MODERNIZMI DHE SHQIPTARËT

0
659

 

Situata shoqërore në tokat shqiptare ishte përplot ngjarje dhe ndryshime të mëdha në sfera të ndryshme, ndaj dhe studimi në këtë kapitull trajtohet si hyrje për rezultatet që do t’i përfitojmë më vonë, p.sh. kur të zgjedhim shembull studimi doktrinën reformiste në Tefsir.

Periudha e viteve të tridhjeta të shek. XX karakterizohet si periudhë e gjallërisë dhe dialogut shkencor që zhvillohej në mes hoxhallarëve dhe ateistëve të njohur laikë. Mendimtarët laikë kishin përqëndruar tërë fuqinë dhe potencialin e tyre intelektual në mbrojtjen e teorisë së ateizmit, në nevojën për përkrahjen e teorisë së tillë dhe largimin e rinisë nga feja, duke u arsyetuar me parimin e lirisë së shprehjes dhe të mendimit!!!

Situata ishte aq shumë e tensionuar, saqë disa intelektualë që urrenin fenë kishin shkruar një letër përmes së cilës i akuzonin muslimanët dhe të krishterët bashkë, duke përdorur fjalë triviale dhe thumbime të ashpra që prekin nderin dhe dinjitetin e njeriut, si p.sh.: Nuk kanë tru ata që mendojnë se Zoti ka krijuar botën; Zoti është trillim i mendjes dhe nuk ekziston fare, triniteti është turpi i kohës sonë, zotëri Mesihu me fytyrë të shëmtuar nuk beson se është i biri i Zotit, por është i biri i Jusufit, Isai nuk është themelues i krishterimit, Bibla është përmbledhje tregimesh,[1] etj. Të gjitha këto ide bashkëkohore konfirmojnë se sa të rrezikshme ishin qëndrimet dhe grindja e tillë intelektuale.

Pasi që ne nuk mund t’i përmbledhim në detaje të gjitha ngjarjet e tilla, do të përqëndrohemi në studimin dhe analizimin e disa çështjeve të mëdha, të cilat do të na ndihmojnë të kuptojmë origjinalitetin e mendimit shqiptar fetar, dhe pozitën e mendimit të tillë në sheshin e konflikteve shoqërore dhe fetare.

Pjesa e dytë e këtij kapitulli të këtij hulumtimi, do të plotësojë pjesën e parë, ngase kuptimi i kësaj pjese varet ngushtë nga kuptimi i pjesës së parë, sepse natyra e këtij studimi lypë një hap të tillë dhe plotëson të dhënat e njërës pjesë me tjetrën. Unë do të përpiqem që lexuesve t’u ofroj çështjet e tilla fetare e shoqërore, me qëllim që të kuptojnë sa më mirë doktrinën shoqërore reformiste në tefsir dhe mënyrën se si dijetarët shqiptarë përpiqeshin t’i zbërthejnë problemet e tilla. Çështja e parë, e cila i preokuponte shqiptarët ishte çështja e emancipimit të gruas shqiptare muslimane.

 

Jehona e mendimit fetar reformist që vinte nga Lindja Arabe, gjegjësisht nga Egjipti, kishte depërtuar në tërë botën islame, si p.sh., në Indi, Turqi, në Rusi dhe veçanërisht në Kaukaz. Edhe fati i tokave shqiptare dhe atyre boshnjake [2] nuk ishte më i vogël se sa ai i botës islame.

Meqë Universiteti i Az’harit ishte minare apo qendër e mësimit dhe edukimit[3] në të gjitha fushat shkencore, të rinjtë shqiptarë drejtoheshin kah ky Universitet për të mësuar shkenca të ndryshme, dhe në këtë mënyrë u formuan marrëdhënie vëllazërore fetare në mes dijetarëve të Az’harit dhe studentëve shqiptarë.

Shumë studentë shqiptarë më vonë u bënë dijetarë të njohur, me autoritet dhe të suksesshëm në kohën bashkëkohore. Kjo kohë dallohet me idetë e disa mendimtarëve islamë që ishin nën ndikimin e metodave dhe mendimeve perëndimore, si p.sh. mendimtari Xhemaludin Afgani, Shejh Muhammed Abduhu si dhe nxënësit e tyre shejh Rashid Rida, rektori i Universitetit të Az’harit Ahmed Meragi dhe shumë të tjerë,[4] të cilët përpiqeshin të bëjnë ndryshime reformiste në metodën edukative az’hariane. S’ka dyshim se kjo ftesë gjeti ithtarë në botën islame, si p.sh., në Indi, Turqi, Siri, Bosnjë, Shqipëri, etj.[5]

 

Ndër çështjet politike në të cilat ishin përqëndruar reformistët, ishte çështja e gruas muslimane dhe pozita e saj shoqërore,[6] e cila në krahasim me gruan perëndimore ishte e prapambetur, regresive dhe jetonte e mbyllur në prangat e traditës. Asaj nuk i lejohej të merrej me aktivitete politike e as me ato shoqërore, etj. Idetë e tilla reformiste ndikuan dukshëm në mendimet dhe idetë e shqiptarëve që mësonin dhe studionin në Egjipt, Turqi dhe Indi, të cilat njëherit edhe konsideroheshin qendra ndërkombëtare të diturisë dhe kulturës,[7] ndaj, kur u kthyen në vendlindje, erdhën me idetë reformiste e ripërtëritëse.

