Metoda e Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut në tefsirin e tij

0
786

 

Muslimanët që jetonin në shtetet ballkanike ballafaqoheshin me probleme të shumta shoqërore, politike, fetare e ideologjike, dhe ndër të parët që i përjetuan golgotat e vështira në jetë nga sfidat e tilla ishin mendimtarët dhe dijetarët shqiptarë, në këtë kontekst hulumtuesi dr. Ismail Bardhi thotë: “Muslimanët e hapësirës sonë, si shqiptarët, boshnjakët etj., e përjetuan ngjyrën e kohës, ishin brenda gjendjes që me të vërtetë për muslimanët ishte tejet e rëndë, përjetuan krizën e mendjes dhe krizën e të vërtetës historike, dridhjes së vlerave të civilizimit modern; shumë probleme ishin të paprekura ose të interpretuara në mënyrë të demoduar. Mirëpo, besimi i tyre, dashuria për Islamin dhe vëllazërimi i tij, i detyruan që, ndër të tjera, të fillojnë të merren edhe me fushën e tefsirit. [1]

Është e vërtetë se asokohe ndikimi i Perëndimit dhe dashuria e Lindjes ishin prezente si në paraqitjen e idesë për Zotin, po ashtu edhe të idesë për njeriun, botën, natyrën, lirinë, femrën, etj. Në këtë kohë, përpos përkthimeve të Kur’anit u paraqit edhe tefsiri. Kjo u bë si nga ana e shqiptarëve, ashtu edhe nga boshnjakët. Është për t’u habitur se përafërsisht, në të njëjtën kohë, paraqiten metoda të përafërta të interpretimit të Kur’anit me nuanca të vogla dalluese për nga aspekti i metodologjisë. Te shqiptarët tefsiri së pari botohet në vitin 1929, autor i të cilit është Hafiz Ibrahim Dalliu, ndërsa edhe te boshnjakët thuajse në të njëjtën kohë hasim tefsirin nga Shukrija Alagiq,[2] botuar nën vitin 1931, e që ishte përkthim i tefsirit të Reshid Ridasë”.

Për sa i përket metodës dhe mënyrës së tefsirit të tij, mund të them sa vijon:

