KRONOLOGJI E SHKURTËR HISTORIKE KU VËREHET NATYRA REZISTUESE E SHQIPTARIT, E NXITUR KRYESISHT PREJ SHTETEVE SLLAVE DHE KATOLIKE NDAJ PUSHTUESEVE TË HUAJ DHE NDAJ (OSMANLINJVE)

Historia e shqiptarëve klasike ka qenë një histori e mbushur plot me okupime të perandorive të ndryshme, ata janë detyruar të rezistojnë me të gjitha mjetet që kanë pasur në disponim për të drejtën e tyre, për të jetuar të lirë. Është me rëndësi të dimë se historia na njofton se këto rezistenca kryesisht kanë qenë të nxitura nga shtetet sllave, katolike apo nga kleri fetar dhe se ato kanë pasur edhe karakter fetar.

Ky faktor, që është injoruar qëllimisht prej historianëve, na jep të kuptojnë se në historikun e shqiptarëve është zhvilluar një luftë e rreptë fetare. Kjo rezistencë e trashëgueshme e shqiptarit e ka bërë atë që të mos bëjë dallimin ndërmjet pushtuesve dhe çliruesve, kështu që edhe Perandorinë Osmane, shumë prej tyre, e kanë konsideruar dhe ende disa e konsiderojnë si pushtuese dhe okupuese, duke mos vërejtur asnjë të mirë të saj!

Siç u pa edhe prej trajtave të emrit shqiptar dhe origjinës së tyre ilire që në fillim të këtij punimi, ky popull, siç dihet historikisht, ka luftuar që të jetë i lirë, edhe nëse është detyruar të jetojë nëpër male e shkëmbinj dhe ka dëshiruar të vdesë i lirë. Mirëpo fati i tyre historikisht ka qenë i zi. Ata gjithmonë kanë qenë nën sundim e të tjerëve dhe kanë pësuar mbi shpinën e tyre deportime masive, spastrime etnike, tentativa asimiluese etj, për shfarosjen e tyre.

Mu për këtë shqiptari gjithmonë e ka urryer sundimin dhe mbizotërimin e tjetërkujt në çfarëdo mënyre. Kjo e ka detyruar që të jetë gjithmonë me pushkë[1] në dorë për t’u ruajtur nga armiqtë e huaj. Për këtë ideal ka dhënë edhe jetën dhe pasurinë e tij dhe ka qenë krenar.

Besoj bindshëm se synimi për ta realizuar një ideal të tillë është e drejtë natyrore e çdo populli, në çdo vend e në çdo kohë, dhe kjo përputhet edhe me fjalët e kalifit të tretë Islam  Omerit r.a.(Allahu qoftë i kënaqur me të) i cili ka thënë: ‘Kur i është dhënë e drejta dikujt për ta robëruar dikë tjetër, kur dihet fare mirë se nënat e tyre i kanë lindur ata të lirë !’

Prandaj, nëse e kemi të qartë këtë realitet, këtë premisë të psikologjisë së një populli, atëherë është e lehtë ta analizojmë natyrën rezistuese të tij, për çdokënd, pa dallim gjuhe, kombi apo ideali, për të mirën apo për të keqen e tij, si ka qenë p.sh. rasti me ardhjen e Perandorisë Osmane në këto troje, me një ideal dhe fe të re, e cila i ka shpëtuar totalisht dhe në mënyrë imediate prej asimilimit sllavo-ortodoks, serbo- grek.

 

Pa dyshim, për mendimin tim, ka qenë dhe është një dobësi intelektuale e shqiptarëve, gjatë shekujve deri në ditët tona, për të mos e bërë dallimin e të mirës ndaj të keqes, ndërmjet armikut pushtues e gjakpirës dhe superfuqisë çlirimtare dhe shpëtuese prej grabitqarëve sllavë, ortodoksë dhe grekë, të cilët bënë çmos për ta zhdukur popullin shqiptar nga ekzistenca e kësaj jete, njëherë e përgjithmonë.

