MANIFESTIMET E MESATARES SI DHE NDIKIMI I TYRE NË REALIZIMIN E INTEGRIMIT DHE UNITETIT TË UMMETIT

0
207

 

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar që na udhëzoi në Islam! Përshëndetjet qofshin mbi zotërinë dhe shëmbëlltyrën tonë, Muhammedin, paqja dhe mëshira e Allahut të Madhëruar qofshin mbi të, familjen, shokët dhe të gjithë pasuesit e tij!

  1. Fillimisht, do të doja të përkujtoj disa të vërteta dhe rregulla fundamentale fetare, të cilat janë të një rëndësie shumë të veçantë, si: “Nuk ka dëm reciprok (La darere ve la dirar)”; “E keqja largohet sipas mundësisë (Ed darer juzalu bi kadri-l-imkan)”; “E keqja nuk largohet me një të keqe identike apo më të madhe se ajo (ed darer la juzalu bi darerin mithlehu ev ekbere minhu)”; “E keqja e vogël përballohet për të larguar të keqen të madhe (juhtemel ed darer el edna li def’i ed-dareri-l-a’la)” etj

Bazuar në këto rregulla që përmendëm, çdo e keqe, lëndore apo kuptimore qoftë, si: terrorizmi dhe radikalizmi bashkëkohor, frikësimi dhe shqetësimi i njerëzve të pafajshëm, nga pikëpamja islame konsiderohen vepra të urryera dhe refuzuara, të ndaluara me të gjitha format dhe llojet e tyre, dhe pikërisht nga këtu, Islami na fton që qëndrimin tonë karshi kësaj sfide ideore dhe besimore të shtrembëruar, prej së cilës vërtet ka vuajtur dhe vazhdon të vuajë njerëzimi dhe bota përreth, ta ndërtojmë duke u bazuar në metodologjinë kur’anore.  

Duke u kthyer tek udhëzimi kur’anor, ne, me lejen e Allahut, do të arrijmë tek rrënjët e kësaj problematike shoqërore dhe fetare, do të njihemi me ligjet kozmologjike të Allahut të Madhëruar dhe mënyrën e ndërrimit (ndryshimit) të gjendjeve, dhe kësisoj Kur’ani do të jetë për ne derë e daljes nga problemet, do të jetë zgjidhje për shpëtim nga këto kriza ideologjike dhe shoqërore, sikurse që do të jetë ilaç për këtë sëmundje të rrezikshme, e cila ka goditur shoqërinë bashkëkohore. “Kjo, ngase, si e dimë, tërë gjithësia dhe çfarë ka në të, janë të krijuara prej Allahut të Madhëruar me një sistem, shkak dhe qëllim të caktuar, dhe çdo dukuri në të i nënshtrohet një morie rregullash dhe ligjesh hyjnore, të cilat kontrollojnë ekzistencën dhe mbarëvajtjen e saj; asnjë dukuri nuk mund të dalë jashtë kontrollit. Çdo gjë lëviz dhe qarkullon sipas një balancimi dhe rregullimi. 

Edhe dukuritë shoqërore, që janë pjesë e dukurive kozmologjike, në shfaqjen dhe ndryshueshmërinë  e tyre iu nënshtrohen shkaqeve dhe ligjeve shoqërore të njohura, të cilat janë në kuadër të ligjeve hyjnore kozmologjike. 

Fenomeni i ndryshimit (reformimit) në jetën e muslimanëve ka qenë vërtet një dukuri dhe proces i madh në histori, pas së cilit doemos se qëndrojnë shkaqe të rëndësishme dhe të ndryshme, ndërsa ne, në varësi të thellimit në studimin e tyre dhe përcaktimin e pikave të ndikimit të tyre, mund të vëmë duart në rrënjët e krizës kulturore dhe civilizuese në periudhën bashkëkohore… ”

Këtë të vërtetë fetare e kanë promovuar Kur’ani dhe Sunneti me shprehje dhe forma të ndryshme, ndërsa ummeti, përgjatë gjithë historisë, ka dëshmuar njëzëri obligimin për mbajtjen e këtij parimi në të gjitha çështjet e fesë. Fatkeqësisht, disa kanë devijuar dhe kanë lajthitur nga ky parim, kështu që në fund kanë përjetuar dëshpërim, ani pse ata vazhdimisht kanë menduar se janë duke bërë mirë dhe duke vepruar drejt.  

  1. Islami është fe e paqes dhe sigurisë, është fe e jetës, e ndërtimit dhe kulturës. Misioni i tij është krijimi i një ambienti të qetë dhe të mirë për njerëzit. Vdekja, mbytja, shkatërrimi dhe shqetësimi nuk janë pjesë të tij. Këtu mbase qëndron dhe sekreti i luftës së pakompromis të Islamit kundër këtyre dukurive shkatërruese, pra ekstremizmit dhe radikalizmit në ide, drejtime dhe besim. Kësisoj, Islami na fton tek mesatarja, ekuilibrimi dhe maturia, sikurse që na fton që t’i referohemi bazës apo qendrës, Kur’anit dhe Sunnetit, në mënyrë që prej tyre të marrim udhëzimet dhe rekomandimet e duhura për trajtimin adekuat dhe të suksesshëm të kësaj dukurie dhe për ndjekjen e rrugës, e cila të shpie drejt kënaqësisë së Allahut në këtë botë dhe në botën tjetër.  
  2. Dijetarët kompetentë të ummetit, si në të kaluarën ashtu edhe tani, konstatojnë njëzëri se qëllimet dhe objektivat e fesë sonë të pastër janë vënë për të realizuar gjërat madhore që kanë të bëjnë me njerëzimin dhe jetën e tij. Këto të mira (interesa), ruajtjen e të cilave e ka marrë përsipër feja jonë, janë të shenjta dhe në asnjë mënyrë nuk lejohet që ato t’i ekspozohen së keqes. Këto interesa konsistojnë në: ruajtjen e fesë, qenies, mendjes, nderit dhe pasurisë. Këto pesë interesa njihen nga dijetarët si el-kul-lijjat el hams (pesë gjerat e mëdha) apo ed darurijjeh (të domosdoshmet.)

Kështu, dukuria e terrorizmit, vrasjes, shqetësimit, dëmtimit dhe shkatërrimit të pronave dhe shkeljes së nderit bie ndesh me këto mësime hyjnore dhe ideale (objektiva) të larta njerëzore. 

Ky punim i përgatitur enkas për këtë konferencë shkencore të bekuar në ‘të mirën’ (Tajjiben) e ‘të mirës’ (Medinën e Resulullahit, alejhis selam) përpiqet të ofrojë përgjigje për pyetjet në vijim: 

  1. Ç’pozitë ka mesatarja dhe maturia në Kur’an dhe Sunnet?
  2. Me ç’pasoja mund të përballet individi dhe shoqëria në rast të anashkalimit eventual të parimit të mesatares dhe maturisë?

E lusim Allahun e Madhëruar për sukses dhe sinqeritet në punë! Vërtet, Ai – i madhëruar qoftë – është Mbështetësi dhe Përkrahësi më i mirë!

 

 

Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

MANIFESTIMET E MESATARES NË AJETET KUR’ANORE DHE HADITHET PEJGAMBERIKE SI DHE NDIKIMI I TYRE NË REALIZIMIN E INTEGRIMIT DHE UNITETIT TË UMMETIT