Përmbushja e premtimeve dhe besnikëria

0
230

 

Ky është një imazh tjetër i moralit të Pejgamberit (alejhi’s selam) me të tjerët, kundërshtarë e armiq qofshin ata. Allahu ka thënë:

O ju që besuat! Zbatoni premtimet…” el-Maide, 1.

Pos atyre idhujtarëve me të cilët keni lidhur marrëveshje, e të cilët nuk ju kanë shmangur asgjë dhe nuk e kanë ndihmuar askënd kundër jush, pra, edhe ju përmbushni marrëveshjen e tyre deri në afatin e caktuar. S’ka dyshim se All-llahu i do të devotshmit.” et-Teube, 4.

…e derisa ata i përmbahen (marrëveshjes) përmbahuni edhe ju. All-llahu i do ata që ruajnë besën.” et-Teube, 7.

Imam Muslimi, në Sahihun e tij, sjell tregimin e Hudhejfe b. Jemanit, i cili rrëfen: Asgjë nuk më bëri të mos marrë pjesë në Betejën e Bedrit përveç se unë dhe Ebu Suhajli dolëm dhe u takuam me idhujtarët kurejshë, të cilët na thanë: -Ju qenkeni drejtuar tek Muhammedi? -Jo, ne duam të shkojmë vetëm në Medinë – iu përgjigjëm. Ata morën besën prej nesh se nuk do të luftonim përkrah Muhammedit (alejhi’s selam) kundër tyre. Ne shkuam në Medinë dhe i rrëfyem të dërguarit të Allahut për rastin. “Shkoni (keni leje për mospjesëmarrje) ngase ne e përmbushim besën e tyre, kurse Allahun e lusim për ndihmë kundër tyre

Rast i ngjashëm është edhe ai në Marrëveshjen e Hudejbisë, ku një prej pikave të marrëveshjes ishte edhe kjo: “Kush shkon prej kurejshëve tek Muhammedi duhet kthyer prapë te kurejshët, ndërsa kush shkon tek kurejshët prej muslimanëve nuk obligohet kthimi i tij tek muslimanët.

  1. Falja dhe toleranca

Allahu i Madhëruar thotë:

Ti (Muhammed) merre të lehtën, urdhëro për mirë dhe hiqu prej të padijshmëve.” el-A’rafe, 199.

Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase All-llahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falua atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në All-llahun, se All-llahu i do ata që mbështeten.” Ali Imran, 159.

Këtë e dëshmon edhe vizita e Pejgamberit (alejhi’s selam) në Taif dhe pritja shumë përbuzëse që iu bë, ku madje ai edhe u torturua nga fëmijët dhe mendjelehtit e tyre. Kur Xhibrili zbriti bashkë me Melekun e Kodrave dhe i dha mundësinë Pejgamberit (alejhi’s selam) që të urdhëronte e ata (populli i Taifit) të shkatërroheshin, ai nuk e zgjodhi atë. Përkundrazi, u lut dhe shpresoi që prej tyre të dalin gjenerata që do ta adhuronin Allahun dhe nuk do t’i përshkruanin shok në asgjë.

Kështu ishte puna edhe me çlirimin e Mekës, ku u demonstrua ky moral hyjnor me të cilën u edukua Muhammedi (alejhi’s selam). Pastaj, edhe hadithi i Enesit, ku sqarohet se “Pejgamberi (alejhi’s selam) nuk i ka rënë kurrë me shuplakë askujt, asnjë gruaje dhe asnjë shërbëtori, përveçse kur ka luftuar në rrugën e Allahut. Nuk ka ndodhur kurrë që ai të hakmerret kur është ofenduar prej dikujt, përveçse atëherë kur janë shkelur ndalesat e Allahut, kështu që është hakmarrë për Allahun.”

Kjo është ajo për të cilën bota ka nevojë çdoherë! Kjo është ajo që po i mungon sot ummetit islam!

  1. Qëndrimi ynë ndaj çifutëve dhe të krishterëve

Kur’ani ka sqaruar se qëndrimi i ithtarëve të librit nuk mund të jetë sikurse qëndrimi ynë ndaj tyre:

Gjithqysh ti do të vëresh se jehuditë dhe ata që i përshkruan Zotit shok (idhujtarët) janë njerëzit me armiqësi të fortë kundër besimtarëve (kundër muslimanëve). Ndërsa do të vëresh se më të afërmit si miq për besimtarët janë ata që thanë: “Ne jemi nesara-të krishterë”. Këtë ngase prej tyre (të krishterëve) ka dijetarë (ulema) dhe të devotshëm, dhe se ata nuk janë kryeneçë.” el-Maide, 82.