  • Komentuesi Shejh Hafiz Ibrahim Dalliu (Zoti e mëshiroftë!) tefsirin e tij e fillon pa hyrje, pa prolog, dhe kjo nuk përputhet me metodën e komentuesve të mëdhenj nga selefi i devotshëm dhe nga komentuesit e mëvonshëm gjatë komentimeve të tyre. Shejhu nuk e sqaron metodën që e përdor në tefsirin e tij, dhe s’ka dyshim se këtu është bërë një lëshim i rëndësishëm. Ai nuk vepron ashtu siç veproi Imam Kurtubiu në hyrje të tefsirit të tij,[3] apo ashtu siç veproi komentuesi Imam Ibn Xherir Et-Taberij,[4] Imam Ibn Kethiri,[5] Imam Ebu Hajjani[6] dhe shumë të tjerë. Shejhu Hafiz Ibrahim Dalliu kishte njohuri për komentuesit e tillë dhe nuk ka pasur arsye që të bëjë një lëshim të tillë. Hyrja dhe prologu i veprës ka rëndësi të madhe, ngase aty autori sqaron metodën, punën dhe kushtet, ashtu siç veproi Imam Kurtubiu (Zoti e mëshiroftë!) apo shehidi Sejjid Kutubi në tefsirin e tij “Fi dhilalil-Kur’an” etj.[7]
  • Ai menjëherë fillon me komentimin dhe analizën e sures dhe thekson “Besmelen” në arabisht, e pastaj tregon vendin e zbritjes së sures.
  • Ai thekson vlerën e sures nëse diçka e tillë është transmetuar dhe pastaj i thekson emrat e sures. Ai shqyrton arsyen e emrit të sures si dhe tregon rëndësinë dhe vlerat e mëdha të sures.[8] Fjala “qëllimet” është përdorur nga vetë Shejhu në tefsirin e tij të sures El-Fatiha në gjuhën shqipe: “Qëllimet e mëdha të Kur’anit”. Sureja El-Fatiha përmban disa ose të gjitha qëllimet në përgjithësi, aty ka falënderim ndaj Zotit, aty ka adhurim absolut si dhe qëllime tjera të rëndësishme.
  • Fillon tesfirin e “Besmeles” dhe pasi që përfundon thotë: “Komentimi”; dhe më pas hollësisht i komenton ajetet. Në komentimin e “Besmeles”, Shejhu (Zoti e mëshiroftë!) thekson atë që e theksojnë pjesa dërmuese e komentuesve dhe që ka të bëjë me fjalët e zhdukura: “Po, (apo) në emër të Zotit lexoj apo shkruaj”.
  • Pastaj ai (Zoti e mëshiroftë!) e komenton fjalën e Madhërisë “Allah”, dhe thotë se ky është nga Emrat e Bukur të Zotit dhe se vetëm Allahu quhet me këtë emër. Ai (i pastër nga të metat) është Qenie e Domosdoshme, dhe kur e shqiptojnë këtë emër menjëherë paramendojnë qenien e Zotit të Madhërishëm të cilësuar me cilësi të përkryera që i takojnë vetëm Zotit të Madhërishëm.[9]
  • Gjatë tefsirit të ajeteve, thotë: “Rregull – Definicion”- ashtu siç vepronte Imam Ibn Kethiri në të shumtën e rasteve gjatë tefsirit të tij. Në këtë rregull Shejhu sqaron disa çështje shkencore dhe rregulla logjike që kanë të bëjnë me kuptimet e Emrave të Zotit të Madhërishëm.
  • Ai i shqyrton disa çështje të ndjeshme që kanë të bëjnë me Emrat dhe Cilësitë e Allahut të Madhërishëm, i sqaron kuptimet e tyre, por e privon nga çdo gjë që mund ta paramendojë njeriu rreth Qenies së Zotit të Madhërishëm.
  • Atij (i pastër nga të metat!) nuk i ngjanë asgjë, Ai është i pastër nga cilësitë e mangëta dhe Ai (i Madhërishmi) dëgjon gjithçka dhe sheh çdo gjë, si dhe atribuohet me të gjitha cilësitë e përkryera, e që i takojnë vetëm Atij.[10]
  • I kritikon ata që i qasen Kur’anit përmes logjikës dhe ata që janë nën ndikimin e tyre, gjegjësisht sektet e devijuara dhe risit, si p.sh., mu’tezilët, xhehmitët dhe të tjerët, të cilët nëpërmes rregullave logjike e filosofike orvateshin të kuptonin metafizikën dhe çështjet e fesë, dhe kështu devijuan dhe i devijuan edhe të tjerët. Edhe pse kishin qëllime të pastra për të pastruar Zotin e Madhërishëm, ata përsëri ranë në grackën e mohimit, privimit dhe të suspendimit te Cilësive të Allahut të Madhërishë[11] Shqyrtimi i çështjeve të logjikës është argument se Shejhu e njihte shumë mirë logjikën e Aristotelit.
  • Nëpërmes tefsirit të tij, ai përpiqej të korrektonte disa koncepte të gabuara që ekzistonin në mesin e shqiptarëve muslimanë dhe në mesin e të tjerëve, ngase konflikti ideologjik veçmë ekzistonte në shoqërinë shqiptare, si p.sh., komunizmi dhe sulmi i tij i ashpër kundër fesë e besimtarëve gjatë viteve të njëzeta e tridhjeta të këtij shekulli.[12] Pra, Shejhu ishte i obliguar që të merrej me çështje të tilla dhe të tregojë të vërtetën dhe kjo argumenton se ai e njihte mirë realitetin e kohës së tij dhe dinte si t’ju përgjigjej sfidave të kohës së tij.
  • Ai i shqyrton disa çështje gjuhësore e sintaksore dhe kjo gjë vërehet qartë në tefsirin e tij që i bën fjalës “Rabb-un” ” رب” . Ai (Zoti e mëshiroftë!) nuk mbështetej vetëm në kuptimin e fjalës, por zhytej thellë në domethëniet e fjalës për të nxjerrë edhe kuptime tjera. Ai thekson se nga kuptimet e fjalës “Rabb” janë: Krijues, ushqyes, rregullues, mbajtës i pushtetit. S’ka dyshim se Zoti kur i krijoi krijesat nuk i la të hutohen, por ua sistematizoi çështjet nga aspekti fetar dhe i kësaj bote.[13] Ai, po ashtu në komentimin e fjalës: “El-alemin – botët”, ” العالمين “thotë: “Kjo fjalë përdoret në shumës dhe ky emër përdoret për të gjithë emrat, përveç Allahut të Madhërishëm, qofshin qeniet e vogla apo të mëdha. Qeniet e tilla argumentojnë ekzistimin e Zotit të Madhërishëm dhe se nuk mund të ekzistojnë pa edukimin dhe sistemimin e Zotit, dhe për këtë shkak përdoret forma e shquar me “el” që të tregojë përgjithësinë dhe vazhdimësinë. Ato duhet ta falënderojnë Atë ashtu siç e meriton. Të gjitha krijesat, pas krijimit kanë nevojë për mbikëqyrje e mbrojtje dhe për Atë që kujdeset për jetën e tyre. Tefsiri i ajetit: “Rabbil-alemin – Zoti i botëve” ” رب العالمين – është kështu apo Zoti është Krijues dhe Mbikëqyrës i të gjitha botëve”.[14]
  • Ndonjëherë i thekson fshehtësitë e parimeve që dalin nga ajetet, këtë gjë e kuptova nga tefsiri i tij i sures “El-Fatiha”, gjegjësisht ajeti:إياك نعبد ” ““Ijjake na’buduVetëm Ty të adhurojmë!”; ku thotë: “Lexuesi i “El-Fatihasë” kur e lexon këtë ajet dhe është vetëm, nuk thotë: “Vetëm Ty të adhuroj”, por thuhet në shumës, ngase ka edhe të tjerë vëllezër e robër të Zotit, evlia e engjëj, si dhe ekziston shpresë e madhe se Zoti do ta pranojë këtë lutje, dhe për këtë shkak është caktuar që namazi të falet me xhematë, ngase vepra në xhematë para Zotit është më e vlefshme dhe më afër pranimit…”[15]
  • Ndonjëherë thekson disa gjurmë apo të dhëna për të cilat mendohet se janë israiliate,( nga burimet çifute apo krishtere) ngase nuk i thekson burimet e gjurmëve të tilla.[16]

