Llojet e personalitetit individual

0
2254

 

Në pjesën paraprake mësuam për faktorët që ndikojnë në personalitetin e njeriut dhe për dallimin në formimin personal të tij. Përgjatë gjithë historisë janë evidentuar tipe të ndryshëm të personalitetit, të cilëve psikologët u kanë dhënë emra sipas rezultateve të studimeve të bëra ndër vite[1].

Ndërsa hulumtonim për këtë çështje në fushën e lidershipit, kemi parë se si shkencëtarët nga fushat e psikologjisë dhe të lidershipit kanë aluduar tek disa lloje tjera të personalitetit individual, disa prej të cilëve i kanë klasifikuar si lloje të çrregullimit psikik e të tjerat thjesht si lloje të personalitetit[2]. Këtë klasifikim e shohim të rëndësisë së veçantë sepse ne, duke testuar dhe studiuar personalitetet për tu njohur me llojet e tyre, karakterin, zgjuarsinë dhe tiparet tjera të kandidatit të propozuar për lider, arrijmë ta njohim më mirë këtë kandidat, rrjedhimisht vendosim nëse është i duhuri apo jo për postin përkatës.

Disa studime tjera janë marrë me aspekte jo më pak të rëndësishëm se këto. Në fakt, ato kanë themeluar shkenca nëpërmjet të cilave ne arrijmë ta zbulojmë fytyrën e vërtetë të personalitetit, ta njohim nga afër dhe më mirë gjithsesi. Këtë shkencë e kanë quajtur tipologjia[3], që mund të quhet edhe karakterologjia, shkenca që studion karakterin e njeriut [4].

Kur iu kemi kthyer referencave bazë për të mësuar më shumë rreth kësaj shkence, jemi bindur për rëndësinë që ajo ka në zbulimin dhe njohjen e thellë të personalitetit të njeriut. Kjo për arsye se ne, nëpërmjet kësaj shkence, përtej dyshimeve arrijmë me ekspertiza bindëse[5] dhe testime të ndryshme të bëra në klinika psikologjike, universitete, laboratorë ushtarakë e shkencorë, ta njohim thelbin e ideve të njeriut dhe t’i analizojmë hollësisht  tiparet dhe sjelljet e tij[6].

Ajo që të donim të shtojmë është se, hapësira për të shtuar shkenca të tjera, të zbuluara tashmë apo që do të zbulohen në të ardhmen, është e hapur. Me këtë rast do të propozonim shtimin e:

  • Grafologjisë, apo shkencës e cila merret me leximin dhe analizimin e shkrimit dhe firmës (nënshkrimit) të njeriut. Është shkencë e rëndësishme e cila ka bazat, teoritë dhe fushat e saja përkatëse.
  • Fizionomisë, apo shkencës së leximit të fytyrës, (ferase-s) siç njihej dikur tek arabët. Edhe kjo shkencë ka bazat, teoritë dhe fushat e saja.
  • Përfitim nga ndonjë shkencë e re apo teori e re e cila lidhet me grupin e gjakut (Blood Type Personality Theory)[7], teori kjo e njohur tek japonezët[8]. Nëpërmjet saj arrihet të njihet dhe përcaktohet identiteti i personalitetit të njeriut.

Pas këtyre propozimeve për këto shkenca e teori të cilat na ndihmojnë ta njohim më mirë dhe më në detaje personalitetin e njeriut, konsiderojmë se është e domosdoshme t’i përmendim këto tipe apo lloje të personalitetit, pavarësisht që janë shumë, për shkak të rëndësisë që kanë. Për ta pasur më të lehtë kuptimin e tyre, do t’i listojmë në një tabelë të veçantë, sëbashku do të përmendim edhe termin në anglisht.

Prandaj, mos harroni se para se t’i çojmë lartë dy gishtat e rekomandimit për dikend; duhet të jemi të vetëdijësuar për llojet e personaliteteve në mënyrë që të bëjmë selekcionimin e personalitetit të duhur, dhe Allahu e di më mirë.

 

1. Personaliteti introvert
(An introverted personality) I izoluar me vetdëshirë, interesohet vetëm për punën e vet, nuk është i shoqërueshëm, nuk ambientohet shumë me rrethin, mund të korrë suksese në disa fusha, veçmas në ato që kërkojnë qetësi, përkushtim, izolim.

