BIOGRAFIA E HOXHËS DR. ABDUL FETTAH KADI

PËRMBELDHJE BIOGRAFIKE RRETH HOXHËS ABDUL FETTAH KADI

Studime të pakta rreth hoxhës dr. Abdul Fettah Kadi

Për jetën e Shejhut kanë shkruar disa nga nxënësit dhe simpatizantët e tij, por janë shumë pak, kështu që është e pamundur të gjesh një biografi komplete në një burim të caktuar. Megjithatë, Allahu i madhëruar ka bërë që disa nga nxënësit e devotshëm të hoxhës, si nga ata të hershmit si nga këta të mëvonshmit, t’i rreken kësaj pune dhe ta trajtojnë jetën dhe veprimtarinë e tij.

Kjo gjë ka diktuar nevojën e hulumtimit për detaje të jetës së tij, në forume të ndryshme kur’anore në internet. Prej atyre që kanë shkruar për jetën e tij, version me të kompletuar dhe më të hollësishëm ka sjellë një nga profesorët e mi, dr. Abdul Aziz el-Karij[1], i cili dekada më parë, në revistën e Fakultetit të Kur’anit Fisnik, shkroi për jetën e tij. Po ashtu, më ka rënë të lexoj edhe biografinë e shkurtër të publikuar nga Universiteti Ummul Kura, në Mekkë, për çka i falënderoj shumë!

Nxënës tjetër i hoxhës, që ka trajtuar biografinë dhe veprimtarinë e tij është hoxha dhe lexuesi i njohur i Kur’anit, Ibrahim el-Ahdar, po kështu imam në xhaminë Kuba, në Medinë. Në fakt hoxha Ibrahim nuk ka shkruar ndonjë vepër, por biografinë dhe veprimtarinë e hoxhës i ka trajtuar në formë të një interviste, të zhvilluar me nxënësin e vet, dr. Abdullah bin Muhammed bin Selman Xharullah. Është ky i fundit, ai që ka përgatitur për botim biografinë e dr. Abdul Fettah Kadiut dhe këtë në një vepër të zgjeruar[2]. Shpërblimi dhe mirësitë e Allahut qofshin mbi të, mbi hoxhën e tij dhe mbi hoxhën tonë!

Ne, në këtë studim, do t’i referohemi veprës së parë, veprës së nxënësit të parë të hoxhës, dr. Abdul Aziz Kariut, njëherësh profesor dhe hoxhë yni. Do t’i referohemi edhe veprës së dytë por më pak, sikur që do t’i referohemi dhe punimeve tjera.

Dr. Abdul Aziz Kariu ka hapur biografinë e hoxhës dr. Abdul Fettah Kadiu me këto fjalë: “Dr. Abdul Fettah Kadiu, dijetar i madh dhe i rrallë, i pashoq në kohën e vet. Ka lindur në Demenhur, Egjipt, më 25 shaban 1325 h./ 14 tetor 1907. Hapat e parë në dije i hodhi në vendlindje, ku mësoi Kur’anin përmendësh, për të vazhduar më pas me Shkencën e Kiraeteve dhe Texhvidin, të cilat i mësoi nga dijetarët më në zë të asaj kohe, në Aleksandri dhe Kajro.”

 

Mësuesit e hoxhës dr. Abdul Fettah Kadi

Ka mësuar tek dijetarë të shumtë, si:

  • Ali Ijade, tek i cili mësoi Kur’anin përmendsh.
  • Mahmud Muhammed Gazzal dhe Mahmud Muhammed Nasruddin, nga të cilët mësoi texhvidin dhe dhjetë llojet e kiraeteve (leximeve të Kur’anit Fisnik).
  • Hemmam Ibn Kutb Ibn Abdul Hadi dhe Hasen Subhi, nga të cilët mësoi dhjetë kiraetet.
  • Mahmud Abdud Daim.
  • Mahmud Sheltut (Shejhu i Ez’herit).
  • Abdullah Draz.
  • Jusuf Dexhvi.
  • Ahmed Mekki.
  • Mahmud el-Hidr Husejn (Shejhu i Ez’herit), e shumë të tjerë, Allahu i pastë mëshiruar!