Nëse i hedhim një shikim lëvizjes së filosofisë së mendimit islamik në tokat shqiptare dhe natyrës së dialogut e diskutimeve që zhvilloheshin në mes dijetarëve shqiptarë dhe oponentëve të tyre, do të bindemi plotësisht se edhe ata ishin të interesuar rreth këtyre çështjeve botërore dhe fetare. Çështjet e tilla filosofike dhe fetare do t’i kuptojmë, nëse i shfletojmë revistat, gazetat dhe traktatet që i publikonte Këshilli i Lartë i Komunitetit Musliman në Shqipëri nëpër qytete dhe kryeqytete të mëdha. Nuk ka ndonjë vepër që i ngërthen në vete të gjitha këto çështje, por janë të shpërndara në artikuj dhe shkrime shkencore që botoheshin në revistat dhe gazetat e tilla.

Para se të filloj me çështjen e çlirimit të gruas shqiptare, dëshiroj të flas për një çështje të rëndësishme që diskutohej shumë në mesin e dijetarëve shqiptarë, gjegjësisht për çështjen e ixhtihadit me të gjitha rregullat e tij,[8] gjë që vërteton se dijetarët shqiptarë kishin kulturë të lartë islame në të gjitha fushat, dhe këtë që e them për ta, vërtetohet me hulumtimet e tyre rreth këtyre çështjeve që do t’i përmendim më vonë. Pra, ne do të qëndrojmë para një grupi të dijetarëve të mëdhenj me pikëpamje të ndryshme e që përpiqeshin të zbërthejnë çështje fetare e intelektuale të kohës së tyre, por që janë të rëndësishme edhe për kohën tonë.

Sipas disa burimeve historike është zhvilluar një debat i gjatë dhe i ashpër në mes mendimtarit dhe studiuesit shqiptar, Mehdi Frashëri [9] dhe Shejh Hafiz Ismet Dibrës[10]. Mendimtari shqiptar Mehdi Frashëri kishte botuar një varg artikujsh në disa gazeta shqiptare rreth reformave që mund të zhvillohen në fenë Islame. Këto artikuj kanë kanë ndikuar që Shejh Hafiz Ismet Dibra të reagojë në revistën islame mujore, “Zani i Naltë”.

Kjo revistë përmbante në vete artikuj dhe mendime të tilla, dhe për këtë shkak gëzonte autoritet dhe pozitë të lartë te muslimanët dhe njerëzit në përgjithësi. Nëse u bëhet një rezyme ideve dhe fjalëve të Shejh Hafiz Ismet Dibrës në lidhje me reformizmin dhe përtëritjen e mendimit islam, do të arrijmë të konkludojmë se ai mendonte se Islami nuk kundërshton progresin shkencor dhe sfidat e kohës si dhe pranon reformat në disa çështje për të cilat flasin edhe hadithet e Pejgmaberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), përkatësisht për çështjet që kanë natyrë dhe karakteristikë specifike e që pranojnë të reformohen, ndërsa parimet fetare dhe bazat e besimit nuk mund të reformohen kurrë, ngase në këtë mënyrë shkatërrohet feja që nga themeli i saj.[11]

 

Çështja tjetër për të cilën ishte zhvilluar polemikë në mes tyre ishte pikëpamja e mendimtarit të sipërpërmendur, Mehdi Frashëri, se dera e ixhtihadit ishte mbyllur dhe se tani askujt më nuk i lejohet të merret me ixhtihad, dhe atë duke u bazuar në ëndrrën e Imam Gazaliut se dera e ixhtihadit ishte e mbyllur!!! Reagimi i Shejh Hafiz Ismet Dibrës ishte kategorik dhe i prerë: Ai refuzonte transmetimin e tij që kundërshtonte parimet e fesë, duke thënë se dera e ixhtihadit është e hapur dhe nuk do të mbyllet asnjëherë deri në Ditën e Kijametit. Më tej vazhdon Hafiz Ismet Dibra duke thënë se; a ka menduar ndonjëherë deklaruesi i fjalëve të tilla se ç’mendonte me mbylljen e derës së ixhtihadit? Argumenti i dytë mbi pavërtetësinë e deklaratave të mendimtarit, Mehdi Frashëri, është se ëndrra nuk konsiderohet burim i Sheriatit islam dhe s’mund të përdoret si argument për të mbështetur ide.[12] Këtu vërehet qartë origjinaliteti i mendimtarit fetar në të menduarit e Shejh Hafiz Ismet Dibrës mbi parimet e burimeve të fikhut gjatë reagimeve kundër mendimtarit Mehdi Frashëri.