2. Personaliteti kërkues
(Compulsive personality) I paaftë për të shprehur ndjenjat, i mbyllur, i ndrojtur, i ngurtë dhe i fortë, shumë pak i shoqërueshëm, i pëlqen të jetë principiel ndërsa urren shthurjen dhe çrregullimin. E do punën dhe angazhohet fort por ka probleme me marrjen e vendimeve. Është shumë i drejtpërdrejtë dhe nuk di të bëjë lajka. Nuk u zë besë shpejt njerëzve dhe as nuk i fajëson shpejt ata; i stresuar dhe pa humor .

3. Personaliteti psikopatik
(The Psychopathic personality) Ndjek tekat dhe dëshirat, i vobektë nga ndjenjat dhe emocionet, as nuk lëshon pe dhe as nuk sakrifikon për askënd. Dallohet për tiparet të liga, si: gënjeshtra, vjedhja, dhuna, mungesa e besimit, mos përmbajtja, djall në formë të njeriut, personalitet në të cilin janë të portretizuara të gjitha tiparet e këqija.

4. Personalitet paranoid
(The paranoid personality) Njerëzit me këtë personalitet janë dyshues dhe të ndjeshëm prandaj edhe është e vështirë të ndihmohen. Ata nuk ju besojnë të tjerëve dhe dyshojnë në motivet e tyre. Janë të lëkundur, të irrituar, debatues dhe kokëfortë. Nuk krijojnë miqësi me lehtësi, pasi janë të prirë për skena xhelozie ne marrëdhëniet e tyre seksuale. Shpesh janë të fshehtë, dredhues dhe pa humor.

5. Personalitetit histerik
(Hysterical personality) Njerëzit me këtë çrregullim vazhdimisht duket se, luajnë një rol, ndërkohë që janë të paaftë për të qenë vetvetja. Kënaqen me të renë, kërkojnë pa pushim përvoja të reja, entuziazmi u shuhet shpejt dhe me lehtësi mërziten dhe mbesin të pakënaqur. Shpesh janë bosh, pa konsideratë dhe kërkues. Përdorin “kërcënime” emocionale, skena zemërimi dhe përpjekje suicide për të detyruar të tjerët të veprojnë në përputhje me dëshirat e tyre .

6. Personaliteti narcistik
(Narcissistic/egoistic/self-loving personality) Narcisizmi është vetëadmirimi i sëmurë. Njerëzit me këtë tip çrregullimi kanë ndjenjën e madhërishme të rëndësisë vetjake dhe preokupohen me fantazitë e sukseseve, pushtetit dhe mendjemprehtësisë intelektuale. Kërkojnë me çdo kusht vëmendje, shfrytëzojnë të tjerët dhe kërkojnë favore duke mos i kthyer ato. Kjo kategori karakterizohet me çrregullimet e personalitetit histerik dhe çrregullime asociale të personalitetit (antishoqëror).

7. Personaliteti i tipit skizoid
(The semi-schizophrenic personality) Njeri pothuajse skizofren, i çuditshëm, inkurajohet dhe dekurajohet nga gjëra të çuditshme, i duket sikur gjithnjë është i vëzhguar nga të tjerët, i mbyllur dhe me opinion të keq për të tjerët, ka raporte të reduktuara dhe i frikësohet përballjes dhe kritikës.

8. Personaliteti kufitar, i çregulluar
(The Borderline Personality Disorder) Ky term i referohet personalitetit që në disa mënyra është patologjik duke përfshirë paaftësinë për të formuar marrëdhënie të qëndrueshme, ndjenjën e vazhdueshme të mërzitjes, sjelljet dëmtuese si: shpenzime të paarsyeshme, kumar, i pakontrolluar ose vjedhje, gjendje shpirtërore të ndryshueshme, shpërthimet e pamotivuara të zemërimit, pasigurinë për identitetin personal dhe kërcënimet ose veprimet suicidale të përsëritura. Kjo kategori veçohet me çrregullime të personalitetit histerik, narcistik dhe antishoqëror.