Të dhënat dhe gjurmët që janë israiliate sipas dijetarëve Islam ose përputhen me Sheriatin tonë ose jo, e nëse kundërshtojnë Sheriatin tonë, nuk i pranojmë dhe i hedhim, madje nuk lejohet as të transmetohen, e nëse përputhen, i theksojmë për inkurajim e jo për argumentim.[17] Kështu thotë edhe Shejhul-Islami, ibn Tejmije (Zoti e mëshiroftë!).[18] E nëse nuk përputhen e as nuk kundërshtohen me Sheriatin tonë; atëherë nëse ai që mëson dhe studion Sheriatin është fillestar, ai pra nuk duhet të lexojë diçka nga israiliatet që të mos krijohet ndonjë fitne në besimin dhe mendjen e tij, ndërsa nëse është dijetar i thelluar në shkencat islame dhe nuk frikësohet nga fitneja, atëherë për atë nuk ekziston ndonjë frikë që ai të lexojë atë që e ka kundërshtari.

* Ndonjëherë formon pyetje gjatë tefsirit të tij pastaj përgjigjet, si p.sh., në tefsirin e ajetit kur’anor:  ” صراط الذين أنعمت عليهم ““Në rrugën e të cilëve e begatove për ta”- dhe në këtë kontekst, Shejh Dalliu thotë: “Për cilët flet Zoti i Madhërishëm në këtë ajet fisnik dhe cilët i dallon me begati e respekt?”; Dhe më pas, vetë  Shejhu përgjigjet: “Pjesa dërrmuese e dijetarëve thonë se me këtë ajet nënkuptohen pejgamberët, të dërguarit, evliatë, shehidët dhe robërit e devotshëm të Zotit”.[19] Më mirë do të ishte që Shejhu t’i përgjigjej pyetjes me ajetin e sures “En-Nisaë”, në të cilin Zoti i Madhërishëm thotë:

E kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, të tillët do të jenë së bashku me ata që Allahu i shpërblen: (me) pejgamberët, besnikët e dalluar, dëshmorët dhe më të mirët. Sa shokë të mirë janë ata!” [20] Kishte qenë ma e udhës qe ai ( Allahu e mëshiroftë ) në këtë kontekst të komentojë Kur’anin me Kur’an, ngase metoda më e mirë e tefsirit; është tefsiri i Kur’anit me Kur’an, dhe kjo metodë është më e preferuara te dijetarët e selefit dhe të halefit ( të hershmit dhe të vonshmit ).[21]

* Ai i thekson shkaqet e zbritjes së ajetit dhe sures, dhe në këtë kontekst Shejhu (Zoti e mëshiroftë!) thotë: “Thuhet se “El-Fatiha-ja” është prej sureve të para të shpallura, ndërsa ajetet e para të shpallura janë pesë ajetet e parë të sures: “El-Alek”.[22]

Nga fjalët e Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut vërehet qartë se ai kishte njohuri të plotë rreth dallimit në mes ajeteve të para që zbritën dhe sureve të para të plota që zbritën, dhe në këtë çështje, ai ka qenë i përpiktë. Këtë mendim edhe Shejh Menna’ë El- Kattan, (Allahu e mëshiroftë) e ka theksuar nga Imam Zerkeshiu rreth këtyre dy çështjeve.[23]

* Ai i thekson mendimet dhe pastaj në bazë të shkathtësisë së tij, e zgjedh mendimin më të mirë. Në tefsirin e tij të ajetit kur’anor:  

Jo në të atyre që kundër veti tërhoqën hidhërimin, e as në të atyre që e humbën veten!”, Shejhu thotë: “Disa dijetarë thonë se “jo në të atyre që kundër veti tërhoqën hidhërimin”- janë hebrenjtë, ndërsa “e as në të atyre që e humbën veten”- janë të krishterët. Më e preferuara te “xhumhuri” është se “ata që kundër veti tërhoqën hidhërimin”- janë mëkatarët e kriminelët e çdo populli, ndërsa “ata që humbën veten”– janë ata që nuk dinë se si të arrijnë te Zoti i vërtetë dhe preferojnë të qëndrojnë në errësirë…” [24]

Këtu mund të shtrohet pyetja se në çfarë baze Shejhu e preferoi një gjë të tillë? Shejhu nuk e ka theksuar burimin apo mendimin që preferoi një gjë të tillë, përpos nëse thuhet se ai është bazuar në metodën e tij dhe në rregullën e shkencës së Usuli Fikhut, ” العبرة بعموم اللفظ لا بخصوص السبب “që nënkupton se; mësimet dhe dobitë nga tekstet kur’anore dhe ato profetike duhet të merret nga kuptimi dhe struktura e  përgjithshme e fjalës, e jo nga specifika e arsyes për të cilin ka zbritur teksti, dhe kështu Shejhu e përdor këtë kuptim në bazë të kuptimit esencial për të cilin edhe është shpallur teksti. Në këtë kontekst ai ka qenë shumë i qëlluar dhe i përpiktë.