Pa dyshim rezistenca e tyre ndaj këtyre sundimtarëve me fe të re ka treguar nivelin më të ulët intelektual të një populli. Mirëpo krahas kësaj, unë besoj bindshëm se pas kësaj rezistence, sidomos ndaj osmanlinjve, pas kësaj urrejtjeje të pakufishme dhe ekstreme kanë qëndruar duart e zeza të sllavëve ortodoksë dhe katolikëve fanatikë, siç do ta shohim më vonë. Historikisht, këta kanë qenë faktori më kryesor në mbjelljen e armiqësisë dhe urrejtjes në zemrat e këtyre shqiptarëve të gjorë ndaj osmanlinjve, muslimanëve.[2]

 

Për mendimin tim, ashtu si kam thënë edhe më herët, faktori fetar, i fshehtë, i injoruar dhe i margjinalizuar prej historianëve shqiptarë ateistë, joobjekivë dhe të njëanshëm qëllimisht, ka qenë gjeneratori më kryesor për nxitjen dhe ndezjen e luftërave dhe kryengritjeve shekullore të shqiptarëve ndaj osmanlinjve.

 

Unë nuk po i mbroj osmanlinjtë tërësisht dhe nga çdo aspekt. Pa dyshim se perandoria e madhe, qindra vejeҫare duke pasur nën sundimin dhe kontrollin e saj miliona njerëz multietnikë, multireligjiozë, duhet të ketë pasur marrëdhënie dhe sjellje anti-islame e ndoshta jo njerëzore të ndonjë valiu – guvernatori apo mytesarifi të saj me shqiptarët apo me të tjerët, Por kjo assesi nuk do të thotë që i tërë sistemi politik-ekonomik e fetar e perandorisë ka qenë i tillë.

Kjo nuk është e drejtë dhe e saktë as historikisht, as juridikisht. Prandaj të krahasosh civilizimin, tolerancën fetare, frenimin e procesit të ortodoksizmit [3] të dhunshëm, frenimin e procesit asimilues nga sllavizmi dhe greqizmi, pranimin e të drejtës dhe zakoneve si rregullatorë juridikë të shumicës së sferave të jetës shoqërore shqiptare, përmbajtjen e administratës, ushtarake e civile pothuajse tërësisht shqiptare…[4] përmirësimin e statusit të shtresave të ulëta…etj[5], pra t’i krahasosh këto të mira me sundimin shkatërrues e asimilues  të romakëve dhe të bizantinëve është marrëzi dhe papjekuri e strukturës intelektuale shqiptare, që nga koha e komunizmit e deri në ditët tona kur po shënohen këto rreshta.

Të gjithë ata historianë që kanë vdekur dhe që janë ende gjallë duhen gjykuar në gjykatën supreme islame, e cila nuk njeh diskriminim, nuk merr ryshfet dhe i gjykon drejt të gjithë, pa dallim feje, race a kombi, për këtë histori të shtrembëruar dhe të gabuar, ferrat dhe gjembat e të cilëve ne jemi duke i vjelë tani. Atë që kanë mbjellë ata, po e korrim ne tani. Ata kanë mbjellë urrejtje dhe armiqësi në mesin tonë duke i falsifikuar faktet hisitorike nëpër tekste shkollore dhe atë univerzitare.

Historiani Mehdi Frashëri thotë: “…prej dy mijë e disa qindra vjet, Shqipëria, me një ndërmjetësi kohore prej katër ose pesëqind vjetësh, ka pësuar katër invazione:

1) invazioni i parë erdhi nga perëndimi me pushtimin roman,

2) invazioni i dytë erdhi nga veriu mbas prishjes së perandorisë romane dhe dobësisë së perandorisë bizantine prej popujve barbarë, si gotët, hunët dhe pastaj sllavët (serbë ose bullgarë),

3) invazioni i tretë erdhi prej orientit me pushtimin turk, i cili si qytetërim ishte turan-semitik për shkak të islamizmës,