Ne plotësisht pajtohemi me reagimet e tij bindëse. Dijetarët kanë hulumtuar shumë rreth kësaj çështjeje, si në të kaluarën, ashtu edhe në të tashmen, dhe kanë shkruar shumë rreth kësaj çështjeje, por ne këtu, nuk mund të zgjerohemi më shumë për shkak të natyrës së kufizuar të këtij hulumtimi. Më pas, mendimtari, Mehdi Frashëri, ka zhvilluar polemikë edhe për një çështje tjetër fetare, duke thënë se ka mundësi të reformohen edhe disa çështje fetare adhuruese, të cilat konsiderohen si çështje të definuara e që s’mund të jenë temë e ixhtihadit në asnjë mënyrë. Ai deklaronte se nëse lejohet të falet namazi mbi kafshë vetëm me shenja pa ruku e sexhde, atëherë një mënyrë e tillë mund të lejohet për ne, që edhe ne ta falim namazin në karrige brenda xhamisë pa ruku e pa sexhde! S’ka dyshim se një krahasim i tillë është tërësisht i pavlefshëm dhe me dallim të madh, sepse udhëtimi ka rregulla speciale në Islam, si në aspektin e të falurit ashtu edhe në aspektin e të agjëruarit. Shejh Hafiz Ismet Dibra (Zoti e mëshiroftë!) reagon dhe thotë se këto fjalë nuk janë të bazuara në burime Islame, dhe se namazi mbi kafshë është nafile e jo farz, ndaj dhe lejohet, kuptohet vetëm në rast nevoje.[13] Si mund të krahasohet diçka që lejohet nga nevoja, sëmundja, siç është rasti me namazin ulur në karrige brenda xhamisë, me diçka pa ndonjë arsye dhe pa nevojë!? Si mund të bëhet një krahasim i tillë?!

Nga ajo që vërehet prej dialogut të tillë, argumentohet se vërtetë ka pasur mendimtarë me mendime të kundërta rreth disa çështjeve dhe parimeve të fesë islame. Gjatë viteve 1920-1930 në mesin e shqiptarëve doli edhe një tjetër mendimtar që u afirmua me idetë, mendimet, ligjëratat dhe përqëndrimin në çështjen e edukimit dhe kulturës së femrës shqiptare si dhe në të drejtat e dy bashkëshortëve.[14]

Mendimtari në fjalë kishte përgatitur një rregullore që i ngjanë kushtetutës, e që përmbante dyzet nene rreth parimeve dhe ligjeve që kishin të bënin me martesën dhe kurorëzimin në Islam, kushtet e martesës dhe parimet e divorcit. Ai po ashtu shqyrtoi disa tradita shqiptare që ishin të pavlefshme e që kishin të bënin me martesën e femrave për kompensime parashë, krahas metrit ( pajës ) së caktuar. Kjo rregullore ndihmoi dukshëm në të kuptuarit e konceptit fetar që ekzistonte ndër shqiptarët në përgjithësi dhe ndër komunistët në veçanti, të cilët e shikonin fenë me urrejtje, me pretekstin se feja është regres dhe dekadencë.[15] Fatkeqësisht, në kohën e tij nuk kishte ndonjë Kur’an të komentuar e as të përkthyer nga gjuha arabe në gjuhën shqipe, për t’i kuptuar sa më mirë parimet e Sheriatit.[16]

 

Çështja e femrës kishte marrë jehonë të madhe në mes dijetarëve dhe mendimtarëve shqiptarë, ashtu siç kishte marrë jehonë edhe në mesin e mendimtarëve dhe dijetarëve arabë, posaçërisht polemikat rreth emancipimit dhe mbulesës së fytyrës e të duarve të femrës. Arsyeja kryesore që i shtyu dijetarët muslimanë të diskutojnë rreth kësaj çështjeje, ishte fakti se disa shkrimtarë laikë shqiptarë kishin shkruar një artikull historik ku thuhej se perçja i takonte historisë shqiptare të krishterë, gjegjësisht periudhës së murgeshave të virgjëra e beqare të kohës së mbretëreshës së krishterë, Katerina de Medici, si dhe kohës së vejushave të krishtera, të cilat e mbulonin fytyrën për nder të burrave të tyre. Autori i artikullit më tej vazhdon e thotë se perçja apo mbulesa e fytyrës nuk ka ekzistuar për gratë muslimane në periudhën e parë të Islamit. Në Bagdad dhe në Kordovë kishte mësuese dhe dijetare femra që merreshin me arsim e që i kishin fytyrat e çelura.[17]

