ISLAMIZIMI I SHKENCAVE HUMANE DHE SHOQËRORE NGA DISA KËNDVËSHTRIME

0
117

 

Askush nuk mund ta kontestojë faktin se ummeti islamik jeton në një gjendje të përçarë e kontroverse. Mjerë për ta! Edhe pse ummeti islamik posedon elementet më të forta dhe më të mëdha njerëzore, natyrore dhe fetare, përsëri vërejmë një dekadencë ekonomike, politike, shoqërore e intelektuale në mesin e tij. E gjithë kjo ndodh për shkak të largimit të muslimanëve nga mësimet e Kur’anit Fisnik dhe hadithit të pastër pejgamberik. Dënimi i tillë vjen si rezultat i veprave, dhe me plot të drejtë Zoti i Madhëruar thotë: “Kush largohet nga dhikri im, do të ketë jetë të tmerrshme!”

A ka rrugëdalje nga kjo krizë? Dijetarët dhe mendimtarët muslimanë kanë mendime të ndryshme rreth shqyrtimit, zbërthimit dhe daljes nga kjo krizë. Disa prej tyre mendojnë se shkaku i dekadencës dhe përçarjes së ummetit është dobësimi i fesë dhe i kapjes së tyre pas librit të Zotit dhe sunnetit të Pejgamberit të Tij.

Sipas disa të tjerëve, në esencë, shkaku i dekadencës së tyre është në sistematizimin ideologjik e metodologjik, duke theksuar kundërshtimin dhe kontradiktat në mes shkencave islame që dalin nga Shpallja hyjnore – Kur’ani dhe sunneti i vërtetë, dhe shkencave humane, sociale që mbështeten në vlera dhe parime perëndimore, sepse nuk mund të bëhet ndonjë harmonizim në mes tyre. Sipas tyre, teoria e islamizimit të njohurive ose islamizimi i shkencave mund të jetë vetëm një iluzion dhe absurditet. Sipas meje, shërimi i vërtetë i gjendjes së ummetit islamik duhet të fillojë nga aspekti i besimit, për të përforcuar anën fetare dhe aplikimin e parimeve fetare, si dhe duhet të rishqyrtohet aspekti ideologjik dhe metodologjik, duke i shqyrtuar urtësitë dhe horizontet e parimeve fetare islame që janë të përshtatshme për çdo kohë dhe për çdo vend.

Derisa të rikthehet ummeti islamik në rrugën e drejtë dhe autoritare mendoj se ne, dijetarë e thirrës në fe, duhet që të fillojmë me shërimin e sëmundjeve të tilla që e kanë kapluar ummetin islamik, duke filluar së pari nga përmirësimi i rrugës së besimit dhe së dyti nga përmirësimi i të menduarit, në bazë të përvojave të të tjerëve dhe shkencave të tyre të ndryshme.

Dijetarët e kanë definuar këtë proces ripërtërirës të besimit e mendjes si:

“proces islamik” ose “islamizim i shkencave humane-sociale”, dhe e gjithë kjo nënkupton aktivitetin e njohurive për të zbuluar, harmonizuar, botuar, arritur e bazuar konceptin i gjithësisë, jetës e njeriut nga aspekti islamik si dhe për të prishur atë që e ka ndërtuar ideologjia perëndimore qytetëruese materialiste, kulturore e konceptuale brenda koncepteve filozofike, materialiste e ateiste.

Një vepër e tillë duhet ta rikthejë ummetin islamik brenda vlerave islame, sepse nëse përmirësohet besimi do të përmirësohet mendja dhe metoda, dhe në këtë mënyrë do të përmirësohet gjendja aktuale e ummetit islamik dhe ardhmëria e tij. Nëse prishet rrjedha e besimit, atëherë prishet edhe rrjedha e besimit dhe e metodës, dhe në këtë mënyrë, prishet gjendja e ummetit islamik si në të tashmen, ashtu edhe në të ardhmen.

Projekti i islamizimit ose “islamizimi i shkencave dhe i njohurive humane e sociale” ose “projekti i udhëzimit kur’anor dhe projekte të shkencave humane e sociale”, ka për qëllim përforcimin e fuqisë së intelektit, mendjes dhe metodës së shëndoshë, për t’iu përgjigjur nevojës së ummetit dhe sfidave me të cilat ballafaqohet ummeti, si dhe për të ofruar potencialin ideologjik, vizion dhe metodat e nevojshme intelektuale e qytetëruese.