 

Shkollimi

Në fillim, në Aleksandri, ndoqi Institutin e Ez’herit, ku fitoi diplomën e shkollës së mesme, për të vazhduar më pas studimet në Kajro, në Universitetin e famshëm të Ez’harit dhe në vitin 1935 arriti gradën e asaj që sot njihet si doktoratë.

 

Nxënësit më të dalluar të tij

Dr. Kadiu ka mësuar një numër të madh nxënësish, ndër të cilët më pas do të dalin emra të mëdhenj në fusha të ndryshme të shkencave islame, si:

  • Musa Shahin Lashin.
  • Ali AbduRrahman el-Hudhejfi.
  • Shejhu Ibrahim el-Ahdar – njëri nga nxënësit më të dalluar të tij, njëherësh një nga ish-imamët e xhamisë së Pejgamberit ﷺ.
  • Shejhu Muhammed Sadik el-Kamhavi.
  • Muhammed Salim Muhajsin – autor i veprave të njohura në kiraete dhe fusha të tjera.
  • Sha’ban Muhammed Ismail.
  • Shejhu Rizk Halil Habbeh.
  • Mahmud Halil Husari.
  • Abdul Aziz el-Karijj – ish-dekan i Fakultetit të Kur’anit Fisnik dhe Studimeve Islame, në Universitetin Islamik të Medinës.
  • Shejhu Seid Ibn Ahmed Ibn Muhammed Isa es-Senedij, etj.

 Sinqeriteti dhe përkushtimi i tij në edukim dhe arsimim

Të gjithë ata që kanë mësuar prej tij e kanë dashur dhe kanë qenë fort të lidhur me të. Kur i kam pyetur disa prej ish-nxënësve të tij për sekretin e kësaj lidhje, më kanë thënë se çështjen që dikush nuk mund ta shpjegonte për ditë të tëra, ai e shpjegonte për disa minuta duke e bërë të qartë dhe të kuptueshme. Personalisht këtë e kam interpretuar si rezultat i dy gjërave: sinqeritetit të hoxhës dhe nijetit të pastër të tij, sepse kush ka nijet të pastër, ka bereqet në vepra, dhe thellësisë së tij në këtë shkencë, si jo kur ai ka kaluar tërë jetën ndërmjet mësimit, veprave, mësimdhënies, hulumtimit e verifikimit. Hoxha kishte një metodë shumë tërheqëse. I mbante lidhjet me studentët, interesohej për gjendjet dhe problemet e tyre, i qortonte nëse nuk e vizitonin në shtëpi, e po të kishte mundësi për shkak se vuante nga shëndeti i dobët, do t’i vizitonte vet. Të gjithë e trajtonin si prind. Për dallim prej tij, disa profesorë dallohen për vrazhdësi e raporte të ftohura me studentë. Ata nuk mund t’i takosh vetëm se gjatë kohës së ligjëratës. Fakti se arsimimi është profesion edukativ, i cili kërkon forcimin e lidhjeve ndërmjet profesorit dhe studentëve nuk paraqet ndonjë rëndësi për ta. Ata janë larg, madje shumë larg, të parëve tanë, të cilët dalloheshin për raporte të mira dhe afërsi me nxënësit dhe studentët..”[3]

 

Virtytet dhe tiparet

Dr. Abdullah bin Muhammed bin Sulejman Xharullah ka përmendur tipare dhe virtytet të shumta të hoxhës, prej të cilave ne do t’i veçojmë disa:

Hoxha Abdul Fettah Kadi është veçuar për talent dhe tipare që nuk janë parë tek bashkëkohësit e tij, hoxhallarë apo të tjerë qofshin, dhe as tek gjeneratat që kanë pasuar. Dallohej veçmas për leximin, shqiptimin e rrallë, fuqinë e ndjeshmërisë kur’anore, tipare këto që i jepnin epërsi në njohjen e shprehjeve të ndryshme nëpërmjet fjalës së Allahut. Ishte i mahnitshëm dhe shumë tërheqës për këdo që e dëgjonte duke lexuar. Po ta dëgjoje duke lexuar, shpjeguar a folur, do të krijoje përshtypjen se në fakt një engjëll është duke lexuar. Hoxha Ahdari ka thënë: Hoxha ynë, Kadiu, qe bekuar e begatuar me bukuri të shprehjes e recitimit. Thuajse lulet e kopshteve të leximit dhe mentoritimit të lexuesve patën lulëzuar në zemrën dhe gjuhën e tij. Ditët buzëqeshnin e kënaqeshin, ndërsa dëgjonin prezentimin e bukur që i bënte Kur’anit…  Salahu, djali i tij i madh, rrëfen: Kam marrë pjesë në të gjitha hytbet, që babai i ka mbajtur në xhamitë e Demenhurit dhe Kajros. Njerëzit qanin prej fuqisë së tyre këshilluese e qanin edhe më shumë, kur iu printe në namazin e xhumasë dhe ju lexonte Kur’anin.

Tipar tjetër që e dallonte hoxhën ishte edhe përkujdesja për dukjen. Vishte rrobat më të mira, parfumohej dhe kurrë nuk dilte pa çallmën e Az’harit dhe uniformën e dijetarëve. Çdokush që ka pasur nderin të shoqërohet me të a të jetë mysafir i tij, ka dëshmuar për bujarinë dhe mikpritjen e tij. Shtëpia e tij ishte e hapur për vizitorë dhe gumëzhinte nga nxënësit, studentët dhe hoxhallarët. Derën e shtëpisë e linte të hapur dhe thoshte se sa herë që e gjeni të hapur, hyni e nuk keni nevojë të kërkoni leje. Madje edhe kur qe shtyrë në moshë, refuzonte ta reduktonte orarin e takimeve me studentë e miq, pavarësisht këshillave mirëdashëse që i jepeshin me këtë qëllim.

Tipar tjetër i tij ishte modestia dhe thyerja e mendimit, sa herë që i bëhej e qartë se e vërteta ishte ndryshe. Nuk bezdisej nga mendimi tjetër e aq më pak ta refuzonte. Ishte zemërgjerë. Duke na folur për këtë tipar, hoxha tunizian Ebu Abdullah Munir Mudhafferi thotë:  Ajo që më bënte ta dua me gjithë shpirt Hoxhën është qëndrimi respektues i tij, karshi mendimeve tona të ndryshme. Më ka rënë disa herë të mos kam ndarë mendim të njëjtë me të dhe të mos e gjej kurrë të bezdisur nga kjo. Në mesele dytësore nuk ndihej keq nëse dikush nuk mendonte sikur ai dhe aq më pak ta shtynte dikë të mendonte sikur ai. Madje, nga modestia, ndonjëherë kërkonte prej meje, që të hulumtoja për mendimin më të saktë për një mesele, që kishte mendime të ndryshme rreth saj. Ishte dijetar i madh, e donte argumentin bindës. Ky është karakter i dijetarëve që e pasojnë argumentin dhe nuk imitojnë. Disa lexues (ar. kurra) nuk e kanë pritur mirë qasjen e tij, për t’u çliruar nga zgjedha e imitimit, madje e kanë marrë si pretekst për ta sulmuar e për t’ia ulur vlerën. Kështu veprojnë vetëm ata që janë pushtuar nga fanatizmi dhe imitimi i verbër.