 

Duke u bazuar në këto diskutime në mes dijetarëve reformistë, rryma reformiste islame filloi të përforcohet dhe të ndikojë në opinionin e përgjithshëm të muslimanëve dhe dijetarëve konservativë, ndaj, nisur nga ky fakt, Komuniteti Musliman i Shqipërisë (institucioni më i lartë fetar dhe shkencor) u detyrua të lëshojë më 01.03.1937, Vendimin nr. 1, për anulimin e perçes dhe për lejimin e shpalimit të fytyrës dhe duarve si dhe të drejtën që ajo të merret me aktivitete të jetës normale njerëzore. Në bazë të disa argumenteve të Sheriatit rreth kësaj çështjeje, anëtarët e Këshillit Suprem të Çështjeve Islame (Komiteti i përhershëm për Fetva) i kanë informuar muslimanët nëpërmes ligjëratave, mësimeve dhe revistave periodike ashtu siç e kanë informuar edhe pushtetin mbretëror të Ahmet Zogut.[18] Në fund të këtij vendimi pasonin nënshkrimet e anëtarëve të Komunitetit Musliman që përkrahnin vendimin e tillë.[19]

 

   

Pra, siç duket, këto ishin disa çështje që kishin të bënin me diskutimet reformuese rreth çështjeve fetare, gjegjësisht rreth femrës muslimane dhe çlirimit të saj. Këtë gjallëri dhe këtë aktivitet shkencor në mes dijetarëve e ka shfrytëzuar pushteti i Mbretit Ahmet Zogu në mënyrë negative për të ndërmarrë edhe disa reforma tjera që kundërshtonin rrënjësisht parimet e fesë islame, duke i dhënë përkrahje të fortë tarikatit të devijuar sufist bektashian, edhe atë në bashkëpunim me pushtetin italian për shkatërrimin dhe deformimin e Islamit.[20]

Periudha në mes viteve 1920-1940 njihet si periudhë e ndryshimeve dhe modifikimeve të parimeve dhe ligjeve të Sheriatit në Shqipëri,[21] si p.sh. ndryshimet rrënjësore në të drejtën civile.[22] Pushteti i kishte pranuar ligjet perëndimore pozitive të Zvicrës, Francës dhe Egjiptit, dhe gjithashtu kishte ndërmarrë edhe disa hapa për ndryshimin e disa simboleve fetare dhe mënyrën e jetësimit të tyre, pastaj i kishte revokuar nga puna gjykatësit islamë.

Në vitin 1921 kishte marrëveshje kombëtare islame shqiptare kundër shtetit osman, dhe nga marrëveshja e tillë rezultoi vendimi për pavarësinë nga Shejhul-Islami dhe nga shteti osman. Në mars të vitit 1923, kur pushteti osman ishte në fazë kritike, u mbajt një konferencë në Tiranë ku u caktua Myftiu i përgjithshëm i shtetit të Shqipërisë dhe zyrtarisht u ndërprenë lidhjet me halifatin osman. Ndërsa në qytetet e tjera të Shqipërisë, akoma edhe për një kohë vazhdoi lidhja me halifatin osman dhe respektimi i urdhrave që vinin nga Stambolli, siç ishte rasti p.sh., me qytetin e Shkodrës.[23]

Në vitin 1923 filloi të botohet revista islame “Zani i Naltë”, ku dijetarët dhe mendimtarët shqiptarë diskutonin dhe shqyrtonin tematika që kishin të bënin me jetën bashkëkohore, si p.sh. çështja e reformave në fe, kërkesa këmbëngulëse për heqjen e perçes dhe zbulimi i fytyrës. Perçja u ndalua zyrtarisht me vendim në vitin 1937.

Në vitin 1924, Ahmet Zogu lëshoi një dekret me të cilin ndalon diskriminimin fetar në Shqipëri, ku thuhet “Diskriminimi fetar nuk duhet të ekzistojë në jetën e shqiptarëve në asnjë mënyrë dhe se muslimanët dhe të krishterët duhet të gjejnë një zgjidhje të kësaj çështje, gjegjësisht duhet t’i anulojnë mospajtimet fetare…”

Ata që më së shumti e pësuan nga instruksionet e këtij ligji të ri, ishin hoxhallarët (teologët), të cilët patjetër duhej të largoheshin krejtësisht nga aktiviteti politik. Shteti i ndërroi teologët e njohur dhe ata nuk kishin më kurrfarë të drejte të kenë ndonjë lidhje me çështjet financiare që vinin nga jashtë. Sipas shtetit, feja nuk mund të jetë rrezik e as ndonjë pengesë politike dhe kategorikisht ndalohet shfrytëzimi i fesë për qëllime politike”.[24]