  • Ai thërret në marrjen mësim nga gjendja e popujve të mëparshëm dhe në studimin e historisë, dhe kjo vërehet qartë në tefsirin e tij të sures “El-Fatiha” ku i thekson dobitë që nxirren nga kjo sure. Ne obligohemi të marrim mësim nga gjendja e popujve të kaluar dhe nga përjetimet e tyre gjatë historisë.[25]
  • Dëshira e madhe e Shejhut për sqarim e shpjegim e bënte që të përdorë shpesh disa thënie thelbësore, si p.sh.: “ajka e tefsirit”, ndonjëherë gjatë sqarimit përdorte fjalën, “shkoqitje”, ndonjëherë “shpjegime”.[26] Në disa vende përdorë: “Thelbi i Kur’anit”,[27] dhe kur përfundon tefsirin, thotë: “Fund!”[28]
  • Ndonjëherë i thekson gjurmët dhe të dhënat nga sahabët e mëdhenj, si p.sh., gjurmët që transmetohen nga Abdullah ibn Abbasi dhe Ibn Mes’udi r.a.[29]
  • Ai i thekson mësimet dhe dobitë alegorike dhe stilistike te bukura te ajetit, si dhe ndonjëherë i thekson fshehtësitë e kuptimeve të shkronjave të ndara që përdoren në fillim të sureve. Ndonjëherë shqyrton çështje morfologjike e ndonjëherë edhe prozodike.[30]
  • Ndonjëherë e përcakton një kuptim të ajetit nga shumë kuptimet e tjera, dhe kjo e vërtetë ka një rëndësi shumë të madhe. Në tefsirin e tij të ajetit:

 

“Udhëzues për të devotshmit”,  kur flet për domethënien e të devotshmëve, thotë se ekzistojnë tre kuptime dhe tre shkallë të devotshmërisë:

  1. Të frikësohet njeriu nga shirku në Zotin e Madhërishëm, ngase idhujtari meriton dënim të përhershëm;
  2. Të frikësohet njeriu nga veprat e këqija, nga morali i keq dhe nga punët e ndaluara; dhe:
  3. Zemra të pastrohet nga çdo gjë përveç Zotit të Madhërishëm, në Të të përqëndrohet tërësisht dhe Atij absolutisht t’i drejtohet. Kjo shkallë është e evliave dhe e të afërmve si dhe këto janë veprat e tyre. Qëllimi i ajetit ka të bëjë me shkallën e parë dhe të dytë…[31]
  • Nuk i ka theksuar llojet e leximit të kur’anit( القراءات القرآنية ) ( Kiraetet e kur’anit ) asnjëherë gjatë tefsirit të tij dhe nuk vërejta ndonjë gjë të tillë gjatë leximit të tefsirit të tij.[32]
  • Ka qenë i qartë në fjalë dhe i kuptueshëm në tefsir, në shkrim e përkthim. Për ta kuptuar lexuesit, ai shpesh herë i sqaronte paqartësitë e disa definicioneve dhe rregullave të Sheriatit, si p.sh., dallimin në mes ( التأويل والتفسير و المحكم و

المتشابه ) “te’vil”, “tefsir”,[33] “muhkem” dhe “muteshabih” etj. Nëse pëson ndonjë ndryshim gjatë komentimit apo sqarimit, ai ua tregon atë lexuesve që të kenë njohuri rreth çështjes së tillë.[34] Kur vëren ndonjë gabim shtypi, tematik apo shkencor, thotë: “Korrigjim” – dhe pastaj thekson vëllimin, faqen dhe rreshtin ku duhet korrigjuar.[35]

Personalisht them dhe jam i mendimit se me këtë besnikëri shkencore dhe objektivitet duhet të pajiset çdo hulumtues.

  • * Nuk e preferon ndonjë mendim më tepër, dhe ndonjëherë Shejh Hafiz Ibrahim Dalliu i thekson disa tefsire të një ajeti pa e preferuar asnjërin prej tyre, si p.sh., në tefsirin e ajetit kur’anor:

“Dhe thirrni (në ndihmë) dëshmitarët tuaj (zotat) pos Allahut, nëse jeni të sinqertë (në thëniet tuaja se Kur’ani nuk është prej Zotit)”.[36] Ai këtu i thekson pesë kuptime ose mendime pa e preferuar ndonjërin konkretisht, mendoj se do të ishte më mirë për të, sikur të preferonte mendimin që ishte më i kapshëm për lexuesin shqiptar dhe të mos e lë atë të hutuar.[37]

  • Ndonjëherë i thekson mendimet e komentuesve dhe pastaj komenton apo thekson diçka nga studimet apo hulumtimet e shkencëtarëve amerikanë e evropianë rreth Islamit.[38]
  • Ndonjëherë bën dy përkthime të ndryshme në mënyrë dhe tekst, kjo ngase në rast se lexuesi e ka të vështirë që të kuptojë përkthimin e parë, dhe për t’ia lehtësuar atij përkthimin, sjell edhe përkthim tjetër krahas përkthimit të parë.[39]
  • Ai mbështetej në aspektin ekzoterik( ( ظاهر النص(dhahirun-nas ) të tekstit dhe nuk anonte në alegori ose metafora ( المجاز )( el mexhaz )[40] dhe në tefsirin e ajetit kur’anor:

 

“Thuaj: “A t’ju lajmëroj për një të keqe (të zezë) më të dëmshme (nga ajo e metë) si dënim nga Allahu? (Ajo është) mallkimi i atij që e mallkoi Allahu dhe hidhërimi ndaj tij, që disa prej tyre i shndërroi në majmunë e në derra e i bëri adhurues të djallit”.[41]

Ai transmeton fjalët e disa komentuesve se ata ( disa çifut) vërtetë u shndërruan në derra e majmunë dhe se nuk është shprehje alegorike. Në bazë të hulumtimit të kësaj çështje, mendoj se pjesa dërrmuese e komentuesve të selefit kanë mendim identik me Shejh Hafiz Ibrahim Dalliun, ngase Zoti realisht i ka bërë disa çifutë të rinj majmunë e disa pleq derra, dhe se kjo nuk është vetëm shprehje figurative, por është realitet, dhe se ky ndëshkim erdh për shkak të maltretimit, tradhetise dhe vrasjes së pejgamberëve të tyre. Pra, për këtë arsye, Zoti ua ka shndërruar formën në majmunë e derra si në pamje ashtu edhe në sjellje. Sjelljet e disa çifutëve cioniste ende edhe sot e kësaj dite janë më të këqija dhe më brutale se sjellja egërsirave.

Pra, duke pasur parasysh fuqinë e Zotit të Madhërishëm, atëherë mund të thuhet se Zoti i Madhërishëm ua ka shndërruar formën në kafshë të tilla në një periudhë të caktuar historike. Pra, Zoti është i Gjithëfuqishëm dhe bën çdo gjë! Zoti i Madhërishëm ka fuqinë të krijojë njeriun pa prindër ashtu siç e krijoi Ademin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)

Zoti i Madhërishëm po ashtu ka fuqi që të krijojë njeriun vetëm nga nëna, por jo edhe nga babai, ashtu siç veproi me Isain (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) Zoti i Madhërishëm ka fuqi që t’ua ndërrojë fytyrat njerëzve në forma tjera e t’i ruajë fytyrat e të tjerëve!

I Madhërishëm është Zoti i botëve![42]

* Shejhu (Zoti e mëshiroftë!) nuk i ka theksuar burimet e informatave dhe të dhënave të potencuar. U desh që t’i shënonte, ngase transmetimi i të dhënave të sakta i përket fesë islame dhe sikur të mos ishte mbështetja në burime të sakta në fe, atëherë secili do të fliste sipas dëshirës së vet dhe një gjë e tillë nuk lejohet në Islam.

* Ndonjëherë zgjerohej në sqarimin e disa çështjeve të rëndësishme fetare. Në tefsirin e ajetit kur’anor:

 

Të cilët besojnë në atë që të është shpallur ty…”, ai thotë se secili musliman duhet të besojë përgjithësisht në librat e mëparshëm, gjegjësisht në Teuratin e Musait a.s, në Inxhilin e Isait a.s. dhe në Zeburin e Davudit a.s si dhe nuk duhet besuar veçmas ne detajet e tyre. Sa i përket Kur’anit, muslimani duhet të besojë në të si në aspektin e përgjithshëm ashtu edhe në atë detal, ngase në Kur’an ka parime islame në të cilat duhet besuar në përgjithësi dhe detalisht. Njohja në detaje e kuptimeve të ajeteve është obligim i përgjithshëm e jo obligim i veçantë individual (fard kifaje e jo fard ajn)”[43]

  • Për disa çështje e parime të rëndësishme ai flet në detaje për shkak të rëndësisë së tyre, si p.sh., parimet e abdesit, namazit, agjërimit, haxhillëkut etj., ngase muslimanit i duhen çdo ditë. Ai, në çështje të besimit (akides) dhe ato juridike i përkiste medhhebit hanefit, dhe në asnjë mënyrë nuk është larguar asnjëherë nga çështjet juridike dhe akaidologjike të besimit hanefit.[44]
  • Ndonjëherë i thekson thëniet e imamëve të mëdhenj tabi’inë gjatë sqarimit të parimeve të nxjerra nga ajeti, si p.sh., në tefsirin e ajetit kur’anor:

“Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet tuaja të paqëllimta (për betim)…” (El-Maide, 89). Gjatë komentimit të këtij ajeti, ai thekson tetë mendime të dijetarëve komentues të mëdhenj tabiinë.[45]

  • Kur i shqyrton çështjet juridike të fikhut, Shejh Hafiz Ibrahim Dalliu mjaftohet me njohuritë e veta juridike që i ka rreth çështjes konkrete juridike pa i theksuar mendimet e dijetarëve rreth asaj çështje, dhe kjo ndoshta është rezultat i njohurive të tij të mëdha, ndërsa në çështjet e tefsirit të fjalës së Zotit të Madhërishëm transmeton nga të tjerët që janë më të dijshëm se ai,[46] nga frika që të mos gabojë në fjalën e Zotit të Madhërishëm.
  • Ai gjatë tefsirit të tij i kushtonte rëndësi mësimeve dhe leksioneve që nxirren nga ajetet kur’anore.[47]
  • Ai përdor metodën krahasuese në ekspozenë e thënieve. Shumë herë i paraqet disa mendime nga komentues të ndryshëm dhe e lë lexuesin që ta zgjedh mendimin e preferuar.[48]
  • I kritikon Ithtarët e Librit, gjegjësisht çifutët dhe të krishterët posaçërisht çifutët, ngase nuk pranojnë abrogimin si dhe e përshkruajnë Zotin me padituri. Zoti i Madhërishëm e di dhe e njeh gjendjen e njerëzve në kohën e Musait, Isait dhe Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)[49]