9. Personalitet i shmangur
(Avoidant personality) Ikën nga njerëzit dhe shoqërimi me ta. Ngurron në krijim të lidhjeve të reja, ka frikë pranimin dhe refuzimin nga të tjerët, ka frikë nënçmimin dhe ofendimin…

10. Personaliteti i varur
(Dependable/Reliable personality) Këta njerëz kanë formën më ekstreme të karakteristikave të përshkruara të personalitetit varës. Ata përgjithësisht janë me vullnet të dobët dhe ju bëjnë lëshime në mënyrë pasive dëshirave të njerëzve të tjerë. Disa prej tyre i realizojnë qëllimet duke i bindur njerëzit t`i ndihmojnë, ndërsa protestojnë për paaftësinë e tyre. Në rast se, ata martohen mund të përkrahen nga bashkëshorti, kanë besim në vetvete, braktisin klasën shoqërore dhe mbesin të papunë për një periudhë të gjatë.

11. Personaliteti pasiv-agresiv
(Passive aggressive personality) Ky term përdoret për njerëz që u përgjigjen kërkesave me vonesë, qëndrim duarkryq, kokëfortësi, paaftësi të qëllimshme, shkujdesje të stimuluar dhe kritik të paarsyeshëm ndaj njerëzve me autoritet

12. Personaliteti i thyer, vetëmposhtur
(Defeated/Defeatist personality) Dëfrehet duke qenë i përbuzur nga të tjerët, nuk i beson vetes dhe as kapaciteteve që ka. Iu bën presion tjerëve që te shesh se a kanë durim dhe se sa mund ta durojnë atë.

13. Personaliteti obsesiv
(The obsessive personality) Interesohen për detaje në kurriz të cilësisë, kërkojnë idealen dhe angazhohen në punë dhe përkushtohen për të në kurriz të shoqërisë. Mbështetet vetëm tek vetja e vet, është ekonomist dhe jo ekstravagant.

14. Personaliteti depresiv
(Depressive personality) Njeri pa humor, i mërzitur dhe i dëshpëruar gjithmonë. Por dëshpërimi nuk ndikon në punën dhe kryerjen e detyrave. Nuk sheh bardh por vetëm zi.

15. Personalitet ekstrovert
(Extroverted personality) Zemërbardhë, gjithnjë në humor, sillet mirë, i do të tjerët, ka vetëbesim dhe u zë besë të tjerëve, merr vendime shpejtë, nuk është i përpiktë në termine, i pëlqejnë lavdatat dhe komplimentet, nuk e pëlqen fort punën.

16. Personaliteti pozitiv
(Positive Personality) Njeri që ka vështrim pozitiv për jetën, i qetë, i buzëqeshur, merr vendimet me maturi, dialogun me urtësi, i dëgjon të tjerët ndërsa flasin dhe diskutojnë.

17. Personalitet debatues
(The Sophist/debater personality) Vetëm debaton, flet pa ndërprerë, nuk ka një qëllim të caktuar në bisedë, vuan nga vetmia dhe problemet shoqërore, i ekspozuar ndaj depresionit.

18. Personaliteti i drejtpeshuar
(Balanced personality) Njeri me tipare dhe virtyte, i ekuilibruar, i pranon të tjerët dhe pranohet prej tyre.

19. Personalitet dyshues
(The Suspicious personality) Paragjykues, ka opinion të keq për të tjerët, u shmanget të tjerëve, nuk i pëlqejnë kritikat, debaton dhe armiqësohet shpejtë, ka dëshirë të dominojë dhe udhëheqë, në fokus ka të metat dhe gabimet e njerëzve.

20. Personalitet naiv
(The Naive personality) Pashpjegueshëm iu beson njerëzve, i shkujdesur, i pavëmendshëm rreth asaj që ndodh rreth tij, i akuzon të tjerët dhe i kritikon, është shumë i drejtpërdrejtë, madje edhe në çështje personale.

21. Personalitet i ashpër
(The Harsh personality) I rëndë në raport me të tjerët, zemër vrazhdë, vuan mungesën e mëshirës dhe butësisë, armiqësor, ndëshkon ashpër, me forcë i detyron të tjerët të nënshtrohen, i pëlqen hakmarrja.