Në rrethana të tilla jostabile shoqërore e fetare, ndodhi edhe një anulim i parimeve fetare që kanë të bëjnë me shoqërinë muslimane shqiptare, gjegjësisht ndalimi i poligamisë. Në këto rrethana filluan të përkthehen[25] tekste kur’anore pjesërisht,[26] filluan të shfaqen ide të ndryshme fetare mbi mënyrën e aplikimit dhe jetësimit të Islamit. Çështja e dytë që kishte pësuar ndryshime ishte përpjekja e parlamentarëve për ta penguar alfabetin arab në shkrimet shqipe dhe zëvendësimin e tij me alfabetin latin. Në kushtetutën e shtetit shqiptar në vitin 1928 thuhet qartazi se në Shqipëri nuk ka fe zyrtare. Të gjithë fetë respektohen si dhe ndalohet përdorimi i feve për qëllime politike. Siç duket, parimet e shtetit shqiptar ishin laicizmi dhe sekularizmi,[27] liria fetare individuale, barabarësia e feve dhe shfrytëzimi i feve në favor të shtetit laik.[28] Pra, në rrethana të tilla, pozita e muslimanëve filloi të dobësohet dhe të përkeqësohet. Aplikimi i parimeve të Islamit u bë shumë i vështirë në kohën e Mbretit Ahmet Zogu.[29]

Në vitin 1929 u organizua një konferencë e madhe në Shqipëri, ku u takuan dijetarë të mëdhenj sunitë dhe morën disa vendime që ishin të vështira, por të pranuara nga mbretëria e Mbretit Ahmet Zogu. Në atë konferencë u vendos që arabishtja të përdoret vetëm në ligjërata, vaze, lutje e derse, të gjitha shkollat fetare dhe qendrat edukative të jenë nën kontrollin e mbretërisë shqiptare dhe të mbyllen shumica e xhamive të mëdha, përveç dy ose tri xhamive në çdo qytet.

Sipas disa të dhënave statistikore, numri i xhamive u zvogëlua në mënyrë të jashtëzakonshme për shkak të vendimeve të kësaj konference. Në vitin 1929, numri i xhamive në të gjitha qytetet e Shqipërisë ishte 990, ndërsa në vitin 1934 numri është zvogëluar në 560 xhami. Hoxhallarët ishin të obliguar të mbanin legjitimacion të dhënë nga pushteti qendror i Tiranës, me qëllim që më lehtë të kontrolloheshin dhe të gjendeshin nga shteti.[30]

Ndër personalitetet që ftonin në reforma dhe në çlirimin e gruas shqiptare brenda doktrinës fetare reformiste ishte profesori, Shejh Hoxhë Kadriu, që kishte mbaruar shkollën e mesme fetare “El-Fatih” në Stamboll, pastaj kishte diplomuar me sukses të lartë në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Stambollit. Pas diplomimit, punoi si ligjërues në të njëjtin Universitet dhe fitoi autoritet të lartë.

Tërë jetën e vet e kaloi në aktivitete fetare, politike, kombëtare dhe në shërbim të Islamit. Nga shokët dhe bashkëkohësit e tij është përcjellë se ka qenë shumë i drejtë dhe objektiv në mendime. Kur është caktuar Ministër i Drejtësisë në Shqipëri, ka bërë disa ndryshime në ligjin e të drejtës civile që kishin të bëjnë me çështjen e kurorëzimit dhe martesës. Ai po ashtu kërkonte që të ndryshohet ligji që e kishin trashëguar nga shteti osman.[31] Ky ishte i njohur edhe për nga aktivitetet rreth çështjeve që kishin të bënin me emancipimin, por në kushte dhe rregulla të posaçme.[32] Ishte shumë objektiv me shkrimet e tij dhe në diskutimet që i zhvillonte me kundërshtarët dhe oponentët e tij, duke mos dalë asnjëherë nga kultura islame, kur nuk pajtohej me të tjerët,[33] madje as që është hakmarrë ndonjëherë ndaj dikujt.[34] Nga qëndrimet më të njohura të tij që i shkruante nëpër gazeta e revista kundër laikëve ishte mendimi i tij se gruaja është gjysma e shoqërisë, ndaj si mund të braktiset, të injorohet e të sakatohet kjo qenie fisnike?! Ai nuk pranonte mendimin e laikëve që gruaja të del e zhveshur dhe lakuriqe. Ai po ashtu mendon se nuk duhet ta kushtëzojmë gruan me lakuriqësi, nëse dëshirojmë ta edukojmë dhe arsimojmë. Ky mendimtar ishte i mendimit që gruaja duhet të punojë punë të ndershme për të kontribuar në ngritjen e ekonomisë së shtetit. Hoxhë Kadriu nuk lejonte që femra të vozitë veturë, tren ose aeroplan.[35]