4) invazioni i Ballkanit nga tri anët: veri, lindje dhe jug. Ndikimi i Greqisë në Shqipëri, që nga kohërat e vjetra, ka qenë vetëm me kulturë dhe me fe, që nga koha e ortodoksisë e këndej. Invazioni i romakëve nuk ka qenë shfarosës, përkundrazi ka sjellë një qetësi relative dhe një qytetërim (relativ, H. Hoxha). Invazioni turk, në periudhën e parë, ka qenë rrënues, por në periudhën e transformimit të fesë ka qenë përkrahës i racës shqiptare në atë shkallë sa që shqiptarët filluan të rifitonin edhe vendet që kishin humbur për shkak të shfarosjes së popullsisë shqiptare prej sllavëve. Shqiptarët që ranë në duart e Jugosllavisë rrezikonin ekzistencën e tyre…[6]

Historia na flet se gjatë shekullit të tetë, si rezultat i dyndjeve të sllavëve në tokat shqiptare dhe masakrat sllave për t’i konvertuar shqiptarët me dhunë në ortodoksizëm[7], pastaj si rezultat i shtrirjes së bullgarëve në tokat e Maqedonisë dhe të Fushë Kosovës gjatë viteve 637-847, që për disa krahina zgjati 150 vjet, shqiptarët u detyruan që t’i bëjnë ballë dhe qëndresë kësaj fushate religjioze shfaruese sllave, gjë që dëshmon për rezistencën dhe urrejtjen  e tyre ndaj të huajve…[8]

Pas shembjes së shtetit bullgar, mbi shqiptarët u rivendos përsëri sundimi bizantin. Shqiptarët u çuan përsëri në kryengritje për shkak të keqësimit së tyre ekonomik, më 1040-1041. Po ashtu, edhe ky rast na jep të kuptojmë natyrën e tyre rrezikuese.[9]

Më vonë, gjatë ekspansionit serb në tokat shqiptare, që për mendimin tim kishte karakter fetar kishtar, asimilues në radhë të parë e pastaj politik për dikë tjetër,[10] shqiptarët përsëri rezistuan.

Natyra e rezistuese e shqiptarit gjatë historisë vërehet edhe gjatë kryqëzatave të para, më 1096 dhe me ardhjen e normanëve në Itali si mercenarë. Më pas  këta normanë, me në krye Bulmundin, mbasi ky mori bekimin nga Papa, i pushtuan qytetet e Shqipërisë, më 1107 dhe e plaçkitën dhe e dogjën atë. Shqiptarët përsëri u ngritën në kryengritje sepse nuk ishin të kënaqur me detyrimet e tyre ndaj të huajve.[11]

Si pasojë e kryqëzatës së katërt ishte edhe pushtimi i Kostandinopojës nga despoti bizantin, më 1204-1219, me në krye Mihailin I  dhe Teodorin I, më 1219-1230. Në vitin 1261 disa treva shqiptare ndodheshin nën sundimin bizantin të Serbisë, kurse disa krahina ndodheshin ende nën sundimin bizantin. Këtu shqiptarët bënë rezistencë të madhe ndaj bizantinëve.[12]

Edhe anzhuinët, që erdhën më 1266 nga Franca, të mbështetur, të përkrahur e të ftuar nga papa, bënë masakra mbi popullatën shqiptare, grabitën pasuritë e tyre, i ngarkuan shqiptarët me taksa të rënda, aq sa që prej gjendjes së keqe ekonomike populli shqiptar filloi të shitet si skllevër për borxhet që kishin fisnikët shqiptarë të përjashtuar nga administrata etj. Si rrjedhojë e kësaj gjendje, shqiptarët u çuan përsëri në kryengritje dhe i sulmuan anzhuinët[13] më1277.