Përveç këtyre tipareve, hoxha dallohej dhe për aspektin e adhurimit. Ishte shumë i devotshëm. Nuk i interesonin pozitat dhe as që jepej pas funksionarëve e pushtetarëve. Hoxha Abdul Azizi rrëfen për të e thotë: Kemi qëndruar bashkë për tetë vite dhe nuk mbaj mend të më ketë thënë as edhe një herë të vetme: eja të shkojmë tek ky apo ai pushtetar. Ishte devotshmëria ajo që e kishte penguar, të mos incizonte leximin e Kur’anit për radion, sepse urrente që nga i njëjti kanal të dëgjohej Kur’ani dhe gjëra tjera. Qëndrimin në Medinë e shihte si mirësi të veçantë, për të cilën duhej falënderuar dhe treguar edukatë të lartë. Jo rrallë lutej: Allahu im! Na pajis më kulturë e moral të lartë në qytetin e Pejgamberit Tënd! Qante shpesh e thoshte: Nuk e di nëse e meritoj të qëndroj këtu apo jo!

Këto qëndrime, lutje e këta lot sigurisht se flasin për dashurinë e tij të madhe për fenë e Allahut, për të Dërguarin e Tij, e inshaAllah edhe për pranimin e veprave të Hoxhës sonë!

Do theksuar se hoxha nuk e merrte vet pagën. E merrte ndonjëri nga studentët dhe ia dorëzonte gruas së hoxhës. Ai nuk e dinte as sa e kishte rrogën dhe as kur e merrte atë[4].

Kjo është një mirësi që Allahu ia jep vetëm robërve të Tij të zgjedhur. Këto tipare dhe ky moral kur’anor duhet të na karakterizojnë neve, profesorëve dhe studentëve në universitetet tona islame. Ende më bën të ndihem keq, kur e kujtoj qëndrimin e njërit prej profesorëve, i cili në amfiteatrin e ligjëratave i drejtohet studentëve se raportet e tyre me të nuk duhej ta tejkalonin amfiteatrin. Sa fjalë të pavenda dhe sa qëndrim të shëmtuar që ka treguar ky profesor. Këto raporte diplomatike dhe në distancë, për pasojë kanë sjellë një gjeneratë studentësh dhe profesorësh për të cilët duhet thurur elegji. A thua vallë do të kenë fund ndonjëherë këta njerëz dhe këto sjellje?! A nuk marrin mësim të tillët nga praktika dhe sjelljet brilante të hoxhës Abdul Fettah Kadi, që të sillen mirë me studentët e të japin maksimumin nga koha, pasuria, energjia dhe çdo gjë tjetër, vetëm e vetëm që misionin e tyre edukativ ta kryejnë me sukseset më të larta të mundshme!

 

 Postet që ka ushtruar

  • Menjëherë pas diplomimit, u emërua mësues në institutin e mesëm të Az’harit, në Kajro.
  • U emërua shejh (hoxhë) i leximeve të Kur’anit në Departamentin e Kiraeteve, në Fakultetin e Gjuhës Arabe në Az’har.
  • Kontrollor i përgjithshëm në institutet ez’heriste.
  • U emërua shejh nga Az’hari në Institutin e Az’harit në Desuk dhe Demenhur.
  • U emërua përfaqësues i përgjithshëm i instituteve të Az’harit dhe, më pas, edhe drejtor i përgjithshëm, funksion ky në të cilin mbeti deri në pensionim.
  • Që nga themelimi i Akademisë për Hulumtime Islame, në vitin 1950, ishte angazhuar në të, një herë si anëtar, ndërsa nga viti 1957 e deri në vdekje si udhëheqës i saj.
  • Ishte anëtar e më pas edhe Kryetar i Këshillit të Testimit të Lexuesve të Kur’anit, pranë Radios së Republikës së Egjiptit.
  • Me kërkesë të ish-myftiut të Arabisë Saudite, Shejh Abdul Aziz Ibn Bazit, do të transferohet në Medinën e Ndritur për të dhënë mësim atje. Do të mbetet në krye të Departamentit për Lexime, në Fakultetin e Kur’anit Fisnik dhe Studimeve Islame deri në v. 1403[5].