Për sa i përket çështjes së martesës së gruas muslimane, ai mendonte se duhet të merret pëlqimi i saj në martesë dhe se nuk duhet të detyrohet në martesë me ndonjë burrë që e urren, ashtu siç e kishin zakon dhe traditë shqiptarët. Ai gjithashtu ashpër e luftonte hipokrizinë dhe hipokritët.[36] Mendoj se natyra e tillë e tij ishte formuar në edukatën islame që e kishte marrë në shkollën “El-Fatih” dhe në Universitetin e Stambollit, ashtu siç ishte përgatitur edhe me ide e kulturë të lartë islame dhe kombëtare.[37]

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)

 


[1] Shih më gjerësisht: Ali M. Basha, “Islami në Shqipëri gjatë shekujve”; 156-157.

[2] Mbi bazat historike botërore reformiste dhe ndikimin e tyre në mendimin fetar boshnjak në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX. dhe në shtetet e tjera që kanë qenë në ndikimin e drejtpërdrejtë ose të tërthortë në Az’har shih: Fikret Karçiq, “Drushtveno-pravni aspekt islamskog reformizma-Pokret za reformu Sherijatskog prava i njegov odjek u Jugoslaviji u prvoj polovini XX vjeka”; Sarajevo 1990, 29-67.

[3] Po aty, f. 69 (në margjinë).

[4] Mbi aktivitetet dhe veprat e mendimtarëve, dijetarëve dhe themeluesve të shkollës reformiste është shkruar shumë si nga autorët arabë, ashtu edhe nga ata perëndimorë dhe në këtë kontekst, shih më gjerësisht: Fehd ibn Abdurrahman Er-Rumi, ”Menhexhul-medresetil Islahijjetil-Aklijjeti fit-Tefsir”; Rijad, botimi i vitit 1994, 1; Daniel Neil Crecelius, “The Ulema and the state in modern Egypt”; Princeton, N. J. Princeton University Presss, 1967; Ph. D. J. J. G. Jansen Thesis, “Koran interpretation in the Modern Egypt”.

[5] Mbi historinë e ripërtëritjes së mendimit fetar, reformat dhe reformistët e njohur, shih veprën e Ebu A’la El-Maududi “A short history of the Revivalist Movement in Islam”; translated by Al-Ash’ari, the other Press, Petaling Jaya, Kuala Lumpur, Malaysia 1999, 24-77.

[6] Gazmend Shpuza, “Kuvendime për historinë kombëtare”; 231-236, 237-242

[7] Roberto Maroco de la Roka, “Kombësia dhe feja në Shqipëri”; 209; Muhamet Pirraku, “Kultura kombëtare shqiptare”; 393.

[8] Një ndër veprat më të mira që janë shkruar mbi ixhtihadin dhe parimet e tij është vepra “El-Muvafakat fi Usulish-Sheriatil-Islamijjeti” nga autori Ebu Is’hak  El Shatibi (ka vdekur në vitin 790 hixhri), recensoi: Shejh Ibrahim Ramadan dhe komentoi Shejh Abdullah Derraz, Bejrut, Darul-Ma’rifeti, bot. 4, 1999; vëll. 4, f. 463-638.

[9] Shkrimtar, historian dhe politikan eminent shqiptar nga fshati i njohur Frashër i Shqipërisë së Jugut. Ai është autor i shumë veprave mbi historinë e lashtë shqiptare. Ky dijetar ka jetuar në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX. Nuk pata mundësi të gjej gjë rreth datës së lindjes dhe vdekjes së tij: “Historia e Popullit Shqiptar”; vëll. 2, 449, 452, 603.

[10] U lind në qytetin Dibra e Madhe, Maqedoni në vitin 1886 dhe mësimet e larta i vazhdoi në Stamboll. Ka qenë ekspert i fikhut, tefsirit, logjikës, filosofisë dhe hadithit dhe ka kontribuar shumë në Medresenë e Mesme Fetare në Tiranë. Ai njihte arabishten, turqishten dhe persishten. Atij i është ofruar pozita e ligjëruesit dhe shefit të një katedre në Universitetin e Stambollit, por ka refuzuar ngase kishte preferuar vendlindjen dhe atdheun e vet. Ai karakterizohej si trim dhe mbrojtës i të vërtetës dhe është burgosur nga pushteti komunist vetëm se ishte fetar dhe kështu ka kaluar 12 vjet në burg. Ramiz Zekaj, “Zhvillimi i Kulturës Islame te shqiptarët gjatë shekullit XX”; 312-314.