Dallimet që janë ndërmjet nesh nuk janë për shkak të dispozitave tona  fetare, por për shkak të politikave diskriminuese, padrejtësisë dhe dhunës që muslimanët përjetojnë nga armiqtë e tyre. Armiqësia e çifutëve ndaj nesh nuk është për shkak të nivelit të besimit, por për shkak të urrejtjes dhe smirës që kanë ndaj nesh. Pavarësisht asaj që çifutët, të krishterët dhe ata që trasojnë rrugën e tyre bëjnë në Palestinë, Irak, Pakistan, Afganistan e vende të tjera islame, ne nuk kemi ndërruar asnjë qëndrim tonin juridik fetar (fikhist) ndaj tyre, sikur që nuk kemi dispozita që i dallojnë të krishterët prej tyre. Por, kur i krishteri, çifuti dhe budisti kalojnë në armiqësi, atëherë qëndrimi ynë – pa bërë dallim ndërmjet tyre – është tjetër, dhe kjo si përmbushje e obligimit fetar për ruajtjen e jetës dhe fesë sonë.

Tensionet e krijuara ndërmjet nesh nuk kanë për themel dallimin tonë në besim, por në sjellje dhe qëndrime. Ne shpresojmë që Perëndimi, SHBA dhe Evropa, ta kuptonjë këtë dhe të punojnë në drejtim të përmirësimit të raporteve me muslimanët. Me këtë rast dhe në këtë konferencë urojmë përpjekjet e Presidentit Amerikan Barak Obama për përmirësimin e marrëdhënieve me muslimanët dhe për hapjen e një kapitulli të ri të administratës amerikane në politikat e saj të jashtme me muslimanët.

Fjalimi i Presidentit Obama në Kajro dhe në vende të tjera nuk mund të shihet ndryshe veçse si një fillim i ri. Ummeti Islam është në pritje të realizimit të këtyre thirrjeve dhe ftesave në rrafshin praktik, e ditëve në vijim iu mbetet t’i vërtetojnë apo përgënjeshtrojnë këto thirrje e ftesa. Shpresojmë që këto ndryshime të prekin edhe bindjet dhe përpjekjet e tyre për shtrembërimin e imazhit islam dhe pejgamberit Muhammed, bindje këto që u manifestuan në Danimarkë, Holandë dhe SHBA, nga disa injorantë dhe rrugaçë. Është obligim që politika agresive dhe armiqësore e Perëndimit ndaj Islamit dhe muslimanëve të ndërrojë!

Po kështu edhe ne duhet të bëjmë dallime ndërmjet qëndrimeve politike dhe popullore, ngase shumica e problemeve tona me Perëndimin janë për shkak të politikave të këqija të qeverive të tyre ndaj nesh e jo edhe të popujve, edhe pse këta të fundit kanë një rol që nuk mund të mohohet në shkaktimin e krizave dhe tendosjen e marrëdhënieve.

Propozim

Bashkësive Islame në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, dhe në të gjitha vendet e Ballkanit, gjithnjë duke u mbështetur në tekstet dhe rregullat fetare, iu bëj thirrje që të mos ua lejojnë studentëve të diplomuar ushtrimin e profesionit të imamit pa ndjekur një kurs të këtillë paraprakisht, në një interval kohor prej 2-3 muajsh. Kjo me qëllim që ata të akomodohen me ambientin larg të cilit kanë qëndruar për një kohë relativisht të gjatë, ndryshe problemet (si ai i akuzimit të njerëzve për kafir, mynafik, fasik, bidatxhi, i humbur etj) që do të mund të ndodhnin nga studentë të tillë, që nuk i janë nënshtruar kurseve të kësaj natyre, nuk do të duhej të na habisnin në të ardhmen.

Përfundimisht,

Duke pasur parasysh faktin se Pejgamberi (alejhi’s selam) është dërguar mëshirë për botët, atëherë ajo me të cilën duhet të zbukurohet besimtari është mëshira, toleranca, butësia, bamirësia, humanizmi, mirëkuptimi dhe përpjekjet për t’i udhëzuar njerëzit në dritën e së vërtetës në të cilën jetojmë, mu ashtu siç thotë Allahu:

O ithtarë të librit, juve ju erdhi i dërguari Jonë që ju sqaron shumë nga ajo që fshihnit prej librit, e për shumë nuk ju jep sqarime. Juve ju erdhi nga All-llahu dritë dhe libër i qartë. 16. All-llahu e vë me atë (me Kur’anin) në rrugët e shpëtimit atë që ndjek kënaqësinë e Tij dhe me ndihmën e Tij i nxjerr ata prej errësirave në dritë dhe i udhëzon në një rrugë që është e drejtë.” el-Maide, 15-16.

Lutja jonë e fundit është:

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!!!

 

Prof.Dr.Hfz. Hajredin HOXHA

TJETRI (dhe raportet me të nga perspektiva kur’anore dhe pejgamberike)