 

Më vonë, më 1296, ata përsëri u detyruan të bëjnë rezistencë kundër mbretit serb, Uroshit II Milutini.[14] Në vitin 1335, kryengritjet e malësorëve të Shqipërisë së mesme kundër perandorit bizantin, Andraniku III Paleologu, për shkak të taksave  të rënda, arritën kulmin. Për t’i shuar këto kryengritje, ky perandor dërgoi ekspedita speciale turke dhe të stërvitura nëpër male, të cilët bënë përsëri kërdi. Shumë gra e fëmijë u dërguan për t’u shitur si skllevër. Një pjesë tjetër u detyruan të emigrojnë në mënyrë masive në Itali, Greqi etj.,[15] për t’i ikur masakrave dhe gjenocidit bizantin.

Kjo rezistencë shqiptare tani hyri në një fazë më të rëndë. Shqiptarët i bënë ballë edhe pushtimit serb të tokave shqiptare, me në krye Car Stefan Dushanin 1331-1355. Ky sundues zullumqar serb, i motivuar nga priftërinjtë ortodoksë serbë, i motivuar nga synime  kishtare të shenjta, bëri masakra, ushtroi gjenocid, etnocid, kulturocid mbi shqiptarët, sipas kodit civil që e kishte shpikur vetë. Ky kod parashihte dënimin me vdekje, damkosjen me hekur të skuqur në fytyrë dhe konfiskimin e pasurisë dhe të pronave të të gjithëve atyre latinëve apo katolikëve shqiptarë të cilët nuk konvertoheshin në ortodoksizëm…[16]

Mbas dëbimit të bizantinëve, anzhuinëve dhe, së fundi, të serbëve më 1355, shqiptarët përsëri ishin të shqetësuar. Natyra rezistuese e tyre tani u paraqit me krijimin dhe paraqitjen e principatave si klasë sunduese, nga familjet bujare shqiptare…[17] Këtu mund të përmendim formimin e disa principatave të mëdha, si ajo e Karl Topias në Durrës, e Gjergj Balshajt në Veri të Shqipërisë etj.[18]

 

Siç kemi thënë më herët, grindjet dhe luftërat e këtyre principatave mes vete, ishin shkaqe për ardhjen e osmanlinjve në trojet shqiptare, pasi këta kërkuan ndihmën e turqve kundër palës tjetër…[19]

Po ashtu, shqiptarët, që për nga natyra e tyre ishin rezistues, të nxitur edhe nga të tjerët, katolikë dhe ortodoksë, bënë koalicion [20] me princërit serbë, bullgarë, rumunë etj., dhe kjo faktikisht ishte luftë e kryqëzatave të shteteve të Evropës Lindore kundër Perandorisë Osmane Islame. Kështu, më 15 qershor të vitit 1389[21] u zhvillua beteja e madhe e Kosovës, në të cilën osmanlinjtë fituan kundër kryqtarëve. Sulltan Murati I ra shehid në këtë betejë nga duart e një shqiptari ortodoks të  krishterë.[22] Thuhet se ky katil ka qenë serb.

Pas betejës së përgjakshme të koalicionit të krishterë katoliko-ortodoks dhe humbjes së tyre, luftërat, kryengritjet dhe rezistencat shqiptare nuk patën të ndalur.

Motivet fetare nxitëse të të krishterëve, katolikë dhe ortodoksë, historikisht nuk kanë pushuar gjatë tërë historisë njerëzore, po edhe asaj shqiptare. Edhe  tani nuk janë ndalur dhe nuk kanë për të pushuar as në të ardhmen.

Hisitoria na flet se Papa, si aleat i Hungarisë, i nxiti shqiptarët për një kryengritje (rebelim) të përgjithshëm kundër osmanlinjve, mirëpo tani me veglën dhe instrumentin e krishterimit dhe të të krishterëve. Ai ishte trimi, patrioti dhe atdhetari që u rrit, u edukua dhe u zhvillua në pallatin mbretëror të sulltanit. Ai ishte musliman dhe njihej me emrin: Skënderbeu.[23] Mirëpo ky trim, më vonë, u paraqit si tradhtar ndaj sulltanit në një ekspeditë ushtarake dhe e ndërroi fenë islame me atë të krishterë, d.m.th. kaloi në krishterizëm publikisht dhe u shndërrua në një prej kundërshtarëve më të mëdhenj të fesë islame dhe të muslimanëve, plot 25 vite luftë dhe rezistencë kundër osmanlinjve…Krim, vepër penale, tradhti ndaj sulltanit dhe krim ndaj Zotit xh.sh.