[11] Mbi polemikat e tilla shih më gjerësisht: Ali M. Basha, “Islami në Shqipëri gjatë shekujve”; 140-141.

[12] Po aty, f. 141.

[13] Po aty, f. 141-142.

[14] Dijetari i njohur Haxhi Vehbi Dibra-Agolli (mbimri i marrë sipas qytetit të lindjes Dibra e Madhe në Maqedoninë aktuale) u lind në vitin 1867 dhe vdiq në vitin 1937. Ai ka qenë i njohur si dijetar, myfti, politikan dhe muxhahid i spikatur; Rrjedh nga një familje fetare që respektonte parimet e fesë islame. I ati i tij ka qenë po ashtu myfti. Që nga fëmijëria dallohej për nga shkathtësia dhe interesimi i posaçëm ndaj personaliteteve të njohur nga historia shqiptare. Ai dallohej edhe për nga sjellja e mirë e tij. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa mësimet e larta në Stamboll, dhe ishte ndër studentët më të mirë. Ai mësoi arabishten, turqishten dhe persishten, pastaj u specializua në filosofinë islame, logjikë e fikh. Po ashtu dha kontribut të madh në politikë dhe në reformat fetare si dhe shkruante artikuj të rëndësishëm dhe hytbe në revistën “Zani i Naltë” që botohej në Tiranë. Ligjëratat e tefsirit te suretu El Fatiha u përmblodhën në një vepër me titull “Ç’urdhënon Kur’ani – kuptimi i Fatihas me shpjegime”, dhe unë pata rastin që ta posedoje kopjen e ketij tefsirit gjatë vizitës sime në Shqipëri, kur vizitova Komunitetin Musliman të Shqipërisë në Tiranë. Duke biseduar me autorin dhe profesorin Ali M. Basha rreth temës së disertacionit tim, ai më tha se kishte një kopje të këtij tefsiri që i kishte ardhur nga drejtori i Qendres Islame Shqiptare në ShBA, Imam Vehbi Islamilit, Allahu e mëshiroftë, dhe prof. Ali Basha më lejoi që ta fotokopjoj dhe për  të cilin i falënderohem sinqerisht dhe lus Zotin e Madhërishëm që ta shpërblejë! Më gjerësisht shiko: Qazim Xhelili, “Vehbi Dibra-personalitet dhe veprimtar i shquar i lëvizjes kombëtare”; Albin, Tiranë 1998, 4-20; Ramiz Zekaj, “Zhvillimi i Kulturës Islame te shqiptarët gjatë shekullit XX”; 288-291.

[15] Po aty, f. 142.

[16] Rreth detajeve të kontributit të këtij dijetari reformist më gjerësisht shih: Qazim Xhelili, “Vehbi Dibra-personalitet dhe veprimtar i shquar i lëvizjes kombëtare”; 252-259.

[17] Ali M. Basha, “Islami në Shqipëri gjatë shekujve”; 142-143.

[18] Mbreti Ahmet Zogu, i biri i Xhemal Pashë Zogollit, u lind më 05.10.1895 në Burgajet të Matit, Shqipëri. Saktësisht nuk dihet rrjedha e këtij mbreti. Në fillim ishte kryetar i Shqipërisë, pastaj është bërë Mbret i saj gjatë viteve 1925-1939. Gjatë periudhës së tij, Shqipëria ka përjetuar korrupsion, mjerim dhe dekadencë politike, fetare, ekonomike e shoqërore. Ishte humbës dhe i pa përvojë në udhëheqjen e shtetit dhe njerëzve, ngase nuk ishte i përgatitur për një post të tillë. Ka qenë në shërbim të pushtetit italian dhe jugosllav. Në vitin 1961 ka vdekur në Paris nga kanceri në stomak dhe nga shumë infarkte në zemër. Më gjerësisht mbi jetën dhe veprat e këtij mbreti tiran shih: Bernd J. Fischer, “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri”; përktheu nga origjinali Krenar Hajderi, Çabej, Tiranë, bot. II, 1984, 11-27, 305-322; “Historia e Popullit Shqiptar”, vëll. 2, 546-613.

[19] Po aty f. 143.

[20] Roberto Maroco de la Roka, “Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1944”; 117-142; Ismail Bardhi, “Hafiz Ibrahim Dalliu dhe Egzegjeza e tij kur’anore”; 84-86. Frances Trix, “Spiritual discourse-learning with an Islamic master”; University of Pensilvania, 1993.

[21] Roberto Maroco de la Roka, “Kombësia dhe feja në Shqipëri, 1920-1944”; 2728.