22. Personalitet i dhembshur
(The Compassionate personality) Njeri me zemër të butë, i mëshirshëm me të tjerët, tolerant dhe falës, nuk hyn në debate dhe polemika, nuk armiqësohet me të tjerët.

23. Personalitet i kapitulluar
(The Capitulated/conceded personality) Njeri që i nënshtrohet të tjerëve, që përshtatet, frikacak, u shkon për shtati të tjerëve, i dobët për ta shfaqur mendimin, i fsheh ndjenjat dhe i paaftë për t’i shprehur e shfaqur ato, i intereson më shumë të tjerët se vetja, nuk ka guxim ta shikojë në sy atë që i flet .

Konsiderojmë se do të ishte e dobishme sikur me këtë rast të përmendnim edhe disa lloje tjera të personalitetit, si:

24. Personaliteti me ndjeshmëri të lartë (Hypersensitive Personality) Personaliteti i ndjeshëm i ka tre drejtime:
1) I ndjeshëm karshi vetvetes
2) I ndjeshëm karshi të tjerëve,
3) I ndjeshëm ndaj ambientit që e rrethon apo ku bën pjesë.

Personaliteti i ndjeshëm karshi vetvetes është ai që nuk i harron mendimet e këqia, i cili vuan nga kokëdhimbja dhe presioni i brendshëm, ka oreks të çrregullt, herë han shumë e herë fare, i stresuar dhe në ankth, e kritikon veten shumë sepse nuk arrin nivelet që pret…
I ndjeshëm karshi të tjerëve: çdoherë mendon se si e shohin të tjerët, çfarë thonë për të, ndikohet shpejtë, nuk i pranon lehtë vërejtjet.

Edhe atëherë kur nuk ka argument dhe provë, ai ka një vendim apo (para)gjykim për njerëzit që i ka përreth.
Personaliteti i ndjeshëm ndaj rrethit ku jeton është ai që nuk ndihet komod në mesin e njerëzve. Është ai që nuk ndihet i tillë as kur është vetëm madje në një dhomë dhe ka dritë të tepërt apo zëra të lartë, acarohet nga zhurma e befasishme apo lëvizjet e shpejta në trafik. Nuk i do lajmet e këqia. Ndikohet shumë nga letrat apo mesazhet që merr në rrjetet sociale…

25. Personalitet i çrregulluar, me identitete të ndryshme
(Split personality disorder, Multiple personality disorder, Dissociative Identity disorder) Për shkak të një përvoje të hidhur që ka pasur është i shkëputur nga identiteti personal, ndjenjat, idetë, emocionet, kujtimet, veprat. Ky person është nën ndikimin e dy identiteteve të ndryshme mbi veprat dhe sjelljet e tij .

26. Personaliteti hipokrit
(The hypocritical personality) Njeri i cili shtiret sikur është dikush që nuk është. Individ që shfaq të kundërtën e asaj që beson, njeri që thotë se beson ndërsa shpirtërisht mohon , njeri që fsheh armiqësinë ndërsa shfaq miqësinë. Është personalitet me rrezik të madh andaj duhet pasur kujdes prej tij.

27. Personaliteti karizmatik
(Charismatic-Charming-Attractive Personality) Ky personalitet dallohet për punë sistematike, për vendosmëri, zgjuarsi, mendjemprehtësi, horizont të gjerë të dijes, pavarësi, analizë të gjërave, kujtesë të fortë, nuk jepet pas gjërave materiale, pavarësi impotencës së lartë, është i përmbajtur, nuk jepet pas sporteve, arteve, muzikës dhe nuk i pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes. I dashur dhe i gatshëm për të ndihmuar të tjerët. Modest, vatandashës, i ndershëm, besnik, i fjalës, i besës, i përmbahet terminëve dhe orareve, e do jetën familjare, anon kah ana ushtarake, i dëgjueshëm dhe i pëlqen të jetë i dëgjueshëm. Të tillët janë të brumosur për të qenë liderë, jo diçka tjetër, andaj shoqëria nuk duhet t’i anashkalojë e t’i shpërfillë! Një shoqëri që nuk di si të përfitojë prej njerëzve të tillë, do të ngelë përherë shoqëri e prapambetur .