Shejh Hafiz Ibrahim Dalliu transmeton tekste nga Teurati dhe Inxhili për t’i kritikuar çifutët, të krishterët dhe protestantët për shkak të trillimeve të tyre me qëllim që të konfirmojnë abrogimin e ligjeve të mëparshme hyjnore. Abrogimi në Kur’an nuk është risi dhe i panjohur ashtu siç mendonin çifutët, dhe mua personalisht më pëlqen kritika e Shejhut kundër tyre. Më hollësisht rreth kësaj kritike shihe tefsirin e tij.[50]

  • Fillimi është padyshim çështje e besimit hebraik dhe se Teurati flet për të në kapitullin e Krijimit: “Dhe Zoti e pa se çdo gjë që e ka bërë është shumë e mirë”- dhe kjo nënkupton se Zoti ka krijuar pa e ditur se çka krijon, e mirë apo e keqe dhe pastaj e kupton se atë që e ka krijuar “është shumë e mirë”.[51]
  • Kur përfundon komentimin e ajeteve të një tematike, thotë: “Ky është fundi i ajeteve që flasin për Beni Israilët dhe tash do të kemi punë me ajetet që janë shpallur për këtë e këtë gjë”.[52] Kjo metodë e tefsirit i ngjanë shumë metodës së tefsirit të shehid Sejjid Kutubit në “Fi dhilalil-Kur’an”.
  • Është shumë preciz në transmetimet që bën nga tefsiri i Raziut dhe i Bejdaviut dhe asgjë nuk transmeton pa e kuptuar dhe pa e analizuar. Ai me kujdes të madh i zgjedh kuptimet që kanë të bëjnë me temën dhe largohet nga transmetimi i çështjeve sekondare që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me tekstin dhe kjo anë është shumë pozitive te Hafiz Ibrahim Dalliu dhe për këtë padyshim meriton fjalë miradije, ndaj dhe Zoti e mëshiroftë me Mëshirën e Tij të gjerë.[53]
  • Ndonjëherë e përdor tefsirin objektiv dhe shumë herë argumenton me ajete kur’anore që kanë të bëjnë me të njëjtën temë, por kjo ndodhë pak dhe rrallëherë.[54]
  • Sa i përket tefsirit shkencor të Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut, ashtu siç thamë edhe më parë, ai dallohej me shkathtësi intelektuale, me mendime iluministe dhe të hapura dhe vërtetë ishte shembull në kohën e tij, ngase ua kishte tejkaluar shokëve dhe të afërmve të tij, për shkak të njohurive shkencore e kulturore që i kishte. Në tefsirin e ajetit kur’anor:

“Ai, i cili për ju bëri tokën shtrat (vendbanim) e qiellin kulm…”[55], ai thotë se është vërtetuar forma e rrumbullakët e tokës, në të cilën jetojmë ne dhe se kjo vërtetohet me argumente e fakte shkencore. Toka në fillim ka qenë gaz e zjarr ndriçues si ylli në qiell, pastaj periudha e zjarrit kalon një afat të gjatë kohor dhe në shumë zhvillime derisa përfundon në këtë gjendje mesatare: as e fortë, as ujore e as e butë, derisa u bë e përshtatshme për jetë…[56]

Për sa i përket qëndrimit tonë rreth tefsirit shkencor, kushteve e rregullave të tij, ne biseduam në kapitullin e tretë.[57]

Kjo ishte metoda e tij dhe mënyra e tefsirit, ashtu siç e vërejta unë gjatë leximit me plot përkushtim të tefsirit të tij. S’ka dyshim se kjo metodë është e fuqishme, shkencore, objektive, precize, larg emocioneve e epsheve dhe kjo argumenton nivelin e lartë shkencor të Shejh Hafiz Ibrahim Dalliut, Zoti e mëshiroftë me Mëshirën e Tij të gjerë!

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

TEFSIRI DHE MUFESSIRËT SHQIPTARË NË KOHËN BASHKËKOHORE
(SHEK 19-20)

 


[1] Mbi krizën e mendimit islamik shih më gjerësisht veprën e dr. Ebu Sulejman Abdulhamid: “Ezmetul aklil-muslimi”; Darul-alemijje lil-kitabil-islamij, bot. 2, 1992.

[2] Ismail Bardhi, “Hafiz Ibrahim Dalliu dhe egzegjeza e tij kur’anore”; f. 160.

[3] Shih Tefsirin e Kurtubiut, Ebu Abdullah Muhamed ibn Ahmed El-Ensari,”El-Xhami’u li-ahkamil-Kur’an”, Kajro, Darul-Kutub, El-Misrijje, 1962, vëll. 1, f. 20.