DISA NGA ARRITJET E HOXHËS

Themelimi i institutit për kiraete në Kajro

Ky institut është themeluar, në vitin 1945. Fillimisht ishte pjesë e fakultetit të gjuhës arabe në Az’har. Studimet zgjasnin tetë vite njëri prej të cilëve ishte për texhvidin, tre vitet pasuese ishin ekuivalente me shkollën e mesme, ndërsa katër vitet tjera ishin profesionale dhe quheshin Tehassus el-kiraat. Nga ky institut kanë dalë gjenerata të tëra të cilat kanë memorizuar Kur’anin, kanë përvetësuar kiraetet e tij dhe e kanë shërbyer atë, ashtu siç meriton të shërbehet libri i Zotit. Krahas hoxhës sonë, në këtë institut kanë dhënë mësime dhe emra tjerë të njohur, si: hoxha Amir bin Sejjid Uthman, Abdul Aziz Zejjat, Ibrahim bin Ali Shehhateh Semenudi, etj.

Fakulteti i Kur’anit Fisnik në Medinë

Themelimi i këtij fakulteti, marrë parasysh faktin se ka qenë i pari i llojit të vet në nivel universitar, ka pasur rëndësinë dhe vlerën e pakontestueshme. Kontributi në fushën e studimeve kur’anore është i pamohueshëm. Pas Allahut të madhëruar, meritat për themelimin e këtij fakulteti i përkasin hoxhës dhe dijetarit të mirënjohur, Abdul Aziz bin Bazit[6], atëbotë Kryetar i Qendrës për Hulumtime, Fetva, Dave dhe Udhëzim, dhe njëherësh Rektor i Universitetit Islamik të Medinës. Fakulteti e filloi punën me 20 studentë, të përzgjedhur për nga aspekti i nivelit të lartë në memorizimin dhe leximin e Kur’anit me texhvid. Prej tyre vetëm pesë ishin nga Saudia.

Të tjerët ishin të huaj. Hoxha ynë qëndroi për katër vite ku me mbështetjen dhe përkrahjen e madhe të hoxhës Bin Baz vendosi planprogramet dhe kurrikulat mbi bazën e të cilave zhvillohej mësimi. Edhe autori i këtyre rreshtave ka pasur fatin ta shoqërojë hoxhën në këtë projekt. Hoxhës i ishte lënë mundësia që të përzgjidhte edhe kuadrin mësimdhënës, të cilët ai i kishte përzgjedhur me shumë kujdes. Ishin nga Egjipti, të gjithë ishin emra të shquar dhe të dalluar në këtë fushë. Detyrat që morën përsipër i kryen me besnikëri e përgjegjësinë më të madhe, duke ndërtuar kështu një sistem të mirëfilltë edukimi dhe një qendër të jashtëzakonshme për kohën, për studimin e Kur’anit dhe shkencave të tij. Studimet kur’anore kanë nevojë për një rimëkëmbje, për angazhime të reja, për kontribut të ri, në mënyrë që rezultatet e arritura e të ngela në dorëshkrime të shohin dritën e botimit sikur që ka nevojë për shkrime e hulumtime të reja, të cilat librarinë kur’anore do të pasuronin më shumë.[7]

 

Vdekja e hoxhës

Dr. Abdul Fettah Kadi vdiq, në Kajro, pas një sëmundje të shkurtër që e kishte goditur, në Medinë. Ka vdekur ditën e hënë, me muharrem 1403 h., ose më, 1 nëntor 1982. Është varrosur, në Kajro[8].

E lusim Allahun ta mëshirojë hoxhën tonë dhe ta shpërblejë për shërbimin që i ka bërë Librit të Tij!                     