28. Personalitet eksploziv, shpërthyes, depresiv (Exploitative personality / Depressive personality)

Është njeriu me pamje të qetë, ndjenja të ftohta, zë të ulët, i edukuar dhe i sjellshëm në raport me të tjerët. E ndjek modën me kujdes. Kujdeset për anën fizike. As nuk do tejmase, as nuk urren tejmase. Ka impotencë të lartë, të zhveshur nga petku i pasionit. Kënaqet me pamje lakuriqe dhe biseda erotike. Sipas tij dashuria është puthitja e dy trupave dhe sekretimi. Dallohet për inovacion dhe sens shkencor. I aftë për të manovruar për të arritur deri tek pozitat e larta.

I dhënë pas grumbullimit të pasurisë. I shikon gjërat me llupë, vigjilentë, kupton shpejtë, i pavarur. Është pozitiv dhe objektiv, egoist i shkallës së parë. Në rrjedha me ngjarjet dhe ndodhitë e kohës, aftësi të rrallë shkrimi, ligjërimi e adresimi. Ka vizion më pak impulsiv. Është i çliruar nga principet. Nuk është shoqëror. Ka dëshirë të dominojë mbi njerëzit, është politikan dhe diplomat i klasit të parë. Shumë shpejt i përmbytë gjërat. Nuk ka dëshirë të futet thellë brenda njeriut. Mjaftohet me pesë shqisat dhe nuk i intereson asgjë tjetër, madje as kur zbaton vendime nuk interesohet për emocionet e huaja. Ka dyshime në fe, në gajbijate , moral, sistem. Nuk është shumë atdhedashës. Ndihet i depresionuar dhe sikur i është nënshtruar botës së errët brenda vetes së vet .

29. Personaliteti limfatik
(Lymphatic personality) I qetë, i ftohtë, objektiv, i heshtur, i natyrshëm, guximtar, duron sëmundjet, përherë i zënë me punë, ka principe, atë që e thotë e bën, durimtar, vetëmohues, i ruajtur nga mëkatet e gabimet, i pavarur në ide e mendime, vigjilent, tolerant, vizion të gjerë, i kujdesshëm në ushqim e pije, nuk është materialist, sillet si njeri esnaf dhe me virtyte, meriton t’i zihet besë, i përmbahet orareve, optimist .

30. Personalitet i zemëruar
(Angry Personality) Ndikohet shpejt dhe shumë. Ka aftësi t’u përgjigjet emocioneve të tij në mënyrë aktive. Nuk është për projekte të gjata që kërkojnë angazhim të madh e të gjatë. Ndërsa flet, bën gjestikulon me duar. Zërin e ka të lartë e jetën e zhurmshme. Është shumë i dhënë pas ushqimit, pijes dhe dëfrimit seksual. Shpejt pajtohet dhe shpejt hidhërohet. Dashurinë e kthen me dashuri, ka shpirt shoqëror .

 

Këto janë llojet më të njohura dhe më të rëndësishme të personaliteteve, dhe shpresojmë se janë të mjaftueshme për vendimmarrësit gjatë rekomandimit apo zgjedhjes së kandidatit të duhur për postin e liderit, dhe Allahu e më mirë.

 

Vëllai dhe kolegu im, Profesori i nderuar, dr. Muhammed Ajash Kubejsi, ka dhënë një kontribut të çmuar sa i përket çështjes së llojeve të lidershipit prej të cilëve kemi përfituar edhe në këtë libër. Ajo që nuk jam pajtuar me të, me gjithë respektin e madh që kam, ka të bëjë me përkufizimin që ka ofruar për shkencën e tipologjisë, të cilën, duke cituar shkencëtarë perëndimorë, Lusin më saktë, e definon kështu:

Karakterologjia është një mori prirjesh të natyrshme të cilat formojnë strukturën psikologjike të njeriut. Me prirje është për qëllim ato me të cilat lind njeriu, jo ato që fitohen apo ndryshojnë…. ” Më pas, Muhammed Ajjash Kubejsi vazhdon e thotë:

Karakterologjia në fokus ka studimin e tipareve të qëndrueshme të personalitetit të njeriut të cilat e përfaqësojnë identitetin e tij të veçantë. Kjo shkencë nuk ka asnjë lidhje me faktorë të jashtëm, si: feja, mendimi, shoqëria, sjelljet e ndryshueshme përveç në rastet kur shërbehet me to si tregues apo rezultat të llojit të karakterit…[1]

Përgjatë analizave, kemi ardhur në përfundim se nuk mund të pajtohemi me mendimin e Lusit dhe Kubejsit për sa i përket karakterologjisë. Në fakt, mund ta pranojmë pjesën e parë të definicionit por assesi pjesën tjetër ku përjashtohet roli i fesë si faktor i jashtëm. Kjo për arsye se në fjalorët dhe enciklopeditë që kemi konsultuar për kuptimin e termit tipologji[2], askund nuk e kemi gjetur këtë shtesë që e kanë bërë Lusi dhe Kubejsi, dhe nuk dimë nga e kanë marrë! Është e pamundur të studiosh personalitetet e të mos flasësh për faktorët e jashtëm mendimin, sjelljen dhe fenë me theks të veçantë. Kjo për fatin se njeriu lind në apo me fitreh, natyrshmëri të pastër, me personalitet të barazpeshuar e të pastër.

Të gjithë e duan të sapolindurin për shkak se është i mirë, i dashur, i këndshëm, pa vërejtje, si engjull, i pafajshëm… Por me kalimin e kohës, kur të jetë rritur e formuar, e shohim tek ndryshon në një person tjetër, në sjellje tjera, në qëndrime dhe mendime.  Pyetja: Përse ndodhë ky ndryshim në ide e moral? Përgjigja: Si rezultat i ndikimit nga faktorët e jashtëm: mendimi, shoqëria, kultura qoftë kjo perëndimore, lindore, amerikane, indiane, kineze, arabe, shqiptare, etj. Pra, njeriun nuk mund ta gjykojmë me të lindur sepse ai lind i pastër, me fitreh, që Kur’ani e ka përmendur, “ Drejtohu me përkushtim në fenë e drejtë, krijimtarinë e Allahut, sipas të cilës Ai i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim në krijimtarinë e Allahut. Kjo është fe e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë,”   ]Rrum:3[,

Gjykimi do të ishte i padrejtë! Vetëm atëherë kur të kemi mundësi ta marrim parasysh idenë, mendimin, kulturën e tij, fenë e tij, vetëm atëherë mund të kemi gjykim të drejtë ndaj tij.

Arsyeja pse po e përmendim këtë ka të bëjë me nevojën e themelimit të një shkence të re të quajtur karakterologjia apo shkenca e leximit të vijave, fytyrës, shfrytëzimi i grupit të gjakut për ta njohur më mirë dhe më saktë personalitetin e një kandidati të propozuar për një post me rëndësi dhe më pas përzgjedhjen, ose jo të tij.

Kur ta kemi studiuar këtë personalitet, ne vazhdojmë tutje me studimin  ideve, sjelljes dhe bindjeve të tij, për të arritur t’i ndajmë idetë dhe bindjet e fituara të këtij njeriu që dikur ka qenë i pafajshëm. Po kështu nuk mund ta studiojmë edhe thjesht vetëm nga perspektiva e fesë, kjo nuk është e drejtë, apo nga përspektiva mendimit apo shoqërisë, por duhet të mirren parasysh të gjitha ato që theksuam gjerë më tani.  Kjo është ajo që besoj, dhe Allahu e di më së miri!

Këtë të vërtetë e hasim në pothuajse të gjithë fjalorët që kanë definuar karakterologjinë e të cilët nuk e kanë përmendur pjesën e dytë që Lusi dhe Kubejsi e kanë përmendur. Ja, më qartë, definicione të shkëputura prej këtyre fjalorëve[3]:

Studim, analizim ose klasifikim në bazë të llojeve – detaleve në tërësi,  ose grupeve.”, dmth: feja,mendimi,morali, etj.

Në një fjalor tjetër qëndron: “Tipologjia nënkupton klasifikimin e gjërave  sipas llojeve të caktuara, detaleve si ndarjen e njerëzve në njerëz të mirë dhe të këqij.[4]” , dmth: me tërësinë e cilësive –të mira apo të keqia që i kanë dhe jetojnë me ta.