[4] “Xhamiul-bejan an te’vili Ajil-Kur’an, takrib ve tahdhib li imamil-mufessirinë vel-muerrihin Ebi Xha’fer Muhamed ibn Xherir Et-Taberij”, 224-310; recensoi Salah Abdulfetah El-Halidij, ndërsa hadithet i nxori Ibrahim Muhamed El-Alij, Darul-kalem, Damask, bot. 1, 1997, vëll. 1, f. 1-3.

[5] Ismail Ibn Kethir, “Tefsirul-Kur’anil-adhim”; Bejrut, Darul-Ma’rife bot. 1, 1406 hixhri, vëll. 1, f. 1-5.

[6] Shih Tefsirin e Ebu Hajjanit, Ethiruddin Muhamed ibn Jusuf, “El-Bahrul-Muhit”, Egjipt, Matba’atus se’adeti, bot. 1, 1328 hixhri, vëll. 1, f. 6-9.

[7] Sejjid Kutub, “Fi Dhilalil-Kur’an”; Kajro, Darush-shuruk, bot. 11, 1985, vëll. 1, fq. 38-39.

[8] Rreth qëllimeve dhe rëndësisë së kësaj shkence shih: “El-Muvafekat fi usulit-teshri il-islamij”; Imam Ebu Is’hak Esh-Shatibij, recensoi Shejh Ibrahim Ramadan, krahas botimit të komentuar nga Shejh Abdullah Derraz, vëll. 2, fq. 323-662; shih, po ashtu edhe Se’id Ramadan El-Buti, “Davabitul-maslahati fish-Sheriatil-Islamijjeti”. Edhe unë kam një punim dhe studim të pabotuar rreth këtij libri të prof.dr.Butit

[9] Shih tefsirin e Hafiz Ibrahim Dalliut: “Ajka e kuptimeve të Kur’ani Qerimit”; vëll. 1, fq. 305. Më tutje lexo vetëm: “Ajka e kuptimeve”.

[10] Ai me kujdes të madh e shpjegon pastërtinë e Zotit dhe i shqyrton ajetet e cilësive sipas doktrinës së tij maturidite dhe këtë më mirë do ta shohim në kapitullin e dytë të kësaj pjese.

[11] Më gjerësisht rreth drejtimeve të devijuara në fe e tefsir shikoni: Muhammed Husejn Edh-Dhehebi, “El-Ittixhahatu el-munharifetu fij tefsiril-Kur’anil-kerim”; Mektebu vehbe, Kajro 1996, fq. 47-62; Zaglul Esh-Shahat, “El-Ittixhahatu el-fikrijjetu fit-tefsir”; Aleksandri, El-hej’etul-misrijje el-ammetu lil-kitab, bot. 2, 1977, fq. 186-216.

[12] Rreth karakteristikave historike fetare e shoqërore të territoreve shqiptare shih studimin e hulumtuesit dhe orientalistit italian Roberto Maroko Dela Roka, “Kombësia dhe feja në Shqipëri…”; 117-142.

[13] “Ajka e kuptimeve…”; vëll. 1, fq. 8-9.

[14] Po aty, f. 10.

[15] Po aty, f. 14.

[16] Po aty, f. 16.

[17] Vërejtje e rëndësishme: Profesori dhe mentori im i nderuar, prof.dr. Abdulkahhar Al Ani nga Iraku, në një ligjëratë të tij të mbajtur ditën e Premte në Universitetin Ndërkombëtar Islamik në Malajzi (Kuala Lumpur), kërkoi që israiliatet të eliminohen tërësisht nga tefsiri dhe të mos i përdorim gjatë komentimeve tona, duke pohuar se edhe vetë Imam Ibn Tejmije në kohën e tij thoshte se “Israiliatet kanë plot gënjeshtra e trillime.” Duke pasur parasysh kohën kur jetoi ai dhe diturinë e tij enciklopedike të gjerë, atëherë me plot të drejtë lind pyetja: Sot ç’do të bënim ne?!

[18] Ibn Tejmije, “Usulut-tefsir”; recensoi Ferijal Ulvan, Bejrut, Darul-fikril-lubnani, Bejrut, Daru Kutejbe, 1989, fq. 11-110.

[19] “Ajka e kuptimeve…”; vëll. 1, f. 19.

[20] En-Nisaë, 69.

[21] Shih: “Usulut-tefsir” të Ibn Tejmijes, fq. 60-61.

[22] “Ajka e kuptimeve…”; vëll. 1, fq. 19-20.

[23] Men-na’ El Kattan, “Mebahith fi ulumil-Kur’an”; Bejrut, Mues-sesetul-risaleti, bot. 23, 1998, fq. 66-68.

[24] Po aty, vëll. 1., fq. 20-21.

[25] Po aty, fq. 23.

[26] Po aty, fq. 42-84,89.

[27] Po aty, fq. 53-57.

[28] Po aty, vëll. 2, fq. 699.

[29] Po aty, vëll. 1, fq. 25.

[30] Po aty, fq. 29.

[31] Ajka e kuptimeve, vëll. 1, fq. 31-32.

[32] Ajka e kuptimeve, vëll. 2, fq. 986-989.

[33] Po aty, vëll. 1, fq. 458.

[34] Po aty, vëll. 1, fq. 449-450.