Burimet historike, siç kemi theksuar në disa vende të këtij studimi, na flasin edhe për shkakun e kësaj natyre rezistuese të shqiptarëve ndaj të huajve, sidomos ndaj osmanlinjve. Përveç faktit se shqiptarët nuk i kanë dashur të huajt, kjo dukuri ka qenë e nxitur dhe e shtyrë edhe nga motivet fetare të krishtera[24] (katoliko-ortodoks).[25]

Këto nxitje u kanë kushtuar shumë shqiptarëve në çdo fushë dhe në çdo aspekt, në atë ekonomik, ushtarak, politik dhe ideal. Sa i përket fushës ekonomike, shqiptarët pothuajse nuk kanë mundur të bëjnë asgjë të mirë. Në aspektin ushtarak, humbjet në njerëz kanë qenë të panumërta, ndërsa në aspektin politik nuk kanë mundur të ndryshojnë asgjë, me ca përjashtime të vogla. Perandoria osmane ka vazhduar përsëri politikën ekspansioniste multietnike, multireligjioze. Së fundi, në aspektin ideal, shqiptarët nuk u realizuan kurrë tërësisht, me përjashtim të asaj që u realizua në fillim të shekullit të 20-të,  kur më 1912 u shpall pavarësia e Shqipërisë.

Një dukuri që vërehet prej kryengritjeve dhe rezistencave shqiptare është se ata gjithmonë kanë humbur dhe kanë dështuar, pa i realizuar synimet e tyre, gjë që tregon edhe papjekurinë e tyre mentalisht, për fat të keq, sepse kanë qenë vegla të tjetërkujt![26]

Më vonë, në vitin 1757, me paraqitjen e pashallëqeve në Shqipëri, Porta e Lartë e njohu Mehmet Bushatin për qeveritar të Sanxhakut të Shkodrës. Më 1771 Porta e Lartë i dha atij gradën e vezirit. Pas vdekjes së të atit, në pushtet erdhi i biri. Me bindjen dhe me krenarinë se ishte pasardhës i Skënderbeut, ai i premtoi popullit që do t’i lironte nga taksat për 20 vite. Historia na flet që edhe kjo rezistencë e tij ndaj qeverise osmane  qe e nxitur nga faktorët e jashtëm me motive fetare.[27]

Ai kërkoi ndihmë prej Rusisë për shqiptarët ortodoksë dhe prej Austrisë për shqiptarët katolikë kundër Sulltanit. Mirëpo, së fundi, edhe ky Kara Muhamed Pasha u rrëzua, mbasi që zhvilloi dy luftëra me osmanlinjtë, por përsëri pa sukses dhe me dështime.[28]

 

Kjo rrymë rezistuese dhe këto shenja dhe prirje të pavarësisë u paraqitën edhe në familjet e njohura dhe bujare në Kosovë, në Prizren në familjen e Rotullajve, në Pejë në familjen e Begollajve etj.[29]

Me rënien e pashallëkut të Shkodrës dhe ngritjen e pashallëkut të Janinës, me në krye Ali Pashë Tepelenën, më 1784, përsëri doli në skenë natyra rezistuese e shqiptarit e dirigjuar nga të tjerët, me synimin e bashkimit të tokave shqiptare nën një pashallëk.[30] Normal se ky plan nuk mund të realizohej vetë. Atëherë ai çka bëri? Iu drejtua grekut të krishterë ortodoks kundër Perandorisë Osmane, që edhe në fakt ishte nën Perandorinë Islame.