Në fjalorin e Kembrixhit qëndron: “Studimi i llojeve ose sistemi i ndarjes së gjerave në lloje detale, ku futet edhe feja – .[5]

Siç mund të vërejmë nga këto definicione të njerëzve ekspertë dhe kompetentë, Tipologjia ose Karakterologjia është shkencë e cila merret me studimin, analizimin dhe klasifikimin e njerëzve ose krijesave mbi bazën e llojit ose grupeve edhe tipareve tjera. Këtë pjesë nuk e kanë përfshirë dhe Lusi dhe Kubejsi, e po kështu dhe Fejsal bin Xhasim Al Thani, i cili i ka cituar nga Kubejsi tërësisht mendimin e  tij pa bërë ndonjë koment a shënim tjetër[6]!

Besoj se me kaq do të mjaftonte sepse kjo që kemi prezantuar mendojmë se mjafton për mënyrat e njohjes me llojin e personalitetit të propozuar për lider. Pra, ai që do ta njeh personalitetin e një kandidati të propozuar për një post të caktuar, duhet marrë gjërat me qetësi dhe maturi, jo me nxitim e nguti, duhet zhvilluar analiza dhe teste të personalitetit nëse duam ta zgjedhim kandidatin më të mirë. Këto teste që do t’i sjellim këtu, është një mënyrë tjetër për të mos i bërë padrejtësi askujt.

 

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

LIDERSHIPI I SUKSESSHËM (sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)

 

 


[1]Shih:Fejsal bin Xhasim Al Thani, El-kijadetu ve etheruha fi eksbi el-vela, f. 54-58; Muhammed Ajjash Kubejsi, Enmat esh-shahsijjeti ve ishkalat el-kijadeti ve etterbijjeti fi el-ameli el-muasir, f. 26-29.

[2]Shihe, krahasoje dhe analizoje këtë definicion me ato që kanë përmendur fjalorët e psikologjisë: https://www.psychologytoday.com/gb/blog/progress-notes/201904/personality-typology-and-the-secret-knowing-person.

[3]Shih:https://www.merriam-webster.com/dictionary/typology, “Typology.” The Merriam-Webster.com Dictionary, Merriam-Webster Inc., 13 janar 2020.

[4]Shih:https://www.vocabulary.com/dictionary/typology, 13 janar 2020.

[5]https://dictionary.cambridge.org/dictionary/english/typology, shfletuar më 13 janar 2020.

[6]Shih:Fejsal bin Xhasim Al Thani, El-kijadetu ve etheruha fi kesbi el-vela, vep. cit., f. 54.

 


[1]Shih:Derubi, Sami, Ilmu et-tibai – El-medresetu el-ferensijeh, (Egjipt: Dar el-mearif), f. 150-220.

[2]Shih:http://www.greekmedicine.net/b_p/Four_Temperaments.html.

[3]Shih:Derubi, Sami, Ilmu et-tibai – El-medresetu el-ferensijeh, ve.cit., f. 188-198.

[4]“Tërësia e veçorive psikike më kryesore, që shfaqen në veprimtarinë e në sjelljen e njeriut në shoqëri dhe që e shquajnë personalitetin e tij; njeri me veçori psikike e morale të caktuara. Me karakter të butë (të fortë). Me karakter të mbyllur. Tiparet e karakterit. Formohet karakteri. Nuk u puqen karakteret.., Ajo që e shquan diçka nga të tjerat, veti dalluese e diçkaje. Me karakter objektiv (subjektiv). Me karakter të përgjithshëm (të veçantë). Ka karakter klasor (politik, ideologjik). Karakter shkencor (artistik, pedagogjik). Ka karakter shoqëror (kombëtar, përparimtar)”. https://fjale.al/karakter

[5]Testimi i llojeve të personaliteteve, https://www.16personalities.com/free-personality-test.

[6]Shih:Derubi, Sami, Ilmu et-tibai – El-medresetu el-ferensijeh, ve.cit., f. 188-198.

[7]Shih: https://www.dailymedicalinfo.com/view-article, shfletuar më 23 janar 2020.

[8]Shih: https://www.tofugu.com/japan/japanese-blood-type, shfletuar më 23 janar 2020.