Ky projekt në asnjë mënyrë nuk nënkupton kundërshtimin ose nënvleftësimin e arritjeve të të gjithë të sinqertëve nga bijtë e ummetit islamik në të gjitha poret e jetës, por nënkupton një harmonizim dhe përputhje me orvatjet e tilla të tyre.

Realiteti i projektit të islamizimit të shkencave humane ka të bëjë me punën ose ixhtihadin themeltar universal metodologjik e objektiv, brenda suazave të konceptit islamik ndaj gjithësisë, njeriut e jetës duke bërë seleksionimin, përmirësimin, zbërthimin, kontrollimin dhe spastrimin e shkencave humane e sociale nga mendimet dhe doktrinat ideologjike idhujtare, ateiste, laike, komuniste, marksiste, leniniste, demokratike ose perëndimore bashkëkohore, që i kundërshtojnë parimet e fesë sonë të pastër përgjithësisht ose pjesërisht. Pas një spastrimi dhe zbërthimi të tillë, atyre iu jepet fryma islame dhe iu bëhet një zbërthim i ri që është i kënaqshëm për mendimtarët dhe besimtarët, si edhe për All-llahun, Zotin e botëve.

Këtë temë e kam zgjedhur për shkak se jam takuar me intelektualë e mendimtarë bashkëkohorë që dyshojnë në çështjen apo në projektin e “islamizimit të shkencave humane dhe sociale”, për sa i përket formimit të kësaj ideje të re dhe cakut që tenton të arrijë. Gjatë leximit dhe studimit u binda për të kundërtën e asaj që mendonin ata dhe për këtë shkak vendosa që në këto faqe të vërtetoj e sqaroj se nuk ka asnjë kundërshtim apo kontradiktë mes shpalljes hyjnore që përfaqësohet nga Kur’ani e sunneti i vërtetë, nga njëra anë dhe intelektit të shëndoshë që përfaqësohet nga zbulimet dhe të vërtetat shkencore të njohurive njerëzore, nga ana tjetër.

Duhet ta kemi të qartë në mendjen tonë, si dijetarë e thirrës, se çështja e islamizimit të shkencave ose e origjinalitetit islamik të shkencave ka rëndësi shumë të madhe dhe përgjegjësi të gjerë, sepse kjo çështje konsiderohet si një obligim i madh fetar i yni, për ta shpëtuar ummetin muhamedan nga dekadenca shkencore, ekonomike, sociale e politike.

Rëndësia e këtij projekti vërehet në pikat vijuese:

  1. Përqendrohet parimisht në forcimin e ummetit islamik, në bazë të idesë dhe konceptit të vlefshëm filozofik human.
  2. Synon metodologjinë e shëndoshë islame, që mbështetet në shpalljen pa anuluar rolin e intelektit, sepse shpallja është udhërrëfyese e trurit, individit dhe shoqërisë njerëzore.
  3. Mbështetet në njohuritë që dalin nga vlerat e shpalljes, synimeve, mesazheve dhe nga çdo urtësi dhe çdo gjë e çmueshme që del nga trashëgimia e ummetit, dijetarëve dhe mendimtarëve, me kalimin e kohës dhe periudhave të ndryshme.
  4. Zë vendin më të lartë në grumbullimin e prioriteteve të ummetit, për të zhvilluar metodologjinë e mendimit islamik dhe për ta pastruar nga pluhuri që e ka mbuluar deri në ditët tona.

 

Ky hulumtim do t’i zbërthejë çështjet e tilla ideologjike dhe metodologjike nga aspekti i konceptit të shpalljes hyjnore dhe i funksionit të saj.

Zoti i Madhëruar na bëftë prej atyre që e mbajnë fenë e Tij të pastër me fjalë e mendime të vërteta, si dhe na bëftë prej atyre që janë të sinqertë!

Ai është i Madhëruar, Shpresëdhënësi më i mirë dhe më Fisniku në plotësimin e kërkesave!

E lus Zotin e Madhëruar për sukses!

 

 

Assoc.Prof.Dr.Hfz. Hajredin Hoxha

ISLAMIZIMI I SHKENCAVE HUMANE DHE SHOQËRORE NGA DISA KËNDVËSHTRIME (Simpoziumi shkencor në Universitetin Shafi’it të shkencave islame në Xhakartë, Indonezi)