Ajo çka është me rëndësi të vihet këtu në pah është se këto rebelime, kryengritje, rezistenca të pashallëqeve shqiptare, nga fundi i shek. të XVIII-të, fillojnë të mbrohen dhe të arsyetohen me arsyetime fetare, me qëllimin e justifikimit të sjelljeve të tyre. Ali Pasha dallohej për aftësinë, energjinë, dinakërinë dhe dhunën e tij. Kjo vërehet më së miri në një fjalim të tijin, kur ai i nxiste ushtarët e tij për luftë kundër një fisi tjetër shqiptar në Shqipëri. Në mes të tjerash, ai ka thënë:

”…Le t’ia nisim prandaj t’i ç’rrënjosim të pafetë nga mesi, farën e keqe të suljotëve, dhe le t’i presim me vendosmëri të pafetë… Kështu, o vëllezër të mi, ju që jeni muslimanë të vendosur, bashkohuni me mua dhe të betohemi në emër të Allahut e të Profetit të Tij, që ose ta shtiem në dorë Sulin ose të vdesim…”[31]

Po ashtu kjo dinakëri e shtyri atë që, më 1820, t’i ftojë të gjithë priftërinjtë dhe hoxhallarët, shqiptarët dhe grekët, dhe pasi që u foli për të mirat ekonomike, arsimore dhe kulturore që janë arritur gjatë periudhës së tij, ai kërkoi nga ata përkrahje për fushatën e tij dhe mobilizimin e tyre në luftë kundër Sulltanit.[32]

Si zakonisht, edhe ky pasha, me këtë rebelim kundër perandorisë osmane, nuk pati sukses ashtu si shokët e tij. Së fundi, ai dështoi dhe u vra nga ushtria turke e sulltanit dhe koka e tij u ekspozua në Stamboll.[33]

Besoj bindshëm se këto raste historike të lartëpërmedura na mjaftojnë për të dëshmuar korrektësinë e teorisë sonë; se historia shqiptare ka shumë kapituj të haruar qëllimisht për ta injoruar faktorin fetar qoftë ai Krishter apo Islam, gjë që nuk pranohet dhe refuzohet kjo hisitori e shkruar dhe e helmuar për qështje objektive dhe metodologjike.

 

Doc.Dr.Hfz.Hajredin Hoxha
Vështrim islam rreth faktorit fetar në historinë shqiptare moderne dhe antike


[1] Shih Mehdi Frasheri, Historia e Lashtë e Shqipërisë dhe e Shqiptarëve,  f. 16.

[2] Për krimet dhe manipulimet e kishës dhe të klerit me pronat e popullit, shih: ‘Historia e Shqipërisë’ (Universiteti Shtetëror i Tiranës, Tiranë,1959) vëll. 1, f. 158; po ashtu shih ‘Shqipëria e popullit shqiptar’ vëll. 1, f. 157,175.

[3] Më gjerësisht, Hysamedin Feraj, Skicë e mendimit politik shqiptar, f. 62.

[4] Për aktivitetin e dioqezave ortodokse greke në trevat shqiptare që nga 1478 e deri në pavarësinë e Shqipërisë më 1912; Shih edhe Shqipëria dhe Sh.B.A në Arkivat e Washingtonit, Haris Saljxhiq, sht. bot. Dituria,1999 ribotim, f. 30…përkthyer nga Xhelal Fejza: titulli i origjinalit në boshnjakisht: Albania i  S.A.D. Kroz Arhive Washingtona

[5] Po aty, f. 62.

[6] Mehdi Frasheri, Historia e lashtë e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, (Tiranë, bot. i dytë, Phoenix, 2000), f. 240-241

[7] Më gjerësisht shih: Sami Frashëri, Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet, (Prishtinë, shtëpia botuese, Dija, Bot. i  dytë, 2001), f. 26-27.

[8] Më gjerësisht shih: Petrika Thëngjilli, Historia e Popullit Shqiptar, (Tiranë, botime Toena, 2000), f. 77-79; J. Swire, Albania The Rise of the kingdom, f. 11; Elez Biberaj, Albania a Socialist Maverick, f. 11; Gjergj Gashi, Arbëria dhe Vatikani, f. 9.