Gjatë hulumtimit kam gjetur një foto kolektive, të një numri dijetarësh dhe lexuesish nga Egjipti, ne mesin e të cilëve janë edhe hoxha dr. Abdul Fettah Kadi, hoxha Mahmud Abdul Halik Xhadu dhe hoxha Abdurrafi Ridvan Sherkavi, qofshin nën mëshirën e Allahut!

Hoxha dhe profesori im, lexuesi Mahmud Abdul Halik Xhadu(ne mes), hoxha dhe lexuesi Abdurrafi Ridvan Sherkavi, hoxha dhe prof. dr. Mahmud Sibevejhi, Allahu i pastë mëshiruar!

 

KIRAETET E KUR’ANIT (ndërmjet pikëpamjes hebreje dhe islame) Abdul Fettah el Kadi dhe Ignaz Goldziheri sy më sy

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA


[1] Profesor i Tefsirit Tematik në Fakultetin e Kur’anit, në Universitetin Islamik, në Medinë. Njëherësh Imam dhe ligjërues në xhaminë Kuba, po ashtu në Medinë. Hulumtuesi ka pasur fatin që ta ketë profesor në periudhën 1990-1994, në Universitetin Islamik, në Medinë.

[2] Revista Dija, nr. 9, shaban 1433 h.

[3]Shih: Abdul Aziz Kariu “El-alametu esh-Shejh Abdul Fettah Kadi ve etheruhu fi eddirasat el-kur’anije” revista e Fakultetit të Kur’anit Fisnik, Universiteti Islamik, në Medinë, f. 309-320; “Alimu-d-dunja ve Shejhu el-mukri’ine Abdul Fettah Kadi – siretun atiretun ve tarihun mexhid”, revista Dija’, f. 46-81; Mersafi, Hidajetu el-kari ila texhvidi kelami el-Bari, f. 658-663.

[4] Shih: Revista Dija’, f. 53-57.

[5] Shih detaje nga referencat e mëparshme.

[6] Dijetari i madh, Bin Bazi, ka vdekur më 14 maj 1999.

[7] Shih referencat paraprake. Shih edhe: Ismail, Mukaddimetu el-vafi, f. 27-35; Ebu El-Ajnejn, Esh-Shejh el-Alameh Abdul Fettah bin Abdul Gani el-Kadi ve xhuhuduhu fi eddirasat el-kur’anije, f. 49-61. Ky studim është i çmuar pasi e trajton fare pak kontributin e hoxhës dhënë në fushën e kiraeteve.

[8] Shih revistën e Fakultetit të Kur’anit Fisnik dhe Studimeve Islame, nr. 1, f. 309-320.

Related Stories

Na ndiqni në Youtube

spot_img

Tema të tjera

قضايا دينية، اجتماعية، سياسية معاصرة في ميزان القرآن: قراءة...

قضااي دينية اجتماعية سياسية معاصرة يف ميزان القرآن قراءة حتليلية يف تفسري األستاذ سيد قطب ورقة...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح...

القراءات القرآنية بين النظرة اليهودية والإسلامية. لشيخ عبد الفتاح القاضي مع الأستاذ إغناز غولد:...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث: التجربة الكوسوفية...

عقبات الحوار وعوامل فشله في العصر الحديث التجربةالكوسوفيةمع الصربنموذج ورقة علمية قدمت في املؤتمر العاملي بعنوان: "...

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام

تنوير القلوب والأفهام بقواعد التدبر والتفسير لكتاب رب الأنام ورقة علمية معدة للندوة العلمية يف امللتقى...

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية

ثقافة المسلم المعاصر:تجربة شخصية في ضوء الآيات القرآنية د/خيرالدين خوجة(الكوسوفي)

دراسات لأسلوب القرآن الكريم

سلسلة عرض وتقديم أعلام الدراسات القرآنية (3) دراسات لأسلوب القرآن الكريم للشيخ الأستاذ الدكتور محمد عبد الخالق...

Kategoritë më të popullarizuara

Comments