[35] Po aty, vëll. 1, fq. 336.

[36] El Bekare, 23.

[37] Ajka e kuptimeve, vëll. 1, fq. 68-69.

[38] Po aty, fq. 560, 580.

[39] Po aty, fq. 544-545, 558.

[40] Po aty, fq. 986-989.

[41] El-Maide, 60.

[42] Më gjerësisht rreth kësaj çështje, shihi tefsirët: Ebu Xha’fer Muhamed ibn Xherir ibn Jezid ibn Halid Et Taberi, “Xhamiul bejan an te’vili ajil-Kur’an”; vëll. 6, f. 293; Ebus-Sa’ud El-Hasen ibn Mes’ud El-Ferra El-Begavij; “Me’alimut-tenzijl”; recensoi Halid El-Akk, Mervan Sevvar, Bejrut, Darul Ma’rifeti, bot. 2, 1987, vëll. 1, 37; Abdurrahman ibn Kemal Xhelaluddin Es-Sujuti, “Ed-durrul-menthur”; Bejrut, Darul-fikri, 1993, vëll. 3, fq. 109-110; Abdurrahman ibn Alij ibn Muhamed El-Xheuzij, “Zadul -mesijr fi ilmit-tefsir”; Bejrut, El-Mekteb-el-islamij bot. 3 1404 H. vëll. 2, 387-388; Ali ibn Ahmed Ebu El-Hasen El-Vahidij, “El-Vexhiz fi tefsiril-kitabil-aziz”; recensoi Safvan Adnan, Bejrut, Ed-darush-shamijje, bot. 1, 1415 hixhri, vëll. 1, f. 326; Muhamed ibn Muhamed El-Imadij Ebus-Su’ud, “Irshadul-aklis-selim, ila mezajal-Kur’anil-Kerim”; Bejrut, Daru ihjait-turathil-arabij, pa vit botimi, vëll.3, f. 155.

[43] Po aty, vëll. 1, fq. 40.

[44] Po aty, vëll. 1, fq. 337.

[45] Po aty, vëll. 1, fq. 337.

[46] Po aty, vëll. 2, fq. 986-989.

[47] Po aty, vëll. 1, fq. 142.

[48] Po aty, vëll. 1, fq. 148-149.

[49] Po aty, vëll. 1, f. 169.

[50] Po aty, vëll. 1, fq. 170-171; Më gjerësisht rreth kësaj çështje, shih:“El-Muvafekat fish-Sheriatil-Islamijjeti” të Imam Ebu Is’hak Esh-Shatibij, vëll. 3, fq. 95-111 dhe veprën: “Mebahith fi ulumil-Kur’an”; të Shejh Menna’ë El-Kattanit, fq. 231-244.

[51] Zaglul Esh-Shehhat, “El-Ittixhahat el-fikrijje fit-tefsir”; fq. 292; Ebu Xha’fer En-Nehas, “En-nasih vel-mensuh”. Në këtë vepër ka të dhëna të mira rreth dallimit në mes abrogimit dhe fillimit. Abrogimi lejohet dhe ndodhë në Sheriat dhe nuk është fillim ashtu siç theksonin çifutët. Më gjerësisht shih në këtë libër, që e recensoi dr. Muhamed Abduselam Muhamed, Kuvajt, Mektebul-felah, bot. 1, 1408 hixhri, vëll. 1, fq. 40-46, 62-63.

[52] Ajka e kuptimeve, vëll. 1, f. 191

[53] Po aty, f. 190.

[54] Po aty, fq. 85-90.

[55] El Bekare, 22.

[56] Ajka e kuptimeve, vëll. 1, f. 66-82.

[57] Më gjerësisht rreth kësaj teme të tefsirit shih: Halid Abdurahman El-Ak’k, “Usulut-tefsir ve kavaiduhu”; Bejrut, Darun-Nefais, Liban, bot. 2, 1986, fq. 217-224; Fehd ibn Abdurrahman Er-Rumi, “Usulut-tefsir ve menahixhuhu”; Rijad, Mektebetut-teubeti, 1413 hixhri, f. 94; Dr. Jusuf El-Kardavi, “Kejfe Nete’amel me’al-Kur’anil-adhim”; Darush-shuruk, bot. 1, Kajro, 1999, fq. 324-369; Shehid Sejjid Kutub, “Fi dhilalil-Kur’an”; Darush-shuruk, Kajro, bot. 11, 1985, vëll. 1, fq. 180-181; Ebu Is’hak Esh-Shatibij, “El-Muvafekat fish-Sheriatil-Islamijjeti”; vëll. 2, f. 69; Muhamed Husejn Edh-Dhehebij, “Ef-tefsir vel-mufessirunë”; Mektebeti Vehbe, Kajro, bot. 2, 2000, fq. 364-381; Ebu Hamid El-Gazali, “Ihjau ulumid- din”– recensoi Ebu Hafs Sejjid ibn Ibrahim ibn Sadik; Darul-hadith, Kajro, bot. 1, pa datë botimi, vëll. 1, f. 289; Ebu Abdurrahman Es-Sujuti, “El-Itkan fi ulumil-Kur’an”; Bejrut, Darul-fikri, pa datë botimi, 1979, vëll. 4, fq. 27-31.