[9] P. Thëngjilli, Historia e popullit Shqiptar,80

[10] Shih John.V.A. Fine, JR. The Late Medieval Balkans, f. 7-8; Petrika Thëngjilli, Historia e Popullit Shqiptar, f. 83.

[11] Shih: Historia e popullit të Shqipërisë (Universiteti Shtetëror i Tiranës ,1959), vëll. 1, f. 178

[12] Më gjerësisht John V.A. Fine. JR. The Late Medieval Balkans, f. 60

[13] P. Thëngjilli, Historia e popullit shqiptar, f. 89.

[14] Po aty, f. 90-91.

[15] Po aty, f. 91.

[16] Më gjerësisht shih: J. Swire, Albania The Rise of a Kingdom, f. 12, P. Thëngjilli, Historia e Popullit Shqiptar,93; John.V.A. Fine, JR, The Late Medieval Balkans, 314-317; Mehdi Frashëri, Historia e Lashtë e Shqiptarëve dhe e Shqipërisë, f. 34; Muhamed Pirraku, Kultura kombëtare shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit, f. 43 e tutje

[17] Më gjerësisht: Historia e popullit shqiptar, vëll. 1, f. 204; Sami Frashëri, Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet, f. 29-30.

[18] Më gjerësisht shih: Petrika Thëngjilli. Historia e popullit shqiptar, f. 107-108.

[19] Historia e popullit shqiptar. vëll. 1, f. 208-209; Gjergj Gashi, Vatikani dhe Arbëria, f. 9; Historia e popullit shqiptar, (Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, ribotim, 2000, e hartuar nga grup historianësh), vëll. 4, f. 29-48.

[20] Në gjuhën e disa studiuesve të njohur bashkëkohorë, ky koalicion dhe bashkëpunim me grekun, serbin etj…ka qenë traditë e gjatë e bashkëpunimit … me traditë shqiptare, sidomos e atyre të JugutShih: Hysamedin Feraj, Skicë e mendimit politik shqiptar, f. 39-78.

[21] Për këtë shih edhe punimin tim me titull: Mitet serbe dhe justifikimi i masakrave dhe gjenocidit ndaj të tjerëve.

[22] Historia e popullit shqiptar, vëll. 1, f. 222; dhe po ashtu, shih Petrika Thëngjilli, Historia e popullit shqiptar, f. 120; Historia e popullit shqiptar, vëll. 4, f. 54.

[23] Për tradhtinë dhe për konvertimin e tij publikisht në krishterizëm dhe për të qenët e tij si mbrojtës i Evropës së krishterë flasin edhe këto baza historiografike shqiptare. Më gjerësisht shih: Stavro Skëndi, Zgjimi kombëtar shqiptar, f. 17; Historia e popullit shqiptar, vëll. 4, f. 60, 66, 77; Albania The Rise of a Kingdom, J. Swire, f. 14; Historia e popullit shqiptar, vëll. 1, f. 271; Petrika Thëngjilli, Historia e popullit shqiptar, f. 183.

[24] Ata kërkonin ndihmë materiale dhe shpirtërore prej Papatit dhe merrnin projektet e luftimeve prej tij… Në krye të këtyre kryengritjeve ka qenë kleri fetar i krishterë, peshkopët ortodoksë dhe priftërinjtë katolikë… Më gjerësisht, P. Thëngjilli, Historia e popullit shqiptar, f. 184; Historia e popullit shqiptar, 4, f. 86-87. Por edhe në disa raste të tjera, e sidomos kur u formua  Lidhja Shqiptare e Prizrenit, më 1877, si revolucion i gjithëmbarshëm shqiptar anti-osman, si do ta shohim më vonë, në krye të kësaj kryengritjeje ka qenë edhe kleri fetar musliman. Shih më gjerësisht: Skënder Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit,1877-1885, Prizren- Krushë e Madhe – sht. Bot. Drita, 1998), f. 19- 292

[25] Historia e popullit shqiptar (grup autorësh), vëll. 4, f. 86.