[22] Mbi gjykatat e Sheriatit, mënyrat e funksionimit dhe ligjet e të drejtës civile në shoqërinë islame në ish-Jugosllavi, shih: Fikret Karçiq, “Sherijatski sudovi u Jugosllaviju 1918-1941”; Islamski Teoloshki Fakultet, biblioteka posebnih izdanja, Sarajevo 1986, 49-73.

[23] Roberto Maroco de la Roka, “Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1944”; 28.

[24] Po aty, f. 26-36.

[25] Mbi lejimin, ndalimin, problemet e përkthimin te Kur’anit Fisnik shihi punimet e profesorëve të respektuar dr. Suad Jëldërim, dr. Abdulkahhar El-Ani, dhe dr. Habibur-Rahman Ibremsa në “7th International Conference of Translation-the Translatin of Religions Texts”; 6-8, December, 1999, Kuala Lumpur, Malaysia, 101-106, 293-315, 319-355.

[26] Mbi historinë e përkthimeve të Kur’anit Fisnik gjuhën shqipe, tërësisht ose pjesërisht, shih studimin e prof. dr. Feti Mehdiut me titull, “Përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe”; Logos-A, Shkup 1996.

[27] Mbi të vërtetën dhe rrezikun nga laicizmi shih: Dr. Jusuf El-Kardavi, “El-Islam vel-Almanijjetu vexhhen li vexhhin”; Kajro, Mektebu-Vehbe, bot. 7, 1997, f. 74-106.

[28] Po aty, f. 31-32.

[29] Mbi jetën, kulturën dhe veprat politike të këtij mbreti shih: Bernd J. Fischer, “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri”; 11-29, 94, 114, 248.

[30] Ali M. Basha, “Islami në Shqipëri gjatë shekujve”; 140-146; Ismail Bardhi, “Hafiz Ibrahim Dalliu dhe Egzegjeza e tij Kur’anore”; 75, 87; Roberto Maroco de la Roka, “Kombësia dhe fetë në Shqipëri”; 32-33.

[31] Shejh Hoxhë Kadri Prishtina u lind në vitin 1878 në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. Mësimet e para i mori në vendlindje në gjuhën turke dhe që nga fëmijëria u dallua me interesimin e madh të tij ndaj personaliteteve të mëdha. Pastaj vazhdoi shkollën e mesme në qytetin e Shkupit, Maqedoni, duke u dalluar nga të tjerët për nga serioziteti në mësime. Prindi i tij i ndihmoi që të vazhdojë studimet universitare në Fakultetin Pedagogjik në Stamboll, edhe pse jetonte në kushte të vështira jetese. Më tej pati sukses që të regjistrohet në shkollën “El-Fatih” të Stambollit, ku mësoi gjuhën arabe, perse dhe kulturat e popujve tjerë. Ai dallohej me aktivitetet e tij në fushën e reformave fetare dhe kombëtare. Në vitin 1904 regjistrohet në Fakultetin e Drejtësisë, ku edhe diplomon dhe më pas caktohet profesor po në të njëjtin fakultet. Ka punuar në gjykatën e Stambollit në shtetin Osman dhe më pas punoi avokat, pasi i kaloi të gjitha provimet e nevojshme për një detyrë të tillë. Në vitin 1921, u caktua Ministër i Drejtësisë në Shqipëri dhe botoi revistën fetare me titull “Udha e së vërtetës”. Vdiq në vitin 1925 në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë. Më gjerësisht shih: Eqber Skendi, “Hoxhë Kadriu-Kadri Prishtina”; Rilindja, Prishtinë 1992, 8-20, 217-219; Qemajl Morina, “Hoxhë Kadri Prishtina- mendimtar Islam”; Kryesia e Bashkësisë Islame, Prishtinë 2000, 7-97.

[32] Eqber Skendi, “Hoxhë Kadriu-Kadri Prishtina”; 35-102.

[33] Mbi etikën e dialogut shih më gjerësisht: Taha Xhabir El-Ulvani, “Kultura e dialogut në Islam”; botuar nga Institutiti Ndërkombëtar i Mendimit Islam, bot. 2, 1992, Kuala Lumpur, Malaysia, 97-98.

[34] Po aty, f. 152-154; “Historia e Popullit Shqiptar”; vëll. 4, 308-310.

[35] Po aty, f. 150-152.

[36] “Historia e Popullit Shqiptar”; vëll. 4, 308-310.

[37] Ky personalitet i rëndësishëm islamik zë një vend të zgjeruar në hulumtime, studime e punime rreth aktiviteteve kombëtare e politike, por, për fat të keq, gjithnjë ia kanë injoruar aspektin islamik. Punimi më i mirë që studion aspektin islam të këtij eruditi është ai i profesorit Mr.Qemajl Morina: “Hoxhë Kadri Prishtina-Mendimtar islam”.