 1391 hixhri, Muhamed Rishad Salim, vëll. 1, f. 4-5. Në këtë libër shqyrtohet gjatë kjo çështje.

[5] Po aty, f. 86, transmeton nga Imam Muhamed Abduhu: “El-Islam ven-nesranijjetu meal-ilmi vel-medenijjeti”; bot.1320 hixhri, f. 61.

[6] Es-Sujuti, “El-Itkan fi ulumil-Kur’an”; vëll. 2, f. 126-128.

[7] Më gjerësisht shih: Ahmed Umer Ebu Haxher, “Et-tefsirul-ilmij lil-Kur’an fil-mizan”; f. 145-165.

[8] Po aty, f. 169-216.

[9] Po aty, f. 219-270.

[10] Sejjid Ganim Karim, “El-isharat el-ilmijjetu fil-Kur’anil-kerim bejned-diraseti vet-tatbijk”; “Kajro, Darul-fikril-arabij, bot. 1, 1995, f. 130.

[11] Po aty, f. 121 dhe f. 135-139. Shih edhe punimin e dr. Su’ad Jëldërëm që e paraqiti në Konferencën e Parë Ndërkombëtare rreth Mrekullisë Shkencore të Kur’anit dhe Sunnetit me titull: “Mustenedatut-teufik bejnen-nususil-kur’anijjeti ve bejnen-netaixhil el-ilmijjetis-sahihati”; Islamabad, 1987.

[12] Shejh Abdulmexhid Zendani ka një traktat tjetër të rëndësishëm në këtë sferë me titull: “Min euxhuhil-i’xhazil-ilmij lil-Kur’anil Kerim fi alemil-bihar”; Mekketul-Mukerremetu, Rabitatul-Alemil Islam, 1999.

[13] “El-Muvafakat”; vëll. 2, f. 79-80.

[14] Kështu mendon hulumtuesi dr. Ahmed Umer Ebu Haxheri në disertacionin e doktoraturës së tij: “Et-tefsirul-ilmij lil-Kur’ani fil-mijzan”; f. 271; dhe para tij  edhe prof. dr. Shejh Muhamed Husejn Dhehebij në “Et-tefsir vel-mufessirunë”.

[15] “El-Muvafakat”, vëll. 2, f. 80.

[16] “Et-tefsirul-ilmij lil-Kur’ani fil-mijzan”; f. 290.

[17] Sqarim i Shejh Abdullah Derrazit në “El-Muvafakat”, vëll. 2, f. 73.

[18] El-En’am, 97.

[19] En-Nahl, 16.

[20] Er-Ra’d, 12-13.

[21] Ali Imran, 44.

[22] Ebu Is’hak Shatib+iu, “El-Muvafakat fish-Sheriatil-Islamijjeti”; vëll. 2, f. 381-391.

[23] Më gjerësisht rreth tefsirit shkencor në Kur’anin Fisnik shih: Es-Sejjid Gunejm Kerijm, “El-Isharat el-ilmijjetu fil-Kur’anil-Kerim bejned-diraseti vet-tatbik”; Kajro, Darul-fikril-arabij, bot. 1995, f. 113-167, 255-283; 284-300.

[24] El Bekare, 189.

[25] Fussilet, 53.

[26] Shih “Fi dhilalil-Kur’an”; vëll. 1, f. 180-184; “Et-tefsirul-ilmij lil-Kur’ani fil-mijzan”; f. 318-321. Autori i këtyre rreshtave ka edhe disa punime tjera rreth mendimit dhe metodës së shehidit Sejjid Kutub në Tefsir, ku konfirmon se nuk i takon përkrahësve të tefsirit shkencor. E vërteta është ajo që e pamë nga vetë fjalët e shehidit kur thotë se nuk ka dëm nëse shfrytëzohen begatitë dhe dobitë nga zbulimet shkencore që janë të vërteta të pandryshueshme dhe të padiskutueshme, po që nuk janë teori e as hipoteza.

[27] “Et-tefsirul-ilmiju lil-Kur’ani fil-mijzan”; f. 297-330. Më gjerësisht rreth tefsirit shkencor të Kur’anit dhe përpjekjeve të dijetarëve rreth kësaj problematike shihi burimet e rëndësishme dhe të vlefshme: Muhamed Adil Ebu El-Hajr, “Ixhtihadat fit tefsiril-ilmij fil-Kur’anil-Kerijm”; Merkezu Delta lit-tiba’ati, isportenxh, Kajro, bot. 1, 1988, f. 21-82; Halil Imaduddin, “Med’hal ila meukifil-Kur’anil Kerim minel-ilmi”; Bejrut, Muessetur-risaleti, bot. 1, 1983, f. 9-14; Es-Sejjid Gunejm Karim, “El-isharat el-ilmijjetu fil Kur’anil-Kerim bejned-diraseti vet-tetbik”; Kajro, f. 121-122. Profesori im dr. Su’ad Jëldërim i ka theksuar arsyet të cilat kanë ndikuar që Shejh Dhehebiu të mendojë ashtu në punimin që e ka prezantuar në Konferencën Ndërkombëtare në Islamabad në vitin 1987.

[28] El-Hadid, 3.

[29] Es-Sejjid Esh-Shehhat Zuglul, “El-It-tixhahat el-fikrijje fit-tefsir”; El-hej’etu el-misrijjetul-el-ammetu lil-kitab, bot. 2, 1977, 299-318. Më gjerësisht rreth mendimeve të filosofit El-Farabi shih: Feuzi Atvi, “El-Farabi, Fejlesuful-medinetil-fadile”; recensim i dr. Subhi Salih-it, Darul-kitabi-arabij, pa datë botimi, f. 97-171.