[26] P. Thëngjilli, Historia e popullit shqiptar, f. 269.

[27] Edhe studiuesi Dr. Husamedin Feraj, në lidhje me temën në fjalë, për qëndresën dhe rezistencën anti-osmane të shqiptarëve thotë: “…Arritjet e derisotme historiografike kanë pranuar se trazirat anti-osmane ishin lokale, kryesisht të motivuara fetarisht dhe ose janë nxitur nga shtetet e vogla evropiane e ballkanike, ose kanë pasur kryesisht karakter ekonomik, si kundërshtim i rritjes së taksave apo mospajtimit të tyre… Ndërsa tendencat separatiste u paraqitën vetëm nga fundi i shekullit të 18-të dhe fillimi i shekullit të 19-të…”.  Nuk pajtohem me profesor Ferajn, kur thotë se këto rezistenca dhe tradita të shqiptarëve, si për nga sasia dhe cilësia, nuk ishin përfaqësuese për tërë popullin shqiptar, se kishin një shtrirje gjeografike shumë të vogël dhe ishin lokale, se përfshinin pjesën më të pakët të popullit dhe të territoreve më të prapambetura…etj, për arsye se në vendet ku paraqitej rezistenca gjendeshin masa më të mëdha të popullit, ndërsa vendeve të tjera nuk u interesonte fort se çka po ndodhte në këtë rajon. Prandaj ajo rezistencë, në një aspekt ishte lokale, por përfaqësuese për të tërë shqiptarët, sepse të tjerët nuk kundërshtonin… Shih  Husamedin Feraj, Skicë e mendimit politik,  f. 46-49

[28]   Më gjerësisht, Historia e popullit shqiptar, 4, 90; Petrika Thëngjilli, Historia e popullit shqiptar, f. 270-278; Historia e popullit shqiptar, 1—398-410. Po ashtu, më detajisht shih disertacionin e doktoratës të Bedrush Shehut, Çështja shqiptare në vitet 30, të shekullit 19 (Instituti Albanologjik I Prishtinës, Prishtinë 1990), f.111-163.

[29] Abib Ahmeti, Theranda-Prizreni ndër Shekuj, (Prizren, Orient, 1996), f. 118; Historia e Popullit Shqiptar, vëll. 4, f. 93.

[30] P. Thëngjilli, Historia e popullit shqiptar, f. 286.

[31] Historia e popullit shqiptar, vëll. 4, f. 95.

[32] Historia e popullit shqiptar, vëll. 1, f. 442, për më gjerësisht shih: Bedrush Shehu, Çështja shqiptare në vitet 30 të shek. XIX, f. 61-128

[33] Historia e popullit shqiptar, vëll. 4, f. 93-98; Petrika Thëngjilli, Historia e popullit shqiptar, f. 281-288; Historia e popullit shqiptar, vëll. 1, f. 425- 435.

 

 

Related Stories

Na ndiqni në Youtube

spot_img

Tema të tjera

قضايا دينية، اجتماعية، سياسية معاصرة في ميزان القرآن: قراءة...

قضااي دينية اجتماعية سياسية معاصرة يف ميزان القرآن قراءة حتليلية يف تفسري األستاذ سيد قطب ورقة...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح القاضي مع الأستاذ إغناز غولد:...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث: التجربة الكوسوفية...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث التجربةالكوسوفيةمع الصربنموذج ورقة علمية قدمت في املؤتمر العاملي بعنوان: "...

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام ورقة علمية معدة للندوة العلمية يف امللتقى...

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية د/خيرالدين خوجة(الكوسوفي)

دراسات لأسلوب القرآن الكريم

سلسلة عرض وتقديم أعلام الدراسات القرآنية (3) دراسات لأسلوب القرآن الكريم للشيخ الأستاذ الدكتور محمد عبد الخالق...

Kategoritë më të popullarizuara

Comments